Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bode jep me koncesion kontrollin e taksave në tregun e karburanteve

Kontrolli për pagesën e taksave ndaj tregut të karburanteve do të jepet me koncesion. Ministria e Financave ka filluar tashmë procedurat e garës për dhënien me koncesion të shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve, që synon të sigurojë dhe garantojë pagesën e taksave dhe tatimeve të parashikuara nga legjislacioni i Republikës së Shqipërisë për tregtimin e karburanteve në territorin shqiptar nëpërmjet kontrollit të tregut të karburanteve (akcizë, TVSH, taksë karboni). Sipas Ministrisë së Financave, ky kontroll bëhet i mundur pikërisht me anë të sistemit të markimit të karburanteve ofruar nga shoqëria propozuese, i cili vërteton jo vetëm nëse përbërja e karburanteve ka ndryshuar pas pagesës së taksave, por edhe nëse karburanti në qarkullim është i shënjuar, pra ka paguar taksën, apo është karburant i pashënjuar, pra i futur kontrabandë në tregun shqiptar. “ Ministria e Financave, me qëllim kontrollin e pagimit të taksave të aplikueshme për karburantet dhe parandalimin e evazionit fiskal nëpërmjet mospagimit të tyre, do të zhvillojë një procedurë konkurruese për dhënien me koncesion  të “Shërbimit të Markimit dhe Monitorimit të Karburanteve”, që të përzgjedhë nga ofertuesit një shoqëri më të cilën të lidhë Kontratën Koncesionare”, – ka bërë të ditur dikasteri i Bodes në ftesën për ofertë. Ofertat do të hapen më datë 14 maj në Ministrinë e Financave dhe më pas do të nisë procesi i vlerësimit. Me anë të këtij koncesioni, qeveria synon të përmirësojë cilësinë e karburanteve që tregtohen në vendin tonë dhe shmangien e evazionit fiskal në këtë treg. Karburantet dhe tregtia e tyre janë një ndër bizneset më të mëdha dhe me më fitim në vendin tonë. Reduktimi i informalitetit në këtë linjë të tregut pritet të rrisë edhe të ardhurat për buxhetin e shtetit.

Gazeta Mapo, 08.04.2012