Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dy vendime te Keshillit te Ministrave per proceduren e privatizimi te Albpetrolit dhe trajtimin e punonjesve

VENDIM Nr. 107, datë 1.2.2012 PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PARAQITJEN, HAPJEN DHE VLERËSIMIN E OFERTAVE PËR PRIVATIZIMIN E SHOQËRISË “ALBPETROL” SHA, PATOS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 12 të ligjit nr. 8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, dhe të neneve 6 e 8 të ligjit nr. 10 490, datë 15.12.2011 “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., Patos”, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Miratimin e rregullave për paraqitjen, hapjen dhe vlerësimin e ofertave për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a., Patos, sipas shtojcave 1, 2 dhe 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
SHTOJCA 1
RREGULLAT PËR PARAQITJEN, HAPJEN DHE VLERËSIMIN E OFERTAVE PËR PRIVATIZIMIN E “ALBPETROL” SHA
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e Republikës së Shqipërisë, në zbatim të neneve 6 dhe 8 të ligjit nr. 10 490, datë 15.12.2011 “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., Patos”, dhe të vendimit nr. 329, datë 12.7.1999 të Këshillit të Ministrave “Për procedurat e tenderit për zgjedhjen e investitorëve strategjikë dhe për transferimin e aksioneve të zotëruara nga shteti në shoqëritë tregtare të sektorëve me rëndësi të veçantë”, të ndryshuar, ka hartuar rregullat për paraqitjen dhe hapjen e ofertave në privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a., Patos.
I. PËRKUFIZIME
Në kuptim të këtyre rregullave, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
“Kontratë”, kontrata e blerjes së aksioneve që ministria do të nënshkruajë me investitorin, i cili do të blejë aksionet.
“Albpetrol”, shoqëria anonime shqiptare “Albpetrol” sh.a., e cila është subjekt i privatizimit, në përputhje me ligjin nr. 10 490, datë 15.12.2011.
“Kandidati”, investitori strategjik ose bashkimi i përkohshëm i shoqërive/konsorciumi, të cilëve u ofrohen për blerje aksione të shoqërisë.
“Investitor strategjik”, një shoqëri tregtare që e vetme plotëson kriteret e parashikuara në pikën 2.1, shkronjat “a”, “b”, “c” të kreut II të këtij dokumenti.
“Bashkim i përkohshëm i shoqërive/konsorcium”, marrëveshja e shkruar ndërmjet dy ose më shumë personave juridikë, që ka për objekt blerjen e aksioneve të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., ku përcaktohen roli, përgjegjësitë dhe përqindjet e zotërimit të aksioneve të kësaj shoqërie nga secili. Në marrëveshje duhet të përcaktohet si shoqëri kryesuese njëra nga shoqëritë pjesëmarrëse, e cila të përfaqësojë bashkimin/konsorciumin në nënshkrimin e kontratës dhe në çdo nismë tjetër.
“Komision”, komisioni i vlerësimit të ofertave, i cili krijohet me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
“Ministria”, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e Republikës së Shqipërisë.
“Ofertë”, oferta e paraqitur nga kandidatët për blerjen e aksioneve të shoqërisë “Albpetrol” sh.a.
“Ofertë e përputhur”, një ofertë, që përputhet me të gjithë termat, kushtet, kriteret dhe specifikimet e dokumenteve të tenderit.
“Aksione” do të thotë 13 360 997 (trembëdhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e shtatë) aksione nominative të “Albpetrol”-it, me një vlerë nominale prej 1 000 00 (një mijë) lekë secila, plotësisht të shlyera, që i korrespondojnë 100% të të gjithë kapitalit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., të cilat u janë ofruar kandidatëve, në përputhje me ligjin nr. 10 490, datë 15.12.2011 “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., Patos”.
Në këto rregulla, termat “ofertë”, “tender” dhe derivatet e tyre (kandidat/tenderues, ofruar/tenderuar, ofertë/tenderi etj.), janë sinonime dhe “ditë” do të thotë ditë kalendarike, përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe në këtë vendim. Njëjës, gjithashtu, kuptohet shumës.
II. TË PËRGJITHSHME
1. Organizimi i tenderit
1.1 Forma e përzgjedhjes së kandidatëve të interesuar për blerjen e aksioneve të “Albpetrol”-it është tender i hapur me një fazë, sipas procedurës së parashikuar në këtë vendim. Ministria organizon tenderin dhe pranon oferta për blerjen e aksioneve dhe i vlerëson ato.
2. Kriteret e kualifikimit
2.1 Kandidati duhet të përmbushë kërkesat e mëposhtme:
a) Të jetë person juridik, që zotëron garanci financiare dhe të jetë i mirënjohur në veprimtarinë e tij ekonomike. Personi juridik duhet të plotësojë standardet e certifikimit ISO 9000 ose standardet e njësuara me to;
b) Të jetë shoqëri e specializuar në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe të gazit, e cila t’i ketë ushtruar këto veprimtari në nivel ndërkombëtar për jo më pak se 5 (pesë) vjet;
c) Të ketë një kapital tërësisht të paguar në shumën 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) euro apo barasvlerën e kësaj shume në valutë, në të cilën është shprehur kapitali, asetet neto e, sipas rastit, asetet neto të konsodiluara duhet të jenë të paktën 100 000 000 (njëqind milionë) euro;
d) Nëse ofertat paraqiten nga në bashkim i përkohshëm i shoqërive/konsorcium, duhet të plotësohen kërkesat e mëposhtme:
i) Investitori strategjik duhet të zotërojë të paktën 30% të kapitalit dhe të drejtën e votës në shoqërinë e përbashkët/konsorcium;
ii) Oferta duhet të përfshijë të gjithë informacionin e listuar në pikat e mësipërme 2.1 dhe 2.2;
iii) Të gjithë pjesëmarrësit e bashkimit të përkohshëm të shoqërive/konsorciumit do të jenë përgjegjës solidarë dhe individualisht për zbatimin e marrëveshjes, konsorciumit dhe të kontratës së privatizimit;
iv) Një kopje e marrëveshjes, e lidhur nga përfaqësuesit e bashkimit të përkohshëm të shoqërive/konsorciumit duhet të paraqitet me ofertën. Çdo modifikim i kësaj marrëveshjeje, përfshirë dhe rastet e ndryshimit të përqindjes së interesave të zotëruara nga investitori strategjik dhe nga secili pjesëmarrës në shoqërinë e përbashkët/konsorcium, pas paraqitjes së ofertës, mund të lejohet vetëm me miratimin paraprak të ministrisë.
Mosplotësimi i këtyre kritereve, të parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “d” të pikës 2, më sipër, përbën kusht për skualifikimin e kandidatit.
2.2 Kandidatët duhet që, si pjesë e ofertës, të paraqesin dokumentet ligjore që vërtetojnë se personi, që ka nënshkruar ofertën, ka të drejtë ta bëjë këtë në emër dhe për llogari të kandidatit.
Mungesa e paraqitjes së këtyre dokumenteve ligjore sjell si pasojë refuzimin e ofertës.
2.3 Secili kandidat do të paraqesë vetëm një ofertë. Një kandidat, i cili paraqet ose merr pjesë në më shumë se një ofertë, do të skualifikohet nga të gjitha ofertat e paraqitura.
2.4 Kandidati do të përballojë të gjitha shpenzimet e lidhura me përgatitjen dhe paraqitjen e ofertës së tij dhe ministria, në asnjë rast, nuk do të jetë përgjegjëse apo e detyruar për këto shpenzime, pavarësisht nga ecuria ose rezultati i procesit të tenderit.
III. DOKUMENTET E TENDERIT
1. Në ofertë do të përfshihen angazhimet e mëposhtme:
a) Pranimi nga kandidati i termave dhe kushteve të përcaktuara në dokumentet e tenderit;
b) Pranimi nga kandidati i detyrimeve që rrjedhin nga vlerësimi i tenderit.
2. Në dokumentet e tenderit do të përfshihen dokumentet e mëposhtme:
a) Emri i kandidatit;
b) Kopje të vendimit për regjistrimin në regjistrin tregtar të shoqërive ose një dokument i barasvlershëm, i dhënë nga autoritetet kompetente të vendit përkatës të kandidatit;
c) Dokumente që provojnë secilin nga kriteret e kualifikimit, të parashikuara në pikën 2.1 më sipër, përfshirë pasqyrat financiare të audituara për vitet 2009 dhe 2010 dhe dokumenti që provon se kandidati nuk është në likuidim, ka aftësi paguese dhe nuk është i kërcënuar nga ndonjë pretendim i kreditorëve. Në rast se kandidati është një bashkim i përkohshëm i shoqërive/konsorcium, dokumente të tilla duhet të jepen nga secili prej pjesëmarrësve;
d) Sasia në euro e çmimit total, që kandidati ofron për blerjen e aksioneve;
e) Një deklaratë që provon mundësinë financiare të kandidatit, për të përmbushur në kohë detyrimet që rrjedhin nga “Plani i biznesit” (siç përcaktohet në pikën 3 më poshtë), sipas afateve të parashikuara në të. Në qoftë se kërkohet financim për këtë qëllim, kandidati duhet të paraqesë një deklaratë bankare, që vërteton se mjetet financiare të kandidatit janë të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga plani i biznesit.
3. Planbiznesi i propozuar për “Albpetrol”, për vitet 2012-2017.
3.1 Ofertuesi do të prezantojë si pjesë kryesore të dokumentacionit të tenderit një plan biznesi, për vitet 2012-2017. Plani i biznesit do të përmbajë në detaje planet e ofertuesit dhe kapacitetet e tij:
a) për të financuar “Albpetrol”-in, me qëllim përballimin e nevojave operacionale të tashme dhe të ardhme, si dhe nevojat e marketingut;
b) për të modernizuar dhe ristrukturuar asetet teknologjike të “Albpetrol”-it;
c) për të zgjeruar linjat e prodhimit të “Albpetrol”-it dhe për të racionalizuar prodhimet në qarkullim;
d) për të zgjeruar në mënyrë substanciale vendin e “Albpetrol”-it në tregun shqiptar, rajonal dhe atë botëror, dhe për të zhvilluar një plan marketingu largpamës dhe të fuqishëm;
e) për të rritur efiçencën ekonomike të “Albpetrol”-it, fitimet e tij dhe vlerën e aksioneve në treg;
f) për të treguar kujdes maksimal për fuqinë punëtore të “Albpetrol”-it, ndërsa racionalizon nevojat aktuale dhe të ardhme të fuqisë punëtore;
g) për të forcuar markat tregtare (brande-et) të produkteve të “Albpetrol”-it;
h) për të zbatuar një plan zhvillimi dhe prodhimi afatgjatë të naftës dhe gazit, i cili të ketë si qëllim të bëjë të mundur arritjen e synimeve të radhitura më sipër.
4. Garancia e ofertës
4.1 Kandidati do të paraqesë, si pjesë të ofertës së tij, një garanci prej 10% të çmimit total, që kandidati ofron për blerjen e aksioneve.
4.2 Garancia duhet të jetë në formën e një garancie bankare, e lëshuar nga një bankë, që bën pjesë në 50 bankat kryesore të botës, e zgjedhur nga kandidati. Formati i garancisë bankare duhet të jetë në përputhje me formën e garancisë së ofertës, sipas shtojcës 2. Garancia e ofertës duhet të jetë e vlefshme, të paktën për një periudhë prej 28 ditësh pune, pas periudhës së vlefshmërisë së ofertës së paraqitur, pa përfshirë ndonjë periudhë të shtyrjes së mëvonshme, të kërkuar sipas pikës 3.2 të kreut IV.
4.3 Ministria do të refuzojë çdo ofertë të pashoqëruar nga një garanci, sipas pikave 4.1 dhe 4.2 më sipër, si të pavlefshme. Garancia e ofertës për një bashkim të përkohshëm shoqërish/konsorcium duhet të jetë në emër të të gjithë anëtarëve të bashkimit të përkohshëm të shoqërisë/konsorciumit.
4.4 Garancia e ofertës së kandidatëve jofitues do t’u kthehet këtyre të fundit, jo më vonë se 28 ditë pune, pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së kësaj garancie.
4.5 Garancia e ofertës për kandidatin fitues do të kthehet, kur kandidati ka dhënë garancinë e kontratës, së kërkuar nga marrëveshja, brenda datës së specifikuar në të.
4.6 Garancia e ofertës do të tërhiqet nga Ministria:
a) në qoftë se kandidati nuk pranon korrigjimin e çmimit të tij të ofertës, në përputhje me pikën 5.2, të kreut VI;
b) në rast se kandidati tërhiqet nga oferta e propozuar prej tij, pas hapjes së saj;
c) në rastin e një kandidati fitues, në qoftë se ai nuk arrin, që brenda afatit kohor të parashikuar në dokumentet standarde të tenderit;
– të nënshkruajë marrëveshjen;
– të dorëzojë garancinë e kontratës, të kërkuar nga marrëveshja.
d) Në rast se kandidati paraqet dokumente ose informacione të rreme.
IV. PËRGATITJA E OFERTAVE
1. Gjuha e përdorur për ofertën dhe për të gjithë korrespondencën dhe dokumentet, që lidhen me tenderin, të shkëmbyera ndërmjet kandidatit dhe ministrisë, duhet të jetë shqip dhe anglisht. Dokumentet ndihmëse dhe literatura e shkruar, e dhënë nga kandidati, mund të jenë në gjuhë tjetër, të shoqëruara nga një përkthim i saktë në shqip ose në anglisht. Në këto raste, për qëllimet e interpretimit të ofertës, gjuha anglisht do të jetë mbizotëruese.
2. Çmimi i ofruar nga kandidati do të jetë i shprehur tërësisht në euro.
3. Vlefshmëria e ofertës
3.1 Oferta do të jetë e vlefshme për një periudhë prej 120 (njëqind e njëzet) ditësh, pas datës së hapjes së ofertës.
3.2 Në rrethana të veçanta, para mbarimit të periudhës së vlefshmërisë së ofertës origjinale, ministria mund të kërkojë që kandidatët të zgjatin afatin e vlefshmërisë për një periudhë shtesë. Kërkesa dhe përgjigja ndaj saj duhet të bëhen me letër rekomande ose me faks. Një kandidat mund
të refuzojë kërkesën, pa humbur garancinë e tij të ofertës. Një kandidati, që pranon kërkesën, nuk do t’i kërkohet ose lejohet të modifikojë ofertën e tij, por do t’i kërkohet të shtyjë vlefshmërinë e garancisë së tij të ofertës, për periudhën e zgjatjes dhe në përputhje me pikën 4 të kreut III.
4. Formati dhe nënshkrimi i ofertës
4.1 Kandidati do të përgatisë një origjinal të dokumenteve të tenderit, të treguara në pikat 1 dhe 2 të kreut III, lidhur me dokumentet e përshkruara në pikat 2.1 dhe 2.2 të kreut II, të cilat duhet të kenë shënuar qartë fjalën “ORIGJINAL” mbi zarf. Përveç kësaj, kandidati do të paraqesë 3 (tri) kopje të ofertës, të cilat duhet të kenë të shënuara qartë fjalën “KOPJE” mbi zarf. Në rastet e mospërputhjes midis tyre, do të jetë i vlefshëm origjinali.
4.2 Origjinali dhe të gjitha kopjet e ofertës duhet të jenë të shtypura ose të shkruara me bojë të pashlyeshme (në rastin e kopjeve, fotokopjet janë gjithashtu të pranueshme) dhe duhet të jenë të nënshkruara nga një person ose persona rregullisht të autorizuar, për të nënshkruar në emrin e kandidatit. Personi apo personat që nënshkruajnë ofertën do të nënshkruajnë të gjitha faqet e ofertës, si dhe do të nënshkruajnë vendet ku janë bërë shënime apo ndryshime.
4.3 Asnjë pjesë e ofertës, modifikim, heqje apo shtesa nuk do të konsiderohen gjatë vlerësimit të ofertës, nëse të tilla pjesë të ofertës, modifikime, heqje apo shtesa nuk janë nënshkruar nga personi ose personat, që kanë nënshkruar ofertën fillestare.
V. PARAQITJA E OFERTËS
1. Vulosja dhe vlerësimi i ofertave
1.1 Kandidati do të vulosë origjinalin dhe secilën kopje të ofertës në zarfe të veçanta. Në secilën prej kopjeve duhet të jetë e shënuar sipas rregullit: “ORIGJINAL” ose “KOPJE”. Zarfet që përmbajnë kopje duhet të vulosen në një zarf të jashtëm të shënuar “KOPJE”.
1.2 Zarfi i shënuar “ORIGJINAL” duhet:
a) t’i adresohet ministrisë në adresën e mëposhtme:
Republika e Shqipërisë
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Tregtare
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1001 Tiranë, Shqipëri
b) të mbajë referencën “Privatizimi Albpetrol-ofertë për blerjen e aksioneve të “Albpetrol”-it”;
c) të japë një paralajmërim për moshapjen para kohe dhe para datës së dhënë në pikën 1 të kreut VI.
1.3 Zarfet me shënimin “KOPJE” dhe zarfi i jashtëm duhet:
a) të adresohen në ministri me adresën e mëposhtme:
Republika e Shqipërisë
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Tregtare
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1001 Tiranë, Shqipëri
b) të mbajnë referencën “Privatizimi Albpetrol-ofertë për blerjen e aksioneve të “Albpetrol”-it”;
c) të japin një paralajmërim për moshapjen para kohe dhe para datës së dhënë në pikën 1 të kreut VI.
1.4 Veç identifikimit të kërkuar në pikat 1.2 dhe 1.3 të kreut V, të gjitha zarfet duhet të tregojnë emrin dhe adresën e kandidatit, për të mundësuar që të kthehet e pahapur oferta, në rast se ajo deklarohet e “VONUAR”, sipas pikës 3 të kreut V.
1.5 Në qoftë se zarfet nuk janë vulosur dhe shënuar si më sipër, ministria nuk mban përgjegjësi për dërgimin në një vend të gabuar dhe hapjen para kohe të ofertës.
2. Afati për paraqitjen e ofertave
2.1 Ministria duhet të marrë ofertat e shënuara “ORIGJINAL” dhe “KOPJE” në adresat e specifikuara në pikat 1.2 ose 1.3 të kreut V, jo më vonë se 4 (katër) muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
2.2 Ministria, në situata të veçanta dhe me zgjedhjen e saj, mund të zgjasë afatin për paraqitjen e ofertave. Në një rast të tillë, të gjitha të drejtat dhe detyrimet e ministrisë dhe kandidatëve që më parë i nënshtroheshin afatit fillestar, pas kësaj do t’i nënshtrohen afatit të shtyrë, duke njoftuar më parë të gjithë kandidatët.
3. Ofertat e vonuara
Ndonjë ofertë e marrë nga ministria pas afatit për paraqitjen e ofertave, parashikuar në pikën 2 të kreut V, do t’i kthehet e pahapur kandidatit.
VI. HAPJA E OFERTËS DHE VLERËSIMI
1. Hapja e ofertës
1.1 Komisioni, në prani të kandidatëve, do të hapë zarfet e shënuara “ORIGJINAL”, në ministri, në kohën e duhur për paraqitjen e ofertës, siç specifikohet në pkën 2.1 të kreut V. Hapja e ofertës është publike.
1.2 Emrat e kandidatëve, çmimi i ofertës dhe prania (apo mungesa) e garancisë së ofertës do të njoftohen nga komisioni në hapje.
1.3 Komisioni do të përgatisë procesverbalet e hapjes së ofertës. Një noter publik duhet të jetë i pranishëm dhe të konfirmojë procesverbalet e hapjes së ofertës.
2. Konfidencialiteti i procesit të vlerësimit
Informacioni për vlerësimin dhe krahasimin e ofertave dhe rekomandimet për shpalljen fitues nuk do të zbulohen për kandidatët ose ndonjë person tjetër, që nuk janë të lidhur zyrtarisht me një proces të tillë, deri sa të jetë shpallur vlerësimi për kandidatin fitues. Ndonjë përpjekje nga një kandidat për të influencuar në përpunimin e ofertave ose vendimet e vlerësimit të komisionit mund të rezultojë në refuzim të ofertës së kandidatit.
3. Sqarimi i ofertave dhe komunikimi me komisionin e vlerësimit të ofertave 3.1 Komisioni, në rast paqartësie, mund t’i kërkojë kandidatëve ndonjë sqarim rreth dokumenteve tashmë të dhëna. Në këtë rast, kandidatët duhet të jenë të gatshëm për të dhënë sqarimet, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës së komisionit. Mosdhënia e sqarimeve të kërkuara brenda afatit të sipërpërmendur shkakton përjashtimin nga tenderi.
3.2 Çdo komunikim, ndërmjet kandidatëve dhe komisionit, do të bëhet vetëm në mënyrë të shkruar dhe vetëm nëpërmjet faksit apo letrës rekomande.
4. Shqyrtimi i ofertave dhe përputhshmëria
4.1 Para vlerësimit të detajuar të ofertave, komisioni do të përcaktojë nëse çdo ofertë:
a) plotëson kriteret e kualifikimit, të përcaktuara në pikën 2 të kreut II;
b) shoqërohet me garancinë e ofertës, së kërkuar në përputhje me pikën 4 të kreut III;
c) është në thelb, në përputhje me kërkesat e dokumenteve të tenderit.
4.2 Një ofertë e përputhur në përmbajtje është një ofertë që përputhet me të gjithë termat, kushtet dhe specifikimet e dokumenteve të tenderit, pa devijime apo rezervime materiale. Devijim apo rezervim material konsiderohet:
a) një kufizim në ndonjë mënyrë thelbësore, të papajtueshme me dokumentet e tenderit, i të drejtave të ministrisë ose detyrimeve të kandidatëve sipas marrëveshjes;
b) korrigjimi, i cili mund të ndikojë padrejtësisht pozicionin konkurrues të kandidatëve të tjerë, që prezantojnë oferta të përputhura.
4.3 Në qoftë se një ofertë nuk është e përputhur, ajo nuk do të vlerësohet nga komisioni.
5. Ndreqja e gabimeve
5.1 Komisioni do të kontrollojë të gjitha ofertat për të qenë përgjegjës për ndonjë gabim aritmetik. Ku ka një mospajtim midis shumave në shifra dhe në fjalë, shumat në fjalë do të jenë mbizotëruese.
5.2 Shuma e deklaruar në ofertë do të rregullohet nga komisioni, në përputhje me pikën 5,1 dhe, me marrëveshjen e kandidatit, do të konsiderohen si detyruese për kandidatin. Në qoftë se kandidati nuk pranon shumën e korrigjuar të ofertës, oferta e tij nuk do të pranohet dhe garancia e tenderit mund të humbasë në përputhje me pikën 4.6 shkronja “a” të kreut III.
6. Vlerësimi dhe krahasimi i ofertave
6.1 Komisioni do të vlerësojë dhe do të krahasojë vetëm ofertat e përcaktuara, të cilat janë të përputhura sipas pikës 4 të kreut VI.
6.2 Në zbatim të vendimit nr. 329, datë 12.7.1999 të Këshillit të Ministrave, vlerësimi i ofertave do të bëhet sipas shtojcës 3, bashkëlidhur këtij vendimi.
6.3 Pas vlerësimit të ofertave, komisioni përgatiti vendimin, në të cilin përfshihen renditja e kandidatëve dhe kandidatët e skualifikuar. Vendimi i komunikohet individualisht çdo kandidati në adresën e deklaruar në ofertë.
7. Mossuksesi i procedurës
7.1 Procedura do të konsiderohet e pasuksesshme, në rast se asnjë ofertë nuk paraqitet apo asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me procedurën e tenderit.
VII. ANKIMIMI
1. Kundër vendimit të komisionit, kandidatët mund të paraqesin ankim, brenda 5 (pesë ditëve) nga data e marrjes së njoftimit, pranë Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Ministri kthen përgjigje brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e marrjes së ankimit.
VIII. MIRATIMI I VLERËSIMIT DHE NËNSHKRIMI I KONTRATËS
1. Komisioni do t’i paraqesë Këshillit të Ministrave raportin përfundimtar të vlerësimit të ofertave të klasifikuara, në përputhje me kriteret e përmendura në pikën 6.2 të kreut VI. Këshilli i Ministrave miraton raportin e vlerësimit të ofertave dhe shpall kandidatin fitues.
2. Këshilli i Ministrave mund që, në çdo kohë përpara shpalljes së fituesit të anulojë procedurën e tenderit pa u dhënë argumente kandidatëve.
2. Njoftimi për vlerësimin
2.1 Përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë së ofertës, ministria do të njoftojë kandidatin fitues dhe do të fillojë negocimin e kontratës me të.
3. Nënshkrimi i kontratës
3.1 Brenda 30 (tridhjetë) ditëve pas shpalljes së fituesit kandidati fitues duhet të nënshkruajë kontratën me ministrinë dhe të dorëzojë garancinë e kontratës. Në të kundërt, negocimet do të fillojnë me kandidatin e klasifikuar i dyti dhe, pastaj me kandidatët e tjerë, të klasifikuar pas tij, në përputhje me të njëjtën procedurë.
3.2 Afati i treguar në pikën 3.1 të kreut VIII, mund të shtyhet sipas marrëveshjes ndërmjet palëve për 30 (tridhjetë) ditë, por jo më shumë se një herë.
3.3 Garancia e kontratës do të jetë 20% e çmimit të blerjes dhe do të jetë sipas formatit në shtojcën 2, bashkëlidhur këtyre rregullave.
3.4 Garancia e kontratës do t’i kthehet blerësit, pas pagimit të plotë të çmimit të kontratës, sipas kushteve të përcaktuara në të (në kontratë).
4. Miratimi i kontratës
Kontrata, pasi nënshkruhet nga ministri përgjegjës dhe blerësi, miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe ratifikohet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
SHTOJCA 2
Koka e letrës së bankës
Datë ______________
Republika e Shqipërisë
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1001
Tiranë
Shqipëri
LETËR GARANCIE
Ne jemi të informuar se klienti ynë________________(më poshtë “Kandidati”) do t’ju paraqesë ofertën e tij për blerjen e aksioneve të zotëruara nga shteti, të kompanisë shqiptare “Albpetrol” sh.a., ofertë e marrë tashmë prej jush, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për paraqitjen dhe hapjen e ofertave për privatizimin e shoqërisë anonime “Albpetrol” sh.a.” (më poshtë “instruksionet”).
Në përputhje me pikën 4.4 të rregullave, kandidati i kërkohet të paraqesë një garanci të tenderit në sasinë prej _________eurosh.
Duke qenë rregullisht të regjistruar, me seli në ______, me kërkesë të kandidatit, angazhohemi për t’ju paguar menjëherë, në mënyrë të pakthyeshme, sipas kërkesës suaj të parë me shkrim, një sasi deri në __________euro, pa ndonjë njoftim ose kufizim a kushtëzim dhe pavarësisht nga ndonjë kundërshtim i ngritur nga kandidati.
Detyrimet tuaja sipas kësaj letre të garancisë do të përfundojnë në datën e treguar në pikën 4.4.2 të rregullave ose, në rast se është përcaktuar kandidati, në datën e treguar në pikën 4.4.5 të po këtyre rregullave. Kërkesa juaj e shkruar duhet të na ketë arritur deri në atë datë, përndryshe ndonjërës dhe të gjitha kërkesave përkundrejt nesh, sipas kësaj letre garancie, do t’u mbarojë afati automatikisht.
Origjinali i këtij dokumenti duhet të kthehet brenda afateve të specifikuara në pikën 4.4.4 ose në pikën 4.4.5 të rregullave ose në ndonjë rast pasi të gjitha kërkesat tuaja të jenë përmbushur.
SHTOJCA 3
(Vleresimi i fituesit)
1 Teknike 25%
1.1 Kredencialet teknike të blerësit të mundshëm 30
1.1.1 Qëllimet strategjike të blerësit për “Albpetrol”-in 50
1.1.2 Eksperienca e blerësit në aktivitetet e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe gazit 25
1.1.3 Aftësitë teknike të blerësit për të mbështetur “Albpetrol”-in 25
2 Planbiznesi 2012-2017 70
2.1 Kapacitetet
2.1.1 Plani për riaktivizimin e puseve ekzistuese të “Alpetrol”-it me teknologji të cilat rezultojnë në rritjen e prodhimit, rezervave dhe krijimin e vlerës së përgjithshme 10
2.1.2 Planet për rehabilitimin e njësive të prodhimit për të rritur kapacitetin prodhues në përputhje me rritjen e disponueshmërisë të lëndës së parë dhe kërkesave të tregut 5
2.1.3 Rehabilitimi dhe plani i zgjerimit të tubacionit të transportimit të naftës dhe të gazit duke rritur efiçencën e këtij shërbimi shtesë të “Albpetrol”-it dhe në përgjithësi plan-rehabilitimi dhe zgjerimi për çdo njësi tjetër shërbimi 10
2.1.4 Plan-shpimi dhe zhvillimi që të përmbajë numrin e puseve, programimin e afatit kohor të shpimeve, metodologjinë dhe kostot e pritshme të shpimit, i hartuar edhe me qëllimin e identifikimit të zonave potencialisht të paeksploruara dhe pak të zhvilluara 5
2.1.5 Plan për rigjenerimin e rezervave 10
2.2 Mjedisi
2.2.1 Planet për përmirësimin e performancës mjedisore (ajër, ujë, lëndë të ngurta) në përputhje me kërkesat ligjore në Shqipëri (apo edhe kërkesa ligjore më të rrepta) në të gjitha pikat e aktivitetit 20
2.3 Efiçenca
2.3.1 Plane për automatizimin e procesit për rritjen e efiçencës së prodhimit dhe cilësisë së produktit 5
2.4 Shëndeti dhe siguria
2.4.1 Përmirësime që duhen zbatuar në lidhje me shëndetin dhe sigurinë 10
2.4.2 Përmirësime që duhen zbatuar në administrim 5
2.5 Kapitali
2.5.1 Program i plotë i investimeve kapitale gjatë 5 viteve të ardhshme, bazuar në të mësipërmet 10
2.6 Burimet njerëzore
2.6.1 Planet për zvogëlimin e impakteve sociale si rezultat i racionalizimit të fuqisë punëtore 5
2.6.2 Planet e trajnimit për të përmirësuar aftësitë dhe kompentencat e fuqisë punëtore 5
3 Aspekti financiar 75%
3.1 Oferta 100 %

 

VENDIM Nr. 106, datë 1.2.2012 PËR TRAJTIMIN E PUNONJËSVE, QË DALIN TË PAPUNË NGA PROCESI I RISTRUKTURIMIT TË SHOQËRISË “ALBPETROL” SHA, PATOS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 58 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 6 të ligjit nr. 8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, të ndryshuar, dhe të neneve 4 e 8 të ligjit nr. 10 490, datë 15.12.2011 “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., Patos”, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Punonjësit e shoqërisë “Albpetrol” sh.a., Patos, që dalin të papunë si pasojë e ristrukturimit, gjatë periudhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi deri në çastin e privatizimit të shoqërisë, përveç trajtimeve që parashikohen nga Kodi i Punës, përfitojnë, për një periudhë njëvjeçare, pagesë sipas pagës bruto të vitit të fundit të punës. Në përfundim të kësaj periudhe, punonjësit kanë të drejtë të aplikojnë për të ardhurën nga papunësia.
2. Periudha, gjatë së cilës këta punonjës do të marrin pagesën e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, njihet periudhë sigurimi, për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë, të invaliditetit e atij familjar dhe të barrëlindjes kundrejt pagesës së kontributit në fondin e sigurimit të detyrueshëm shoqëror nga “Albpetrol” sh.a., Patos. Periudha e sipërpërmendur e pagesës të shënohet në librezën e punës.
3. Përfitojnë nga ky vendim të gjithë punonjësit aktualë të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., Patos, që kanë qenë të punësuar në këtë shoqëri për një periudhë jo më pak se 2 (dy) vjet pa ndërprerje, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
4. Përjashtohen nga përfitimi i të drejtave të parashikuara në këtë vendim ata punonjës, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike, në formën e punësimit apo të vetëpunësimit. Punonjësve u ndërpritet kompensimi që përfitojnë sipas këtij vendimi në rast se vërtetohet që ata zhvillojnë
veprimtari ekonomike si më sipër.
5. Të gjitha fondet e nevojshme për kompensimin e këtyre punonjësve dhe detyrimet për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, të mbulohen nga të ardhurat e shoqërisë “Albpetrol” sh.a., Patos, përpara përfundimit të procesit të privatizimit. Pas përfundimit të procesit të privatizimit, këto fonde do të mbulohen nga të ardhurat e privatizimit.
6. Pagesat e punonjësve të bëhen nga zyrat e punësimit në rrethet përkatëse.
7. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për nxjerrjen e udhëzimit përkatës dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha

energjia.al, 26.03.2012