Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Leskaj: Ja abuzimi te Albpetroli. Opozita: Arkëtoni borxhin 35 milionë dollarësh të ARMO-s

Raporti vjetor i KLSH. Në 2012-n, 4 muaj auditim për akcizën dhe efektet e saj në ekonomi.
Opozita: Arkëtoni borxhin 35 milionë dollarësh të ARMO-s.
Për gati tri orë, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, ka mbrojtur raportin vjetor për vitin e kaluar në Komisionin e Ekonomisë, ku tema më e diskutuar ka qenë ajo e dëmit të Albpetrolit. Deputetët e opozitës janë përqendruar te kjo çështje duke kërkuar arsyet e një dëmi kaq të lartë dhe, nga ana tjetër, mosarkëtimin e tij. Deputeti i PS, Ervin Koçi, kërkoi të dinte nëse dëmi i shkaktuar është për efekt të keqmenaxhimit, ndërsa deputeti Albert Caci kërkoi që për raste të tilla të kihen parasysh edhe masat që merren. Kreu i KLSH-së, Leskaj, sqaroi edhe arsyet e mosarkëtimit të borxhit të Albpetrolit. “Për mendimin tim personal, shkak për këtë është keqadministrimi dhe keqmenaxhimi nga drejtuesit aktualë të Albpetrolit. Në momentin kur audituesit dhe kontrollorët do të shkojnë në Albpetrol, ju do të njiheni me masat që unë si kryetar i KLSH-së do të propozoj në rast se do të ketë keqadministrim”, tha Leskaj. Nga ana tjetër, sipas kreut të KLSH-së, situata është pak më e komplikuar se sa kaq, pasi Albpetroli nuk pranon të hedhë në gjyq ARMO-n për borxhin që ky i fundit i ka. “Konfirmojmë që për shumën 2.2 miliardë lekë është bërë detyrimi i ARMO-s përmes degës së njësisë së tatimpaguesve të mëdhenj dhe është lidhur një akt-marrëveshje kompensimi. Ky detyrim u përket viteve 2008-2010. Ne kemi bashkëpunuar me METE-n dhe ky detyrim nuk po arkëtohet pasi vetë Alpetroli nuk po hedh në gjyq ARMO-n me një argumentim, se ne nuk kemi fonde për sigurimin e pagesës”, sqaroi drejtori i Përgjithshëm i KLSH-së.
ALUIZNI
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka konfirmuar edhe njëherë rritjen e kallëzimeve në Prokurori për ata që shkelin ligjin. Lidhur me këtë ai solli rastin më të fundit që lidhet me ALUIZNI-n. “Vetëm nga ALUIZNI qendror, apo ai i Durrësit, ne kemi të kallëzuar në Prokurori 16 persona. Po vazhdon kontrolli tek ALUIZNI në Vlorë dhe në varësi të rezultateve të kësaj drejtorie, do t’i kthemi sërish ALUIZNI-t qendror. Unë kërkoj prej jush ndihmën që ato masa dhe rekomandime të propozuara nga KLSH, drejtuesit e lartë të këtyre institucioneve t’i zbatojnë”, u shpreh Leskaj. Ky sqarim i tij erdhi pas pyetjes së deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe: pse në raportin e vitit 2011 nuk rezulton kontrolli i bërë pranë ALUINI-t, pranë METE apo Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve?
AKCIZA
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vendosur që përgjatë këtij viti të realizojë 6 auditime performance. Për kryetarin Bujar Leskaj kjo do të jetë edhe një sfidë për këtë institucion dhe do të përballohet nga burimet aktuale. Një nga këto auditime do të përqendrohet tek akciza. “Ne kemi parashikuar një audit performance që do ta zhvillojmë për 4 muaj rresht për problemet e akcizës në vendin tonë. Mendojmë që do të japim një kontribut. Janë përzgjedhur tre kontrollorë me përvojë dhe po përpiqemi që të marrim dhe mendim për ndryshimet e shpeshta, për vlerën përcaktimet, ndikimet në ekonominë e vendit”, tha Leskaj. Gjatë raportimit të tij të djeshëm në Komisionin e Ekonomisë ai detajoi gjithashtu se dëmi ekonomik i zbuluar për vitin 2011 është 70 milionë dollarë, dhe kjo i përket aktivitetit ekonomiko-financiar 2008-2011.
Debati në Komisionin e Ekonomisë
Erjon Braçe: U kujdesët shumë të thoni që duke përjashtuar dëmin e ardhur nga dy kompani publike, “Albpetrol” dhe “OST”, pjesa tjetër e dëmit është e vogël. Pse nuk janë të përfshira në raport kontrollet e tjera për legalizimet dhe koncesionet?
Bujar Leskaj: Në punën time si kryetar i KLSH-së po mundohem të vendos një raport transparence. Nuk bëj avokaturën e qeverisë, ajo është avokate e vetes. Qeveria flet vetë, flasin punët dhe deputetët e saj. Lidhur me përfshirjen në raport të kontrolleve të tjera, në muajt shtator-tetor-nëntor në KLSH nuk ishte vazhduar praktika normale e punës. Disa kontrolle që janë nisur në kohën e zotit Çeku, ishin në fazën e projekt-raporteve, disa ishin firmosur e disa janë firmosur nga unë. Dhe jo se jam nga Vlora, por mendoj që këtë punë e kam kryer me sukses. Punën e evadimit të praktikave të vonuara.
Reagojnë Malaj dhe Braçe
Bujar Leskaj: Nuk jam nga Kuçi, jam nga qyteti, por të folurën e kam si lab, se fillojnë të ngatërrojnë këta.
Erjon Braçe: Tani po privatizohet ajo (Albpetroli) dhe ti nuk do kesh një lloj mundësie (lidhur me masat)?
Bujar Leskaj: Kryekontrollorët, kontrollorët e thjeshtë, nga 23 dhjetori, ju deklaroj me bindje që po punojnë me kapacitet të plotë. Ne po punojmë. Miliona euro qarkullojnë në çdo fushë dhe në këto momente nuk ka kontrollor në KLSH, që është në sezon konvaleshence dhe as kryetari në sezon pushimi.
Erjon Braçe: Nuk ka lidhje kjo.
Bujar Leskaj: Si nuk ka lidhje? Këto 7 vjet, në rast se do të kem shëndet të mirë dhe besoj do ta kem, jam unë në krye të KLSH-së dhe do ta drejtoj KLSH-në në bazë të Kushtetutës. Këtë kam dhe Bibël, dhe Kuran. Ne do të kërkojmë shtimin e kontrollorëve. E kemi mbaruar kontrollin në Albpetrol, por ju si deputetë mund të thoni që zoti Leskaj falëndero stafin për punën.
Erjon Braçe: E kemi bërë dhe falënderimin.
Bujar Leskaj: Mua s’ma ke thënë.
Erjon Braçe: Ia kam thënë zotit Çeku. Ti tani u bërë kryetar.
Bujar Leskaj: A, në rregull. Prandaj nuk more pjesë dhe votove kundër ti për zotin Leskaj, se ke falënderuar zotin Çeku?
Erjon Braçe: Ta kam thënë personalisht pse nuk të votoj. Do të ta them dhe këtu.
Bujar Leskaj: Jo more, jo. Shikoni karrierën. Unë jam i depolitizuar. Shikoni karrierën ju.
Albert Caci: Ju jeni shprehur që do të tentoni të merrni masa për një nivel më të lartë. A e keni kompetencën ju për të propozuar një ministër dhe në historinë e KLSH-së ka ndodhur ndonjëherë që KLSH të propozojë shkarkimin e një ministri?
Bujar Leskaj: Të them të vërtetën nuk më ka kaluar në mendje me këtë qeveri që ta bëj. Do ta studioj, do ta shoh dhe do të kem kohë ta them. Në rast se në projekt-raportet që më sjellin audituesit tanë do më rezultojë që dhe drejtues të lartë, përfshirë dhe këtë kategori që përmendët, rezultojnë me shkelje, patjetër që do t’i propozoj Kryeministrit të shkarkohet pa asnjë hezitim.
Ndërhyn Caci dhe Koçi: Do t’i shkarkoni vitin tjetër.
Bujar Leskaj: Në 2017-n mbase. Është rrjedhojë e asaj shakasë miqësore dhe provokuese nga deputeti Caci, e rëndësishme është që KLSH të orientohet drejt kontrolleve me profesionalizëm.

Gazeta Panorama, 21.03.2012