Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Berisha: Masa të reja për lehtësimin e burokracisë për kompanitë që investojnë në energjinë e rinovueshme

Kryeministri theksoi se krahas masave dhe lehtësirave të përcaktuara deri më sot, duhet të përgatitet një paketë e re, që të nxiten investimet në këtë fushë.
Task Forca, krahas përshpejtimit të proçedurave dhe lehtësimit të burokracive,  vendosi reduktimin e liçensave dhe autorizimeve nga 23 në 13.
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua dje pasdite, mbledhja e Task Forcës Rregullatore, që  trajtoi disa problemeve thelbësore të reformës derregullatore, që kanë të bëjnë me lehtësimin e procedurave të lejeve dhe licencave, pas marrjes së koncesionit në fushën e energjetikes.
Duke e vlerësuar energjinë si prioritetin më madhor të zhvillimit të vendit, Kryeministri Berisha theksoi se “qeveria me një kuadër të ri ligjor, me krijimin e qendrës unike për lejet dhe licenca, si dhe me një seri vendimesh të tjera, ia doli të shndërrojë në realitet, një garë të paprecedent, në fushën e energjisë së rinovueshme, garë e cila ka pasur për rezultatet firmosjen e kontratave, për rreth 320 HEC në mbarë vendin, garë  e cila shndërroi Shqipërinë aktualisht, në vendin më tërheqës për investimet e huaja në fushën e energjisë hidrike, garë e cila në një hark kohor të shkurtër brenda këtij viti që jemi sjell një prodhim energjie të konsiderueshëm, në të katër anët e vendit, nga Saranda, Delvina, deri në Pukë dhe në zona të tjera të vendit.”
Kryeministri vlerësoi eksperiencën e deritanishme në këtë fushë, duke theksuar nevojën e ndërmarrjes së hapave të tjera të rëndësishme për të lehtësuar në maksimum burokracitë për kompanitë që angazhohen në ndërtimin e HEC-ve. “Vendime të tjera të rëndësishme duhet të merren, për të shkurtuar në maksimum afatet për kompanitë që angazhohen në ndërtimin e HEC-ve, për të ofruar në kohën më të shpejtë të mundshme, shërbimet që këto kompani të marrin me lehtësi lejet dhe licencat që iu duhen për të filluar punimet, lejet dhe licencat që ju duhen për të garantuar financimin e projekteve të tyre”, u shpreh Kryeministri.
Duke qenë se krijimi i Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave ka rezultuar i suksesshëm dhe është mirëpritur nga biznesmenët, Kryeministri u shpreh se është e domosdoshme që të adresohen në këtë Qendër të gjitha burokracitë post koncensionare, në mënyrë që t’u ofrohen shërbimet më të mira, kompanive që vendosin të investojnë në energjinë e rinovueshme. Por, në këtë kuadër masash, Kryeministri kërkoi nga ministria përkatëse shqyrtimin  e një sërë stimujsh, për të gjithë atë që investojnë në energjinë e rinovueshme.
Kryeministri theksoi se krahas masave dhe lehtësirave të përcaktuara deri më sot, duhet të përgatitet nga institucionet përkatëse një paketë e re, në mënyrë që të nxiten investimet në prodhimin e kësaj energjie dhe të përdoret çdo burim i mundshëm, në respekt të plotë me mjedisin, për prodhimin e energjisë. “Ne duhet të shkojmë drejt atyre formave, t’u njohim të drejtën komuniteteve për të prodhuar dhe për tu bërë të vetëmjaftueshëm me energji, pa ndonjë detyrim tjetër sepse vende shumë të zhvilluar po ecin drejt këtij varianti. Ne bëjmë fjalë për 443 HEC-e, por ju garantoj ju se, në rast se do të përfshijmë edhe mikro HEC-e, nuk po flas më për të vogla mund të ndërtojmë edhe 3 mijë të tilla, sepse fatmirësisht jemi vend me ujëra.”- u shpreh kryeministri.
Më pas, Kryeministri Berisha ia dha fjalën zëvendësministrit të Energjetikës, zotit Eno Bozdo, i cili prezantoi projektin e vendosjes së të gjitha autorizimeve dhe licencave në një ONE STOP SHOP, në kuadrin  e një projektvendimi për lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e afateve të lejeve, licencave dhe autorizimeve për projektet energjetike. Gjithashtu, gjatë mbledhjes u prezantua edhe projektvendimi për ndërhyrjen në legjislacionin e dhënies së tokave me qera, enfiteozë, etj., për të zgjidhur problemin që koncesionarët kanë me titullin e pronësisë dhe për të lehtësuar investimet.
Në fund të diskutimeve, në këtë Task Forcë, krahas përshpejtimit të procedurave dhe lehtësimit të burokracive, u vendos të bëhet dhe reduktimi i këtyre liçensave dhe autorizimeve, nga 23 në 13.

energjia.al, 07.03.2012