Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Intervistë e Ministrit Naço: Shqiptarëve u duhet gjeneratori po erdhi PS në pushtet (Gjërat kanë filluar të normalizohen edhe me ndryshimin e drejtorit të Përgjithshëm të CEZ…)

Ministri i Energjetikës Nasip Naço në emisionin “Debat” të Alfred Pezës gjatë fundjavës foli për akuzat e opozitës, HEC e dhëna me koncesion si dhe privatizimin e Albpetrolit. Por në pjesën e madhe të kohës, ministri garantoi qytetarët se kanë 24 orë drita në ditë.
A.Peza: A jemi në prag të krizës energjetike zoti ministër?
Dëgjoj shpeshherë nga analistë dhe gazetarë që a do kemi drita apo jo dhe është krijuar dhe një lloj përshtypje sikur fusim edhe një lloj paniku te njerëzit. Unë garantoj të gjithë shqiptarët siç kemi garantuar gjatë gjithë këtyre viteve se drita do ketë për të gjithë. Do ketë 24 orë për 24. Ne nuk presim vetëm nga kushtet atmosferike nëse do të bjerë apo jo shi. Kemi vite që punojmë. Ndërkohë që vetëm vitin e kaluar kemi ndërtuar linjën e interkonjeksionit Elbasan-Tiranë-Potgoricë, një linjë 400 kilovolt që të bëjmë të mundur në çdo kohë nëse nuk kemi prodhimin vendas të importojmë, dhe ne kemi importuar. S’kemi filluar sot, por që nga muaji maj për të importuar energji elektrike për të kombinuar prodhimin vendas me importin dhe kemi garantuar për të gjithë shqiptarët 24 orë drita.
Anila Basha – Zoti ministër, sapo vij nga Komuna e Parisit, dhe nuk kisha drita…E kam fjalën për këtë premtimin 24 orë drita, çdo shqiptar që na sheh e di se ky premtimi për drita, me intervale apo pa intervale, nuk kanë drita…Mos kanë ndrita në orën e 25-të?
N.Naço – Duhet të mos ngatërrojmë defektet teknike dhe remontet. E rëndësishme është që sot konsumohen 26 milionë kilovat orë energji elektrike në ditë, gjysma prodhohet dhe gjysma importohet….
A.Basha – Po si shpjegohet atëherë që çdo ditë ndodhin këto defekte në të njëjtin orar, në të njëjtat intervale kohore…
N.Naço- unë besoj se është defekt teknik, për sa kohë që janë 26 milionë kilovatorë në ditë. Ne kemi dy muaj që kemi nxjerrë nga kjo skemë firma të mëdha siç janë kurum apo Seament, apo Titan, që merrnin energji nga kjo kompani…Të jeni mëse të bindur që ky është një konstatim i juaji, shqiptarët na dëgjojnë edhe mua edhe ju dhe secili do të krijojë bindjen se çfarë ndodh.
Ardi Kola – Ju folët për mungesë investimesh. Këto duhen bërë nga CEZ, OST? Pra e kujt është përgjegjësia?
N.Naço – Ne kemi vetëm KESH dhe OST me kapital 100 përqind shtetëror kemi edhe kompaninë CEZ e cila u privatizua para disa vitesh. Sigurisht që kishim një detyrim ligjor për ta bërë dhe është një nga rekomandimet e BE për të liberalizuar tregun e energjisë elektrike. Ne bashkë me kompaninë CEZ po bëjmë të gjitha përpjekjet që kjo kompani të marrë 100 milionë euro kredi nga BB për ti investuar në këto linja që kanë defekte të vazhdueshme. Eshtë rimbursuar 30 mln euro, pritet shumë shpejt të merren edhe 70 milionë euro të tjera …
A.Peza- Pyetja është: a ka një vendim zoti ministër, për të filluar shkurtimet për energjinë elektrike? Për të filluar kufizimet?
N.Naço- Absolutisht, ne madje po e blejmë energjinë elektrike me çmime shumë të larta vetëm për ta garantuar atë për qytetarët dhe për ekonominë. Nëse ka defekte mos e ngatërroni me furnizimin. Ka vetëm një vendim që shqiptarët do kenë drita 24 orë në ditë.
A.Kola – Problemi është te rrjeti, dhe pavarësisht garancive tuaja dhe të kryeministrit, duket se nuk ka investime…
N.Naço- Nëse një defekt apo remont, ju e quani një urdhër apo një strategji, është në të drejtën tuaj ta thoni. Qytetarët janë këtu dhe na dëgjojnë dhe unë jam i vëmendshëm në atë që them. Shqiptarët do kenë drita 24 orë në ditë.
Valbona Sulçe – Si shpjegohet që nuk është siguruar energji për marsin akoma?
N.Naço – Unë besoj se ju vazhdoni me panikun që doni t’u thoni shqiptarëve. Ne e kemi garantuar energjinë. Para disa ditësh ka pasur një njoftim në media ku Bullgaria që është një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike në Ballkan për shkak të kushteve atmosferike, vendosi një embargo dhe e ka hequr atë embargo. Ne bëmë të gjitha përpjekjet edhe në rrugë diplomatike, nëpërmjet kryeministrit, ministrit të jashtëm e të ekonomisë që në çdo lloj rrethanash të garantojmë energji elektrike për shqiptarët. Kjo lloj embargoje është hequr dhe unë besoj se nuk ka vend për panik.
A.Basha – Si po zgjidhet çështja e konfliktit për borxhin mes KESH dhe CEZ ku kjo kompani ka të paktën 70 milionë euro për ti kthyer KESH-it…
N.Naço – Po është i vërtetë ky detyrim, por duhet të kemi parasysh që edhe institucione të tjera si ujësjellësat apo spitalet, kanë detyrime ndaj kompanisë CEZ. Ne kemi muaj që po vazhdojmë të balancojmë detyrimet reciproke mes palëve. Unë kam qenë në datën 31 janar edhe në Pragë, si anëtar i bordit të kësaj kompanie. Sigurisht që kam ngritur pretendimet e mia qoftë për faturat afrofe, qoftë apo mbifaturimet dhe gjithë problematikën që ka sot kompania CEZ. Kanë filluar përmirësimet. Një pjesë të detyrimeve që kanë ndaj KESH dhe OST do ti shlyejnë deri në fund të muajit. Gjërat kanë filluar të normalizohen edhe me ndryshimin e drejtorit të Përgjithshëm të CEZ…
A.Basha – Pra faji ishte i drejtorit të mëparshëm të CEZ?
N.Naço- Jo nuk them këtë, vetë shqetësimet dhe bordi drejtues i CEZ ndryshoi drejtorin duke e kaluar atë në një detyrë tjetër. Gjithë shqetësimet që unë marr nga qytetarët dhe institucionet i kam ngritur në këtë bord dhe ata reaguan duke ndryshuar qoftë në drejtim të saj, apo edhe në të tjera drejtime që do t’i shihni në ditët që do të vijnë.
A.Basha – Përderisa thoni se diçka po rregullohet me drejtorin e ri, do të thotë se një pjesë të përgjegjësisë e ka marrë drejtori i vjetër…Ju zoti ministër a keni dijeni se prokuroria shqiptare ka hapur hetime ndaj kësaj kompanie, sa i përket mbifaturimit apo asaj që është konsideruar vjedhje e energjisë elektrike?
N.Naço – Pretendimet dhe shqetësimet e mia i kam pasqyruar në bord dhe në Entin Rregullator të Energjisë dhe ka një debat kohët e fundit që ERE nuk e ka njohur borxhin e keq për kompaninë CEZ. Prokuroria është një institucion kushtetues, ka detyrën e vet për të hetuar në këtë drejtim.
A.Basha – Ky është sensibiliteti i ministrit qytetar për shqetësimet e njerëzve. Por në rastin kur ju jeni ministër i qeverisë, cili është presioni që i keni bërë kësaj kompanie për të ndryshuar këtë realitet?
N.Naço – Janë bërë publike rastet kur nga institucionet që janë në varësi të ministrisë së Ekonomisë kjo kompani është gjobitur edhe në shumën 1 milionë euro. Madje ka edhe një proces gjyqësor për të gjitha penalitetet që i janë vendosur kësaj kompanie. Ne kemi ndërmarrë edhe hapa të tjerë ligjorë. Ju jeni të vetëdijshëm që para dy apo tre muajsh në parlament, unë mora nismën për ndryshimin e ligjit për sektorin e energjisë elektrike dhe me këtë i kursyem kompanisë KESH rreth 50 milionë euro që u kthyen….
A.Basha – Por që në fakt shkaktuat një dramë tjetër sociale… shumë punëtorë të Kurum mbetën pa punë dhe erdhën madje edhe në zyrat tuaja ku u ankuan për ndërprerjen e punës…
N.Naço – Nuk ishte e lehtë ndryshimi i këtij ligji. U thashë të gjithë deputetëve, të majtë e të djathtë, që ishin të lobuar për shkaqe dhe interesa të ndryshme të mos kalonin ligjin.
A.Peza – E keni të saktë këtë që një pjesë e deputetëve kanë qenë të lobuar?
N.Naço – Po votat në parlament kanë qenë të hapura dhe dihet kush ka votuar dhe kush jo. Ky ishte një ligj që i kursente KESH-it 50 milionë euro që janë për qytetarët shqiptarë sot.
A.Peza – Po i keni shkaktuar vështirësi këtyre kompanive, sepse ju thoni që jeni një qeveri e djathtë dhe do t’u krijoni lehtësira investitorëve të mëdhenj…
N.Naço – ne po flasim për një strategji, dhe te kjo është parashikuar edhe liberalizimi i tregut të energjisë dhe të gjitha këto kompani janë të detyruara të blejnë….
A.Peza – Liberalizimi presupozon që çdo operator ka të drejtë të importojë, eksportojë apo prodhojë në tregun e lirë….dhe jo heqjen e mundësisë së disa kompanive për të mos u furnizuar nga shteti…
N. Naço – Ne bëmë një studim dhe pamë se këto energji konsumonin rreth 870 milionë kilovat orë energji elektrike. Dhe e gjithë kjo importohej. Që dmth ne e blinim me cmimin e tregut 70-80 euro për megavat, dhe ia shisnim kompanisë CEZ 30 euro për megavat që ia shiste qytetarëve apo kompanive me 60 apo 70 euro megavatin, për të ruajtur çmimin. Pra e rimbursonim kompaninë CEZ me 40 euro për megavat. Që do të thotë që këto 50 milionë euro që deklarova, pa asnjë lloj mundimi dhe shpenzimi, kompania CEZ i fuste në xhep.
Aldrin Dalipi – Për sa kohë CEZ i ka marrë këto 50 milionë euro? A janë këto paratë e taksapaguesve shqiptarë?
N.Naço – Sigurisht është kurajo e madhe nga një ministër ta deklarojë këtë gjë edhe në parlament, por është një kurajo e madhe edhe nga ana e opozitës që të mos ta miratojë këtë ligj. Unë e shpjegova se meqënëse ishim në një vit të thatë, u detyruam të importonim energji elektrike dhe kishim mbyllur një kontratë që për çdo shtet, kontratat janë të shenjta. Pra ligji u bë që këto kompani të mëdha të dalin në treg për të blerë energji elektrike. Siç shesin produktet në tregun e lirë me çmimet e tyre, ashtu të kërkojnë edhe të blejnë energjinë.
A.Dalipi – Keni deklaruar për Reuters se do të ndryshoni buxhetin, për të hequr paratë e investimeve dhe tia kaloni blerjes së energjisë. Kjo tregon se ka krizë….
N.Naço – Po sigurisht, nëse do të jetë nevoja që do të duhet energji për qytetarët, ne do të ndryshojmë buxhetin. Do lëmë një rrugë pa e bërë sot, dhe do ta bëjmë 6 mujorin e dytë.
A.Peza – Nga tetori deri më sot, sa para janë harxhuar për import? A është e vërtetë shifra e dhënë nga opozita prej 74 milionë eurosh?
N. Naço – Po mund të jetë aty aty.
A.Peza – A e ka menaxhuar KESH mirë situatën në kaskada?
N.Naço – Ka mbi 30 vjet në Shqipëri që nuk është ndërtuar asnjë hidrocentral për fajin e të gjithëve ne, klasës politike, kjo është gjendja, ky është realiteti. Dhe në këtë 6 mujor do të ndërtohet hidrocentrali i parë prej 50 mega në Shkodër.
A.Basha – Po ne kemi edhe TEC në Vlorë që u bë për këtë punë dhe nuk po prodhon energji. Ç’po bëhet me këtë vepër madhore, që ka përfunduar?
N.Naço – Që të mbarojë një objekt dhe të vihet në punë duhet kolaudohet….
A.Basha – Zoti ministër ka më shumë se një vit që vazhdon ky procesi i kolaudimit. Kur do të mbarojë se po shkon shumë gjatë? Sepse ka një tezë të pranuar që kostoja e energjisë që del prej andej është shumë e lartë, madje që do të përdoret vetëm për raste të jashtëzakonshme…Pra qeveria ka hedhur lekët kot, ka marrë kredi nga BB kot për një vepër jorentabël ndërkohë që mund të ndërtonte një hidrocentral me këto para? Pra është e dështuar strategjia dhe vizioni për të?
N.Naço – Unë besoj se ky projekt dhe të tjera të mëdha janë bërë së bashku edhe me BB dhe nuk është bërë nga Ministria e Ekonomisë. Por është ndërtuar me koncesion, është bërë një tender dhe është duke ardhur një kompani e huaj që e ka ndërtuar. Ka detyrime ligjore dhe penalitete për këtë kontratë. Besoj se shumë shpejt është kolauduar dhe do vihet në punë.
A.Basha – Kur do vihet në punë, sepse ju e dini, ka një afat?
N.Naço – Nëse më kërkoni që t’ju them dhe orën se kur e kam të pamundur tua them sot. Unë them që shumë shpejt do të vihet në punë.
A.Basha – Por ka më shumë se një vit që thuhet shumë shpejt do vihet në punë.
N.Naço – Eshtë parashikuar që sot do të jetë me naftë, nesër do të jetë me gaz. Ju e dëgjuat edhe në lajme që shumë shpejt, dhe e them këtë para gjithë shqiptarëve, pritet të vijë projekti TAP dhe besoj se pas hyrjes në NATO dhe liberalizimit të vizave është një ndër projektet më madhore, një investim që do jetë gati 1 miliardë euro dhe që do të punësohen me dhjetëra e mijëra njerëz…
V.Sulçe – Pse kaluam nga teza Shqipëri superfuqi energjetike, në një Shqipëri të supergazifikuar?
N.Naço – Unë besoj se një hidrocentral nuk bëhet si një emision. Tre vitet e fundit janë dhënë me konkurrim 114 koncesione që do të thotë për ndërtimin e 327 hidrocentraleve që fillojnë nga 0.5 mega deri në 90-100 mega që do të thotë se kur të ndërtohen do të kenë një prodhim mbi 1400 mega…Vetëm në tremujorin e fundit janë vënë në punë 5 hidrocentrale…
A.Basha – Kush janë këto pesë hidrocentralet që kanë filluar nga puna?
N.Naço – Dy hidrocentrale të fundit që janë, kanë filluar nga puna në zonën e Skraparit me 4 dhe tetë mega që do të fillojnë shumë shpejt nga puna.
A.Dalipi – Më thonë në kombinat se zoti ministër të vejë të jetojë aty dhe të shohë se nuk ka drita.
N. Naço – Mund të them se është bërë këto ditë një anketim, në zonat verilindore e juglindore në zona mbi 2 metra me dëborë, dhe në gjithë të anketuarit, vetëm 5 përqind e tyre pretendonin se nuk kishin drita.
A.Basha – Zoti ministër, ju kanë ikur dritat në shtëpi ndonjëherë këtë dimër?
N.Naço – Po sigurisht dhe mua si gjithë të tjerët. Nese ka pasur defekte sigurisht që ikin.
A.Basha – Sa herë ka ndodhur kjo gjë deri tani?
N.Naço – Një, dy, tre…ikin nga defektet…
A.Basha – Tre herë kanë ikur gjithë këtë dimër?
N.Naço – Po sigurisht.
A.Basha – Më fal zoti Ministër, po ku e keni shtëpinë?
N.Naço – Atje ku e kam.
A.Basha – Ok, po në cilën zonë, sepse unë që jetoj në K.Parisit ikin dritat përditë. Dhe ky është fakt. Nëse kanë drita qytetarët për të na ndjekur, do ta thonë këtë shqetësim që ikin dritat cdo ditë.
N.Naço – Po dakord pra, edhe te K.Parisit ka një problem për shkak të transformatorit. Cdo ditë ne marrim informacion se ku ka mungesa të energjisë elektrike. Kemi filluar një fazë emergjence që në muajin dhjetor dhe përfaqësues të CEZ, KESH, OST janë në çdo moment në gjendje gadishmërie në shtabe të përbashkëta.
V.Sulçe – Qytetarët dinë se çfarë u ndodh nëpër shtëpia, dhe jo cili është bilanci i prodhimit apo blerjes së energjisë nga qeveria…
N.Naço – Unë jam në këtë studio dhe nuk dëgjoj zhurmë gjeneratori. Dhe kur kaloj në rrugë nuk dëgjoj zhurmë gjeneratori…Nëse s’më besoni ka mbi dy tre vjet nëpër dogana që nuk hyn asnjë gjenerator.
V.Sulçe – Se janë paisur të gjithë me gjenerator prandaj…
N.Naço – Po shumë mirë që janë pajisur, se mund t’u duhen prapë gjeneratorët kur të vijë PS në pushtet.
V.Sulçe – Pse HEC që ka dhënë qeveria me koncesion nuk janë funksionalë sot?
N.Naço – Në kontrollin që kam bërë unë si ministër, kam konstatuar që në 12 raste ne të prishim kontratën që do të thotë kemi zgjidhur kontratat.
A. Kola – A kanë probleme me financimet?
N.Naço- Po kanë probleme me financimet. Vetëm ditët e fundit kemi firmosur një kontratë ku nga qeveria italiane janë dhënë 5 mln euro grant për tu dhënë ndihmë për ndërtimin e këtyre hec-eve, ka ndihma dhe kredi që jep edhe BERZH dhe IFC dhe ne jemi në rrugën e duhur, pavarësisht nga mangësitë që kemi. Unë para pak ditësh mblodha gjithë këta investitorë dhe u thashë nismat më të reja të qeverisë. Që të ndërtosh një HEC duhen 23 leje. Dhe ne do ndërmarrim nismën që nëse institucionet vendore nuk kthejnë përgjigje për aplikimet, këto leje do të miratohen në heshtje.
A.Basha – Nuk janë vetëm 12 që s’punojmë dhe ju tregojmë edhe listën e plotë të 327 HEC për të cilat keni dhënë leje. Por cila ka qenë kostoja financiare që i keni shkaktuar buxhetit, ndërkohë që për ndërtimin e tyre janë prishur kullota apo është prishur ekosistemi? A keni bërë ndonjëherë llogari, apo këto HEC në të shumtën e rasteve janë dhënë vetëm për pastrim parash?
N.Naço – Nuk ka kosto financiare.
A.Basha – A keni ju ndonjë ekip njerëzish në terren që të keni një database të plotë se sa nga këto HEC punojnë? Sa punëtorë kanë? A paguajnë sigurime shoqërore si çdo kompani tjetër? Kush i ka marrë? Sa energji prodhojnë? Sa e kanë lehtësuar barrën për furnizim me energji?
N.Naço – Sigurisht po e filloj nga ajo se kush i ka marrë. Gjithkush që është dyshues, apo që do të bëjë një temë studimore, mjafton të klikojë në QKR për të marrë informacionin e nevojshëm se kush janë shoqëritë, aksionerët, kur i shesin, kur i blejnë …
A.Basha – Po nëse keni bilanc, pse ju keni hequr vetëm 12 leje, kur ne këtu na rezultojnë mbi 60 HEC pa punime?
N.Naço – Po nuk janë pa punime …Që të fillojë të prodhojë energji duhet të fillojë që nga lejet. Që unë ua thashë që atë gabim që kemi bërë ne, shumë shpejt, do tjua heqim këtë burokraci. Ja psh, në 15 raste nuk jep leje kryetari i komunës se nuk ka qejf të japë leje.
A.Basha – A dyshoni se mund të ketë ndonjë rast pastrim parash?
N.Naço: Unë jam ministër i ekonomisë. Kam kohë që e kam lënë profesionin që kam pasur. Personalisht nuk kam informacion. Nëse do të kisha do ta kisha denoncuar.
A.Peza – Ku do gjenden paratë për TAP?
N.Naço – 1 mld euro që është investimi nga Kapshtica deri në Seman, e bën kompania që do të marrë koncesionin, nuk harxhon shteti para. Ndërsa çuarja e cdo tubacioni në shtëpitë e shqiptarëve do të jetë një proces i dytë që sërish do të jepet me koncesion.
A.Peza – 61 minatorë kanë humbur jetën zoti ministër…
N.Naço – Shifra është e saktë si numër, por nuk janë vetëm minatorë, nuk janë në Bulqizë, janë që nga viti 2000…
A.Basha – Eshtë një shifër shumë e lartë…
N.Naço – Sigurisht që janë shumë. Edhe një jetë e humbur është shumë. Eshtë rrisku që marrin përsipër ata, ne, dhe gjiththkush tjetër.
A.Basha – Po ju nuk keni përgjegjësi për kontrollin zoti ministër?
N.Naço – Në ministri vetëm tre mujorin e fundit, janë bërë procedura konkurrimi për 143 leje minerare dhe cdo konkurrim ka pasur gati 2 -3 firma që kanë hyrë në proces. Të gjitha kompanitë që sot janë në treg janë kontrolluar, janë vendosur penalitete, janë hequr me dhjetëra leje të tyre që nuk respektonin standardet. Dhe besoj se kjo është një punë rutinë e ministrisë së Ekonomisë. Lejet që janë dhënë më së fundi janë me kushte të larta dhe më mirë se çka qenë më parë dhe janë kompani prestigjoze ato që kanë marrë pjesë.
A.Basha – Po pse ka shumë konflikte në Bulqizë për sa kohë që këto janë kompani të mira, kur ata dalin me kallashnikovë mes qytetit terrorizojnë dhe banorët…
N.Naço: Pyesni ministrin e Brendshëm
A.Basha – Po hetimet e rendit çojnë pikërisht te mënyra e dhënies së lejeve, kush i ka marrë, si i ka marrë, zihen pse hyjnë në territorin e njëri tjetrit…
N.Naço: Ne ndaj ndryshuam ligjin, dhe dhamë leje për kompanitë e mëdha që të mos ketë vetëm një pronar me dy punëtorë me kazma e lopata.
A.Basha – Kush janë këto kompani të mëdha?
N.Naço – Në QKR i keni merrini, shikojini sa kanë investuar.
A.Basha – Shumë thjesht ta thuash kështu, por nuk kemi parë ndonjë kompani të madhe zoti ministër
N.Naço – Që nga viti 2000, në Bulqizë operon kompania austriake ACR që ka edhe ajo problemet e veta. Ja edhe unë, për pesë muaj nuk e lejova atë kompani që të punonte. Ju e keni idenë që në tetor kemi pasur një rast vdekje dhe opozita u ngrit për të shkuar qoftë në Bulqizë, qoftë në spitalin ushtarak për ta përdorur këtë si kartë, ndërkohë që unë kisha mbi dy muaj që kisha pezulluar punën në minierën e Bulqizës për të plotësuar kushtet teknike. Në fund të muajit nëntor lejova vijimin e punës në disa nivele që plotësonin standardet dhe para dy ditësh lejova edhe në nivelet e tjera pasi u plotësuan kushtet e ajrimit.
A.Peza – Sa leje minerare janë dhënë në gjithë Shqipërinë?
N.Naço – Janë dhënë gati 790 leje minerare, nga këto pas kontrolleve që kemi bërë rreth 70 apo 90 leje janë hequr. Në Bulqizë janë 104 leje minerare. Ligji i ri nuk do lejojë dhënien e lejeve për ata persona sic është realiteti sot atje. Po të shkosh është një person që e quan veten pronarë, ka dhe dy punëtorë me kazma e lopata dhe punojnë aty.
A.Basha – Ju e pranoni këtë realitet zoti ministër?
N.Naço – Unë po them që jam korrekt në zbatimin e një kontrate. Nëse do të prishja një kontratë të tillë, kjo do të thotë që do të shkonim në gjykatë dhe ministria do të paguante edhe penalitetet. Me ligjin e ri, një kompani nuk do të hyjë në konkurrim nëse tre vitet e fundit nuk do të ketë një bilanc me fitim.
A.Basha – Cfarë do të bëhet me këto 800 që janë në këto kushte siç thatë ju?
N.Naço – Ligji i ri parashikon edhe tarifa të caktuara për të mbrojtur mjedisin. Kush nuk do ti paguajë, automatikisht i hiqet edhe licensa .
A.Kola – Cilat janë të ardhurat e shtetit në buxhet nga tregu minerar?
N.Naço – Vetëm nga kromi mund të kemi marrë rreth 90 milionë euro.
V.Sulçe – Çfarë po ndodh me privatizimin e Albetrolit?
N.Naço – Ka një debat por ata që e bënë harruan se në vitin 1998 miratuan ligjin për privatizimin e objekteve strategjike. Dhe në vitin 2004 kanë dhënë në shfrytëzim pusin më të madh që është sot në Shqipëri, Patos Marinzën, e kanë dhënë me një marrëveshje hidrokarbure dhe prej shumë vitesh shteti nuk merrte finë koncesionare.
A.Basha – E kush e ka marrë pusin Patos Marinëz? Ndonjë i PS?
N.Naço – Nuk po them që këta kanë shkelur ligjin. Po them që mentaliteti i tyre ishte i tillë në atë kohë. Unë nuk kam pranuar që të shesim 76% sepse deri më tani kemi parë funksionimin e kësaj skeme. Le të marrim Albtelekom ku edhe pse shteti ka mbi 20 përëqind, asnjëherë ska marrë divident.
A.Peza – Pse nuk ndërhyn shteti? Ata çojnë miliona lekë jashtë? Shteti duhet të jetë rregullatori…
N.Naço – Kam propozuar edhe projekligjin përkatës që shumë shpejt do të shkojë edhe në parlament që të funksionojë listimi në bursë i këtyre kompanive. Pra ne kemi konstatuar në praktikë që nuk kemi qenë të suksesshëm me variantin e 76%. Por edhe me variantin e marrëveshjes së hidrokarbureve, edhe ky nuk ka qenë i suksesshëm ndaj s’e pranuam. Ndaj kaluam në variantin e tretë të privatizimit të plotë. Për këtë punë kemi marrë një kompani amerikane Patton Bogs, kemi bërë marrëveshje me të dhe ajo do të marrë 2.5 përqind të vlerës së shitjes dhe ajo ka interes për një çmim sa më të lartë. Çfarë do të shesim 100 përqind? Ato që janë falur në 2004, por jo nëntokën.
A.Basha – Punonjësit do të jenë pjesë e procesit të privatizimit?
N.Naço – Ka përcaktime të qarta. Eshtë thënë se punonjnësit do të marrin një vit pagën dhe vjetërsinë në punë. Kemi rënë dakord me sindikatën.

Gazeta Shqiptarja.com, 26.02.2012