Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, Braçe interpelancë me Naçon (eng also). Fjala e plote e Ministrit!

Deputeti Erjon Braçe ka thirrur në interpelancë ministrin e Energjitikës, Nasip Naço, për problemin shqetësues sipas tij të energjitikës.
Gjatë fjalës së tij Braçe ka theksuar se sektori energjitik në vend është lënë në mëshirë të fatit, duke u mbështetur vetëm tek furnizimet nga jashtë dhe tek kushtet e motit.
“Energjia është problemi më i madh në vend e rajon, por tek ne është një problem ndryshe. Në 20 vitet e fundit ne kemi patur probleme me energjinë, prandaj po ngre këtë shqetësim. Shqipëria është një vend që vetëm furnizohet dhe mbështetet tek kushtet meteorologjike.
Ai ka shtuar se KESH ka një borxh prej 140 milionë eurosh në bankat vendase dhe se kryeministri Berisha gënjen kur thotë se Shqipëria është kthyer në një superfuqi energjitike. “Proçesi energjitik është i dështuar. Vetëm 5 vepra janë ndërtuar nga 500”, ka shtuar më tej deputeti socialist gjatë fjalimit të tij.
Ndërsa ministri i Energjitikës, Nasip Naço në përgjigjen e tij ka hedhur poshtë deklaratat e deputetit Braçe, duke thënë se politikat e ndjekura nga qeveria kanë lehtësuar investimet në sektorin e energjitikës.
“Konçesionet janë politika më e mirë për investimet në energji dhe për të caktuar çmimet. Politika konçeisonare është më e mira. Projektet publike realizohen vetëm me sketorin privat, pa asnjë ndikim tek buxheti i shtetit. Qeveria në këtë proces garanton vetëm ndihmën dhe asistencën ligjore”, ka deklaruar Naço, duke shtuar se akuzat e opozitës janë tendencioze.
“Rezultatet e arritura sot janë pozitive, por opozita sulmon këto rezultate sepse në kohën e vetë s’ka pasur asnjë ide e jo më rezultate. Qeveria ka 114 kontrata koncesionare dhe ka realizuar investime që arrijnë në qindra miliona euro”, ka thënë Naço.

Koncensionet në energjitikë
Opozita akuzoi për korrupsion masiv qeverinë për tenderet e energjitikës, duke e konsideruar kështu si fajtore të vetme për krizën që ka pushtuar vendin.
Në interepelancë me Ministrin e Energjitikës, deputeti socialisit Erjon Braçe ka dhënë faktet qe sipas tij deshmojne se procesi i dhenies me koncesion për ndërtimin e hidrocentraleve është i korruptuar.
Ministri Naço iu përgjigj opozitës duke folur për arritjet në dhënien e koncensioneve dhe përurimin e afërt të disa investimeve të reja.
“Në 99 për qind të tenderave ka patur koncesione te pakërkuara, ku biznese të caktuara jane shperblyer me bonus nga qeveria. Ne 99 per qind te rasteve kompania qe fiton bonusin fiton dhe garen. Pra tenderat jane fiktivë”, akuzoi Braçe.
“Ju permendi që 99 për qind janë propozimet e pakërkuara. Por, sigurisht ai ishte qellimi yne. Të përfshinim privatët ne investime. Prandaj unë them Zoti Braçe që ne të dy kemi mendime të kundërta. Ajo që bëni ju është të kërcënoni me shtetëzim”, u përgjigj Naço.
“Disa prej jush që janë në këtë sallë kanë fituar deri 6-7 tendera. Pa dyshim, ata janë mbajtur në kuadrin e skemës që po shndërron Ministrat dhe familjarët e tyre në milionerët e rinj shqiptarë”, theksoi Braçe.
“Nga 320 HEC-e të dhëna me këtë procedurë, numri i ankimimeve në gjykatë numërohet me gishtat e dorës. Kjo tregon qartë për transparencën në procedurat e ndjekura. Për të shuar kureshtjen e disa deputetëve për emrat e përfituesve të koncensioneve, mjafton të klikoni në faqen e internetit të QKR-së dhe do të merrni të gjithë informacionin e nevojshëm”, replikoi Ministri Naço.
Deputeti  socialist Braçe tha se për shkak të favorizimeve në tendera, procesi i koncesioneve dështoi përfundimisht dhe Shqipëria mbetet në krizë energjetike
“Nga 98 kontrata, 15 të tilla me 22 HEC s’kanë filluar ende punën. Në 12 raste janë shkelur të dyja afatet e vendosura nga vetë Berisha, në katër raste duhen edhe pak javë që të tejkalohen afatet. Ndërsa në dhjetë, me 11 hidrocentrale për t’u ndërtuar, janë kryer vetëm punime fillestare. Për 45 kontrata, me 154 hidrocentrale për t’u ndërtuar, nuk ka asnjë informacion se në çfarë pike janë punimet”, ilustroi situatën Braçe.
Megjithatë, për Ministrin Naço,  procesi është në rrugën e duhur. “Unë besoj se jeni në një mendje me mua kur them që kontratat që lidhen në një shtet serioz janë të shenjta për secilën palë. Unë i qëndroj këtij parimi dhe do të vazhdoj t’i qëndroj. Vetë kam filluar procedurat për të prishur 12 kontrata që vetë më janë dukur fiktive, por kjo nuk e errëson punën në ndërtimin e këtyre veprave madhore dhe ju ftoj që shumë shpejt të vini në përurimet që do të realizojmë”.
Dhënia me koncesion e burimeve ujore nisi në vitin 2006 dhe qeveria e shpallli atë si një nga nismat e saj kryesore me përfitime të mëdha për ekonominë kombëtare. Por kur kanë kaluar 6 vjet, numri i veprave të ndërtuara është i papërfillshëm pasi shumica e projeketeve janë zvarritur.

Concessions in energy
The opposition accused the government for massive corruption with the energy tenders, considering it as the only responsible for the crisis that has swept the country.
In an interpellation with the Minister of Energy, the Socialist MP, Erjon Brace, gave the facts that according to him prove that the hydropower plant concessions are corrupted.
Minister Naco replied to the opposition by presenting the achievements in concessions and the inaugurations that will be made to some new investments.
“In 99% of the tenders, there have been unasked concessions, where specific businesses have been rewarded with bonuses by the government. In 99% of the cases, the company that wins the bonus also wins the tender. These tenders are fictive”, Brace accused.
“You declared that 99% of the tenders were unasked. That was our goal, to include the private businesses in investments. For this reason, I want to say to Mr. Brace that we have different opinions about this. What you want to do is nationalization”, Naco declared.
“Some of you that are present in this floor, have won 6-7 tenders, under the scheme that aims to turn the Ministers and their families to the new Albanian millionaires”, Brace declared.
“There are 320 hydropower plant concessions that have been given with this procedure, and the complaints are less than five. This shows the transparency of the procedures. You can check the National Registration Center for the necessary information”, Naco replied.
Brace declared that due to the favors in tenders, the concession process has completely failed and Albania remains in an energetic crisis.
“15 of 98 agreements, which include 22 hydropower plants, have not started working yet and have violated the deadlines set by Berisha.  Other four cases have only four weeks left, and their deadlines will also be expired. 10 others have made only preliminary works. For 45 other agreements, for 154 hydropower plants, there is no information about the construction process”, Brace declared.
However, Naco says that the process is on the right track.
“The agreements made with a serious state are considered as holy, by each party. This is the principle I will continue to stand for. I have started the procedures for 12 agreements that seemed fictive to me, but this doesn’t obscure the work for the construction of these major works. I invite you to come soon in the inaugurations”, Naco added.
The concession for the hydropower plants started in 2006 and the government announced it as one of the main initiatives for great national benefits. But after 6 years, the achievements are insignificant and most of the projects have serious delays.

TOP Channel, 23.02.2012

Interpelanca e plotë e Ministrit të METE, z. Nasip Naço, në Kuvendin e Shqipërisë
E nderuar zonja Kryetare !
Të nderuar kolegë Deputetë !
Jam këtu sot para jush me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të dhënë shpjegime lidhur me “Politikën koncensionare të Qeverisë në sektorin hidroenergjetik, praktikat e ndjekura, kontratat e nënshkruara, zbatimin e tyre dhe kontributin e sjellë në shtimin e kapaciteteve prodhuese në sektorin energjetik”.
E shikoj të udhës që fjalën time sot ta filloj me sqarimin e përkufizimit të konceptit të koncesionit dhe politikave koncesionare, jo vetëm për hir të transparencës me opinionin publik por edhe për të sqaruar një herë e mirë këdo që abuzon politikisht me këtë proces tashmë të konsoliduar në politikat ekonomike të kësaj qeverie.
Koncesioni, si forma tipike e Partneritetit-Publiko-Privat, është tashmë një nga politikat ekonomike dominante në axhendën e qeverive të shumë vendeve të botës, duke pasur parasysh që buxhetet shtetërore nuk janë të mjaftueshëm për të kryer të gjitha investimet apo shërbimet publike të nevojshme për qytetarët, duke synuar njëkohësisht cilësinë më të mirë me çmimin më të favorshëm.
Në këtë kontekst, Qeveria shqiptare ka përqafuar politikat koncesionare me premisën e qartë se partneriteti-publiko-privat është forma më e suksesshme për realizimin e veprave dhe shërbimeve publike, me kosto zero për buxhetin, pra për taksa-paguesit shqiptarë.
Të gjitha këto projekte publike për ndërtimin e hidrocentraleve realizohen vetëm e vetëm me financimin e sektorit privat, pra me paratë dhe mundin e biznesit qoftë ky vendas apo i huaj dhe produkti final është shtimi i kapaciteteve të reja energjetike në interes të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Ajo çfarë Qeveria garanton si partnere në këtë proces koncesionesh, është thjesht ndihma dhe asistimi administrativo – ligjor që këto burime ujore dhe pasuri kombëtare të shfrytëzohen në mënyrën më të përshtatshme për tu transformuar në vepra me interes publik, në sajë të investimeve private prej të cilave të gjithë përfitojnë – burimet energjetike të pastra shtohen, rritet punësimi dhe zhvillohet ekonomia.
Prej vitit 2006 Shqipëria ka shpallur ambicien e saj për t’u shndërruar në një fuqi të konsiderueshme të prodhimit të energjisë së rinovueshme në rajon, por edhe më gjerë se kaq. Burimet e shumta ujore, pozicioni gjeografik i tyre, interesimi i shumë investitorëve pas fillimit të kësaj nisme, e bëjnë mëse të realizueshëm këtë synim.
Vizioni i kësaj maxhorance, që para disa vitesh shihej me skepticizëm e me ironi, sot është duke dhënë rezultate, të cilat nuk mund të mohohen as nga të verbërit.
Sot, një pjesë e opozitës bën Kritizerin e punës së të tjerëve, duke harruar me dashje se edhe për ta ujërat kanë rrjedhur në po të njëjtin shtrat ku sot ndërtohen hidrocentrale. Sot është e thjeshtë për disa të sulmojnë çdo iniciativë të re dhe rezultative, sidomos rezultative, sepse në kohë të tyre nuk kanë pasur as ide e jo më rezultate.
Ministria e Ekonomisë, Tregetisë dhe Energjetikës ka nënshkruar 114 kontrata koncesionare për ndërtimin e 327 hidrocentraleve me një fuqi të instaluar prej rreth 1400 MW dhe me një vlerë investimi prej 240 miliard lekë.
Sot që flasim :
* Janë në fazë prodhimi 43 hidrocentrale, 12 prej të cilave të nënshkruara pas vitit 2007, kanë detyrimin të paguajnë tarifën koncesionare ndaj shtetit;
* 40 HEC-e janë në fazë ndërtimi, shumica në nivele të kënaqshme;
* Gjatë vitit të kaluar, METE ka negociuar dhe lidhur 15 kontrata koncesioni për ndërtimin e 61 hidrocentraleve, me fuqi instaluese totale 341MW dhe vlerë investimi rreth 45 miliard lekë
* Janë në proces negocimi edhe 14 kontrata koncesionare me fuqi rreth 215 MW dhe me vlerë investimi 38 miliard lekë.
Më lejoni të përmend gjithashtu disa projekte shumë të rëndësishme energjetike, të cilat kanë filluar të ndërtohen për herë të parë pas 30 vjetësh:
Hidrocentrali i Ashtës, me një investim prej 170 milionë euro, nga kompanitë austriake EVN dhe Verbund, dhe me një fuqi të instaluar rreth 50 megavat. Ky HEC do të fillojë prodhimin brenda 6 mujorit të parë të këtij viti.
Suksesi i kësaj sipërmarrjeje po inkurajon shumë investitorë të tjerë ndërkombëtare për të investuar në Shqipëri.
Ndërtimin e hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll nga konsorciumi Starkraft- EVN, me një vlerë investimi prej 940 milionë euro, dhe me fuqi instaluese që shkon deri në 350 megavat.
Projektin e lumit të Erzenit, iniciuar nga METE dhe Ministria e Transporteve.
Ky projekt synon jo vetëm krijimin e ujëmbledhësit për furnizimin e Tiranës, Durrësit dhe Kavajës, por edhe ndërtimin e një hidrocentrali me fuqi shumë të lartë prodhuese.
Projekti për ndërtimin e kaskadës së hidrocentraleve mbi lumin Fan i Madh dhe Fan i Vogël, me fuqi të instaluar rreth 88 MW dhe me një vlerë investimi 99 milion euro.
Projekti për ndërtimin e kaskadës mbi lumin Curraj me fuqi të instaluar rreth 98 MW dhe me një vlerë investimi rreth 100 milion euro.
Projekti për ndërtimin e HEC-eve mbi kaskadën e lumit Shalë me fuqi të instaluar 97 MW dhe me një vlerë investimi rreth 110 milion Euro.
Brenda pak javëve METE do të hapë procedurat e tenderimit për dhënien me koncesion të dy kaskadave të Vjosës dhe Osumit, në total me një fuqi të instaluar rreth 450 MW dhe vlerë investimi 700 milion euro.
Brenda muajit mars, me qëllim liberalizimin e mëtejshëm të tregut të energjisë, do të hapim procedurat e privatizimit për HEC-et Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2.
Por vizioni i kësaj mazhorance nuk mbyllet këtu, vetëm në shfrytëzimin e ujërave.
Parqet e Energjisë së Erës janë një burim i rëndësishëm alternativ i prodhimit të energjisë elektrike, ku fuqia e instaluar pas ndërtimit të tyre në vend parashikohet në rreth 1500 megavat dhe investimi rreth 1,5 miliard euro.
Nuk janë premtime në erë, por deri tani janë dhënë 15 autorizime për ndërtimin e këtyre parqeve.
Nga ana e palës shqiptare janë dhënë të gjitha autorizimet e nevojshme, përfshi dhe autorizimet për ndërtimin e dy linjave direkte nënujore me Italinë, ndërkohë që kompanitë italiane që janë të interesuara për këtë investim, janë duke pritur miratimin e tyre nga qeveria italiane.
Realizimi i dy linjave nënujore së bashku me linjën e re të interkonjeksionit 400 KV Elbasan-Tiranë-Podgoricë, linja Tiranë-Prishtinë, linja Tiranë-Shkup do të mbyllë përfundimisht unazën rajonale të transmetimit të energjisë elektrike.
Në kuadrin e diversifikimit të burimeve të energjisë, pa dyshim, Projekti TAP (Gasjellësi Trans-Adriatik) përbën një projekt madhor jo vetëm për ekonominë shqiptare por edhe për pozicionin dhe fuqinë gjeostrategjike të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë.
Bëhet fjalë për një investim mbi 1 milard euro vetëm në territorin shqiptar, që do të sjellë miliona euro përfitime fiskale për buxhetin, do të krijojë me mijëra vende të reja pune dhe do të krijojë premisat për të revolucionarizuar sektorin e gazit, që sot është inekzistent në vend.
Pra, me realizimin e këtij projekti jo vetëm diversifikojmë burimet energjetike, por ndërmarrim \\\”reformën strukturore\\\” më të madhe në dekadat e ardhshme, atë të \\\”gazifikimi të vendit\\\”, duke siguruar energji më të lirë dhe të sigurt, si për konsumatorët familjarë ashtu edhe për biznesin apo industrinë.
Të nderuar deputetë, me ligjin e ri të koncesioneve, qeveria shqiptare bëhet përfituese e tarifës vjetore koncensionare mbi prodhimin e energjisë elektrike, apo siç quhet koefiçenti FI.
Po ndalem vetëm për pak këtu. Në vitet 2000-2005, qeveria e atëhershme ka nënshkruar 83 kontrata privatizimi dhe koncesioni për HEC-et e ndërtuara dhe që në atë kohë funksiononin plotësisht. Në këto kontrata absurdi juridik ka arritur kulmin sepse praktikisht koncesionarëve u është dhënë e drejta të privatizojnë edhe ujin, ndërsa nuk parashikojnë asnjë pagesë për tarifën e koncesionit.
Ndërsa sot, dua të theksoj se shteti jo vetëm merr tarifën mbi prodhimin e energjisë elektrike, merr taksat mbi fitimin e kompanisë, por nuk shpenzon asgjë për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve. Madje, pas 35 vjetëve bëhen pronë e të gjithë shqiptarëve.
Pra, siç edhe e kuptoni, nga buxheti i shtetit nuk shpenzohet asnjë qindarkë për ndërtimin e hidrocentraleve. Shteti shqiptar po ndërton burime të rinovueshme energjie, praktikisht me paratë e sektorit privat. Riskun e kësaj sipërmarrjeje e kanë marë përsipër investitorët shqiptarë dhe ata të huaj, ndërsa shteti i mbështet ata në përmbushjen e procedurave administrative.
Një pjesë e opozitës ka zgjedhur të hedhë baltë në vazhdimësi për këtë proces. Të hedhë baltë mbi mundin dhe investimin e privatit, për një të mirë publike.
Edhe kur nuk ka mundur të baltosë këtë proces, e ka goditur dhunshëm atë duke deklaruar se nuk do të njohë asnjë kontratë koncensioni, se do t’i zhbëjë ato sapo të vijë në pushtet, se ata që marrin pjesë në këto procedura prokurimi janë të gjithë të korruptuar etj etj…
Këto qëndrime të kësaj pjese të opozitës kanë patur padyshim koston e tyre. Herë pas here kanë sjellë mpirjen dhe dekurajim e investitorëve, të atyre që zgjodhën të marrin riskun përsipër, që me paratë e tyre dhe të familjes së tyre, apo me kursimet e një jetë të ndershme, të investojnë në këto objekte të cilat, pas 35 vitesh që të gjitha do t`i kthehen shtetit shqiptar.
Kjo është arsyeja që Qeveria ka zgjedhur t`i ndihmojë ata, t`i mbështesë ata, t`ua lehtësojë përpjekjet për të mundësuar këto investime shumë të rëndësishme për vendin. Këto vepra hidrike nuk i takojnë vetëm kësaj qeverie, nuk më takojmë mua si ministër. Këto u takojnë shqiptarëve dhe pas shumë vitesh do të jenë pronë e tyre.
Pra, ne duhet ta ngremë pak vështrimin zotërinj të nderuar, jo vetëm për sot e për nesër, por edhe për brezat pasardhës. Pikërisht për këtë arsye, unë sot ftoj këdo nga ju që në të gjitha inagurimet që do të bëhen më vonë të jeni të pranishëm. (sepse do të ketë shumë vepra të tilla që do të inagurohen, dhe fati e donte që unë, pavarësisht se nuk kam qenë nënshkrues për nisjen e këtyre veprave, të jem përurues i tyre).
Të nderuar kolegë deputetë,
Për të dhënë një ide më të saktë për trasparencën e procesit, nga më shumë se 320 HEC të dhëna me këtë procedurë konkurimi, rastet e ankimimeve në gjykatë nuk i kalojnë gishtat e dorës.
Për të shuar kureshtjen e ndonjë deputeti për emrat e fituesve të këtyre garave, mjafton të klikoni në faqen e internetit të QKR-së!
Ndërkaq, dua të pohoj para jush se jo gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve tona. Ka disa kompani koncensionare, të cilat nëpërmjet konkurimit kanë fituar të drejtën për ndërtimin e ketyre HEC-ve, por që nuk i janë përmbajtur detyrimeve kontraktuale.
Përsëri deklaroj se jam i vendosur në qëndrimin tim se kontrata është e shenjtë, ajo duhet të respektohet dhe cilido që nuk mund t`i përmbahet asaj duhet të përballet me sanksionet ligjore! Për këto raste kemi iniciuar procesin e zgjidhjes së këtyre kontratave!
Por të nderuar kolegë, as ka qenë dhe as është qëllimi im vendosja e penaliteteve apo zgjidhja e këtyre kontratave!
Por jemi përpjekur me të gjitha mënyrat për të gjetur hapësira dhe rrugë të reja, për tejkalimin e çdo problem që haset.
Takime të shumta kemi zhvilluar me bankat dhe institucionet financiare ndërkombëtare, si IFC dhe BERZH, për t`i nxitur ato të investojnë në këto projekte, me pushtetin lokal, apo me ministritë e linjës, për përshpejtimin e procedurave.
Vetëm pak ditë më parë, qeveria italiane akordoi një grant prej pesë milionë eurosh, që shkon direkt për përshpejtimin e punës në hidrocentrale të ndryshme. E gjithë kjo politikë dhe të gjitha këto marrëveshje kanë një qëllim: për të ndihmuar investitorët, duke bërë të pamundurën për lehtësimin e barrës së detyrimeve që duhen përmbushur.
Sepse zotërinj të nderuar, që një marrëveshje koncensionare të hyjë në fuqi, koncensionarit i duhet të plotësojë dhe të pajiset me rreth 23 leje, licenca dhe autorizime që jepen si nga pushteti qëndror, institucione të pavarura dhe nga pushteti vendor.
Shumë prej jush ndoshta nuk e dinë që një kontratë koncensionare të hyjë në fuqi, duhet marë:
* leje për përdorim të fondit kullosor,
* leje nga Këshilli i Baseneve,
* leje për shfrytëzim inertesh,
* leje për ndërtim të digës,
* leje për ndërhyrje në veprat e infrastrukturës publike si rrugë, linja të energjisë elektrike, linja të telefonisë fikse,
* leje nga fondi i trashëgimisë kulturore,
* ecertifikim të ndryshme për projektin,
* autorizime për përdorim të lëndëve plasëse,
* leje për mbrojtjen kundër zjarrit,
* identifikimin e pronësisë dhe procedura të komplikuara për lidhjen e qerasë, të gjitha këto të domosdoshme për marrjen e lejes të ndërtimit.
Këtu nuk janë përfshirë lejet e zhvillimit e ndërtimit, lidhja me rrjetin e OST dhe OSSH, kjo për arsye se këto janë marrëdhënie mes kompanive si dhe licencat dhe autorizimet e ERrE si autoritet i pavarur.
Të nderuar Kolegë,
Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, në këtë mori lejesh që mundësojnë investimin koncensionar, bën gjithçka për të mos shkaktuar asnjë vonesë!
Por ne kemi identifikuar problematikën:
* Ku në 15 prej kontratave ka pengesa nga pronarët aktualë të trojeve që përfshijnë zonat koncensionare.
* Në 24 kontrata, ka pengesa të theksuara nga pushteti vendor në dhënien e lejeve të ndërtimit. Me këtë rast do të kërkoja nga ju të gjithë të ndikoni pranë komunave apo bashkive të zonave tuaja për të eleminuar çdo pengesë.
* Ndërsa në 19 raste ka pengesa në mosmarrjen e lejeve dhe licencave të tjera.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës po punon që t’i eleminojë këto burokraci me qëllimin e vetëm ndihmën ndaj investitorëve. Jo me larg se dje, në një takim të gjerë me kompanitë koncesionare, kemi prezantuar iniciativën ligjore se si do të thjeshtojmë në maksimun procedurat dhe shkurtojmë afatet e tyre.
Për këtë qëllim, të 20 lejet licencat dhe autorizimet e sipërpërmendura do t’i nënshtrohen parimit të “miratimit në heshtje”, në afate që variojnë nga 20 deri në 30 ditë. Kjo do të thotë që kur një organ vendor apo qendror nuk përgjigjet brenda këtij afati, atëherë leja do të quhet e miratuar.
Procesi, ku do të përfshihen edhe aplikimet fillestare, do të kryhet dhe monitorohet nga QKL, për të rritur trasparencën dhe besueshmërinë.
Të nderuar Kolegë!
Përsa i takon liberalizimit të tregut energjetik, mund të them se ai ka marrë formën e plotë, pas miratimit në Kuvend edhe të ligjit për energjinë elektrike, të cilën për fat të keq, megjithëse ishte një ligj thelbësisht social, nuk u votua nga ana e opozitës socialiste, por u abstenua.
Një pjesë shumë e rëndësishme e këtij ligji ishte edhe fakti që kompanitë e mëdha, ato që konsumojnë mbi 50 milion KWH në vit, tashmë sipas këtij ligji nuk furnizohen më nga CEZ Shperndarje, por janë të detyruara të gjejnë vetë furnizuesin e energjisë elektrike në treg.
Si rrjedhojë, 50 milionë euro import energji elektrike, në ngarkim të KESH çdo vit, nuk përfundojnë më tek arka e kompanisë CEZ, por kursehen dhe shkojnë direkt tek konsumatorët familjarë.
Efekti i kësaj ndërhyrjeje garanton energji elektrike pa ndërprerje, mban të ulët çmimin e kësaj energjie për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla, si dhe liberalizon më tej tregun e energjisë.
Opozita, edhe pse e kuptoi mirë këtë gjë, nuk e votoi projektligjin. Komentet besoj janë të tepërta!
Për t`i vënë në pozita të barabarta dhe ligjore të gjithë operatorët e këtij sektori, shërbeu miratimi i ligjit “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”, që rregullon marrëdhëniet financiare mes palëve kontraktuese, që për fat këtë radhë u miratua edhe nga opozita.
Rezultatin e kësaj reforme ju e shikoni vetë: furnizimi me energji elektrike është tashmë i siguruar edhe pse në kushte ekstreme të motit. Kjo do të kishte qenë e paimagjinueshme disa vite më parë, kur Tirana dhe e gjithë Shqipëria vuante pasojat e ndërprerjeve të programuara të energjisë, që varionin nga 6 orë në ditë për qytetet kryesore, deri në 12 orë në ditë për komunat e thella të vendit.
Sot ne nuk përjetojmë më mugesat shumëorëshe të energjisë elektrike për popullatën dhe ekonominë.
Sot kjo nuk ndodh më si rezultat i reformave madhore në sektorin e energjisë elektrike.
Shqiptarët, për fat të mire, kanë harruar se si jetohej me qirinj dhe gjenerator!
Zotërinj Kolegë,
Më lejoni që në mbyllje të falënderoj të gjithë investitorët shqiptarë dhe të huaj, për iniciativën e tyre dhe për besimin që kanë treguar në vizionin e kësaj maxhorance.
Unë i siguroj ata se do të jem një partner dhe mbështetës i tyre, për çdo problem dhe së bashku me ta, por edhe me ju, do të gjejmë çdo zgjidhje, çdo mundësi, me qëllim përfundimin dhe vënien në punë të çdo iniciative që i shërben ekonomisë së vendit!

energjia.al, 24.02.2012

Dështim total me koncesionin e HEC-eve
Nga 284 hidrocentrale të miratuara nga qeveria “Berisha”, vetëm 12 prodhojnë energji.
Pavarësisht përpjekjeve të Ministrisë së Ekonomisë për të ofruar lehtësi në sektorin e prodhimit të energjisë nga HEC-et lokale, faktet tregojnë se iniciativa e ndërmarrë nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Në pesë vite, qeveria “Berisha” ka miratuar me qindra kontrata për ndërtimin e HEC-eve me koncesion, por shumë pak, as 5 për qind e tyre, nuk kanë mundur të futen në procesin e furnizimit të vendit me drita. Shifrat e publikuara nga vetë METE dëshmojnë qartë se sektori i koncesioneve në energjetikë ka hasur në shumë probleme të karakterit financiar dhe ligjor, duke mos mundur të japin kontributin e dëshiruar për ekonominë.
Zyrtarisht thuhet se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nënshkruar 114 kontrata koncesionare për ndërtimin e 327 hidrocentraleve me një fuqi të instaluar prej rreth 1400 megavat, dhe një vlerë investimi prej 240 miliardë lekësh. Këto të dhëna të bëjnë të mendosh realisht për një vend superfuqi energjetike, në raport me popullatën, por në fakt ndikimi në furnizimin total nuk shkon më shumë se 2 për qind. Ministri Nasip Naço pranon se janë në fazë prodhimi 43 hidrocentrale, 12 prej të cilave të nënshkruara pas vitit 2007, me ligjin e ri të koncesioneve. Deri në vitin 2005, qeverisja socialiste ishte përpjekur të ofronte lehtësi për investitorin në fushën e ndërtimit të HEC-eve. Pavarësisht numrit të vogël, prej rreth 80 projektesh, më pak se gjysma arriti të prodhojë energji, ndërsa të tjerat u përballën me sanksione për shkelje të kontratës. Megjithatë, këto HEC-e, të firmosura shumë vite më parë, zënë gati 70 për qind në raport me totalin e prodhuesve aktualë.
Sot, me ligjin e ri dhe të firmosura nga qeverisja demokrate, punojnë 12 HEC-e, kryesisht në jug të vendit, dhe shumë të tjera janë në proces. Gati 40 HEC-e janë në fazë ndërtimi, shumica në nivele të kënaqshme, thotë ministri, ndërsa vitin e kaluar METE negocioi dhe lidhi 15 kontrata koncesioni për ndërtimin e 61 hidrocentraleve, me fuqi instaluese totale 341 megavat, me vlerë investimi rreth 45 miliardë lekë. Sakaq, janë në proces negocimi edhe 14 kontrata koncesionare me fuqi rreth 215 megavat dhe me vlerë investimi 38 miliardë lekë.
Në rast se hidrocentralet e miratuara nga qeveria do të ishin vënë në punë, prodhimi i energjisë do të rritej me të paktën 700 milionë kilovat në vit, ose gati 20 për qind në raport me totalin. Këto janë të dhëna që u përkasin vetëm projekteve lokale me kapacitet secila jo më të madh se 15 megavat.
Debati i sotëm vërtitet rreth elementeve që penguan zhvillimin e këtij tregu, çfarë nuk shkoi mirë dhe si duhet bërë. Qeveria ka ofruar së fundmi disa lehtësi procedurale, madje edhe toka shtetërore me qira simbolike 1 euro, por për biznesin kjo nuk mjafton, pasi problemi kryesor mbetet mungesa e financimit, likuiditeti dhe pronat.

Kuvendi: PD-PS, debati për HEC-et degjeneron me akuza korrupsioni
Braçe: Deputetët, pronarë koncesionesh. 99%, fiktiv.
Sa herë që debatohet për projektet koncesionare në energjetikë, nuk mungojnë as akuzat e rënda për korrupsion. Në fakt, të paktën dy vitet e fundit emra të njohur të politikës janë përfolur për lidhjet e ngushta në sektorin privat të koncesioneve, ndërsa nuk kanë munguar as hetimet nga ana e prokurorisë, por deri tani nuk ka vendime për dënime.
Kuvendi u kthye dje në arenë akuzash të forta, mes deputetit socialist Erjon Braçe dhe ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço. Opozita akuzoi për korrupsion masiv qeverinë për tenderët e energjetikës, duke e konsideruar kështu si fajtore të vetme për krizën që ka pushtuar vendin. Në interpelancë me ministrin e Energjetikës, deputeti Braçe ka dhënë faktet që, sipas tij, dëshmojnë se procesi i dhënies me koncesion për ndërtimin e hidrocentraleve është i korruptuar.
Ministri Naço iu përgjigj opozitës duke folur për arritjet në dhënien e koncesioneve dhe përurimin e afërt të disa investimeve të reja. “Në 99 për qind të tenderëve ka pasur koncesione të pakërkuara, ku biznese të caktuara janë shpërblyer me bonus nga qeveria. Në 99 për qind të rasteve kompania që fiton bonusin fiton dhe garën. Pra tenderët janë fiktivë”, akuzoi Braçe.
“Ju përmendni që 99 për qind janë propozimet e pakërkuara. Por, sigurisht ai ishte qëllimi ynë. Të përfshinim privatët në investime. Prandaj unë them zoti Braçe që ne të dy kemi mendime të kundërta. Ajo që bëni ju është të kërcënoni me shtetëzim”, u përgjigj Naço.
“Disa prej jush, që janë në këtë sallë, kanë fituar deri 6-7 tenderë. Pa dyshim, ata janë mbajtur në kuadrin e skemës që po shndërron ministrat dhe familjarët e tyre në milionerët e rinj shqiptarë”, theksoi Braçe. “Nga 320 HEC-e të dhëna me këtë procedurë, numri i ankimimeve në gjykatë numërohet me gishtat e dorës. Kjo tregon qartë për transparencën në procedurat e ndjekura. Për të shuar kureshtjen e disa deputetëve për emrat e përfituesve të koncesioneve, mjafton të klikoni në faqen e internetit të QKR-së dhe do të merrni të gjithë informacionin e nevojshëm”, replikoi ministri Naço.
Deputeti socialist, Braçe, tha se për shkak të favorizimeve në tenderë, procesi i koncesioneve dështoi përfundimisht dhe Shqipëria mbetet në krizë energjetike.
“Nga 98 kontrata, 15 të tilla me 22 HEC-e s’kanë filluar ende punën. Në 12 raste janë shkelur të dyja afatet e vendosura nga vetë Berisha, në katër raste duhen edhe pak javë që të tejkalohen afatet. Ndërsa në dhjetë, me 11 hidrocentrale për t’u ndërtuar, janë kryer vetëm punime fillestare. Për 45 kontrata, me 154 hidrocentrale për t’u ndërtuar, nuk ka asnjë informacion se në çfarë pike janë punimet”, ilustroi situatën Braçe.

Gazeta Shqip, 24.02.2012