Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Intervistë e Ministrit Nasip Naco: Perkushtim maksimal per te garantuar energjine elektrike 24 ore ne 24 per qytetaret (Pozitiv ndryshimi i drejtorit te CEZ-it)

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, në një intervistë dje për televizionin “Oranews”, deklaroi se qeveria shqiptare është e angazhuar në këtë situatë që të garantojë furnizim me energji elektrike për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Z. Naço, cila është aktualisht situata energjetike në vendin tonë?
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është e angazhuar maksimalisht për garantimin me energji elektrike ndaj të gjithë banorëve, që është shumë e rëndësishme, sidomos në këtë situatë mjaft të vështirë për të gjithë shqiptarët. Shqiptarët duhet të kenë besim te Qeveria e tyre, pasi ata kanë ditur t’i bëjnë ballë shumë vështirësive, pasi kjo është një situatë emergjente për të gjithë dhe duhet t’i përballojmë të gjithë së bashku. Që përpara Vitit të Ri, pra që prej datës 20 dhjetor, ngritëm një grup të përbashkët bashkë me KESH-in, OST-në, që janë kompani me kapital 100 për qind shtetëror. Edhe me kompaninë CEZ kemi ngritur një grup të përbashkët pune për të përballuar Krishtlindjet, Vitin e Ri dhe vazhduam me këtë situatë edhe më vonë. Sikurse theksova nëse institucionet e tjera kanë kaluar në gjendje gatishmërie sot, ne kemi kohë që kemi kaluar për shkak të thatësirës që ka pasur në të gjithë Ballkanin dhe sigurisht dhe vendin tonë. Pra, kemi muaj që jemi duke u përgatitur dhe nuk na gjeti kjo situatë të papërgatitur. Kështu që i kemi vënë të gjitha agregatet në punë, në gatishmëri të plotë në kaskadën e lumit Drin, qoftë në Vaun e Dejës, në Koman, në Fierzë, por dhe HEC-e të tjera që janë në të gjithë Shqipërinë për të punuar me kapacitet të plotë, por duke kombinuar rezervat hidrike që kemi ne me importin. Kemi ditur që të harmonizojmë importin bashkë me prodhimin vendas, gjë që unë dhe gjithë shqiptarët kanë tre vjet që nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë asnjë gjenerator, sepse energjia elektrike u garantohet 24 orë.
A do të ketë Shqipëria partnerë që do të na qëndrojnë në krah dhe do të na ndihmojnë në blerjen e energjisë elektrike dhe cilat janë këto vende?
Unë i jam drejtuar Zv/Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe përfaqësive diplomatike në vendet e rajonit, që kanë kohë që asistojnë dhe kërkojnë pranë vendeve të tyre, që ne në çdo kohë të respektojmë kontratat që kemi me to. Pra, nuk gjendemi të papërgatitur. Për muajin shkurt e kemi të siguruar importin, prodhimin vendas dhe në asnjë rast shqiptarët nuk do të rrezikohen për mungesën e energjisë elektrike. Nuk ka kufizime, nuk ka për të pasur kufizime dhe u themi të gjithë shqiptarëve që do të garantojmë furnizimin me energji elektrike me çfarëdo çmimi. Situata është e kontrolluar, është e menaxhuar, pasi kemi prodhimin vendas, që mund ta vëmë në çdo kohë në kapacitet të plotë, pra kemi ruajtur rezervat hidrike.
Para pak ditësh, ju bëtë një inspektim në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Cila ishte situata në këtë hidrocentral?
Gjatë kohës që ne flasim, por dhe muaj më parë këto HEC-e nuk kanë punuar me kapacitet të plotë, kemi ruajtur rezervat hidrike dhe pjesën tjetër e kemi importuar. Gjatë kësaj kohe janë vënë në gatishmëri të plotë gjithë agregatet, qoftë në Vaun e Dejës, qoftë në Koman dhe në Fierzë dhe gjatë kësaj kohe janë bërë remontet përkatëse, janë vënë në gatishmëri të plotë për t’u vënë në punë me kapacitet të plotë, në rast se nuk do të kemi import si pasojë e krizës në rajon. Ne jemi të gatshëm të përballojmë dhe shirat që mund të bien, kemi marrë të gjitha masat duke zbatuar rregulloren e kaskadës së lumit Drin. Pra, kemi një rregullore që është miratuar që në vitin 1988, bërë nga specialistët më të mirë dhe nëse zbatojmë atë rregullore, asnjëherë nuk do të kemi probleme dhe shqiptarët e garantoj që do të kemi energji 24 orë. Ne bashkë me stafin jemi të përgjegjshëm që ta zbatojmë këtë rregullore për t’i garantuar ata me energji elektrike.
Sa reale është çështja që po diskutohet aktualisht, që me shkrirjen e dëborës jo vetë që s’do kemi nevojë që të importojmë, por do të eksportojmë energji elektrike?
Ne kemi pasur dy vite reshje të bollshme, që kanë shkaktuar dhe përmbytje në disa zona të vendit, por që sigurisht nuk kanë ardhur si pasojë e keqmenaxhimit. Kjo energji është konsumuar brenda vendit, por dhe është eksportuar e shitur dhe të gjitha këto rezerva janë përdorur në buxhetin e shtetit. Janë marrë këto të ardhura dhe janë përdorur në institucione të tjera. Kompania KESH është një kompani që ka zbatuar me rigorozitet të gjitha çështjet, marrëdhëniet me kontraktorët, ka pasur dhe ka garantuar të ardhura të konsiderueshme, të cilat kanë kaluar në buxhetin e shtetit. Prandaj, kemi theksuar se në çdo rast, nëse do të kërkohen këto të ardhura do të merren edhe nga buxheti i shtetit.
Çfarë mund të sjelli ndërhyrja në buxhetin e shtetit në të ardhmen, duke ditur se ka pasur një sërë deklaratash nga skeptikë për këtë çështje?
Sigurisht, ata që janë skeptikë, ne mund t’i japim çdolloj informacioni të detajuar se sa kanë qenë të ardhurat, shpenzimet e kësaj kompanie. Unë besoj se atyre u ka mbetur ora mbrapa, u ka mbetur ora mbrapa atyre që Shqipërisë e linin me 6 orë drita, kur bizneset punonin me gjeneratorë. Tashmë asnjë nuk blen gjeneratorë. Ky është një tregues, për ata që janë skeptikë ta verifikojnë.
Përse u ndryshua ligji për energjinë elektrike?
Ne kemi bërë disa reforma në sistemin energjetik. Një nga ato është edhe ndryshimi i ligjit për sektorin e energjisë elektrike. Një ndryshim që ishte i detyruar nga koha, për shkak të liberalizimit të tregut. Kemi një monopol natyror që është kompania CEZ dhe në këtë ndryshim ne zbatuam direktivat, liberalizuam tregun, nxorëm jashtë sistemit të kompanisë KESH, të gjitha ato kompani të mëdha që operojnë sot në Shqipëri, të cilëve u themi që mund ta blejnë vetë energjinë elektrike në tregun vendas apo të huaj, me çmimet sipas kërkesë-ofertës. Me rritjen e kërkesës për energjinë elektrike, kompania KESH ka një detyrim ndaj kompanisë CEZ për të ruajtur konsumatorin fundor dhe për t’i garantuar çmimin e energjisë. As këtë vit, as vitin tjetër çmimi i energjisë elektrike nuk ka për t’u rritur. Për të ruajtur këtë stabilitet, ne i nxorëm këto jashtë sistemit. Reformat janë bërë në kohë dhe prandaj jemi në këtë situatë që themi “po u garantojmë gjithë shqiptarëve që do të kenë drita 24 orë”.
A keni një bashkëpunim me KESH-in dhe CEZ?
Unë thashë që në muajin dhjetor, ne kemi filluar një bashkëpunim ndryshe edhe me kompaninë CEZ sepse dy kompanitë e tjera, janë 100 për qind me kapital shtetëror. Ne jemi anëtar të Bordit të kësaj kompanie, sepse kemi edhe aksionet në këtë kompani. Në këtë kompani kanë ndodhur ndryshime, ku është ndryshuar edhe drejtori i kësaj kompanie, me një mentalitet tjetër për të bërë edhe investime për të garantuar energjinë elektrike. I kemi dërguar bashkërisht edhe palombarët në jug për të lidhur energjinë elektrike dhe në veri kemi ndihmuar me ushtrinë për të ndihmuar qytetarët në këto zona për t’u garantuar drita 24 orë në ditë. Kjo është realizuar në bashkëpunim me kompaninë CEZ.
Qeveria është akuzuar se ka qenë e papërgatitur në këtë situatë. Sa qëndron kjo?
Unë do të përmend atë të gjeneratorëve që janë në magazina dhe nuk kanë dalë akoma, sepse edhe për në shtëpitë e tyre, dikush i ka në bodrum nuk i kanë nxjerrë akoma, sepse kanë besim që energji elektrike do të ketë. Por në situatën që është krijuar, për shkak të kushteve atmosferike, besoj asnjëri nuk do të ndalonte dot, në këtë dëborë. Sigurisht që ka një kosto për buxhetin e shtetit blerja e energjisë, por ne nuk mund t’i lëmë shqiptarët pa drita në këto ditë të vështira. Të gjithë jemi në emergjencë, kur dëbora ka kaluar në dy apo tre metra në fshatrat më të largët. Mund të numërohen me gishtat e dorës fshatrat që sot nuk kanë energji elektrike dhe kjo për shkak të borës së madhe dhe nuk mund të hyhet për momentin. Çdo ditë nëse ka një defekt punohet dhe përgjigja jepet në moment. Së pari, dua të falënderoj të gjitha ata që në këto ditë të vështira janë të gjithë bashkë dhe garantojnë energji elektrike për të gjithë shqiptarët.
Opozita është shprehur për një bashkëpunim të të gjitha forcave për të kapërcyer këtë situatë. Si e komentoni këtë?
Ne e mirëpresim ndihmën e opozitës, por kjo nuk duhet përdorur për përfitim politikisht. Kjo është shumë e dhimbshme që ata edhe në rast fatkeqësie bredhin për një votë. Unë besoj se çdo qytetar që ka dëshirë të kontribuojë mund ta bëjë një gjë të tillë pranë shtabeve të emergjencave. Është e turpshme që ka njerëz që spekulojnë në këtë drejtim. Shqiptarët e kuptojnë shumë mirë një gjë të tillë.
A keni pasur ju shkëmbim informacioni për situatën e krijuar në vend dhe çfarë është bërë për ta montuar situatën e energjisë elektrike në vend?
E thashë edhe më parë që ne kemi muaj që punojmë në terren dhe që bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Ka disa fshatra sot që nuk mund të ndërhyhet pasi situata është shumë e rëndë. Ne po i bëjmë të gjitha përpjekjet së bashku me të gjitha institucionet për tu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve. Kjo kërkon pak kohë. Këto janë defekte që edhe në ditë më të mira të motit nuk mund të zgjidheshin aq thjeshtë. Besoj se të gjithë qytetarët duhet të na mirëkuptojnë.
Ju thatë që është e garantuar energjia elektrike. A mund ta dimë se ku e marrim këtë energji?
Në muajin korrik, ne kemi inauguruar linjën e transmetimit 400 kilovolt Elbasan-Tiranë-Podgoricë, si pasojë e një ndihmë të madhe të qeverisë gjermane. Sigurisht që ne marrim energji nëpërmjet kësaj linje, ne marrin dhe japim energji edhe me linjën që kemi me Greqinë, me Hungarinë etj. Ne i kemi bërë investimet e nevojshme në këtë drejtim. Shumë shpejt do të kemi edhe një linjë me Kosovën dhe Maqedoninë dhe ajo që na mungon dhe punojmë në këtë drejtim është linja e interkonjeksionit me Italinë. Shumë shpejt do të arrijmë një rezultat edhe në këtë drejtim. Është një problem i zgjidhur.

Gazeta Integrimi, 17.02.2012