Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dritan Prifti: S’kam ndërmend kurrë më të merrem me denoncime

Historia e videove u mbyll njëherë e përgjithmonë.
Ish-ministri thyen heshtjen: Jam i lodhur me sakrificat.
Dritan Prifti thyen heshtjen 20 ditë pasi Gjykata e Lartë shpalli të pafajshëm Ilir Metën dhe pasi videoja e tij, duke ndarë para me ish- zv.ministrin e Ekonomisë, u publikua në media. I zhgënjyer, por jo i habitur nga pafajësia e Metës, Prifti deklaron se nuk ka ndërmend të bëjë kurrë më denoncime dhe se historia e videove është mbyllur përgjithmonë. Pas një heshtjeje të gjatë, deputeti opozitar pa parti komenton zhvillimet e fundit në vend, marrëdhëniet e tij me personazhet kryesore të politikës dhe planet për të ardhmen.
Z. Prifti, shumë ngjarje kanë ndodhur këtë periudhë në Shqipëri. Ju keni qenë pasiv dhe nuk keni folur publikisht për këto ngjarje. Cila ju ka bërë përshtypje më shumë: dalja i pafajshëm i Ilir Metës nga Gjykata e Lartë, arrestimet e bujshme për 21 janarin, dalja e videos tuaj me zv.ministrin në media, vizita e Lul Bashës në Uashington, intervistat e forta të ambasadorit Arvizu, apo strehimi i romëve tek Avokati i Popullit?
Të gjitha më kanë bërë përshtypje, por më shumë më ka bërë përshtypje plogështia e opozitës në këtë periudhë. Prokuroria faktoi që komandanti i Gardës së Republikës ka vrarë një protestues të pafajshëm me armën e tij, kurse opozita, edhe pas kësaj, nuk doli asnjëherë zyrtarisht t’i kërkojë minimalisht dorëheqjen Kryeministrit. Çfarë duhet të ndodhë tjetër që opozita të veprojë fort?! Pavarësisht faktit a ka vrarë me qëllim apo aksidentalisht, vrasja nga arma e kryegardistit është fakt i pakontestueshëm. Kur arma e shtetit vret një qytetar të pafajshëm, skandali nuk ka ku shkon më i madh se kaq. Opozita mjaftohet me deklarata mediatike, dhe nuk ndërmerr asnjë aksion qytetar për të rrëzuar qeverinë. Jam vërtet i mërzitur për këtë dhe si unë ka qindra mijëra qytetarë. Nuk di ç’ka në mendje Edi Rama me këtë strategji.
Ç’mendoni për pafajësinë e Ilir Metës?
Për mua pafajësia e tij ishte e pritshme. Unë çova deri në fund kontributin tim për drejtësinë, nuk u tërhoqa në asnjë çast nga përgjegjësia ime qytetare dhe politike. Paraqita prova dhe dëshmi sa herë duhej. Nga këto prova sot po vuaj vetë padrejtësisht. Ka një përpjekje të koordinuar mirë kundër meje, në mënyrë që denoncuesin (heroin) ta kthejnë në viktimë. Gazeta zyrtare e PD-së ka disa ditë që shkruan shpifje dhe i bën presion prokurorisë të më godasë mua. Ka oferta me para për Prokurorinë që vetëm ta çojë çështjen time në gjykatë, sepse pastaj e rregullojnë vetë mjeshtrit e pushtetit. Unë jam i shqetësuar, por i duruar.
Megjithatë, për Ilir Metën unë e pranoj vendimin e Gjykatës së Lartë, sidomos në kushtet që ishte 5-0. Gjykata tha që nuk ekziston fakti. Kjo nënkupton që mënyra e marrjes dhe paraqitjes së fakteve nuk ka qenë ligjore, dhe si rrjedhojë është bërë nul ekzistenca e tyre. Gjyqtarët e njohin ligjin më mirë së unë, dhe jam i detyruar t’i besoj arsyetimit të tyre. Unë e bëra sakrificën time, pavarësisht se i vetëm përballë të gjithëve. Në këto kushte të shtetit ligjor, unë s’kam ndërmend kurrë të merrem me denoncime dhe veprime të tilla.
Dukeni i trembur.
Aspak. Jam realist. Më thuaj nëse në historinë moderne të Shqipërisë ekziston një person i dytë që ka bërë një denoncim të tillë? Unë jam i vetëm. Skandalet që kam denoncuar unë kanë futur dhjetëra në burg sot. Ndërkohë unë kam përballuar strese të jashtëzakonshme, kërcënime për jetën, kërcënime për familjen, shkelje të hapësirës sime private deri brenda shtëpisë time. Asnjë mbrojtje nuk kam pasur përballë një shteti që denoncova. Opozita fitoi zgjedhjet lokale edhe për shkak të kontributit tim, kurse kostot i kam përballuar unë. Jam realist, por dhe i lodhur nga sakrificat dhe vështirësitë e mëdha që po kaloj. Prindërit dhe familja më këshillojnë të shoh punët e mia, sepse për opozitën kam bërë shumë, vërtet shumë. Kam përballë në këtë luftë qeverinë, me të gjitha mjetet e saj propagandistike, me gjithë televizionet dhe gazetat e tyre. Më shumë se Ilir Metën, unë kam përballë Sali Berishën. Nuk e di pse është kaq aktiv kundër meje këtë periudhë, por e vërteta është që Sali Berisha po orkestron personalisht sulmet kundër meje, sidomos me gazetën RD.
Si të duket puna e Prokurorisë për 21 janarin?
Në kushtet që punojnë këta prokurorë, kanë bërë shumë. Meritë të veçantë ka ndihma që ka dhënë FBI-ja dhe shteti amerikan, pa të cilat sot nuk do të kishim këtë progres në hetime.
Dalja në media e videos tuaj që është në hetim në Prokurori, a ka rritur presionin mbi Prokurorinë që heton? A e ka rritur shqetësimin tuaj për këto hetime?
Unë kisha disa muaj që e dija që videoja në fjalë ishte vjedhur në Prokurori. E kisha njoftuar Prokurorinë për këtë. Janë vjedhur edhe materiale të tjera nga kompjuteri i prokurorëve të çështjes, më shumë sekrete hetimi. Dalja e videos në media sigurisht që ka rritur presionin mbi Prokurorinë. Jemi në Shqipëri dhe presionet politike funksionojnë. Sulmet nga gazeta RD, gazetë e partisë në pushtet, ndikojnë. Megjithatë unë kam shpresë se presioni politik nuk do të fitojë mbi faktet, provat dhe respektin për ligjin. E vërteta është që nuk ekziston sot asnjë provë dhe asnjë dëshmi në dosjen hetimore, që të hedhë dritë mbi ndonjë akt korruptiv timin apo të zv.ministrit. Marrëdhënia jonë ka qenë private, është zhvilluar në shtëpinë time dhe pa asnjë lidhje me detyrën shtetërore. Megjithatë unë do të flas për këtë çështje më gjatë në ndonjë rast tjetër. Deri sa çështja është akoma në hetim, nuk dua të ndikoj në proces.
Ç’mendon për kërcënimet që ka bërë ambasadori Arvizu ditët e fundit kundrejt atyre që sulmojnë organin e akuzës? Mendon që Uashingtoni është inatosur më qeverinë?
Më vjen mirë që ambasadori amerikan ka qenë aktiv në mbrojtje të institucionit të akuzës. Pa këtë mbrojtje ky institucion do të ishte asfiksuar tashmë. Nuk e di si ndihet Uashingtoni për qeverinë, por jam i prirur t’i besoj deklaratat e ambasadorit Arvizu.
Zoti Berisha duket se po ia lë stafetën Lulzim Bashës. Edhe ambasadori amerikan ka bërë shumë komplimente për Bashën? Duket realiste kjo?
Lulzim Basha është një politikan i ri, i rafinuar dhe duket që është zgjedhur si pasues i Berishës. Ai është nga grupi i afërt i Berishës, dhe duket logjike që ai të jetë pasuesi. Basha tashmë ka një mandat 4-vjeçar në krye të Bashkisë së Tiranës dhe ka garanci për qenien në pushtet edhe përtej 2013-s, gjë që nuk e kanë të tjerët në Partinë Demokratike. Po zbatohet i njëjti skenar si ai që solli Edi Ramën në krye të PS-së. Rama mori kreun e PS-së kur PS-ja doli në opozitë. Edhe Lul Basha do të marrë drejtimin e PD-së, pas 2013-s, kur PD-ja të dalë në opozitë.
Është folur ditët e fundit që janë rritur presionet ndaj jush nga disa grupe që pretendojnë se kanë rreth 180 orë filmime me ju. Cila është e vërteta? Si ndiheni me këto që thuhen?
Kam dëgjuar Spartak Brahon të deklarojë që ka 187 orë filmime për mua. Po të jetë e vërtetë, kjo është dëshmia më e shëmtuar për ekzistencën e një grupi mafioz në pushtet, që përgjon opozitën dhe deputetët e Kuvendit, në mënyrë të jashtëligjshme dhe pa asnjë mandat. Unë kam dëgjuar për një grup të tillë, që ka blerë në Bari të Italisë pajisje përgjimi ruse dhe që përgjojnë në mënyrë të jashtëligjshme dhe për qëllime mafioze opozitën dhe institucionet e pavarura të këtij vendi.
Këtë shqetësim ia kam përcjellë me një letër Prokurorisë së Përgjithshme. Deri tani nuk di të ketë pasur ndonjë veprim konkret kundër këtij grupi mafioz. Habitem se si nuk e trondisin këtë shtet këto deklarata publike të një eksponenti politik të mazhorancës. Ky është kulmi i anti-ligjit. Kjo është mafie në pushtet, që bën shantazh në ditën me diell dhe askush nuk ka fuqi të reagojë në mbrojtje të ligjit.
Unë kam dëgjuar thashetheme të ndryshme, se më kanë filmuar këtu apo aty. Shpifin që këto filmime, që i paska Spartak Braho dhe jo unë, i paskam bërë unë vetë. Këtë nuk e beson askush. Të gjithë e dinë që pushteti ka pasur një kunj të madhe me mua dhe ka dashur të mbledhë ndonjë fakt, me të cilin të më bëjë shantazh. Është e vërtetë që më kanë bërë shantazh, kryesisht elementë kriminalë që pretendojnë se kanë filma me mua. Më kërkojnë para që të mos m’i shfaqin filmat. Më kërkojnë të bëj pazare politike për të mos i shfaqur filmat. Por unë kam vendosur të mos pranoj asnjë shantazh. Nuk kam asgjë për të fshehur dhe nuk kam asgjë për të pasur frikë. Do denoncoj me forcë çdo shantazh e presion dhe s’do lejoj askënd të ndërhyjë në jetën time private apo vendimet e mia politike. Jam i ndërgjegjshëm që kam përballë një mafie të rrezikshme, por në këtë rast objektivi i mafies është çdo opozitar apo çdo institucion i pavarur në këtë vend. Flitet se këto struktura paralele përgjuese, krejt antiligjore dhe mafioze, përgjojnë Presidentin e Republikës, kryetarin e opozitës, Prokuroren e Përgjithshme, ambasadorë të vendeve perëndimore. Liria e çdokujt është e rrezikuar në këtë vend, jo vetëm e imja. Shpresoj që rrezikun ta kuptojnë të gjithë.
Do ta vazhdoni “lojën” me video të reja, apo e keni ndaluar këtë aksion?
Nuk fitoi askush nga videot që denoncova unë. Unë testova sistemin dhe sistemi nuk funksionoi. Nuk kam asnjë arsye të vazhdoj denoncimet me video. Kjo histori është mbyllur përgjithmonë.
Edi Rama kohët e fundit ka bërë një distancim nga ju, duke i kërkuar prokurorisë t’ju hetojë apo duke thënë që ju s’keni lidhje me PS-në. Ç’po ndodh?
Nuk më duket se Edi Rama ka bërë ndonjë gjë të veçantë. Ka thënë të vërtetën, që unë s’kam lidhje me PS-në. Ka kërkuar që të hetohem, dhe këtu s’ka asgjë të veçantë. Ai duhet ta dijë që unë kam 13 muaj që hetohem. Unë synoj të afrohem me PS-në në të ardhmen, por kjo s’ka lidhje me faktin kush është në krye të kësaj partie. Unë mendoj se kush është opozitar, duhet të kontribuojë atje ku puna e tij ka më shumë eficencë. Edi Rama ka përfituar politikisht prej kontributit tim, kurse unë s’kam përfituar asgjë prej tij. Kurrë në politikë nuk kam shpresuar të fitoj nga marrëdhënia me liderin e partisë. Kam fituar tre mandate si deputet, dy prej të cilëve nga një parti e vogël si LSI-ja. Nuk kam pranuar të futem në listën e partisë për deputet dhe të marr mandatin qyl. Në të dyja rastet kam fituar mandatin me votat që kam marrë drejtpërdrejt dhe askush s’mund të thotë që unë kam fituar nga miqësitë me kryetarin e partisë. Edhe në të ardhmen s’do pranoj kurrë mandate të falura nga askush. Nëse populli më voton, do jem në politikë.
Ku qëndroni juve politikisht për momentin?
Jam deputet në opozitë. Me mendjen që kam tani, politika më është shpifur. Nuk është çudi të vendos të tërhiqem përfundimisht nga politika. Megjithatë, ka kohë për të marrë këtë vendim. Nëse tërhiqem tani, mandatin tim e merr Spartak Braho, dhe unë s’mund ta lejoj kurrë këtë të ndodhë.
Flitet që ju mund t’i bashkoheni kandidatit të mazhorancës për President. Sa të vërtetë ka këtu?
Nuk e di se ku flitet kjo, sepse kurrë unë s’kam folur për zgjedhjen e Presidentit dhe votën time. Unë kam qenë për një President të zgjedhur nga populli, por kjo nuk do të ndodhë edhe këtë radhë. Unë do të votoj një kandidat për President, nëse do të bindem për cilësitë dhe aftësitë e kandidatit. Nuk më intereson cila parti do ta propozojë Presidentin. Rëndësi ka cili do të propozohet. Bamir Topi u propozua nga PD-ja, por doli një President dinjitoz dhe mbi palët.
Ilir Meta kohët e fundit duket se ka ulur tonet e “luftës” ndaj jush. Si ndjeheni ju për këtë?
Me Ilir Metën kemi pasur 10 vjet bashkëpunim dhe 1 vit luftë. Shpresoj që e ardhmja të sjellë normalitet.
Tre regjistrimet e bujshme të Dritan Priftit
Biseda me Metën, ndarja e parave dhe takimi me një biznesmen.
Historia filloi mbrëmjen e 10 janarit 2011, pak kohë pasi Dritan Prifti ishte shkarkuar nga posti i ministrit të Ekonomisë. “Fiks Fare”, në “Top Channel”, publikoi një videoregjistrim të realizuar në zyrën e Dritan Priftit, ku ky i fundit bisedonte me Ilir Metën, në atë kohë zv/kryeministër. Flitej për emërime, shkarkime, tenderë dhe koncesione, me një gjuhë relativisht të kujdesshme, ku shifrave u thirrej shkurt, pa u dhënë zë të gjitha zerove dhe pa përcaktuar llojin e monedhës. Gjithsesi, pamjet ishin tronditëse dhe u bënë edhe më shumë kur Dritan Prifti, personazh i “filmit”, sqaroi se çfarë ishin shtatë përqindëshat, shtatëqindat e të tjera fjalë që nuk ishin fort të kuptueshme. Kjo ishte hera e parë që shqiptarët panë me figurë e zë se çfarë ndodhte në zyrat e shtetit, por Dritan Prifti deklaroi se kishte akoma video të tjera që faktonin korrupsionin dhe që do t’i publikonte në një kohë më të përshtatshme. Por një “pakujdesi” e autorit të filmimeve bëri që njëra nga videot të zbulohej përpara kohe. Eksperti amerikan që mori përsipër analizimin e videos “Meta-Prifti” zbuloi një tjetër filmim, ku Prifti ndante para me zv/ministrin e Ekonomisë, Leonard Beqiri. Videoja e dytë nuk e pati bujën e të parës, edhe pasi u transmetua pak ditë më parë në TV Klan. Videoja tjetër, që është në dorë të prokurorisë, thuhet se është regjistruar përsëri në zyrën e Priftit, në të njëjtën ditë kur është regjistruar Ilir Meta. Në këtë video, një biznesmen, që thuhet se është i afërt me PD-në, ndërhyn te ministri për një tender që u përfol shumë vitin e kaluar.

Gazeta Shqip, 06.02.2012