Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Harta e burimeve natyrore: Rajon naftë-gazmbajtës

Puna kërkimore zbuluese e realizuar në territorin shqiptar, vlerëson në vendin tonë si një vend me një pasuri të madhe minerare, pavarësisht nga sipërfaqja e tij e vogël dhe deri sot janë zbuluar 437 milionë ton naftë dhe rreth 13 miliardë metër kub gaz. Sipas hartës së burimeve nëntokësore, të publikuar nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës pak muaj më parë, Shqipëria është e njohur si një provincë naftë-gazmbajtëse. Kjo që nga kohët romake, kur nafta e rëndë dhe asfaltet e Selenicës janë përdorur për ndriçim. Zbulimi i parë i naftës në Shqipëri është bërë në Drashovicë, në vitin 1918. Në vitin 1927 dhe 1928, janë zbuluar, respektivisht, vendburimet e naftës së Kuçovës dhe Patosit, me rezervuarë në shkëmbinjtë e Miocenit të Sipërm. Vendburimi i Marinzës, që përfaqëson vendburimin më të madh të naftës në Shqipëri, është zbuluar në vitin 1957. Vendburimi i Visokës përfaqëson vendburimin e parë të naftës brenda prerjes karbonatike dhe është zbuluar në vitin 1963, i ndjekur nga zbulimet e tjera, si në Gorisht (1965), Ballsh (1966), Finiq-Kranë (1974), Cakran-Mollaj (1977), Amonicë (1980) dhe Delvinë (1987). Pas zbulimit të parë të gazit më 1963, në ranorët e Tortonianit në Divjakë, u bënë zbulime të tjera të tilla si në Frakull (1972), Ballaj (1983), Povelcë dhe Panaja, në vitin 1987 dhe Durrës në vitin 1988. Me shpimin dhe testimin e pusit A4-1x në vitin 1993 nga AGIP dhe Chevron, në bllokun detar Adriatiku-4, u provua gazmbajtje dhe naftë e lehtë (kondensat) në ranorët e Mesinianit. Bazuar në studimet gjeologjike, punimet sizmike të kryera nga “Albpetrol” dhe ato të kryera nga kompanitë e huaja në këto vitet e fundit, rezulton se Shqipëria, përveç vendburimeve ekzistues të naftës dhe gazit, ka potencial të konsiderueshëm dhe përbën një provincë me premisa të mëdha për kërkimin e mëtejshëm të hidrokarbureve, si në tokë, edhe në det.
Kërkimi i gazit në det lidhet me strukturat e rrudhosura të Miocen-Pliocenit, të identifikuara si nga punimet sizmike 2D të vitit 1992 dhe të konfirmuara nga sizmika e re 3D, kryer kohët e fundit. Duke pasur parasysh që dimensionet e strukturave të prognozuara në det janë më të mëdha se ato të vërtetuara në vendburimet ekzistues të gazit në tokë, në det janë të pritshme rezerva të konsiderueshme gazi biogjenik ose termogjenik.

Gazeta Shqiptare, 17.01.2012