Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kërkimet për naftë e gaz, objektiv për kompanitë e huaja

Të gjitha zonat gjeografike të vendit, të ndara në blloqe, janë përfshirë në kërkimin për naftë dhe gaz nga kompani të huaja, ndërsa të tjera punojnë për prodhim sipas Marrëveshjeve Hidrokarbure (MH). Kërkimet për vendburime të reja për naftë dhe gaz me Marrëveshje Hidrokarbure 7-vjeçare janë përqendruar në bregdetin perëndimor, nga Shkodra deri në kufijtë detarë jugorë të vendit. Kompania kanadeze “Bankers Petrolium” kryen kërkimet në Bllokun F, që përfshin zonën Divjakë-Seman-Frakull, kompania skoceze “Capricorn Albania” në Bllokun Jon 5 në zonën detare nga Gjiri i Vlorës deri në Jug të vendit, me një investim rreth 9,5 milionë USD, kompania irlandeze “San Leone Energy” në Bllokun e Durrësit nga Gjiri i Vlorës deri në Rodon, etj. Këtë vit, pritet që kompania kanadeze “Petromanas”, me degën e saj “Albania”, të nisë shpimet për nxjerrje nafte në tre zona të reja pas rezultatit pozitiv që mundi të sigurojë nga kërkimet për naftë gjatë vitit 2011.
Kërkimet për naftë me metodat moderne nga kompani në bazë të Marrëveshjes Hidrokarbure për kërkim, u përqendruan në Bllokun A-B, që përfshin zonat Shkodër-Lezhë-Rinas, Bllokun D-E në zonat Elbasan-Papër dhe Bllokun 2-3 në zonën e Shpiragut, në Berat. Burime të AKBN kanë bërë të ditur për ATSH-në se, “Petromanas” investoi gjatë vitit 2011 rreth 28 milionë USD për kërkim nafte në këto tre zona dhe rezultatet vlerësohen pozitive në gjetjen e burimeve të reja të naftës në Shqipëri.
Ndërsa për nxjerrjen e naftës me ndarje prodhimi sipas MH-ve 25-vjeçare punojnë kompanitë “Bankers Petrolium” në zonën Patoz-Marinëz, “Sherwood International” në zonën e Kuçovës, “Stream Oil” në zonat Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj dhe Delvinë dhe kompania gjermane “IEC Visoka” në zonën e Visokës. Gjatë 20 viteve që kur kompanitë e huaja nisën kërkimet për naftë e gaz në Shqipëri, rezultatet e derisotme kanë ndihmuar në sqarimin e situatës prognozë të zbulimit të rezervave të reja hidrokarbure.
Kërkimet për naftë dhe gaz nga kompanitë e huaja në Shqipëri nisën me fillimet e pluralizimit politik, kur në fund të vitit 1991 u firmos Marrëveshja e parë Hidrokarbure me kompaninë amerikane “Occidental”, e cila u pasua shpejt nga të tjerë emra të njohur si “Shell”, “OMW”, etj. Llogaritet që deri sot, vlera e investimeve nga mbi 15 kompani të huaja të jetë mbi 500 milionë USD.

Gazeta Rilindja Demokratike, 13.01.2012