Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kuçovë, nga një pus nafte në çdo shtëpi

Banorët ankohen për ndotjen dhe rreziqet: Na vriten fëmijët, po vdesim nga sëmundjet.
Një grup banorësh të mbi 630 ndërtimeve pa leje, në zonën naftëmbajtëse të qytetit të Kuçovës dhe të periferisë të saj i janë drejtuar bashkisë së qytetit dhe krerëve të ndërmarrjes së prodhimit, të naftës me qëllim që këta të fundit të marrin masa për mbrojtjen nga ndotja, si dhe të mbrojtjes të jetës së familjeve të tyre, nga puset naftënxjerrëse në shfrytëzim dhe nga puset në degradim, që ata kanë fare pranë shtëpive.
Ndotja
Banorët kanë kërkuar rrethimin e puseve problematikë, deri dhe bllokimin e tyre, pasi këta të fundit kërcënojnë seriozisht jetën e fëmijëve që lozin përreth tyre, të bagëtive që shkojnë të kullosin në çdo kohë, deri në afërsi të tyre, të mjedisit, por edhe ndotjen e tokave. Duket se shfryrjet e pavullnetshme të naftës bruto dhe gazrave helmues, që dalin nga këto puse kanë sjellë shqetësim serioz tek të gjithë banorët e periferisë së qytetit dhe të fshatrave për rreth tij. Shumë prej banorëve të kësaj zone pohojnë, se janë mbi 630 ndërtime të pas vitit 1990, shumica e të cilave shtëpi banimi, kasolle bagëtish që presin të legalizohen nga ALUIZNI, por që problemet e dala muajt e fundit i kanë vënë në dilemën e largimit jo vetëm për mbrojtjen e jetës nga puset e naftës në prodhim, por edhe nga mos legalizimi i banesave të tyre. Thuajse çdo familje ka brenda truallit të vet, një pus nafte ende në shfrytëzim madje në të shumicën e rasteve edhe dy puse që përbëjnë një rrezik permanent për jetën e tyre. Banorët e këtyre ndërtimeve informale, ankohen, se këto puse rrjedhin pa pushim dhe ç’ka është më kryesorja ata janë me avari dhe nëse nuk mbyllen njëherë e mirë për të shpëtuar familjet e tyre do të jetojnë nën kërcënim për jetën dhe pronat e tyre. Banorët sqarojnë gjithashtu, se kanë pranuar t’i ngrenë shtëpitë e tyre aty, pasi vetëm kjo zonë ka qenë e lirë dhe që nuk shitej pas viteve 1990. Gjithsesi për banorët nuk është e rëndësishme ALUIZNI që ata kanë aplikuar me dosjet përkatëse dhe se presin edhe legalizimin e banesave, por për ta sot shtrohet problemi i mbrojtjes të jetës të tyre, fëmijëve, bagëtive dhe pronës dhe asaj të mbrojtjes nga ndotja. Gjatë verës edhe gropat e mbushura me naftë bruto e kthyer tashëm në vatra të rrezikshme zjarri duke u rrezikuar seriozisht të mbjellat dhe pemët frutore, kullotat etj. Ndërsa derdhja e tepricave të naftës të pa kontrolluar nga puset ka rrezikuar seriozisht edhe disa ujëmbledhës si ai i Gegës, pasi mbetjet e naftës derdhen në rezervuar dhe ndotin ujin e vaditjes duke e nxjerrë jashtë përdorimit, ujë që banorët e këtij fshati dhe të fshatrave fqinjë e përdorin për vaditjen e bimëve bujqësore gjatë verës. Nisur nga problemet në fjalë që rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve këta të fundit kanë kërkuar, një ndërhyrje urgjente të njerëzve kompetent, për zbatimin e kushteve teknike, në shfrytëzimin e puseve të naftës, që ndodhen pranë shtëpive, dhe në rast se vet Ndërmarrja e Prodhimit të Naftës në Kuçovë, nuk do të marrë masat e nevojshme, për këtë shqetësim, ata do të nisin protestat e tyre të ligjshme.
Ndërhyrja
Por, ndryshe nga ankesat e tyre, pohimeve pranë Drejtorisë të Naftënxjerrjes në rrethin e Kuçovës kjo e fundit i ka kërkuar bashkisë së qytetit dhe Drejtorisë së Policisë Ndërtimore, dhe asaj të AUIZNI-t që të mos bëjë legalizimin e këtyre 630 ndërtimeve, brenda zonës naftëmbajtëse në periferi dhe në fshatrat naftëmbajtëse. Madje sipas burimeve zyrtare krerëve të Albpetrolit janë ankuar deri në qeveri, se këto ndërtime të paligjshme kanë penguar shfrytëzimin e rreth 214 puseve në prodhim, pasi në ta nuk mund të futen agregatet e pastrimit deri dhe punëtorët që i vënë në punë, pasi rrugët për të shkuar deri tek pusi janë bllokuar nga ndërtimet e paligjshme. I pyetur për legalizimet e zonës naftëmbajtëse kreu i ALUIZNI-t të qarkut të Beratit, Kujtim Pelivani, tha se: “Në të gjithë zonën naftëmbajtëse në qytetin e Kuçovës e në periferi të fshatrat e këtij rrethi, por dhe në zonën naftëmbajtëse të zonës së komunës Poshnje nuk do të ketë legalizime.
Viktimat e puseve
Sipas tyre, që nga viti ‘90 e gjer tani, numërohen 14 viktima, të shkaktuara nga vulfet e volantet e puseve dhe mbi 21 të plagosur e të mbetur invalidë për gjithë jetën pa u paguar nga Ndërmarrja Naftënxjerrëse, si dhe qindra shpendë dhe dhjetëra bagëti që thuajse çdo vit mbeten peng të gropave të mbushura me mbetjet e naftës bruto ose serën, si dhe i thonë vetë banorët. Vite më parë në fshatin Kozare një fëmijë 13 vjeç ka vdekur, duke luajtur në afërsi të pusit, sipas pohimeve të banorëve fëmija ka qenë duke luajtur së bashku me fëmijët e tjerë pranë pusit të parrethuar duke rrëshqitur mbi volantin e hidraulikut, çka i shkaktoi dhe vdekjen. Ndërsa një vajzë 15 vjeçe shpëtoi vetëm me prerjen e gishtërinjve të këmbës. Si ky rast ka edhe shumë të tjerë një tjetër vajze nga fshati Gegë vite më parë, e cila ka qenë duke luajtur rripi i transportierit i ka prerë gishtërinjtë e këmbës, ndërsa ndërprerja rastësore e tensionit ka bërë të mundur shpëtimin e jetës së saj, pasi fustanin ja kishte mbledhur transportieri.

Gazeta Metropol, 30.11.2011