Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bursat ulin “kokën”, në Shqipëri nafta e benzina drejt 190 lekë/litër

Efektet e krizës evropiane në konsumin e energjisë ulin çmimet për dhjetorin e janarin
Tendencat e çmimit të karburanteve janë në rënie në të gjithë bursat, ndërsa në Shqipëri nafta prej rreth një jave është tregtuar mbi 183 lekë për litër. Sipas tregtarëve me pakicë, çmimet janë rritur që prej shtatorit, për shkak të aplikimit të taksës së re të qarkullimit, por edhe për shkak të një rritje të konsumit nga ana e qytetarëve. Me ftohjen e motit, përdorimi i automjeteve është bërë i domosdoshëm, por nga ana tjetër është rritur edhe konsumi për shkak të plotësimit të nevojave për ngrohje. Këta faktorë kanë çuar në një shtrenjtim me rreth 5 lekë për litër të naftës dhe benzinës. Megjithatë, në pika të ndryshme çmimi i shitjes është i ndryshëm, kjo lidhur edhe me cilësinë që ofrojnë kompanitë e tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të saj.
Tregu vendas dhe bursat
Pika të caktuara të shitjes me pakicë kanë shtrenjtuar naftën, ndërkohë që benzina vazhdon të mbetet mesatarisht 178 – 180 lekë për litër, ndërsa nafta ka arritur nga 183-185 lekë për litër në pika të veçanta. Reflektimi i çmimit nga bursa nuk ndodh menjëherë në vendin tonë. Kompanitë e karburanteve janë të detyruara të mbajnë rezerva deri në 90 ditë në depozitat e tyre. Ndërkaq, kontratat e naftës për dhjetorin dhe janarin nuk mundën të ruajnë qëndrueshmëri, duke reflektuar shqetësimet për efektet negative të krizës evropiane në konsumin e energjisë. Tregtia është karakterizuar nga braktisja e aseteve me risk dhe kryesit të lëndëve të para minerale, metaleve dhe naftës. Të dhënat statistikore treguan se rajoni i Azisë po jep sinjalet e para të prekjes nga thellimi i krizës evropiane të borxhit sovran. Rënia reflekton frikën se shtrëngesat në tregjet monetare të dollarit mund të detyrojnë bankat jo japoneze të rrisin jenin në një vlerë më të lartë. Nafta bruto amerikane për dhjetorin ra 32 cent në 98.50 dollarë për fuçi. Nafta bruto Brent e Londrës për dhjetorin ra 10 cent në 108.14 dollarë për fuçi.
Shtrenjtimi i naftës
Aplikimi i taksave të reja mbi sektorin e karburanteve është reflektuar menjëherë në tregun vendas. Kështu raporti Instituti i Statistikave, sipas të cilit edhe kostoja e jetesës së shqiptarëve është rritur pas pesë muajsh rënie graduale. Në tetor inflacioni u rrit me 0.4 për qind krahasuar me një muaj më parë, ndërsa inflacioni vjetor ishte 3 për qind. Afrimi i dimrit ka shtuar konsumin e këtyre produkteve edhe për ngrohje. Instituti i Statistikave raportoi se nafta dhe benzina u shtrenjtuan me 0.8 për qind si pasojë e taksës së re të vendosur nga qeveria. Bëhet fjalë për aplikimin e taksës së re të qarkullimit. Kjo taksë është vendosur të jetë fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër, deri në datën 31.12.2011. Një gjë e tillë ka bërë që një litër benzinë që shitej me të paktën 170 lekë për litër para aplikimit të taksës së re, të shitej më pas mesatarisht me 176 lekë për litër, ndërsa nafta nga 168 të shitej me 174 lekë për litër. Aplikimi i kësaj takse do të vijojë me shtrenjtim duke filluar nga 1 janar 2012, pasi masa e kësaj takse sipas këtij vendimi do të jetë 7 lekë për litër për benzinën dhe gazoilin. Duke i shtuar edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar 20%, për blerësit me pakicë, rritja e saj pasqyrohet me 6 lekë për litër deri në fund të 2011, ndërsa në 2012 do të shkojë në 9 lekë për litër.
Parashikimi në 2015-ën
Çmimi i naftës do të shkojë 114 dollarë/fuçi. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, në parashikimin e saj për 2011, ka vlerësuar se rritja e çmimit të naftës do të pengojë në rimëkëmbjen e ekonomisë. Sipas ANE-s, çmimi mesatar i naftës për 2015-ën do të shkojë në 114 dollarë për fuçi, ndërsa në 2035-ën, çmimi do të ngjitet në 212 dollarë për fuçi. Në Uorld Energy Outlook 2011, agjencia thekson se nafta shumë e lartë do të frenojë rimëkëmbjen e ekonomisë. Për vitin aktual Agjencia tregohet e kujdesshme duke mos shfaqur frikën se prodhimi në një periudhë afatshkurtër do të jetë poshtë nivelit të kërkesës. Rritja e çmimit të karburantit do të pengojë rimëkëmbjen e ekonomisë. Agjencia në parashikimin e saj për energjinë botërore 2011, deklaron se çmimi mesatar i naftës në vitin 2015 do të shkojë rreth 114 dollarë për fuçi, ndërsa në vitin 2035 do të ngjitet deri në 212 dollarë. Këto shifra shfaqen shumë më të larta se në parashikimet e mëparshme të Agjencisë, të publikuara në vitin e kaluar. Gjithsesi Agjencia ndërkombëtare e Energjisë, shprehet se objektivi i saj mbetet shëndeti i mirë i ekonomisë. Për vitin 2011 agjencia tregohet e kujdesshme duke mos shfaqur frikën se prodhimi në një periudhë afatshkurtër do të jetë poshtë nivelit të kërkesës.
Efekti nga taksa
Efekti nga taksa e re e qarkullimit për katër muajt e fundit të vitit 2011 pritet të jetë rreth 1.2 miliardë lekë të mbledhura, ndërsa për vitin 2012 rreth 4.9 miliardë lekë. Gjithashtu qeveria bëri një strukturim të taksës së karbonit, e cila ishte 1,5 lekë/litri mbi benzinën dhe 3 lekë/litri mbi gazoilin. Prej shtatorit ajo aplikohet mbi prodhimin vendas dhe importin e këtyre nënprodukteve të naftës, më konkretisht për gazoilin 3 lekë/ litër, për benzinën 1.5 lekë/ litër, për solar dhe mazut 3 lekë/ litër, për vajguri 3 lekë/ litër, për koks nafte 3 lekë për kg. Qeveria pret që nga kjo taksë e karbonit të marrë 370 milionë lekë më shumë taksa në 2011-ën, ndërsa efekti i pritshëm për 2012-ën do të jetë 775 milionë lekë më shumë.

Gazeta Metropol, 23.11.2011