Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Përse dështuan koncesionet e hidrocentraleve në Shqipëri. Opinione nga eksperte te fushes!

Koncesioni i hidrocentraleve në Shqipëri vlerësohet si një proces me probleme në të gjitha hallkat. Përse një pjesë e koncesioneve po dështojnë? Si po sillen aktorët e tregut? Cila do të ishte zgjidhja e duhur? “Monitor” sjell opinione nga institucione shtetërore, ekspertë, por edhe aktorë të tregut.
Nga viti 2006 e deri më sot, nga biznesi vendas dhe i huaj janë marrë 110 koncesione për ndërtimin e rreth 300 HEC-eve, me fuqi të instaluar prej 1,300 megavatesh dhe me vlerë investimi prej rreth 3 miliardë eurosh. Deri tani, vetëm 10 prej tyre kanë përfunduar së ndërtuari dhe kanë lidhur kontratë me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Në fund të vitit 2012 pritet të përfundojë ndërtimi dhe do të nisë prodhimi i energjisë (faza e testimit) për hidrocentralet “Ashta 1” dhe “Ashta 2”, në Veri të Shqipërisë. Së shpejti pritet të nisë edhe ndërtimi i tre hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Qeveria është duke përgatitur dokumentacionin për hapjen e tenderëve ndërkombëtarë për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosë, (350 MW) mbi lumin Osum (100 MW) dhe mbi lumin Drini i Zi (350 MW), ndërsa ka nisur procesin për privatizimin e katër hidrocentraleve ekzistues, me fuqi totale të instaluar rreth 80 MW. Në maj të vitit 2011, u miratua projekti për ndërtimin e HEC-eve mbi lumin Fan i Madh dhe Fan i Vogël, që do të kenë fuqi të instaluar rreth 88 MW dhe prodhim energjie elektrike rreth 378 GWh. Burime nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë bëjnë të ditur se është parashikuar se do të përfundojnë ndërtimin e 14 HEC-eve të rinj vendorë deri në fund të 2011-s. Përfundimi i këtyre veprave do të bënte që Shqipëria të arrinte jo vetëm të plotësonte nevojat e brendshme për furnizimin me energji elektrike, por edhe të shndërrohej në eksportuese me rëndësi në rajon. Mendohet se vendi sot shfrytëzon rreth 40% të burimeve hidrike për prodhimin e energjisë së rinovueshme. Në Shqipëri, janë rreth 20 hidrocentrale të mëdhenj që kanë kapacitet mbi 2 milionë MW, ndërsa të vegjlit llogarisin fuqi të instaluar në rreth 600,000 MW. Në total parashikohet të prodhohet rreth 5 miliardë kWh energji elektrike. Situata në lidhje me procesin e koncesioneve në Shqipëri nuk është edhe aq “rozë”. Si nga qeveria, ashtu edhe nga institucionet është pranuar se procesi nuk ka ecur sipas parashikimeve. Për një pjesë të koncesioneve nuk është realizuar investimi, ka pasur vonesa të mëdha, janë identifikuar rreth 15 raste kur kompanitë kanë rezultuar “fantazmë”. E gjithë kjo përkthehet në para që qëndrojnë të bllokuara dhe nuk janë injektuar në ekonominë e vendit. Në këtë mënyrë pasuria e kombit mund të thuhet se është mbajtur peng.

Arsyet e dështimeve

Është llogaritur se vlera totale e investimit për rreth 100 kontrata koncesionare që janë lidhur pas vitit 2006 arrin në rreth 260 miliardë lekë, ndërsa për të 14 HEC-et vendore që Ministria e Ekonomisë, shprehet se do të përfundojnë brenda këtij viti, vlera e investimit arrin në rreth 7 miliardë lekë. Në projektet koncesionare që po zbatohen nga investitorë të huaj, investimet arrijnë në rreth 200 miliardë lekë. Shifra aspak të vogla që, nëse do të injektoheshin në ekonomi, do të nënkuptonin më shumë frymëmarrje. “Do të ishte e patolerueshme për ekonominë shqiptare që nga 110 koncesione për ndërtimin e rreth 300 HEC-eve, disa prej tyre të mbeten vetëm në letër, në një kohë kur janë me dhjetëra kompani serioze vendase dhe të huaja që janë gati të investojnë kapitalin për të përfunduar këto objekte”. Kjo ishte deklarata që u bë pak ditë më parë nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë edhe Energjisë, Nasip Naço, në një konferencë për energjinë e rinovueshme. Kjo nuk është deklarata e parë e natyrës paralajmëruese. Pak kohë më parë, Kryeministri Sali Berisha pranoi zyrtarisht se procesi i koncesionit të hidrocentraleve nuk po ecte në shinat e duhura. Po cilat janë arsyet? Çfarë nuk po funksionon si duhet? Zhvillimi i një koncesioni kalon në disa faza që ndahen në: fazën e përzgjedhjes (identifikimi dhe përzgjedhja e koncesionarit) që përfshin ndër të tjera zhvillimin e procedurës konkurruese dhe përfundon me lidhjen e një kontrate koncesioni dhe në fazën e zhvillimit të projektit koncesionar (ndërtimin, operimin) e cila përfshin financimin, marrjen e lejeve, shfrytëzimin (që në vetvete lidhet me marrjen e licencave dhe lidhjen e kontratave të shitjes së energjisë, me tregun në vend dhe rajon dhe përfundon me transferimin e këtij projekti pranë autoritetit kontraktor shtetëror. Për juristët çdo hallkë e procedurës ka problematikën e saj që ndikon në realizimin e një projekti koncesionar. “Shumë probleme në zbatimin e kontratave koncesionare evidentohen që në fazën e parazgjedhjes dhe të tenderimit. Vetë sistemi i përzgjedhjes së koncesionarëve nga ana e autoritetit kontraktues bazohet nw vlerësimin me pikë-avarazhi, ku projekti më i mirë (në letër), ai që shpallet fitues në bazë të procedurës konkurruese, rezulton të jetë i parealizueshëm. Afatet kohore për realizimin e veprave të parashikuara nga shumë operatorë (mbi bazën e të cilave janë vlerësuar me pikë sipas përcaktimeve të bëra në fillim të garës) rezultojnë të jenë shumë të shkurtra. Një pjesë e madhe e projekte nuk kanë pasur të parashikuar fazën e marrjes së lejeve të nevojshme për zhvillimin e tyre. Element i rëndësishëm për realizimin e këtyre veprave. Për këtë arsye qeverisë iu desh të parashikonte të drejtën e koncesionarëve, për ato koncesione që ishin miratuar, por që nuk kishin të parashikuara afatet e nevojshme për përgatitjen e projektit të zbatimit dhe për marrjen e lejeve. Atyre iu lindi e drejta të kërkonin shtyrje të afateve. Kjo e drejtë varion nga 12 muaj për projektet me fuqi të instaluar deri ne 5 MW deri në 24 muaj për projektet me fuqi të instaluar deri me 20 MW”, thonë juristët. Sipas tyre ajo që është edhe më e rëndësishmja është se shumë nga këto koncesione kane gjetur vështirësi në gjendjen e financimeve të nevojshme për realizimin e projekteve. Natyrisht, bankat financuese bëjnë vlerësimin e tyre të suksesit për projektet koncesionare, duke parashikuar realizimin dhe garancinë e kthimit të huave. Pavarësish garancive që jep autoriteti kontraktues për lidhjen e kontratave të shitblerjes së energjisë nga subjekti shtetëror i furnizimit me energji elektrike, fakti është që shoqëritë koncesionare mund të vendosin asetet e tyre si garanci për marrjen e financimeve (si edhe e drejta e financuesit për zëvendësimin e koncesionarit në rast shkelje serioze të kontratës nga koncesionari), nuk kane rezultuar garanci të mjaftueshme për shume prej projekteve. Në dhënien e financimeve ndikon edhe gjendja e tregut të energjisë elektrike. Shqipëria ka ende vështirësi në eksportimin e energjisë (projektet e linjave 400 kV që lidhin Shqipërinë me vendet e rajonit janë akoma në fazën e zhvillimit). Nga ana tjetër mundësitë e financimit nga vet bankat janë të pakta për shkak të krizës financiare që po kalon Europa. Të gjendur në këto kushte shume prej shoqërive koncesionare (te krijuara brenda afatit 30 ditor nga data e hyrjes në fuqi e kontratave koncesionare) kanë mbetur vetëm në letër, pa zhvilluar aktivitet dhe në pritje që pronarët e tyre (koncesionari) të gjejnë investitorët e duhur, të cilët do të ndërhyjnë për zbatimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve. Ligji për koncesionet parashikon që në rast mosrespektimi të afateve në kontratë, qeveria apo autoriteti kontraktues (METE) kanë të drejtë të aplikojnë një sërë sanksionesh kundrejt koncesionarëve, deri edhe në prishje në mënyrë të njëanshme të këtyre kontratave. Ndodhemi përpara faktit që shumë prej këtyre projekteve kanë rezultuar të pasuksesshëm. Sipas juristëve qeveria duhet të gjejë zgjidhje për situatën e krijuar, pasi bëhet fjalë për investime që minimalisht llogariten në 1 milion euro për çdo megavat të instaluar. Në një kohë kur nuk mungojnë vonesat, kur paraja qëndron e bllokuar dhe nuk arrin të hidhet në qarkullim dhe kur pasuria kombëtare mbahet peng, zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë nuk japin afate të qarta për përfundimin e ndërtimeve të HEC-eve. Sipas tyre është e pamundur të bëhen përgjithësime. Afatet lidhen me kohën e përcaktuar në çdo kontratë koncesioni, që është e ndryshueshme nga njëra kontratë në tjetrën, në varësi të ofertës që deklarojnë koncesionarët për kohën brenda së cilës marrin përsipër përfundimin e punimeve në HEC-e, kapacitetin e parashikuar në çdo kontratë etj. Ekspertë të kësaj ministrie sqarojnë se ekzistojnë arsye objektive në pjesën më të madhe të rasteve për moszbatimin e afateve të ndërtimit për ato kontrata koncesioni që rezultojnë me tejkalim të afateve. Sipas tyre, vetë kontratat e koncesionit, që me kohë janë përmirësuar për t’iu përshtatur zhvillimit konkret të ecurisë së projekteve koncesionare, kanë hapësira ligjore të lejueshme për afatet. Në to përcaktohen qartë rastet e tejkalimit të tyre, që mund të jenë ekstreme, të cilat çojnë deri në zgjidhjen e kontratës kur tejkalohet çdo afat, pa pasur arsye objektive, apo aplikim penalitetesh në masën e përcaktuar në çdo kontratë. Investitorëve shqiptarë u mungon përvoja, duhet partner i huaj.

Flet Drejtori i BERZH-it, Fabio Serri: Sektori vuan nga mungesa e financimeve për shkak të krizës

Ngërçi në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet e vogla të dhëna me koncesion pas vitit 2006, sipas ligjit të ri, duket se po shqetëson edhe vetë drejtuesit më të lartë të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), një prej institucioneve më aktive në sektorë të ndryshëm ekonomikë të vendit. Shumë biznese kanë mundësi të aplikojnë pranë bankës për kredi, fakt i pranuar nga shefat e saj, por në realitet pak kanë mundësi të përfitojnë. Arsyeja lidhet me mungesën e përvojës, e cila ndikon negativisht në plotësimin si duhet të dosjeve, përgatitjen e studimeve mjedisore etj. Në këto kushte, BERZH sugjeron me patjetër lidhjen e partneritetit me kompani të huaja private, në të kundërt qeveria të ndërhyjë për të asistuar firmat shqiptare. “Natyrisht që situata sa vjen dhe përmirësohet, por ajo që vihet re me shqetësim dhe që kërkon zgjidhje është mungesa e një ekspertize të saktë për projektet e HEC-eve të vogla lokale dhe kjo lidhet me eksperiencën e pakët që kanë kompanitë shqiptare. Kjo situatë pa dyshim që ndikon në procesin e kreditimit nga bankat”, thotë me keqardhje shefi i BERZH-it në Tiranë, Fabio Serri. Duke folur për “Monitor”, ai pranon se sektori i HEC-eve të dhëna me koncesion nuk ka ecur me ritme të duhura, duke përmendur disa faktorë që lidhen kryesisht me krizën financiare, e cila ka sjellë uljen e likuiditetit në sektor, si dhe shumë arsye të tjera. “Padyshim që kriza financiare ka ndikuar, sikurse duhet përmendur fakti se konkurrenca në tregun rajonal për financimin e projekteve energjetike është bërë edhe më e fortë dhe kjo natyrshëm ka ndikuar në uljen e kreditimit apo bërjen e procesit më kompleks. Bankat janë më të kujdesshme, aq më tepër kur projektit i mungojnë ekspertizat, apo studimet, sipas rregullit që kërkon ligji”, thotë Serri.

Nuk ka para për HEC-et

Edhe pse konsiderohet një sektor fitimprurës, prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike mbart në vetvete disa situata komplekse, të cilat po i shkaktojnë vendit probleme me vazhdimësinë e ngritjes së hidrocentraleve me anë të formulës me koncesion. Një investitor thotë se ishte i interesuar te banka për të marrë kredi në mënyrë që të mbyllte pjesën e mbetur (rreth 20 për qind) të projektit, HEC lokal, në Jug të vendit. Përgjigjja nga banka ishte negative. Arsyet i shpjegon Donald Mishaxhi, bankier kryesor i BERZH-it. “Në tërësi, kur projekti i ndërtimit të HEC-it ka avancuar në nivele deri në 70 apo 80 për qind, banka e ka të vështirë të marrë përsipër financimin, për shkak se nuk njeh si duhet procedurat e projektit, studimet apo të tjera analiza. Në përgjithësi bankat preferojnë të japin financime për ato projekte që janë në fillimet e veta, pasi njohin që në historik firmën dhe projektin”, thotë Mishaxhi. Po a ka nevojë ligji i koncesioneve të rishikohet? Shefi i BERZH-it për Tiranën thotë jo. “Nuk është ky problemi, por të tjerë faktorë. Qeveria duhet të mbështesë dhe kam besim që do ta realizojë, sektorin energjetik. Shqipëria ka potenciale dhe pritshmëri për zhvillim të mëtejshëm. Megjithatë kur mëson vlerën e kredive të akorduara nga BERZH-i për HEC-et lokale të dhëna me koncesion deri tani, që janë rreth 6 milionë euro, të bën të mendosh për një situatë pesimiste, por banka premton se do të akordojë shumë shpejt të tjera financime.

Biznesi privat: Të rishikohet ligji i koncesioneve

Flet Viktor Hykollari, ekspert i HEC-eve lokale

Pavarësisht gjykimit të BERZH-it se ligji aktual i koncesioneve është në rregull, vetë firmat private të sektorit energjetik e shikojnë të nevojshme rishikimin e ligjit. Viktor Hykollari, ekspert i fushës dhe përfaqësues i disa HEC-eve lokale, ka kryer disa studime dhe vëzhgime, të cilat nxjerrin konkluzionin e rishikimit të disa elementëve në ligjin e miratuar rreth pesë vite më parë. “Ndryshimi i ligjit në vitin 2006, me sugjerim edhe të Bankës Botërore, ka lejuar dhënien me koncesion të HEC-eve sipas formulës BOT (ndërtim-shfrytëzim-transferim), pra investitori e shfrytëzon HEC-in për 35 vjet dhe më pas ia kalon shtetit si pronë. Për këtë shkak, bankat nuk japin kredi, sepse projekti nuk ka një pronar të vetëm, dhe ku objekti mund t’i kalojë shtetit pas një periudhe të caktuar. Gjykoj se ligji duhet të vendosë një afat më të qartë për pronësinë e objektit, në mënyrë që palët të dinë sesi të veprojnë”, thotë Hykollari. Ai jep shembujt e HEC-eve të ndërtuar sipas modelit BOT, ku objekti i mbetet pronarit për një kohë relativisht të gjatë. HEC-i i Sasajk në Sarandë, Tervoli në Martanesh, apo ai i Zall Tora në Librazhd, sipas Hykollarit nuk kanë pasur probleme dhe se gradualisht po bëhen efektivë, ndërsa bankat janë më të sigurta me të tilla projektesh. “Sa i takon HEC-eve të tjera të formës BOT, që janë me shumicë, po ndërtohen me një vështirësi të jashtëzakonshme dhe tashmë nuk janë as pronë private e investitorëve, as e shtetit dhe as e bankave”, sqaron më tej Hykollari. KESH, koncesionet probleme me plan-studimet

Për drejtorin e përgjithshëm të Korporatës Elektroenergjetike në Shqipëri, Engjëll Zeqo, problemi qëndron në mënyrën se si hartohen plan-bizneset, se sa serioze janë kompanitë në studimet që bëhen, se sa të sakta janë këto studime dhe projekte, pasi problem mbetet financimi i tyre nga bankat. “Duke marrë në konsideratë faktin që kontrata, që lidhet me KESH-in, është për 15 vjet, këta prodhues e kanë të garantuar shitjen e energjisë për këtë periudhë dhe me një çmim të mirë, të miratuar nga ERE, mendoj se i vetmi problem mbetet cilësia e projektit për t’u financuar nga bankat”, thotë kreu i KESH-it. Bazuar në legjislacionin në fuqi, KESH-i ka marrëdhënie ligjore me prodhuesit e vegjël apo privatë të energjisë elektrike. KESH lidh një marrëveshje 15-vjeçare me këta prodhues për të blerë energjinë elektrike që prodhojnë dhe këtë energji ia shesin CEZ-it. Çmimi për blerjen dhe shitjen, si dhe kontrata tip që nënshkruhet me ta është e miratuar nga ERE. Çmimi me të cilin KESH blen energjinë elektrike nga këta prodhues është rreth 7 lekë për kilovat/orë, ndërsa ia shet CEZ-it me 1,48 lekë për kilovat/orë. “Kjo është një formë subvencionimi që synohet të nxisë zhvillimin e sektorit të prodhuesve të vegjël dhe privatë në Shqipëri dhe këtë kosto e përballon KESH. Megjithëse skema e çmimit është një nxitje dhe një subvencionim i madh që i bëhet këtij sektori është e vërtetë që shumë pak burime të tilla janë ndërtuar”, thotë z. Zeqo. KESH-i ka lidhur kontrata vetëm me 10 shoqëri që i kanë ndërtuar këto hidrocentrale, ndërsa numri i lejeve të dhëna është shumë herë më i madh.

Zgjidhja e ngërçit

Shqipëria është një nga vendet që e siguron prodhimin e energjisë elektrike vetëm nëpërmjet burimeve hidrike. Deri tani mendohet se janë shfrytëzuar vetëm 40% e kapaciteteve natyrore. Shfrytëzimi i këtyre burimeve, sipas ekspertëve, nuk konsiston vetëm në rritjen e prodhimit vendas, por edhe në rritjen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike të zonave të thella rurale, si dhe në zvogëlimin e humbjeve teknike të energjisë në rrjetin e shpërndarjes. Vënia në shfrytëzim e 14 HEC-eve që parashikohen të përfundojnë brenda këtij viti do të siguronte, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, një prodhim vjetor të pritshëm të energjisë elektrike prej 241,6 milionësh kW/orë. Por si mund të zgjidhet ngërçi? Cila do të ishte formula ideale që do të bënte që procesi të funksiononte në çdo hallkë? Pak kohë më parë, opozita deklaroi se kur të vijë në pushtet, ligji i parë që do të kthejë për rishqyrtim (jo me vendim të Këshillit të Ministrave), do të jetë pikërisht ai i koncesioneve për hidrocentralet. Për juristët, është e nevojshme që shteti të rrisë kontrollin në çdo hallkë, pasi ai është rregullatori kryesor. Ashta, së shpejti testohet prodhimi i energjisë Në fund të vitit 2012 do të përfundojë hidrocentrali më i madh matrix në Shqipëri, Ashta. Është një projekt që realizohet si investim i përbashkët (50% me 50%) nga dy kompani të huaja “Verbund” dhe “EVN”. Hidrocentrali i Ashtës është ngritur në veri të Shqipërisë, pranë qytetit të Shkodrës. Drini shfrytëzohet nga një zinxhir centralesh për prodhimin e energjisë elektrike. Ashta është hidrocentrali i fundit i planifikuar në këtë zinxhir, i pozicionuar poshtë hidrocentralit të Vaut të Dejës, rreth 50 kilometra nga derdhja e lumit Drin në Detin Adriatik. Në këtë proces po ndërmerren masa novatore mbi lumin Drin: teknologjia “hydro-matrix” (një turbinë e vogël në përmasat e një kabine telefoni) mundëson shfrytëzim veçanërisht të efektshëm të ujit. Në të ardhmen Ashta do të prodhojë 240 milionë kWh energji elektrike. Në këtë mënyrë 100,000 familje shqiptare do të mund të furnizohen me energji elektrike. Olsi Karapici, menaxheri i punëve publike pranë kompanisë “Energji Ashta”, thotë se duke filluar nga janari i vitit 2012, HEC-i “Ashta 1” do të mundësojë prodhimin e energjisë elektrike në periudhë testimi. Punimet kanë përfunduar në masën 95%. Në stacionin “Ashta 2” kanë përfunduar ndërtimet civile, ndërsa kanë nisur punimet për ndërtimin e nënstacionit elektrik 110 kV, që do të lidhet me sistemin energjetik shqiptar. Hidrocentrali i Ashtës do të ngrihet mbi një sipërfaqe prej 320 hektarësh dhe ndikimi mjedisor pritet të jetë minimal. Devolli, ndërtimi nis në 2013-n Një tjetër projekt i rëndësishëm në fushën e energjisë është edhe ai i ndërtimit të tri hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Është një investim që kryhet nga kompania austriake “EVN AG” dhe norvegjezja “Statkraft AS”. Marrëveshja koncensionare është e formës “BOOT” (ndërtim-operim-marrje në pronësi-transferim). Projekti hidroenergjetik i Devollit do të ketë një kapacitet total të instaluar prej 280 MW, përbëhet nga tre hidrocentrale dhe liqene, Banja, Kokeli dhe Moglica. Vlerësohet si një nga investimet më të mëdha në Ballkan, në fushën hidroenergjetike, me vlerë 950 milionë euro. Ky projekt është i ndarë në tri faza. Faza parandërtimore, e cila është dhe faza aktuale e këtij projekti, faza ndërtimore dhe ajo operacionale. Faza ndërtimore, sipas marrëveshjes koncesionare, do të zgjasë 6 vjet deri në përfundimin e plotë të projektit. Më pas projekti do të hyjë në fazën operacionale, deri në momentin e zbatimit të termave të nënshkruar në kontratën koncesionare, kohë në të cilën do t’i kalojë në pronësi shtetit shqiptar. Disa nga punimet e kryera deri tani kanë qenë studimet gjeologjike, topografike, punime për rritjen e sigurisë në digën ekzistuese të Banjës e më tej. Studimet për fazën parandërtimore janë kryer nga konsulentë të pavarur. Ky është një studim mjedisor dhe social në lidhje me ndikimet që do të ketë ky projekt, i cili pritet të fillojë së ndërtuari në tremujorin e parë të vitit 2013. Diga e Banjës do të ndërtohet e para. 110 është numri i kontratave të nënshkruara koncensionare 300 është numri i HEC-eve që parashikohen të ndërtohen 1,300 MW, fuqia që do të instalohet 3 miliardë euro llogaritet në total vlera e investimeve.

Kriza, shitja e kontratave dhe çmimi i kilovatit, ndikues në ecurinë e HEC-eve. Flet Sokol Spahiu, ekspert energjie

Të dhënat nga ERE tregojnë për ecuri të ngadaltë të sektorit të HEC-eve lokale.

Sipas jush, cilët janë faktorët që kanë ndikuar në tkurrjen e këtij sektori?

Në lidhje me HEC-et e dhëna me koncesion nga METE, gjykoj që ecuria e tyre mund të analizohet, duke u bazuar në faktorët e mëposhtëm, si ndër më kryesorët dhe vendimmarrës në procesin e ndërtimit dhe operimit të këtyre veprave energjetike: Ato janë kriza ekonomike, zhvillimi i një tregu dytësor në lidhje me shitblerjen e të drejtave të kontratave koncesionare dhe përcaktimi i çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga këto HEC-e nga KESH sh.a.

Atëherë t’i analizojmë me radhë, efektet ekonomike dhe ndikimin e krizës, çfarë impakti ka krijuar?

Efektet e krizës ekonomike botërore janë ndjerë në mënyrë të drejtpërdrejtë në tregun e ndërtimit të burimeve të reja energjetike. Asnjë vepër energjetike dhe kryesisht ato hidroenergjetike, për arsye të kostos së lartë, por edhe të kohëzgjatjes së projektimit dhe ndërtimit, nuk iniciohen pa mbështetje të investitorëve nga organizmat e ndryshëm financiarë (bankat, trustet financiare etj.). Në lidhje me financimet e këtyre veprave energjetike, financuesit kërkojnë që investitorët të bashkëfinancojnë projektin me rreth 50% të vlerës së tij. Në një central hidroenergjetik me kapacitet të instaluar prej 15 MW (kapaciteti maksimal i lejuar për të mundësuar përfitimin e mekanizmave nxitës nga qeveria), dhe duke pasur parasysh koston totale mesatare të ndërtimit prej 1.000.000 euro/MW, rezulton që investitori duhet që të financojë nga të ardhurat e tij një vlerë prej rreth 7.500.000 eurosh. Edhe pse rezulton që Shqipëria nuk është prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kriza financiare, vlera e mësipërme rezulton të jetë shumë e lartë, të paktën për investitorët shqiptarë. Gjithashtu, bankat hezitojnë në shumë raste të financojnë projekte afatgjata, të kushtueshme, por edhe me një periudhë relativisht afatgjatë të kthimit të investimit (bazuar në të dhënat aktuale, një vepër hidroenergjetike kërkon një periudhë prej rreth 4 vjetësh që të fillojë operimin komercial, si dhe një periudhë shtesë prej rreth 7 vjetësh për shlyerjen e investimit). Në çdo rast, është për t’u përshëndetur miratimi i kontratës 15-vjeçare që shoqëritë koncesionare lidhin me KESH-in për shitblerjen e energjisë elektrike, si dhe konsolidimi i mëtejshëm i konceptit të step – in – right (e drejta e bankave për të zëvendësuar koncesionarin në kontratën koncesionare në rastet e pamundësisë së shoqërisë koncesionare për të finalizuar veprën objekt koncesioni).

Një nga shkaqet e përmendura nga ju lidhet me shitblerjen e kontratave. A ka ndikuar ky fenomen në zvarritjen e finalizimit të projektit?

Zhvillimi i një tregu dytësor në lidhje me shitblerjen e të drejtave të kontratave koncesionare nuk është një fenomen shqiptar, por gjerësisht i përhapur të paktën në rajon. Në jo pak raste, përfituesit e kontratave koncesionare, menjëherë pas nënshkrimit të kontratës me METE-n, fillojnë negociatat me investitorët potencialë për shitblerjen e të drejtave të kontratave koncesionare. Ky treg është mjaft fitimprurës për këta “koncesionarë”, pasi shitja e kontratës koncesionare, për një HEC me kapacitet të instaluar prej 15 MW, sjell një përfitim për “koncesionarin” prej 2.000.000 eurosh (shitja e 1 MW kuotohet me ~ 150.000 euro, si dhe merren në konsideratë edhe shpenzimet e “koncesionarit”). Në shumë raste, pjesëmarrja e këtyre shoqërive në procedurat e zhvilluara nga METE për dhënien me koncesion të HEC-eve, ka si qëllim ekskluziv shitjen e së drejtës koncesionare. Në këtë fenomen, kanë ndikuar dy faktorë: Mospërfshirja në procedurat e zhvilluara nga METE të kushteve dhe kërkesave që do të mundësonin vetëm pjesëmarrjen e shoqërive të konsoliduara financiarisht dhe teknikisht; Mospenalizimi i këtyre shoqërive sipas afateve të përcaktuara në kontratat e nënshkruara me METE, ka sjellë shtimin e këtij fenomeni. Ky fenomen ka pasoja negative në këtë treg, pasi në radhë të parë shton kostot e investitorëve potencialë, por edhe bllokon për një periudhë relativisht të gjatë investimet e kërkuara, pasi METE, në rast të dështimit, detyrohet që të rihapë procedurën koncesionare. Një diskutim tjetër ka të bëjë me çmimin e shitjes së energjisë të KESH nga HEC-et lokale.

A i favorizon investimet tarifa vendosur nga ERE?

Përcaktimi i çmimit të blerjes së energjisë elektrike së prodhuar nga këto HEC-e nga KESH sh.a është faktori kryesor i mekanizmave nxitës së investimeve në këtë sektor. Metodologjia e përcaktimit të çmimit të shitjes së energjisë elektrike të KESH-it është përcaktuar në bazë të çmimit mesatar të importit të energjisë elektrike nga KESH sh.a + 10%. Kjo metodë, e cila parimisht është nxitëse për investitorët potencialë, nuk garanton plotësisht investitorët për kohëzgjatjen e shlyerjes së investimit, duke vështirësuar ndjeshëm edhe sigurimin e financimeve nga organizmat financiarë. Kjo bazohet në faktin që çmimi i energjisë elektrike është mjaft i ndryshueshëm (në vitin 2009, çmimi i shitjes së energjisë elektrike te KESH ishte 9,30 lekë/kWh, ndërsa në vitin 2011 është 6,98 lekë/kWh). Është e domosdoshme që të miratohen metodologji të caktuara që do të mundësojnë hartimin e planeve të biznesit, si dhe shlyerjen e investimeve me terma më të qëndrueshëm. Një ndër metodologjitë që përdoret gjerësisht në vendet e zhvilluara është alokimi i certifikatave të gjelbra, të cilat mund të tregtohen lehtësisht në tregjet e vendeve fqinje. Nëpërmjet kësaj metode, reduktohet kostoja e mekanizmave nxitës (feed in tariff), si dhe garantohet pjesëmarrja e HEC-eve në tregun rajonal, duke garantuar për ta përfitime që janë edhe më të larta se ato aktuale. Të gjithë faktorët e mësipërm kanë ndikuar që aktualisht, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të koncesioneve, janë në operim komercial vetëm 9 HEC-e të reja, me fuqi totale të instaluar prej 27 MW, nga 3.100 MW të kontraktuara.

Revista Monitor, 07.11.2011