Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Naftë false për Hipotekat, Gardën e SHISH, hetim tenderave në 2 vjet

Hetimet për naftën ‘virxhin’ shtrihen edhe në Agjencinë e Prokurimeve Publike për tenderat e furnizimit me karburant të disa institucioneve. Prokuroria e Tiranës zbulon se i arratisuri i dosjes, Hajri Elezaj fitoi disa tendera gjatë viteve 2009-2010 me analiza të falsifikuara karburanti
Hipoteka, Garda e Republikës, Ministria e Brendshme apo Shërbimi Informativ Shtetëror janë furnizuar për dy vjet me radhë me naftë të cilësisë së dobët, analizat e së cilës ishin të falsifikuara. Në këtë përfundim ka arritur Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve të kryera për skandalin e naftës ‘virxhin’. Burime nga organi i akuzës i thanë “MAPO”-s se në prag të mbylljes së hetimeve për biznesmenët e naftës, i kanë shtrirë hetimet edhe tek disa zyrtarë të Agjencisë së Prokurimeve Publike, të cilët dyshohet se kanë favorizuar kompaninë “Euroil” në marrjen e tenderave me objekt furnizimin me karburant të disa institucioneve të rëndësishme. Hetimet për këtë çështje nisën pas zbulimit se APP ka pranuar disa dokumente të falsifikuara nga kompania “Euroil” me pronar Hajri Elezajn, tashmë nën akuzë për mashtrimin me naftën ‘virxhin’. Pjesëmarrja e kompanisë së Elezajt në tenderat për furnizimin me karburant të një sërë institucioneve ka vënë në lëvizje prokurorinë, e cila ka arritur të sigurojë të dhëna se gjatë pjesëmarrjes në tendera, kompania “Euroil” ka paraqitur dokumente të falsifikuara. Sipas prokurorisë, janë zbuluar disa raste kur analizat e karburantit që dispononte kompania në fjalë kanë qenë të falsifikuara dhe për këtë fakt dyshohet se janë në dijeni edhe drejtuesit e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Duke qenë se hetimi i kontrabandës së naftës ‘virxhin’ është cilësuar si mjaft kompleks, është vendosur që pjesa që lidhet me tenderat e “falsifikuar” të naftës, e rrjedhimisht me APP-në, t’i nënshtrohet një hetimi të posaçëm. Sipas informacioneve që kanë grumbulluar deri tani, hetuesit mendojnë se zyrtarët e APP-së kanë pasur informacione mbi falsifikimin e analizave të karburantit nga ana e kompanisë “Euroil”, e megjithatë, kjo kompani jo vetëm që nuk është skualifikuar nga pjesëmarrja në tendera, por për dy vite me radhë ajo është shpallur fituese. Përgjatë viteve 2009-2010, kompania “Euroil” ka fituar të drejtën të furnizojë me karburant disa institucione të rëndësishme, si Hipoteka, Garda e Republikës, Ministria e Brendshme apo dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Për këtë arsye, prokuroria ka marrë në pyetje gjatë ditëve të fundit drejtuesit e APP-së, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni për ndonjë falsifikim të mundshëm të analizave të karburantit nga ana e kompanisë në fjalë. Megjithatë, prokuroria ka vendosur të vijojë hetimet për këtë çështje, pasi ka mundur të sigurojë informacione se një pjesë e mirë e analizave të paraqitura në tendera kanë qenë të falsifikuara, ndërsa ka dyshime se këto institucione janë furnizuar edhe me naftë ‘virxhin’. Gjithashtu rezulton se gjatë muajve të parë të këtij viti, kompania “Euroil” nuk ka respektuar kontratën që ka pasur me këto institucione, duke ndërprerë furnizimin e tyre me karburant. Institucionet në fjalë kanë vendosur t’i drejtohen Gjykatës së Tiranës për përmbushjen e kontratës nga kompania “Euroil”, pronari i së cilës është vënë nën akuzë nga prokuroria për mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh.
Nafta ‘virxhin’, 16 të pandehur drejt gjykatës
Një nga rastet flagrante të mashtrimit me tregtimin e karburanteve ishte dhe çështja “virxhin”, e cila deri tani numëron të paktën 16 të pandehur. “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës është drejt mbylljes së hetimeve dhe njoftimit të akuzave për të gjithë personat e përfshirë në skemën e mashtrimit në tregtimin e naftës ‘virxhin’. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se brenda pak ditësh prokuroria pritet të dërgojë pranë Gjykatës së Tiranës dosjen penale në ngarkim të 16 të pandehurve, mes të cilëve pronari i kompanisë “Euroil”, Hajri Elezaj. Gjithashtu, si të përfshirë në skemën e mashtrimit janë edhe pronarët e kompanisë “Fisheku” dhe “Martini”, të cilët dyshohet se kanë transportuar naftën ‘virxhin’ nga kompania “Armo” në Fier, drejt depozitave në Durrës, ku dyshohet se bëhej përzierja e naftës ‘virxhin’ me benzinën për t’u hedhur në treg. Zyrtarisht kjo lloj nafte deklarohej si e eksportuar jashtë vendit.

Gazeta Mapo, 20.10.2011