Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjitë e rinovueshme dhe efiçensa e tyre

Intensiteti i konsumit të energjisë në Shqipëri konsiderohet mjaft i lartë, krahasuar me vendet e rajonit, ndaj për të rritur eficensën e energjisë sipas direktivave të BE, vendi ynë përballet me dy sfida: mbajtjen e tij në nivele mesatare dhe rritjen e konsumit të energjisë/banor, që përfshin rritjen e komoditetit të jetës. Për këtë objektiv, së fundi qeveria ka miratuar një plan masash që do të zbatohet deri në vitin 2018, (PKVEE), ku parashikon një nivel eficense prej 9%, kundrejt 3% që është sot përmes rritjes së eficensës së energjisë në të gjithë grupet për të ulur konsumin e burimeve energjetike. Shqiptarët po rrisin konsumin e energjisë elektrike, e cila sivjet u rrit 8.7% më shumë nga vjet, e ku energjia e konsumuar nga sektori i familjes llogaritet në 52.5% të sasisë. Konsumi energjetik përkundrejt totalit të konsumit final, sipas burimeve energjetike, tregon se produktet e naftës kryesojnë me 64.4%, qymyri 1,2%, energjia elektrike 22.7% dhe drutë e zjarrit 11.7%. Sipas sektorëve, konsumi energjetik llogaritet për industrinë 13%, transportin 44%, banesat 23%, shërbimet 10%, bujqësia e të tjera, 10%. Në përputhje me objektivin që ka nga direktivat e Bashkimit Europian, një plan-masash për eficensën e energjisë në vitet 2010-2018, (PKVEE) është miratuar së fundi nga qeveria, që përfshin problemet kryesore me të cilat do të përballet zhvillimi ekonomik dhe sektori energjetik. Ai parashikon masa konkrete për uljen e nivelit të përdorimit të energjisë përmes rritjes së eficensës në kuotat nga 3% në vitin 2012, deri në 9% në vitin 2018. Ndër to janë rritja e konsumit/banor të energjisë dhe mbajtja e një niveli relativisht më të ulët të intensitetit të energjisë, me qëllim që të nxisin një ekonomi eficente dhe konkuruese. Zbatimi i PKVEE-it, i pari në Shqipëri, ka hyrë në fazën fillestare të zbatimit të politikës kombëtare për eficensën e energjisë. Ndërsa, parashikohen ritme të ngadalta të realizimit të objektivave për eficensën e energjisë deri në vitin 2012, në vitet në vijim, deri në 2018 do të ketë rritje të ritmeve për kursimin e energjisë përmes rritjes së eficensës në përdorim në çdo sektor. Norma 3% e kursimit të energjisë në 2012 dhe 9% në vitin 2018, kërkon një sërë investimesh që parashikohen të jenë më të mëdha në tre vitet e para të zbatimit të Planit Kombëtar për eficensën e energjisë. Burime të Ministrisë së Ekonomisë pohojnë se, duhen zgjidhur disa probleme, pasoja të moszbatimit të kuadrit ligjor dhe institucional në fushat e eficensës së energjisë, adoptimi i kuadrit ligjor për eficensën dhe zbatimi i tij, nxitjet dhe mbështetjet financiare të investimeve, futja në treg e kompanive të shërbimit për masat e eficensës, etj.
Rritja e numrit të mjeteve të transportit, veçanërisht ai rrugor, ka ndikuar direkt në një rritje të dukshme të konsumit të lëndës djegëse, naftës dhe benzinës, duke e kthyer sektorin në konsumatorin më të madh të burimeve energjetike, që në bilancin total vjetor llogaritet në 44% të tij. Tendenca e transportit rrugor pritet të vijojë të rritet, pasi po zhvillohen politika të reja për rritjen e transportit publik dhe hekurudhor për të ardhmen. Një plan masash për rritjen e eficensës së energjisë për periudhën 2011-2018, parashikon rrugët për kursimin e sasisë së burimeve energjetike për këtë sektor, që të arrijë në 2018 në 26,7%, nga 38,5% që është sot, si ndërtimi i rrugëve të reja, rikonstruksioni i atyre ekzistuese, përshtatja e kuadrit ligjor në psrputhje me direktivat e BE për etiketimin e automjeteve sipas klasave A-G, përputhje me nivelin e emetimeve të CO2, rritja e rolit të transportit publik, përmirësimi i infrastrukturës hekurudhore për përdorim më të leverdisshëm, përdorimi më racional i automjeteve, etj. Sektori i shërbimeve, që përfshin ato tregtare, SME-të dhe sektorin publik, konsumon rreth 6% të konsumit total final të burimeve energjetike, një përqindje ku kryeson energjia elektrike me 47%, nenproduktet e naftës 33.7%, drutë e zjarrit 11% dhe 7% nga qymyret, etj. Konsumi i energjisë deri në 2018 do të rritet në këtë sektor me 100 Ktoe, krahasuar me vitin 2008, ndërsa parashikohet si objektiv që për përmirësimin e eficensës së energjisë të arrijë në 22% kundrejt kursimit total. Sektori i Shërbimeve Publike përfshin zbatimin e masave të eficensës në ndërtesa, pajisje elektroshtëpiake, skema të tjera efiçente për ngrohjen, ventilimin e hapësirave, pasi sipas direktivës 2006/32/KE, ky sektor luan rol parësor.
Vlerësohet se sektori i shërbimeve publike ka potencial për reduktimin e konsumit të energjisë në të ardhmen ndaj dhe janë përcaktuar një sërë masash. Ndër to konsiderohen zgjerimi i tregut të GLN për ngrohjen e hapësirave dhe ujë të ngrohtë, përmirësimi i izolimit termik në ndërtesat ekzistuese publike dhe private, aplikim rigoroz i Kodit të Energjisë dhe Rregullores teknike në ndërtesat e reja, zgjerimi i përdorimit të sistemeve diellore, inspektimet e detyrueshme te ngrohjes, ventilimit dhe sistemeve të ajrit të kondicionuar, zbatimi i masave të eficensës në sektorët publikë si spitale, qendra tregtare, hoteleri, etj.
Përmirësimi i eficensës në ndërtesat publike dhe private të shërbimeve, lidhet me rritjen e përdorimit të ndriçimit eficent, teknikave inteligjente, pajisjeve elektrike moderne me (F) të përmirësuar, aplikimi i vendosjes të etiketave në pajisjet elektrike në zyra, etj. Pritet që në 2012, të nisë zbatimi i ligjit për eficensën e energjisë, auditimet, çertifikimi energjetik i ndërtesave, funksionimi i Fondit të Efiçencës, etj.
Edhe pse në Shqipëri dominon bujqësia, konsumi i energjisë elektrike sot arrin në 10% të totalit. Konsumi i energjisë kryesisht përdoret në prodhimin e të mbjellave dhe për bagëtitë, ndërsa zhvillimi i sektorit kushtëzohet nga prania e fermave të vogla dhe të ndara, probleme me tokat e punueshme, çmime të larta të prodhimeve, mosorganizim dhe sistem jo-efektiv të shpërndarjes, pamjaftueshmeria e kreditimit bujqësor dhe mekanizmave bujqësore. Objektivi për reduktimin e konsumit të burimeve energjetike kap vlerën 5 Ktoe deri në vitin 2018. Plani i masave për eficensën e energjisë parashikon masa si aplikimi i skemave të biomasës dhe prodhimit të biogazit nga impiantet e posaçme, përdorimi i skemave efiçente të ujitjes, etj.

Gazeta Rilindja Demokratike, 18.10.2011