Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konferenca në Romë, AKBN prezanton planin për zhvillimin e energjisë së rinovueshme

Në kuadër të iniciativave të vendeve të BE për përmirësimin e ndryshimeve klimaterike, Agjencia  Kombëtare e Burimeve Natyrore mori pjesë në konferencën e organizuar nga “ZeroEmission” në Romë nga data 14-16 shtator, me temën “Zona e Mesdheut dhe zona e Evropës Juglindore: Strategjitë dhe Potenciali për zhvillimin e sektorit të energjisë së erës, si dhe burimet e tjera të energjive të rinovueshme”.  Prezantimi i bërë nga ana e delegacionit shqiptar në këtë organizim u prit mjaft mirë, ndërkohë që tërhoqi një interes të madh nga ana e  shumë kompanive italiane. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore në këtë edicion prezantoi situatën e vendit tonë për burimet e rinovueshme, duke dhënë një pamje të plotë për potencialin, kuadrin institucional dhe ligjor, procedurat administrative, si dhe perspektivën e zhvillimit të energjisë së erës. Për t’u përmendur gjatë këtij edicioni ishte interesimi i këshilltarit të Shoqatës Evropiane për Energjinë e Erës, zoti Pierre Tardieu, i cili u shpreh i hapur për një bashkëpunim me institucionin shqiptar në kuadrin e projekteve e Komunitetit të Energjisë, si në nxitjen e investimeve, ashtu dhe në përgatitjen e seminareve për promovimin e energjisë së erës në vendin tonë. Përfaqësues nga AKBN ishin Enkeleda Shatku, këshilltare e Drejtorit Ekzekutiv për energjitë e rinovueshme, si dhe Artan Leskoviku, specialist i energjive të rinovueshme.  Përveç Shqipërisë, gjithashtu edhe Bullgaria, Rumania, Mali i Zi, Maqedonia Kroacia, Serbia dhe Greqia  prezantuan gjate kësaj konference situatën specifike të tyre ne zhvillimin e burimeve të rinovueshme dhe në veçanti për sa i takon energjisë së erës.
Prezantimi
“Eolica Expo Mediterranean 2011” ishte një nga evenimentet më të  rëndësishme  në botë për sektorin e erës, i cili paraqet mjaft përmirësime për sa i përket shfrytëzimit të energjisë së erës çdo vit, ku për këtë vit duhet të përmendim:  Winverter (Invertitorët e industrisë së erës), Hi-Volts & Grids (Sistemi, teknologjitë dhe rrjeti i transmetimit të tensionit të lartë), si dhe Compomat Wind (Materialet përbërëse për industrinë e erës).  Edicioni “ZeroEmission” në Romë prezantoi kërkimin dhe zhvillimin e industrisë së erës, ku nëpërmjet takimeve dhe dialogut promovoi kërkimet e aplikuara në botë nga kompanitë e ndryshme komerciale. Edicioni ishte mjaft i favorshëm për vendet në zhvillim për të siguruar një bashkëpunim në fushën e burimeve të rinovueshme midis agjencive, universiteteve, qendrave të kërkimit publik dhe industrive teknologjike të fushës. Industria e erës sot në botë paraqitet me një rritje rreth 22%, që i korrespondon kapacitetit 35,8 GW dhe  investimi 47.3 miliardë euro. Parashikimet e kryera për të ardhmen nga Organizata Botërore e Erës, japin për vitin 2015 një kapacitet rreth 707 500 MW me një rritje rreth 3.5 më shumë se viti 2010. Shumë vende në zhvillim ku përfshihet dhe Shqipëria, kanë marrë iniciativa të rëndësishme për shfrytëzimin e energjisë së erës, pavarësisht se aktualisht janë në fazën e vlerësimit. Kjo do të thotë se energjia e prodhuar nga era do të kontribuojë në stabilizimin e çmimit të energjisë, në rritjen ekonomike, në krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe në zvogëlimin e vartësisë nga lëndët djegëse fosile dhe për pasojë zvogëlimin e emetimeve të karbonit (CO2). Vendet e Mesdheut dhe të Evropës Juglindore duhet të inkurajohen për t’i mbështetur politikat e tyre zhvilluese energjetike. Në çdo rast, vendi ynë dhe vendet që aderojnë për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të plotësojnë detyrimet e Bashkimit Evropian, të përshtatin bazën ligjore, bazuar në Direktivën 2009/28, për të ndryshuar dhe përshtatur autorizimet dhe procedurat, të cilat garantojnë praktika transparente administrative. Këtij qëllimi i shërbeu edicioni “ZeroEmission” Romë 2011, ku prezantimet e paraqitura nga pjesëmarrësit shfaqën mundësi profesionale të përmirësuara vit pas viti, si një eksperiencë për t’u prezantuar investitorëve që kontribuojnë në çdo vend Mesdhetar.

Gazeta Integrimi, 23.09.2011