Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Akuzat për puse nafte, Vokshi në gjyq me 10 deputetë opozitarë, gjobitet Shalsi

Deputetët socialistë duket se do t’i paguajnë shtrenjt të gjitha akuzat drejtuar deputetëve dhe ministrave të qeverisë Berisha vitin e kaluar. Akuzat ishin për fshehje pasurie, korrupsion, tejkalim kompetencash, favorizime, marrje hidrocentralesh dhe puse nafte. Mazhoranca qeverisëse, me anë të gjykatave dhe vendimeve të tyre arbitrare, po i bën presion opozitës për të mbyllur gojën. Pothuajse të gjithë deputetët opozitarë, të cilët verën e vitit 2010 akuzuan në konferenca shqyti deputetët e mazhorancës, janë në proces gjyqësor. Vetëm deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, aq e lakuar për korrupsion, ka paditur 10 deputetë socialistë për shpifje.
Në gjyq me Vokshin janë deputeti Eduard Shalsi, Olta Xhaçka, Eltar Deda, Vasilika Hysi, Artan Gaçe, Erion Braçe, Taulant Balla, Saimir Tahiri, Mimi Kodheli etj. Këta përfaqësues të PS e kanë akuzuar në mënyrë të vazhdueshme deputeten Vokshi për të ardhurat e padeklaruara, të përfituara nga bashkëjetuesi i saj, Tartari, për koncesionin e naftës, dhënë kompanisë “Stream Oil” dhe si një nga aksionerët e kompanisë “Vision Construction”. Pas akuzave dhe kundërakuzave, çështja shkoi në prokurori. Ndërkohë, Task Forca e Prokurorisë së Tiranës nisi hetimet, duke marrë në pyetje të gjithë personat e përfolur për afera. Mes tyre ka qenë edhe Tartari, Rahman Selmanllari dhe Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepuri. Një vit më votë, disa procese gjyqësore po përfundojnë. Disa javë më parë gjykata ka gjobitur Ermonela Felaj. Ndërkohë, edhe Vokshi ka fituar një çështje ndaj deputetit socialist Eduard Shalsi. Ky i fundit është gjobitur me 10 milionë lekë për shpifje. Ndërkohë, beteja ligjore vijon edhe me deputetët e tjerë socialistë. Të gjithë akuzohen nga Vokshi për shpifje dhe prishje të imazhit. Ndërkohë, mazhoranca nga ana e saj synon të ushtrojë presion mbi opozitën, duke përdorur vendimet e njëanshme të gjykatave.
PS, ndal sulmet
Partia Socialiste ka ndalur prej muajsh aksionin e saj të denoncimit të aferave të qeverisë Berisha. Verën e 2010, deputetë të PS, pothuajse çdo ditë denonconin skandale të ministrave dhe deputetëve të mazhorancës. Ndërkohë, një vit më votë, opozita ka ndryshuar strategji. Asnjë deputet nuk ka reaguar, madje as për çështje si për manipulimin e votave në parlament apo për marrjen e hidrocentraleve nga miqtë e kryeministrit Berisha. Me sa duket, aksioni në verën e 2010 kishte qëllim vetëm elektoral, pra maksimalizimin e votave në zgjedhjet e 8 majit.
Gjykata me dy standarde
Organi i akuzës dhe gjykata po përdorin dy standarde sa i takon vendimeve për shpifje. Gjykata ndëshkon eksponentët e opozitës, ndërsa ndaj Berishës, i cili ka 20 vjet që vetëm shpif dhe denigron, nuk është marrë asnjë masë. Gjithashtu edhe Prokuroria i mbyll dosjet kundër PD.

Gazeta Sot, 13.09.2011