Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ligji i makinave, benzina dhe bloza

Një autobus i linjës Qendër- Sauk lëshonte një tymnajë karburanti të padjegur dhe të zi, sa që, nga Rruga e Elbasanit
e deri te shkolla e Gjuhëve të Huaja, duhej të kishe maskë gazi me vete. Sytë përvëlonin e fyti gërricej nga grimcat helmuese. Pak më tutje, në atë malore, dëgjohej rënkimi i një makine të lodhur që përpiqej të mbushej me gaz, për ta kaluar. Ajo shfrynte sërish tym, atë që unë isha e detyruar ta thith. Gjithkush që ecën rrugëve të Tiranës, ndjen mbytjen. Sipas studimit të Institutit të Shëndetit Publik në metropol, grimcat e respirueshme (PM10) janë regjistruar në vlerën në vlerën 148 µg/m3, ndërsa normat e lejuara nga BE-ja janë 50 µg/m3. ISHP-ja kanë konstatuar se Tirana është i vetmi qytet që i ka kaluar normat e BE-së edhe sa i takon ndotjes nga dioksidi i azotit, NO2. Të dhënat nga monitorimi tregojnë se vlera mesatare e NO2 në Tiranë ka arritur në 52 µg/m3, nga 40 µg/m3 që janë normat e BE-së pra 30 për qind më i lartë, ndërsa rritje ka shënuar prezenca e e benzenit C6H6 në ajër, që është një ndotës me veti të njohura kancerogjene. Këto janë shifrat e frikshme dhe kjo është arsyeja e parë që mendoj se ligji i ri për makinat dhe mënyrat e pagesës është zgjidhja më e mirë për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Makinat e vjetra duhet të zhduken dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është që në dy vjet, ato të paguajnë, sa vlen e tërë makina e tyre e gatshme për varreza. Shumë, merren me koston e ligjit të ri, që do të ndikojë direkt në xhepin e pronarëve të automjeteve, por askush me atë pjesë të njerëzve që nuk kanë makina e që janë të detyruar të thithin jashtëqitjet helmuese të barakave me 4 rrota. E pasi pranova pa hezitim të gjitha replikat e debatet duke pasur parasysh shëndetin, si çdo kush hodha sytë nga xhepi im. Sa do më kushtonte mua ligji i ri? Unë kam një makinë benzine prodhuar 4 vite më parë, 1.4, benzinë dhe që sot për këtë makinë do të paguajë 4800 lekë në vit, shumë e cila do nisë të rritet në bazë të vjetërsisë. Ndërkaq që dje paguaja 12800 lekë taksa rruge e qarkullimi për makinën time. Benzina është halli më i madh, por duke bërë një përllogaritje të sasisë mujore që përdor karburant, më rezultoi se kosto ime shtohet me 250 lekë në muaj, pra 3000 lekë në vit. Kush do i bëjë këto llogari do të kuptojë që unë se përdor makinën për ti rënë bllokut kryq e tërthor, për të shkuar me ble cigare te kioska e cepit, apo për të blerë një bidon 5 litërsh me ujë se nuk kam takat ta mbaj 10 metra në krah. Sërish llogaritjet më çojnë të mendoj se kosto e vetme që ka ky ligj do të ndikojë në mënyrë të menjëhershme në xhepin e atyre që kanë ende divane “9 mijë lekësh” në shtëpi, por që kanë ama një makinë 4×4, do të ndikojë te ata që sjellin vërdallë nëpër xhiro karrocat gjasme tip sportive të modifikuara nga jashtë, por të prodhuara kush e di se kur, pra te ata që makinën nuk e konsiderojnë mjet pune. Ndërkaq që do të kemi më pak makina të vjetra rrugëve e rrjedhimisht më pak gazra helmues dhe më pak trafik.

Gazeta Shqiptare, 25.08.2011