Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kontrabanda e naftës, 16 persona nën akuzë

Prokuroria u komunikon përfundimin e hetimeve të pandehurve, veçohet hetimi i policisë.
Deklaratat publike të ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, që akuzonte strukturat shtetërore se kontrabandojnë naftë virgin, janë faktuar nga prokuroria, e cila pas më shumë se 11 muajsh hetime ka vënë nën akuzë 16 persona. Megjithëse jozyrtarë të lartë shtetërore, lista e të pandehurve përmban biznesmenë, tatimorë e doganierë, ndërsa janë “përjashtuar” punonjësit e policisë, për të cilët do të vazhdojnë hetimet. Grupi hetimor është rikthyer nga lejet e zakonshme dhe ka nisur menjëherë punën për njoftimin e aktakuzave ndaj të pandehurve. “Po përgatisim aktakuzat për 16 të pandehurit. Hetimet kanë përfunduar dhe është saktësuar roli i gjithsecilit në këto vepra penale, që nga marrja e naftës virgin e deri te mashtrimet në tatime e dogana. Është konfirmuar se kjo sasi nafte është tregtuar në Shqipëri, megjithëse është e ndaluar me ligj, pasi dëmton automjetet dhe ndot ambientin”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, e cila saktëson se u ka komunikuar akuzat vetëm doganierit dhe tatimorit, ndërsa pritet që të gjitha dokumentet t’u dërgohen edhe të pandehurve të tjerë. Mësohet se shoferët e autoboteve akuzohen për moskallëzim krimi, biznesmenët për mashtrim dhe kontrabandë, ndërsa tatimori e doganieri për shpërdorim detyre.
Dosja
Gazeta “Shqip” ka siguruar një pjesë të dosjes dhe citohet se procedimi penal me numër 4155, datë 13.10.2010, ka filluar pas deklarimeve të ish–ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, që ka deklaruar publikisht të dhëna që kanë të bëjnë me veprime abuzive me detyrën dhe kontrabandë të zhvilluar me naftën e prodhuar nga ana e kompanisë ‘Armo’ sh.a për periudhën 2007 – 2009. Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka regjistruar me iniciativën e saj këtë procedim penal për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Nga hetimet e zhvilluara është bërë e mundur të provohet se gjatë periudhës 2007 – 2009, sasi të konsiderueshme të nënproduktit të naftës bruto të përpunuar dhe të njohur si ‘virgin’, është tregtuar në territorin e Republikës së Shqipërisë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve, duke e paraqitur atë si benzinë të pastër për konsum. Ky aktivitet është realizuar nga ana e subjektit privat “Euroil” sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Hajri Elezaj, si dhe në bashkëpunim me subjektin tjetër  privat “Fisheku” sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Ilias Fisheku. Sasia e nënproduktit të naftës të quajtur është blerë nga shoqëria e përpunimit të naftës “Armo” sh.a dhe në mënyrë fiktive është pasqyruar me dokumentacion si e eksportuar jashtë shtetit. Por në fakt, ajo është shitur në tregun e brendshëm në kundërshtim me ligjin dhe duke mashtruar konsumatorin shqiptar. Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe punonjës të caktuar të administratës tatimore dhe doganore, të cilët me veprimet e tyre kanë ndihmuar në fshehjen dhe mosdeklarimin e aktivitetit në fjalë.
Hetimet 
Shoferët e autoboteve që transportonin naftën kanë pohuar para hetuesve të çështjes se kanë marrë urdhra që këtë produkt ta dërgonin në Durrës e Lushnjë, pavarësisht se në dokumente shkruhej se virgin dërgohej në Vlorë. Pas “ndihmës” që i dhanë grupit hetimor, gjashtë transportuesit do të hetohen tashmë me masën e sigurisë detyrim paraqitjeje. Fadil Abdurramani, Reshat Aleksi, Genci Prençe, Vladimir Koteci, Flamur Merkaj dhe Kadri Hajredini janë akuzuar vetëm për moskallëzim krimi, pasi pretenduan se nuk kishin fare lidhje me kontrabandën e naftës virgin, pasi sipas tyre, ata ishin thjesht shoferë të kamionëve dhe merrnin urdhra nga eprorët. Akuza thotë se krahas dokumenteve shkresore dhe bilanceve të nxjerra gjatë tre viteve e gjysmë, hetuesit e çështjes siguruan dëshmi të rëndësishme që faktojnë sesi nafta e papërpunuar përzihej dhe u shitej shqiptarëve si “naftë e mirë”. Dëshmitarët rideklaruan para akuzës së kanë dërguar naftë virgin në depozitat e përpunimit në Durrës dhe Lushnjë, duke “fundosur” në këtë mënyrë dy firmat private që akuzohen për këtë skemë mashtrimi.

Gazeta Shqip, 26.08.2011