Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, deputeti akuzohet për vjedhje energjie

Deputeti i “Nismës” në Kuvendin e Kosovës, Zafir Berisha, akuzohet se ka kryer lidhje të paligjshme të rrymës, çka cilësohet si vepër penale.

Ai është akuzuar nga Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore të Prizrenit nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lidhja e paautorizuar në shërbime”, për të cilën dënimi është me gjobë dhe burg deri në tri vjet.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit, Zafir Berisha, si pronar i restorantit “Kështjella” akuzohet për rikyçje ilegale në shtyllën e rrymës. Po i njëjti kishte deklaruar në muajin shkurt 2015, në Kuvendin e Kosovës, se qytetarët po manipuloheshin me njehsorët elektrikë.

“Prej datës së pavërtetuar e deri më 31 janar 2014, në fshatin Vlashnjë, komuna e Prizrenit, pikërisht në lokalin e tij afarist, restorant “Kështjella”, i pandehuri lidhet apo rilidhet në përçuesin e rrymës elektrike apo në rrjetin për përçim apo shpërndarje të çfarëdo shërbimi komunal, në çfarëdo mënyre, drejtpërdrejt apo tërthorazi, pa autorizim të furnizuesit të autorizuar, në atë mënyrë që edhe pse është shkyçur nga njehsori për shkak të borxhit, ka bërë rikyçje ilegale në shtyllë pa autorizimin e organit kompetent, respektivisht KEDS-i, Distrikti në Prizren”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit. Sipas aktakuzës, ai ngarkohet me veprën penale “Lidhja e paautorizuar në shërbime”.

Sipas informatave zyrtare të marra nga “kallxo.com”, arsyeja e shkyçjes nga rrjeti elektrik ishte për shkak të borxhit në lokalin afarist, që ishte mbi 7.000 euro.

Seanca e shqyrtimit fillestar ishte planifikuar që të mbahet për ditën e martë, mirëpo deputeti Berisha nuk u paraqit në Gjykatë. Gjyqtari i rastit, Refki Piraj, tha se i akuzuari nuk e ka arsyetuar mosardhjen në gjykim.

“Fletëthirrja e Gjykatës është kthyer e nënshkruar që është pranuar ftesa. Nuk e di a e ka nënshkruar ai apo dikush tjetër. Mosardhjen e sotme i akuzuari nuk e ka arsyetuar. Unë do ta përsëris edhe njëherë fletëthirrjen, mirëpo kësaj radhe me vërejtje. Nëse nuk vjen në seancën e radhës do ta sjellim me dhunë, me anë të policisë”, tha gjykatësi Piraj.

Ndërsa i kontaktuar nga “kallxo.com”, deputeti Zafir Berisha tha se nuk ka pranuar fare ftesë nga Gjykata. “Prej teje po dëgjoj që paskam pasur sot gjykim. Është e vërtetë që para dy muajve kam pasur ftesë dhe i jam përgjigjur Gjykatës, mirëpo në atë kohë Gjykata ka qenë në grevë dhe është shtyrë gjykimi, por asnjëherë nuk kam pranuar ftesë nga Gjykata”, tha Berisha.

Ai, madje, tha se është akuzuar gabimisht ngase personalisht ka kohë që nuk e menaxhon më lokalin “Kështjella”. “Unë që nga gushti i vitit 2007 nuk e menaxhoj lokalin. Tjetërkush është menaxher i atij lokali dhe nuk e di se si KEDS-i ka ardhur në konstatimin që unë paskam bërë rikyçje të rrymës. Ata as që kanë mundur të më shohin mua personalisht ndonjëherë, pos në televizor” u shpreh Berisha. Për më tepër Berisha tha se nuk ka pasur arsye të mos i përgjigjet ftesës së Gjykatës.

Gazeta Zëri, 27.05.2015