Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Anulimi i tenderëve, administrata mbetet pa naftë, kompjuterë dhe makina

Kaluan afatin 1 gusht, shtrëngohet furnizimi me naftë, dështojnë disa projekte
Vendimi i qeverisë marrë më 2 korrik të këtij, me synim disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore për vitin 2011, po shkakton efekte negative në funksionimin normal për një pjesë të administratës publike. Vendimi thotë qartë dhe shkurt se, nuk do të lejohet zhvillimi i tenderëve dhe lidhja e kontratave pas datës 1 gusht. Kanë kaluar më shumë se dy javë nga hyrja në fuqi e rregullit të ri dhe pasojat kanë filluar të ndihen në disa institucione. Duke përjashtuar blerjen e ushqimeve dhe ilaçeve, asnjë institucion nuk ka të drejtë të zhvillojë tenderë për qëllime të tjera. Natyrisht, është vendosur një hapësirë ku tenderi kryhet vetëm me lejen e posaçme të ministrit të Financave, në rast se bindet për rëndësinë që ka projekti.
Nga një vëzhgim i bërë në dy buletinet e fundit të Agjencisë së Prokurimit Publik, mësohet se janë anuluar një sërë tenderësh me qëllim furnizimin e administratës me karburant, blerjen e automjeteve, të pajisjeve elektronike, për mirëmbajtjen e disa programeve kompjuterike, e deri në anulim ndërtimi shkolle dhe restaurimi kishe në komuna të ndryshme.
Ndikimin më të madh në funksionimin e administratës publike e jep mungesa e karburantit, duke e bërë të pamundur lëvizjen me mjete transporti. Një tender, edhe pse i zhvilluar më 7 korrik, me vlerë rreth 85 milionë lekë për blerjen e rreth 530 tonë karburant për nevoja të Kryeministrisë, ministrisë dhe institucioneve të tje
ra është anuluar tërësisht për shkak se kontrata nuk është mundur të lidhet para datës 1 gusht, kur vendimi ka hyrë në fuqi. Ky dështim rrezikon madje dhe mjetet e transportit për qëllim publik, si rendin, shëndetësinë dhe autobusët e linjave urbane. Tenderi ishte planifikuar të mbyllej nga Ministria e Brendshme, njësia e posaçme për zhvillimin e tenderëve për të gjithë administratën, por vonesat në procedura sollën anulimin e kontraktimit të karburantit.
Nga po kjo ministri mësohet informacioni se kanë mbetur pa pajisje bazë kompjuterike disa institucione, për shkak se tenderi i tejkalonte afatet. Vlera e tenderit ishte rreth 200 milionë lekë dhe synonte blerjen e disa pajisjeve elektronike, kryesisht fotokopje për disa institucione kryesore.
Ministria e Brendshme, në buletinin e fundit të Agjencisë së Prokurimit Publik bën të ditur se, nga vendimi për anulimin e tenderëve dhe lidhjes së kontratave pas datës 1 gusht ka dështuar prokurimi për blerjen e disa automjeteve për institucione të ndryshme. Në listën e institucioneve bie në sy Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, e cila kishte kërkuar blerjen e një fuoristrade për rreth 6.7 milionë lekë, apo të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e cila porositi të njëjtën lloj makine për 3.3 milionë lekë, por kishte dështuar. Duket se pa autoveturë do të mbetet edhe kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Të tjera programe janë anuluar, si blerja e skanerëve për kontroll bagazhesh nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave apo mirëmbajtja hardware dhe software e Regjistrit Kombëtar të Adresave për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, për 34.4 milionë lekë. Në rastin e parë tenderi nuk ishte zhvilluar ende, i planifikuar në javën e dytë të gushtit, pra ishte shumë larg realizimit të qëllimit, kurse i dyti ishte zhvilluar më 25 korrik, por nuk kishte lidhur kontratën para datës 1 gusht.

Gazeta Shqip, 18.08.2011