Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bozdo: Investimet e huaja direkte në Shqipëri në vitin 2010, mbi 1 miliardë USD

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Enno Bozdo, përfaqësuesja e UNDP znj. Zineb Touimi-Benjelloun si dhe Koordinatorë Rezidentë të UN në Shqipëri, prezantuan në datën 1 Gusht përpara mediave “Raportin Botëror të IHD (Investime të Huaja Direkte)”, të hartuar nga UNCTAD, për vitin 2011.
Në fjalën e tij, z. Bozdo deklaroi se: “Ky raport është një dokument shumë i rëndësishëm jo vetëm sepse jep një panoramë shumë të detajuar të zhvillimit ekonomik botëror nën këndvështrimin e IHD, por edhe sepse vende të ndryshme kanë mundësi të vlerësojnë pozicionin e tyre kundrejt vendeve të tjera dhe eventualisht të përmirësojnë politikat në thithjen e IHD.
Gjetja kryesore e këtij raport eshte fakti që “Investimet e Huaja Direkte Globale për vitin 2011, akoma nuk kanë arritur nivelet para krizës globale… arsyeja nuk është për shkak të kufizimit të financimeve, por për shkak të reziqeve të perceptuara dhe të pasigurisë së kuadrit rregullator që ekziston ende në këtë ekonomi të brishtë botërore”.
Në vitin 2010, për herë të parë ekonomitë në zhvillim kanë arritur të thithin afërsisht gjysmën e FDI-ve në shkallë globale. Konstatohet se koorporatat ndërkombëtare po rrisin aktivitetin e tyre në vendet e tranzicionit dhe atyre në zhvillim, duke zgjeruar fushën e investimeve në prodhim dhe bujqësi, shërbimin outsourcing, franchising dhe licensim apo kontratave të menaxhimit. Këto aktivitete relativisht të rëja për vendet në tranzicion dhe në zhvillim, krijojnë mundësi për thellimin e integrimit të tyre në ekonominë globale, në fuqizimin e kapaciteteve prodhuese dhe në përmirësimin e konkurueshmërisë së tyre”.
Më tej, përsa i përket pozicionimit të Shqipërisë në këtë raport, z. Bozdo theksoi se:
“Referuar këtij raporti, përsa i takon rajonit të Europës Juglindore, FDI-të kanë pësuar rënie në të gjitha vendet me përjashtim të Shqipërisë e cila shënoi përsëri rritje në vitin 2010. Në Shqipëri Investimet e huaja direkte janë rritur për herë të parë më shumë se 1 miliard dollarë, duke e renditur atë në vendin e dytë pas Serbisë dhe të vetmin vend të Evropës Juglindore ku investimet janë rritur pavarësisht trendit global negativ!
IHD në Shqipëri, në kontekstin global: Shqipëria pozicionohet në vendin e 18 në botë për indeksin e performancës së IHD nga vendi i 78 në vitin 2006. Ajo ka bërë përmirësime të dukshme lidhur me indikatorët që lidhen me infrastrukturën fizike, furnizimit me energji elektrike dhe kushteve të tjera për investime.
Fluksi i IHD në Shqipëri ka ndjekur një trend të ndryshëm dhe pothuaj të pavarur nga trendi rajonal dhe global duke treguar një rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Konkretisht: nga 325 milion $ që ishin në vitin 2006, janë rritur qëndrueshëm në vitet: 2007 – 656 milion $; 2008 – 978 milion $; 2009 – 989 milion $ dhe në vitin 2010, 1097 milion $.
Investimet e realizuara sipas aktivitetit ekonomik klasifikohen: 44,5% vlerësohen IHD në kërkim shfrytëzim, industri dhe ndërtim; 55,5% në sektorin e shërbimeve, transport, telekomunikacion, shërbime financiare, tregti dhe shërbime biznesi.
Pjesëmarrja në rritje e kompanive të huaja në tregun shqiptar është tregues i qartë i kushteve të favorshmë për IHD-të që vazhdojnë të realizohen në disa sektorë të ekonomisë si nxjerrja e mineraleve, sektori energjetik, sektori bankar dhe telekomunikacioni.
Qeveria Shqiptare është e ndërgjegjëshme se thithja e investimeve të huaja direkte dhe rritja e konkurueshmërisë të kompanive vendase janë thelbësore për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri. Gjatë viteve të fundit, masa të rëndësishme janë ndërmarrë nga qeveria, në drejtim të përmirësimit të klimës së investimeve, reformës rregullatore dhe institucionale, rritjes së disponueshmërisë së fondeve për investime, zhvillimit të infrastrukturës, përmirësimit të kushteve për tregtinë e lirë dhe integrimin rajonal.
Niveli i ulët i barrës fiskale që mbizotëron në Shqipëri, nuk është i mjaftueshëm nëse nuk do të shoqërohet me shërbime efikase publike. Për këtë arsye, qeveria vazhdon të kryejë reforma të mëtejshme në fushën e administrimit tatimor dhe doganor, në përdorimin e tokës dhe lejet e ndërtimit, në sistemin e apelimit administrativ, në sistemin e inspektimit dhe e-government. Qeveria shqiptare është në proces përmirësimi të vazhdueshëm të zbatimit të legjislacionit, mbledhjes së taksave, rimbursimit të TVSH-së dhe reduktimin e burokracisë”- mbylli z. Bozdo fjalën e tij.

energjia.al, 09.08.2011