Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

U miratuan dje ndryshimet në ligjet për akcizat, për tarifat doganore, për taksat vendore dhe për taksat kombëtare

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat” të ndryshuar” dhe projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008 “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore” të ndryshuar” janë dy projektligje të rëndësishme të paketës fiskale që u shqyrtuan dje në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.
Synimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat” të ndryshuar” është rishikimi i nivelit të akcizës të aplikueshme për birrën, me synim uljen e barrës fisklae në sektorin e prodhimit të birrës në vend.
Projektligji parashikon edhe rishikimin e nivelit të akcizës për lëndët djegëse solar, mazut dhe koks nafte. Rritja e nivelit të akcizës për këto produkte nuk do të rrisë kostot në industritë përpunuese vendase pasi akciza e paguar për blerjen e tyre është e rimbursueshme. Gjithashtu synohet edhe përshpejtimi i procedurës së rimbursimit të akcizës së paguar në blerje nga industritë vendase.
Komisioni shqyrtoi sot edhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008 “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore” të ndryshuar”.
Ndryshimet në këtë projektligj synojnë të zerojnë tarifën doganore të lëndëve të para të industrisë së konfeksioneve, këpucëve dhe të produkteve të gatshme të veshjeve. Këto ndryshime vijnë si rezultat i konsultimeve që Ministria e Financave ka zhvilluar me përfaqësues të industrisë së fasonistëve në Shqipërisë dhe të shoqatës së shitjes me pakicë të veshjeve, pas shqetësimeve të shprehura nga këto të fundit.

Komisioni për Ekonominë dhe Financat mori dje gjithashtu në shqyrtim dy projektligje të rëndësishme në fushën e taskave, pjesë e paketës fiskale që do të kalojë në seancë plenare.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” të ndryshuar” synon shfuqizimin e taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve për arsye të rishikimit të kuadrit ligjor të taksimit të automjeteve, sipas ndryshimeve të propozuara në ligjin përkatës të taksave kombëtare. Kuadri i ri ligjor i propozuar synon ristrukturimin e taksimit të mjeteve të përdoruara duke hequr taksën e makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit), të taksës vjetore të qarkullimit dhe taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve.
Kështu, parashikohet aplikimi  i një takse fikse të qarkullimit në masën 5 lekë për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, si dhe strukturimi i taksës së karbonit që akualisht mbi benzinën është në masën 1,5 lekë litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, duke e bërë atë të aplikueshme edhe mbi dy kategori të reja nënproduktesh nafte, vajgurin dhe lëndë djegëse  (solarin dhe mazutin).
Ndërkohë, projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” të ndryshuar” parashikon rishkimin e disa taksave kombëtare për mjetet e përdorura të transportit. Nisur nga rekomandimet e Bashkimit Europian, në mesin e vitit 2010 u miratua në mënyrë e re taksimi i makinave të përdorura si në import edhe në shitjen brenda vendit. Nga zbatimi në praktikë rezultoi që kjo mënyrë e re taksimi nuk ishte efektive, pasi individët filluan aplikimin e metodave të ndryshme për të shmangur taksën e shitjes së makinave. Taksimi i makinave të përdorura lidhet me përdorimin e makinave me vjetërsi shumë të madhe në Shqipëri, duke pasur parasysh se vjetërsia mesatare e makinave që qarkullojnë në vend arrin në 20 vjet. Edhe në këtë projektligj synohet risktrukturimi e taksimit të mjeteve të përdorura nëpërmjet aplikimit të taksës së re fikse mbi gazoilin dhe benzinën 5 lekë për litër deri në 31 dhjetor 2011, ndërkohë që kjo taksë do të rritet në 7 lekë për litër nga 1 janari  2012.
Komisioni për Ekonominë i miratoi ty katër projektligjet në fjalë dhe u shpreh dakord për kalimin e tyre në seancë plenare.

energjia.al, 19.07.2011