Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

METE, prezantohet “Rregullorja për aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve”

850 mijë ton prodhim naftë bruto në vit dhe 800 milionë USD investime

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço, prezantoi dje draftin për “Rregulloren për aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në Shqipëri”, i cila do t’i paraqitet për miratim Këshillit të Ministrave.
Z. Naço u shpreh se hartimi i një akti juridik për aktivitetin e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve ishte i dosmosdoshëm, pasi ai ka një karakter rregullator tekniko-administrativ dhe ka si qëllim saktësimin e rolit rregullator dhe kontrollues të Shtetit nëpërmjet organeve, institucioneve dhe strukturave përkatëse, të cilat ngarkohen me ligj për administrimin e aktiviteve në sektorin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve. Gjithashtu, tha Ministri i METE, ky akt juridik ka si qëllim vendosjen e rregullave dhe normave metodologjike e shkencore për shfrytëzimin dhe ruajtjen e mbi dhe të nëntokës në blloqet e kërkimit dhe në vendburimet e naftës dhe/ose të gazit, gjatë zhvillimit të operacioneve hidrokarbure nga ana e kompanive të huaja dhe vendase. Më poshtë gjeni të plotë fjalën e Ministrit të METE, z. Nasip Naço.
Fjala e Ministrit të METE:
Të nderuar pjesëmarrës
Këtë takim pune po e organizojmë në kuadër të punës që po bëjnë strukturat e METE për përgatitjen e projekt-dokumentit të “Rregullores për aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në Shqipëri”, e cila do të paraqitet për t’u miratuar nga Këshilli i Ministrave, dhe pjesëmarrja juaj në këtë takim jo vetëm që përbën një praktikë pune për njësitë e Ministrisë, por për më tepër gjykojmë se komentet dhe sugjerimet që ju mund të bëni për këtë projekt-rregullore, do të konsiderohen dhe vlerësohen si një moment i rëndësishëm në procesin e hartimit dhe miratimit të saj.
Nafta, gazi natyror, kondensati dhe rërat bitumonoze si burime natyrore të papërsëritshme janë pasuri kombëtare të rëndësishme. Si të tilla ato janë pjesë e rëndësishme e potencialit ekonomik të vendit tonë, duke përbërë aktualisht kontributin kryesor në bilancin energjetik të vendit (rreth 60% të totalit të konsumit energjetik në vend), prandaj kontrolli dhe kujdesi për mirë administrimin dhe përdorimin me eficencë të tyre, si dhe ruajtja e mbi/e nëntokës gjatë kryerjes së operacioneve hidrokarbure në zonat e kërkimit dhe në vendburimet hidrokarbure, përbëjnë një domosdoshmëri që në fazat fillestare, që kur nisin Operacionet Hidrokarbure.
Në përputhje dhe në funksion të këtij synimi, rregullimi i të gjitha këtyre aktiviteteve për të siguruar një shfrytëzim intensiv, racional dhe efektiv, për nxjerrjen e maksimumit të rezervave gjeologjike në një kohë optimale dhe me shpenzime minimale duke ruajtur mbi/e nëntokën dhe mjedisin në tërësi, përbën një detyrë parësore të organeve dhe institucioneve shtetërore dhe të gjithë operatorëve të sektorit të kërkim-prodhimit të hidrokarbureve, gjatë dhe pas zbulimit të vendburimeve.
Megjithëse kërkimi dhe prodhimi i naftës dhe gazit në Shqipëri ka një histori pothuajse rreth një shekullore, që prej dy dekadash këto aktivitete janë rregulluar nga një kuadër i plotë ligjor që ka në bazë Ligjin Nr. 7746 dt. 28. 07. 1993, “Për Hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar, si dhe krejt kuadrin ligjor dhe nënligjor të lidhur me të, i cili është përafruar dhe përshtatur me Direktivat dhe standardet përkatëse të vendeve te BE.
Aktualisht prodhimi i naftës në vendin tonë ka ardhur vazhdimisht në rritje këto 10 vitet e fundit. Për ilustrim po përmendim vetëm shifrat për ecurinë e prodhimit të naftës brut gjate tre viteve të fundit:
– Në vitin 2008 u prodhuan rreth 577,5 mijë ton, nga të cilat rreth 361,7 mijë ton në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure,
– Në vitin 2009 u prodhuan rreth 576,6 mijë ton, nga të cilat rreth 397,9 mijë ton në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure,
– Në vitin 2010 u prodhuan rreth 737 mijë ton, nga të cilat rreth 605 mijë ton në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure.
Për vitin 2011 prodhimi i naftës brut pritet të arrije në rreth 850 mijë ton, nga të cilat rreth 800 mijë ton do të prodhohen në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure. (Në 6-mujorin e parë 2011 janë prodhuar rreth 428 mijë ton nafte brut, nga të cilat rreth 398 mijë janë prodhuar në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure).
Ndërkohë që në aktivitetin e kërkimit të hidrokarbureve, gjatë këtyre viteve janë kryer operacione hidrokarbure në pothuajse shumicën e blloqeve të kërkimit, tokë dhe det, duke u investuar në total rreth 800 milionë USD.
Ky aktivitet në rritje i kompanive të huaja dhe vendase në territorin e Republikës së Shqipërisë, tokë dhe det, për kërkim-zbulimin, vlerësimin dhe shfrytëzimin e vendburimeve të naftës e të gazit, ku aktualisht janë në aktivitet 14 Marrëveshje Hidrokarbure (nga të cilat gjysma e tyre janë për zhvillimin e vendburimeve ekzistuese, duke përfshirë rreth 98% të rezervave të nxjerrshme), si dhe rritja me ritme të shpejta e prodhimit të naftës në kuadër të këtyre Marrëveshjeve Hidrokarbure, ka kërkuar dhe kërkon gjithnjë e më shumë respektimin e ligjeve, rregullave dhe normave për shfrytëzimin dhe ruajtjen e mbi/e nëntokës si nga ana e këtyre kompanive, ashtu edhe nga organet dhe institucionet e Shtetit, duke synuar ndërkohë edhe përmirësimin dhe plotësimin e mëtejshëm të tyre.
Pa përjashtuar në aspektin cilësor krejt kuadrin ligjor, që rregullon veprimtarinë ekonomiko-shoqërore në vendin tonë, përsa i përket edhe raporteve juridiko-administrative ndërmjet organeve dhe institucioneve shtetërore dhe një kompanive investitore, që ka hyrë në një Marrëveshje Hidrokarbure, aktualisht aktivitetet në sektorin e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve, rregullohen kryesisht vetëm sipas Ligjit Nr. 7746 dt. 28. 07. 1993, “Për Hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi), i ndryshuar, dhe akteve të lidhura me të, si dhe Kontratës së Marrëveshjes Hidrokarbure të miratuar me VKM, por që natyrisht nuk trajtojnë në mënyrë specifike dhe të detajuar tërësinë dhe kompleksitetin e marrëdhënieve dhe kushtet për kryerjen e këtyre aktiviteteve.
Në këto kushte, aktualisht është bërë e domosdoshme që për aktivitetin e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve, të hartohet një akt juridik (VKM), i karakterit rregullator tekniko-administrativ, i cili bazuar në kuadrin ligjor dhe institucional në fuqi, ka si qëllim,
– të saktësojë dhe rolin rregullator dhe kontrollues të Shtetit nëpërmjet organeve, institucioneve dhe strukturave përkatëse, të cilat ngarkohen me ligj për administrimin e aktiviteve në sektorin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve, si dhe
– të vendosë rregullat dhe normat metodologjike e shkencore për shfrytëzimin dhe ruajtjen e mbi dhe të nëntokës në blloqet e kërkimit dhe në vendburimet e naftës dhe/ose të gazit, gjatë zhvillimit të operacioneve hidrokarbure nga ana e kompanive të huaja dhe vendase,
Në funksion dhe me synim realizimin e “rolit rregullator dhe kontrollues të Shtetit nëpërmjet organeve, institucioneve dhe strukturave përkatëse” në aktivitetet në sektorin e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve, nga strukturat përgjegjëse për sektorin hidrokarbur në përbërje dhe varësi të METE është përgatitur “Rregullorja për aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në Shqipëri”
Në këtë kontekst, miratimi i “Rregullores për aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në Shqipëri”, përbën aktualisht një domosdoshmëri në funksion të zbatimit të Ligjit Hidrokarbure Nr.7746 dt.28.7.1993, “Për Hidrokarburet (Kërkimi dhe Prodhimi)”, të ndryshuar, përsa ka të bëjë me,
– vendosjen e një disipline të plotë tekniko -shkencore, për një organizim e bashkërendim më të përsosur në kryerjen e Operacioneve Hidrokarbure, si dhe për ruajtjen e mbi e nëntokës dhe të mjedisit në tërësi,
– ushtrimin e së drejtës të kontrollit dhe auditimit ekonomik e financiar, nga organet që administrojnë në rrugë zyrtare aktivitetin në sektorin energjetik hidrokarbur,
– përcaktimin dhe marrjen e masave për parandalimin e ngjarjeve të pakontrolluara në këtë sektor dhe organizimin e funksionimin e njësive përkatëse,
– ngritjen dhe forcimin e rrjetit institucional të ekspertizës, studimit dhe monitorimit për shfrytëzimin efikas të rezervave hidrokarbure,
– përcaktimin e mënyrave dhe formave të organizimit dhe funksionimit të strukturave/njësive që mbajnë dhe administrojnë të dhënat parësore gjeologo-gjeofizike gjatë kryerjes së Operacioneve Hidrokarbure
– Etj.
Diskutimi i projektit të “Rregullores për aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në Shqipëri”, përbën një moment shumë të rëndësishëm në procesin e miratimit të saj, pasi pas miratimit të këtij dokumenti nga Këshilli i Ministrave, zbatimi i kësaj “Rregulloreje” do të jetë i detyrueshëm jo vetëm për institucionet dhe strukturat e administratës shtetërore, që mbulojnë aktivitetin e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve, por edhe për të gjitha kompanitë e licensuara vendase dhe të huaja, që do të kryejnë Operacione Hidrokarbure për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve.
Në vazhdim, pas një prezantimi të përgjithshëm për objektin, qëllimin dhe përmbajtjen e “Rregullores për aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në Shqipëri”, do të mireprisnim komentet dhe diskutimet tuaja, të cilat i konsiderojmë një ndihmë dhe kontribut direkt në përgatitjen e këtij dokumenti të rëndësishëm për sektorin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në vendin tonë.

energjia.al, 09.07.2011