Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, s’ka matje më pak se 30 ditë

Vendimi i fundit i CEZ për të ndarë me bazë ditore konsumin mujor të energjisë prej 300 kilovat, e cila ka cmim më të ulët, ka vënë në lëvizje Entin Rregullator të Energjisë elektrike.
Burime nga Enti thanë për Top Channel se menjëherë pas njoftimit ky institucion ka ngritur grupet e punës që do të monitorojnë faturimet rast pas rasti në të gjitha qytetet e vendit.
Sipas Entit, procesi i monitorimit dhe verifikimit të faturave mund të zgjasë 10 ditë dhe menjëherë pas kësaj grupet e punës do të dërgojnë një relacionin me propozimet përkatëse tek bordi i komisionerëve të ERE-s, të cilët do të marrin vendimin përkatës.
Ekspertët e Entit thonë se kontrata dhe ligji për energjinë elektrike e përcaktojnë qartë që periudha e faturimit është 1 muaj dhe që nuk mund të ketë faturim për periudha më të shkurtra apo më të gjata, pasi kjo rrëzon skemën me të cilën qeveria mbron shtresat në nevojë nga cmimi i rritur i energjisë.
Ka vetëm një rast kur periudha e faturimit mund të jetë më pak se një muaj dhe ky është ai që ndodh për shkaqe teknike, më konkretisht kur ka defekt tek matësi.
Muajin e fundit “CEZ” aplikoi një mënyrë të re faturimi të energjisë elektrike. Sipas skemës, një qytetar mund të paguajë energjinë me cmim të rritur edhe pse ka konsumuar më pak se 300 kilovat, nëse konsumi ditor i tij i kalonte 10 kilovat/orë.
Ky rast ndodh kur periudha e faturuar është më e vogël se një muaj. Ashtu sikurse në rastin e kundërt, atë kur periudha e faturimit është më e gjatë se një muaj, qytetari mund ta paguajë energjinë me cmimin social 7.7 lekë edhe nëse konsumi i tij total kalon 300 kilovat, por me kushtin që të jetë më pak se 10 kilovat/orë në ditë.

TOP Channel, 06.07.2011