info@energjia.al

Në tryezën e mbajtur sot nga Komiteti për Energjitikë i Vetëvendosje!-s me temë “Sfidat e energjitikës – problemet në minierat e qymyrit” mbajtën prezantimet e tyre Kryetari Visar Ymeri, Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha, Ismet Raqa dhe Sylejman Krasniqi, inxhinierë dhe ekspertë të fushës si dhe deputetja Donika Kadaj.

Ekspertët me eksperiencë të gjatë pune në minierat e KEK-ut u shprehën për degradimin me intensitet të lartë në divizionin e qymyrit. Ata po ashtu paraqitën dhe keqpërdorimet e gjithanshme që i janë bërë këtij sektori ku më së shumti u theksua mungesa e çfarëdo vizioni, planifikimi apo strategjie.

Diskutim ngjalli edhe prezantimi i Kryetarit Visar Ymeri, në pikën e ndërtimit të Korporatës së Qymyrit, që është dhe propozim programor i Lëvizjes.

Ai shpjegoi se rithemelimi i Korporatës publike të Qymyrit do të përfshijë minierat ekzistuese, fushat e shfrytëzimit dhe zonat hulumtuese.

Ymeri u ndal po ashtu në rrezikun e shtuar që po paraqitet nga improvizimet me prapavijë interesa klienteliste sa i takon sigurisë së prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë. E në këtë drejtim Lëvizja Vetëvendosje! do të intensifikojë veprimet e ndërhyrjet e saj veçanërisht në Kuvend.

Prof. Naim Hoxha tha se pavarësisht çështjeve që i kemi adresuar vazhdimit, situata po vazhdon të mbetet e njëjtë.

Ai pasi paraqiti problemet me vendimet e qeverive sa i takon trajtimit të pronave përreth minierave vuri theksin në nevojën emergjente të strategjisë së zhvillimit të sektorit energjitik si parakusht i zhvillimit ekonomik.

Eshtë tejet i rëndësishëm, hartimi i strategjisë zhvillimore energjetike që nuk ndalet te klishetë boshe të këtyre 18 viteve por që analizon e parashikon si do të zhvillohet si park energjitik zona e termocentraleve, se si do të mbrohet ambienti e shëndeti i popullatës dhe se si do të ndërtohen e planifikohen kapacitetet e reja energjitike.

Inxhinieri Ismet Raqa paraqiti gjendjen e minierës, projektin fillestar për hapen e saj dhe devijimin e qëllimtë nga projekt-ideja.

Gjendja e tashme e minierës dhe zonat ku po punohet sinjalizojnë për rreziqe të reja përpos atyre që tashmë dihen sa i takon banorëve aty pranë por edhe krizës për qymyr në gjashtëmujorin e parë të vitit në vijim 2018.

Kurse, inxhinieri Sylejman Krasniqi foli për shkaktarët e krizës energjetike. Problemin e shtëpive në Shipitullë dhe Hade, ai e sheh si problem që e ka zanafillën që prej vitit 2004.

“Drejtori aktual i KEK-ut do që ta reduktojë minierën vetëm në dy hektarë tokë për aq sa i kanë premtuar pronarët e tokave në Shipitullë. Kjo është shaka me opinionin sepse kjo nuk mjafton as për gjerësinë e një ekskavatori”, u shpreh ai.

Krasniqi po ashtu paraqiti të dhënat mbi abuzimet milionëshe që po bëhen me fondet publike të KEK duke kontraktuar kompani private për të larguar materialet nga djerrinat ndërkohë që automjetet e specializuara në gjendje punë si dhe punëtorët e specializuar të KEK qëndrojnë pa punë.

Kriza në këtë sektor është krijuar më vetëdije. Nuk mungojnë shembujt e ngjashëm në rajon. Është e qartë se sa i takon minierave të qymyrit brenda Korporatës Energjitike të Kosovës abuzimet kanë datë, të paktën prej vitit 2004 e deri më tash. Ato janë përgjithësisht të natyrës korruptive por edhe të qëllimshme.

Lejimi i ndërtimeve në zonat e shpallura me interes të veçantë, përreth minierave dhe devijimi i projektidesë për hapjen e minierave të reja janë dy anët e të njëjtë medalje, asaj të dobësimit të qëllimshëm të Korporatës dhe veçanërisht të divizionit të qymyrit si sektorë kyç i energjitikës në Kosovë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  11.10.2017

Nga vitit 2012 e deri më tani konsumatorët në pjesë të tjera të vendit kanë paguar nga mbi 8 milionë euro për humbjet komerciale në veri të vendit.

Sipas statistikave, vetëm në veri, humbjet komerciale shkojnë deri në 4.5 për qind, ndërkaq shuma totale e kësaj pagese shkon në mbi 40 milionë euro, që nga viti 2012.

Por, përveç veriut, me humbjet komerciale konsumatorët janë edhe më keq. Në total sipas ZRRE-së, humbjet komerciale të energjisë elektrike shkojnë në 16.65 për qind.

Nëse bëhet një llogaritje e thjeshtë matematikore, del se humbjet në pjesën tjetër të vendit, pa veriun janë 12 për qind, e nga viti 2012 për këto humbje komerciale konsumatorët janë ngarkuar me 24 milionë euro në vit.

Pra në total, vetëm për humbje komerciale, konsumatorët janë ngarkuar me energji të pa shpenzuar për një periudhë rreth 10 vjeçare me 240 milionë euro.

Ndërkaq, nëse i llogarisim bashkë, si humbjet komerciale edhe ato të paguara për rrymën e shpenzuar në veri, i bie që konsumatorët e rregullt të kenë paguar 280 milionë euro fatura të energjisë, të pa shpenzuar nga ata.

Humbjet komerciale janë treguar problem shqetësues edhe për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Këto humbje, sipas një draft-raporti të këtij institucioni për vitin 2016, të cilin e ka siguruar Telegrafi, shkojnë në 16.65 për qind në tërë vendin.

“Shqetësuese mbeten humbjet komerciale, që janë mjaft të larta, të cilat përbëjnë 16.65% të konsumit total në shpërndarje. Nga kjo, energjia e pa faturuar në pjesën veriore të Kosovës (252 GWh) përbën rreth 5.24% të kërkesës së shpërndarjes, pjesë kjo ku dominon minoriteti serb, ndërsa krahasuar ndaj humbjeve komerciale në shpërndarje përbënë 31.5%”, thekson Draft raporti i ZRRE-së për vitin 2016.

E, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se është e padrejtë që qytetarët të ngarkohen me diçka që nuk e kanë shpenzuar.

Sipas tij, çdo ngarkesë që i është bërë qytetarëve me fatura të energjisë elektrike duhet kompensuar.

“Do të duhej që ky kompensim për pagesën e bërë tu kthehej qytetarëve. Kam tentuar që të kursej qytetarët dhe këtë e kam marr (si obligim) si avokat i popullit për të bërë padi, në kompensimin e dëmit që është shpenzuar. Kjo barrë që i është bërë qytetarit t’i kompensohet në faturat e ardhshme”, ka thënë Jashari.

Deri në shqyrtimin përfundimtar, sipas tij, vendimi gjyqësor për pezullim do të duhej të gjente zbatim të menjëhershëm nga ZRRE-ja.

“Vendimi i pezullimit nga Gjykata do duhej të merrte zbatim të menjëhershëm sepse ka marr formën e prerë, kuptohet në ankimim dhe procedurë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Se konsumatorët ngarkohen në mënyrë të paligjshme e pranojnë edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në profilin tij në Facebook, ka thënë se nuk pajtohet që konsumatorët të ngarkohen paligjshëm me faturimin e energjisë eklektike nga mos pagesa në veri.

Por mos pagesa sipas tij, nuk duhet tu faturohet konsumatorëve të cilët paguajnë faturat.

“Mos pagesa e energjisë i shkakton humbje operatorëve të energjisë, mirëpo kjo nuk e arsyeton assesi faturimin e kësaj humbje qytetarëve tjerë”, tha ai.

Sipas tij, shpenzimet dhe ngarkesat e tilla do të hiqen nga tarifimi për vitin 2018.

“ZRRE nuk ka bord funksional që nga muaji maj dhe tashmë jemi në proces të përzgjedhjes së dy anëtarëve të rinj në këtë institucion, që edhe e mundëson marrjen e vendimeve të ndryshme. Rekrutimi i dy anëtarëve shtesë do të realizohet brenda muajit dhjetor të këtij viti”, ka premtuar ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka.

Sipas tij, çështja e veriut të vendit, është politike për të cilën duhet gjetur një zgjidhje e shpejtë dhe e ligjshme.

Ndërkaq, zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj – Bajrami nuk ka sqaruar për humbjet komerciale në veri por edhe në pjesë të tjera të vendit.

Sipas saj, vendimet e ZRRE-së janë të bllokuara nga mos plotësimi i bordit.

“Humbjet e energjisë elektrike janë një nga komponentët përbërës të të Hyrave të Lejuara Maksimale të ndërmarrjeve të cilat i nënshtrohen rregullimit të çmimeve. Nga të Hyrat e Lejuara Maksimale kalkulohet tarifa e energjisë. Çdo vlerësim i të Hyrave të Lejuara Maksimale i nënshtrohet proceseve të rregulluara me ligjet e energjisë dhe rregullat e tjera për përcaktimin e çmimeve. Vendimet, sipas këtyre ligjeve dhe rregullave, merren nga Bordi i ZRRE, i cili aktualisht ka vetëm dy anëtar dhe nuk mund të marr asnjë vendim për shkak të mungesës së kuorumit”, ka qenë përgjigja e Murtezaj – Bajramit.

Ajo thotë se sipas Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, seancat e Bordit mund të mbahen nëse ekziston kuorumi, pavarësisht nëse ka një apo dy pozita të lira në Bord.

Kurse në KEDS kanë thënë se do ta aplikojnë çdo politikë e cila vendoset nga ZRRE-ja.

“KEDS, kur mori përsipër operimet e distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike vazhdoi aplikimin e politikave të themeluara nga ZRRE-ja si trupë politikbërëse në sektorin e energjisë. Ne do të vazhdojmë të aplikojmë çdo politikë të vendosur nga ZRRE siç edhe e kemi në përgjegjësi”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Gazeta Zëri,  07.11.2017

Kosova përgjatë viteve është duke u ballafaquar me furnizim jo stabil me energji energjike. Ndërprerjet e kohëpaskohshme të energjisë elektrike, përmes njoftimeve zyrtare, i paralajmëron Distribucioni i Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS).

Aty tregohet për kohën dhe regjionet se kur do të ndërpritet energjia elektrike. Si arsye kryesore e mungesës se këtij produkti në Kosovë vazhdimisht theksohet vjetërsia e termocentraleve në Kosovës, të cilat datojnë që nga vitet e 60-ta.

Derisa, që nga viti 2013 shpërndarja e energjisë elektrike realizohet nga konsorciumi turko –amerikan ‘Çalik – Limak” i cili e ka blerë këtë distribucion.

Arben Gjukaj, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se termocentralet janë të vjetruara dhe se kapaciteti i tyre është i pamjaftueshëm për të mbuluar qind për qind kërkesat për energji elektrike. “Termocentralet Kosova A dhe Kosova B, ku në total kanë një kapacitet të disponushëm për prodhim afër 900 megavatë dhe nevojat vjetore të konsumit Korporata Energjetike i mbulon për afër 89 për qind”, thotë Gjukaj.

Për një furnizim stabil me energji elektrik, drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj thotë duhet të bëhet ndërtimi i kapaciteteve të reja, siç është termocentrali i ri. “Zgjidhja përfundimtare edhe e planit operacional të KEK-ut është ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese si dhe rivatilizimi i Kosovës B i cili do të zgjidhte problemin në terme afatgjate”, thotë Gjukaj.

Pasiguri me furnizim me energji elektrike vazhdon të jetë një nga kufizimet kyçe edhe për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë.

Në hulumtimet e bëra nga përfaqësues të bizneseve në Kosovë ishte theksuar se Kosova duhet të investojë në sistemin energjetik, pasi që bizneset po përballen me problem të energjisë.

Visar Azemi, nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji, për Radion Evropa e Lirë, thonë se në sektorin energjetik në Kosovë është bërë menaxhimi jo i mirë dhe se politikat e hartuara janë bërë në mënyrë të gabuar.

“Problemi i furnizimit me energji elektrike ka filluar qysh nga përfundimi i luftës deri disa vite më parë kur Kosova ka vendos të privatizojë rrjetin e distribucionit dhe shpërndarjes me qëllim që të kemi një përmirësim me energji elektrike, por prapë një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kemi pasur raste të shumta ku problemet janë shtuar në disa pjesë dhe kjo si pasojë e keq menaxhimit të dikasterit të energjisë elektrike në Kosovë”, thotë Azemi.

Përgjatë 10 viteve të fundit, shton ai, autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë konkrete për të përmirësuar gjendjen e energjisë elektrike. “Ne si KOSID i kemi bërë thirrje Qeverisë që po humbin kohë dhe mjete financiare, ku për shumë probleme janë investuar mbi 1 miliard euro në sektorin energjetik dhe gjendja prapë është e mjerueshme dhe nuk është bërë asnjë hap për të parë mundësinë që të largohemi nga gjenerimi i energjisë elektrike me thëngjill. Kemi kërkuar që ky 98 për qind me thëngjill të zvogëlohet duke shtuar kapacitete të reja të prodhimit nga burimet e ripërtritëshme”, thotë Azemi.

Përgatitjet për ndërtimin e një termocentrali të ri të quajtur Kosova e re kanë filluar më shumë se një dekadë, por se ende nuk kanë filluar.

Telegrafi,  03.11.2017

Sindikata e Re e Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, ka ftuar punëtorët e kësaj korporate që të dalin protestë të mërkurën më 1 nëntor 2017, në një protestë një orëshe para Qeverisë së Kosovës për të kërkuar rritjen pagave të punëtorëve të KEK-ut, shkruan Telegrafi.

“Qëllimi i protestës është: Ngritja e pagave në mënyrë lineare për të gjithë punëtorët e KEK në mënyrë lineare nga 100 në start të pagës nga muaji qershor 2017, siç kanë premtuar kryeministri dhe kryeparlamentari i Kosovës. Zbatimi i Marrëveshjes Kolektive, negocimi i Marrëveshjes Sektoriale. Për shkak të shpenzimeve të rezervave të qymyrit ne SR KEK kërkojmë kompensim në të holla nga 300 për çdo punëmarrës”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga kryetari i kësaj sindikate Rafet Osmani.

Telegrafi,  30.10.2017

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti sot në një takim përfaqësuesit e Sindikatës së pavarur të KEK-ut (SPEK), të cilët e njohën atë me sfidat dhe vështirësitë që po ballafaqohen gjatë punës së përditshme.

Gjatë takimit të zhvilluar sot, Haradinaj u tha sindikalistëve të KEK se ata duhet të jenë në krye të detyrës që të mos dështojnë në furnizimin me energji të qytetarëve.

Ai shtoi se koha që shpenzohet për energjinë nuk është kohë e humbur dhe se temat që lidhen me KEK-un nuk do të neglizhohen nga Qeveria që ai drejton.

Sindikalistët u shprehën se KEK-u nuk është në kolaps energjetik, veçse duhet menaxhim më i mirë.

Scan Tv,  18.10.2017

Bllokimi për më shuam se një vit i hapjes së minierës të re të thëngjillit në fshatrat Hade dhe Shipitullë të Komunës së Obiliqit, ka bërë që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) të mos ketë thëngjill të mjaftueshëm për t’u ndarë edhe punëtorëve të vet.

Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Skënder Bucolli ka thënë se bllokimi i hapjes së minierë së re ka bërë që KEK të jetë në kohë të vonuar për të nxjerrë thëngjill.

Sipas tij, dinamika e punës në djerrinë duhet zhvilluar kryesisht para fillimit të vjeshtës. “KEK është duke luftuar më kohën për stabilizimin e masave të dheut para shirave dhe ngricave për zhvillime të mëtejmë të mihjes, si dhe për te siguruar qymyr të mjaftueshëm për operimin e dy termocentraleve gjatë sezonit të dimrit”, tha zëdhënësi Bucolli, për Telegrafin.

“Shkak i këtyre sfidave si dhe për faktin së Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka paralajmëruar ndalesën e ngrohjes së amvisërive me thëngjill, në këtë kohë nuk jemi në gjendje të ofrojmë ndonjë fushë brenda mihjes për dhënien e qymyrit për punëtorë me kompensim, siç ishte praktikuar deri më tani”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KEK-ut Skënder Bucolli.

Më herët gjatë një interviste për media ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka paralajmëruar se do ta ndalojnë përdorimin e thëngjillit për ngrohje për ta ruajtur ambientin.

Telegrafi,  16.10.2017

Ministri i ri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka folur për programin dhe prioritetet e mandatit të tij.

Në intervistën e parë për media si ministër, Lluka ka folur për detajet e marrëveshjes të arritur ndërmjet Qeverisë dhe banorëve të fshatrave Hade dhe Shipitullë të Komunës së Obiliqit.

Ai ka thënë se nëse shpronësimet do të kryheshin më herët, kostoja do të ishte shumë më e lirë sesa sot. Sipas tij, në ato fshatra ka shumë objekte të ndërtuara pa leje.

“Në fillim, kostoja totale e shpronësimeve ka qenë 4.5 milionë euro, por për shkak të ndërtimeve ilegale ka shkuar në 15.5 milionë euro. Koston e shpronësimeve do ta bartë KEK-u. Kjo ndërmarrje ka alokuar shumë e nevojshme në një llogari në BQK-së”, ka bërë të ditur ai.

Ministri ka treguar disa detaje nga plani i tij.

“Plani besoj që do të kalojë në Qeveri. Fokus e kemi sektorin energjisë elektrike me termocentralin e ‘Kosova e Re’ dhe energjinë e ripërtëritshme; sektorin e IT-së me fondin për ndërmarrësi; si dhe fusha e minierave dhe mineraleve – me fokus të veçantë ‘Trepçën”, tha ai.

Lluka shprehet se në shumë ndërmarrje publike ka keqmenaxhim, kurse për ‘Trepçën’ shprehet se duhet t’i funksionalizimit bordi dhe të menaxhmenti.

“’Trepça’ do të funksionojë me një bord të vetëm, si në jug po ashtu edhe në veri”, tha ai.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka bërë të ditur se do të krijohet i ashtuquajturi Agjencioni i Participimeve, i cili do të merret me rritjen e aseteve publike – me theks të veçantë të pronave që janë në privatizim.

Kur është fjala te ‘Kosova e Re’, ai ka thënë se do të tentojnë që “t’i rishikojnë disa pika, para se marrëveshja të jete gati për nënshkrim”.

Lluka ka folur edhe për Telekomin e Kosovës, për të cilin thotë se nuk është koha për ta privatizuar.

Telegrafi, 19.09.2017

Sot, drejtori menaxhues, Arben Gjukaj me menaxhmentin e KEK-ut, kanë pritur në vizitën e saj të parë, Linda Van Gelder – drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, e shoqëruar nga stafi i lartë i BB zyrës në Prishtinë.

Gjukaj gjatë vizitës ka njoftuar  Van Gelder,  për sfidat dhe objektivat e KEK-ut në përgjithësi e me theks të veçantë rreth zhvillimeve të fundit sa i përket  zhvendosjes dhe normalizimit të punës në miniera pas vendimeve përfundimtare të Qeverisë.

Banka Botërore si palë e interesit të veçantë për KEK-un, gjithashtu është njoftuar edhe për prodhimin e dy termocentraleve nëpër vite dhe rekordet e prodhimit që janë arritur vitet e fundit, duke i bërë me dije se KEK-u tani më ka dëshmuar se është faktor stabiliteti energjetik në vend.

Telegrafi,  07.09.2017

hefi Ekzekutiv, Naser Canolli me menaxhmentin e ndërmarrjes, ka pritur sot përfaqësuesit e Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit – MCC (Millenium Challenge Corporation), Thomas P.Schehl dhe David F. McGill si dhe përfaqësuesit e Zyrës kombëtare të MCC-së, Alban Zogaj, Edona Kurtolli, Burim Hashani dhe Kastriot Orana.

Në këtë takim u bisedua lidhur me ecurinë e përgatitjeve për fillimin e zbatimit të projektit për instalimin e matësve të energjisë termike, projekt ky i financuar nga MCC.

Palët në këtë takim u dakorduan, që ekipet e ekspertëve nga të dyja palët të vazhdojnë angazhimet e përbashkëta për dizajnimin e përgatitjeve për fillimin e realizimit të këtij projekti.

Përfaqësuesit e MCC-së janë ndarë të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me menaxhmentin e “Termokos”-it sa i përket koordinimit për realizimin e këtij projekti.

Në kuadër të këtij projekti do të vendosen matësit e energjisë termike tek të gjithë konsumatorët e NP “Termokos” SH.A, gjë që do të ndikojë në efiçencën  energjisë termike si dhe në përmirësimin e mirëqenies ekonomike të konsumatorëve tanë.

Projekti për instalimin e matësve të energjisë termike në vlerën e afro 10.9 milion dollarëve, është një nga projektet, ku do të orientohet fondi 49 milionë dollarësh, që MCC-ja e ka miratuar për të financuar projekte në fusha të ndryshme në Kosovë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  30.08.2017

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj, ka siguruar se Kosova nuk do të përballet me krizë energjetike.

Gjukaj, në një konferencë me gazetarë ka bërë të ditur se KEK-u ka arritur marrëveshje, fillimisht me dy familje, që mundëson korporatës që të vazhdojë nxjerrjen e thëngjillit në fshatin Shipitullë.

“Sot kemi dy familje, Grajçevci dhe Berisha, të cilat kanë reflektuar pozitivisht dhe kanë pranuar ofertën e përgatitur disa ditë me parë. Këto familje kanë qenë në zonën e parë të punës kjo ofertë i mundëson korporatës që të fillojë me operimin”, tha Gjukaj.

Gjukaj se gjesti i këtyre dy familjeve e ndihmon shumë procesin dhe kjo e ndihmon procesi.

Ai iu bëri thirrje edhe banorëve të tjerë, shtatë familjeve të tjera, që të pranojnë ofertën e shpronësimit. “Do të ishte një ndihmë e madhe për neve nëse dhe banorët e tjerë reflektojnë dhe e pranojnë ofertën”.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  04.08.2017