info@energjia.al

Bursa e Energjisë nuk pritet të nisë funksionimin e saj, ashtu siç ishte parashikuar ndërkohë që mbetet prioritet për sektorin, ashtu sikurse procesi i ndarjes së OSHEE-së në katër struktura të veçanta. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka publikuar në datë 6 nëntor një raport të fundit për ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u ndalur në sektorë të tillë si energjia, gazi, eficenca, hidrokarburet, ndikimet mjedisore.

Situata politike, ashtu sikurse është trajtuar edhe më herët, ka shërbyer si një frenuese e zbatimit të plotë të reformës në sektor, duke shkaktuar vonesa te liberalizmi dhe proceset e tjera. Këtë herë, Sekretariati nuk shprehet me rezerva, por i bindur se bursa nuk do të vihet në funksion më 1 janar 2018, ashtu sikurse është lakuar, ndërkohë që ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë pritet që të japë një afat të ri mbi këtë proces.

Nga ana tjetër, me vonesë është edhe ndarja e OSHEE-së. “Ndarja e OSHEE-së, derregullimi i çmimeve për prodhim dhe furnizim, si dhe ngritja e bursës është e vonuar. Të tria këto aspekte janë një prioritet. Përgjegjshmëria dhe ekuilibri duhet të vendoset në një përpjekje për të harmonizuar edhe mekanizmat konkurrues të tregut të balancimit”, – thuhet në raportin e Sekretariatit.

I njëjti raport nënvizon se ndërkohë OSHEE ende nuk është ndarë, ashtu sikurse e përcakton modeli i ri i tregut. Operatori i Sistemit të Transmetimit duket se ka kaluar këtë fazë që në momentin që u miratua që pronësia e tij të ishte nën ish-Ministrinë e Ekonomisë, që sot i bie të jetë ministria që drejton Arben Ahmetaj, pra Financat dhe Ekonomisë.

Referuar elementeve të marrë në vlerësim, Shqipëria pjesën e saj më të madhe të përparimit në sektor e ka bërë në vitin 2016, ndërkohë që në vitin 2017, nga shtatë elemente të marrë në vlerësim vetëm në një prej tyre ka progres që lidhet me transparencën. Pjesa tjetër kanë mbetur në vend numëro. Këtë e tregon më së miri edhe norma e implementimit ku diferenca nga 2016 deri në 2017 është modeste.

Revista Monitor,  11.08.2017

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një rritje me rreth 5 lekë për litër ditët e fundit, duke kaluar sërish mbi 170 lekë për litër, kryesisht në zonën Tiranë-Durrës.

Në pikat e tregtimit të Kastrati, tregtuesi më i madh në vend, një litër naftë tregtohet aktualisht me 172 lekë, nga 167 lekë që ishte më parë, ndërsa një litër benzinë shitej me 173 lekë, nga 168 lekë.

Edhe Eida, operatori i dytë më i madh në treg e ka shtrenjtuar naftën dhe benzinën po me pesë lekë për litër,  përkatësisht në 171 dhe 172 lekë.

Në pikat e tregtimit të Bolv Oil dhe Gega, karburanti tregtohet me rreth 168-170 lekë për litër.

GULF dhe Alpet e kishin shtrenjtuan naftën që disa javë më parë në 173-175 lekë për litër.

Aktorët e tregut pohojnë se dy janë arsyet e këtij shtrenjtimi:

Së pari, tarifa e rilicencimit të pikave të karburantit, e cila edhe pse u rrezua fillimisht nga Gjykata Kushtetuese u rivendos sërish në nivele më të ulëta, përkatësisht 3 milionë lekë për pikat e tregtimit në kryqytet dhe 1 milion lekë në rrethe. Për Tiranën kjo tarifë filloi të mblidhej nga Bashkia pak javë më parë, në muajin shtator. Tregtuesit paralajmëruan se ajo do të reflektohej në çmim, teksa është një tarifë që do paguhet nga konsumatori fundor. Tregtuesit, siç e argumentuan dhe në Kushtetuese thanë se qëlimi i tarifës është thjesht të mbulojë shpenzimet administrative për kryerjen e shërbimit përkatës, por në këtë rast ajo u vendos jashtëzakonisht e lartë dhe si rrjedhojë ata e reflektuan në çmim.

Arsyeja e dytë lidhet me bursat ndërkombëtare, ku nafta ka arritur në nivelet më të larta që nga qershori i vitit 2015. Treguesi referencë i naftës europiane, Brent, tregtohej në fund të javës me gati 63 dollarë për fuçi.

Shqipëria renditen ndër vendet me çmimet më të larta në naftës në rajon dhe Europë, si rrjedhojë e barrës së lartë të taksave që rëndojnë mbi të. Rreth 63% të çmimit të naftës e përbëjnë taksat.

Sipas të dhënave të Global Price Petrol, të përditësuara në 30 tetor, Shqipëria renditej e 27-a në botë përsa i përket vendeve me çmime më të larta të benzinës.

Revista Monitor,  06.11.2017

Investitorët në çdo cep të globit e kanë nisur javën duke shitur aksionet e tyre tradicionale dhe duke blerë arin, që vlerësohet si një mall strehimi, pra kur tregjet e tjera janë në vështirësi.

Ky është efekti i padiskutueshëm i Koresë së Veriut dhe politikave ofensive të Kim Jong Un, por edhe të retorikës po aq agresive të administratës amerikane, që është shprehur e gatshme të sulmojë.

Të pestë indekset kryesore të kontinentit të vjetër e kanë nisur javën në rënie të ndjeshme. E njëjta gjë vlen edhe për indekset aziatike.

Investitorët po shesin kudo, edhe në tregun e lëndëve të para, edhe në atë valutor. Përjashtim bën si gjithmonë ari, i cili është aseti i preferuar në ditë të tilla, kur mbretëron pasiguria. Ari tashmë kuotohet pranë nivelit të 1337 dollarëve për onz, në rritje me thuajse 1 pikë përqindje.

Edhe argjendi ka prekur nivelin më të lartë që prej muajit Prill.

Tregjet amerikane ndërkohë do të qëndrojnë të mbyllura gjatë sesionit të sotëm, për shkak të Ditës së Punës, dhe impakti i tensioneve më të fundit në arenën ndërkombëtare do të vihet re vetëm të Martën. Në fokus të tregjeve është edhe takimi i radhës i bordit të Bankës Qendrore Europiane.

Scan Tv,  04.09.2017

Kur flasim për sektorin energjetik në vend natyrshëm gjejmë një seri fjalësh me të cilat e lidhim, mes të cilave, reformimi, situata kaotike në të kaluarën, koncesionet, borxhet. Por një kuadër ligjor i miratuar në vitin 2015 solli atë që lakohet si model i ri i tregut, i cili e shtrin zbatimin në një kalendar disavjeçar. Ky model i ri, mes të tjerave, shton elementë që deri dje ishin të pakonceptueshëm, ndërsa sot, të paktën teorikisht, i kemi të përkufizuara mirë. Bursa e Energjisë është një ndër to.

E ndërsa ngjante shumë avangarde në kohën e krizës financiare të operatorëve, rritja e peshës së tregut të energjisë  në totalin e ekonomisë shqiptare e sjell si domosdoshmëri një projekt të tillë. Kjo e fundit duhet të jetë operacionale në 1 janar 2018, por edhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht gjasat janë që afati të shtyhet. Kjo pasi për ta bërë fuksionale ka nevojë për ndërhyrje ligjore dhe këto të fundit duhet të kalojnë hallkat e nevojshme institucionale që këtë vit e kanë të zënë axhendën me çështje më të ethshme, siç janë zgjedhjet dhe vetting-u. Për të marrë disa detaje më shumë “SCAN Magazine“ bisedoi me administratorin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit që do të jetë edhe operuesi i Bursës së Energjisë sipas ligjit.

Situata

“Sipas ligjit të ri të energjisë është marrë parasysh ngritja e “Power Exchange“ dhe për këtë Ministria e Energjisë dhe Industrisë së bashku me Operatorin e Sistemit të Transmetimit ngritën një grup pune që do të kishte në fokus definimin e modelit dhe krijimin e bursës. Kjo bursë, ashtu sikurse edhe është folur më herët, do të jetë një platformë që do të shërbejë për shitje dhe blerje energjie sipas parimit ‘ditë-para’. Ka pasur disa ide për krijimin e kësaj platforme, por që ajo të jetë funksionale, si kusht kryesor ka likuididetin në energji. Është e nevojshme që të krijohen kushtet e duhura që Korporata Elektronenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektike të reduktojnë kontratat mes tyre,” shprehet administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Ëngjëll Zeqo. Por çfarë do të sjellë ulja e pjesës së tregut të rregulluar? Automatikisht kjo do të thotë që do të kemi më shumë konsumatorë që do të kërkojnë të blejnë energji në tregun e lirë, duke hapur kështu rrugën për pikën e takimit mes shitjes, që në këtë rast janë koncesionarët e hidrocentraleve, pra gjithë gjeneruesit, dhe blerjes, që është kontigjenti i atyre që janë të shkëputur nga tregu i rregulluar. Të parët që do të shkëputen janë ata të lidhur në 35 kilovolt, një pjesë e mirë e bizneseve që tashmë  e kanë nisur këtë proces, ndërkohë që pritet që këtij grupi t’i shtohen edhe ata në 20, 10 dhe 6 kilovolt.

“Ne, me një mbështetje të Bankës Botërore prej 16-17 milionë euro, jemi duke punuar për një sistem të ri që po instalohet tek konsumatorët e mëdhenj, të cilët do të jenë blerësit e ardhshëm në bursë. Kjo është një pjesë e rëndësishme e punës dhe krijimit të kushteve për funksionimin e bursës”, vlerëson Zeqo.

Nevoja për ndryshime ligjore

Për administratorin e OST, që do të jetë edhe operatori i ngarkuar me funksionimin e Bursës së Energjisë, duhet që të bëhen disa ndryshime të tjera ligjore në mënyrë që të hapet rruga e ngritjes së saj. Së pari përgjegjësia duhet të jetë e ndarë vetëm tek OST, sepse sipas ligjit është edhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, dhe kjo e shpërndan përgjegjësinë. Një situatë e tillë me dy insitucione përgjegjëse vështirëson hapat e tjerë që lidhen me krijimin e platformës. Dy janë mënyrat që mund të funksionojnë, ose shërbimi i softit duhet që të prokurohet dhe të kalojë nën menaxhimin e OST, ose të parashikohet një bashkëaksioner që ka ekspertizën e nevojshme në këtë fushë, dhe emri që është lakuar është kompania “Norpool“. Propozimet për ndryshime ligjore janë dhënë edhe nga konsulentët në proces që në këtë rast janë Sekretariati i Komunitetit të Energjisë si dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare. Aktualisht janë bërë edhe propozimet e nevojshme për ndryshimet ligjore, të cilat kanë kaluar në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, si dhe ministri të tjera të linjës për mendim.

Marrëveshja me KOSTT

Pengesat burokratike janë diçka e zakonshme për shumë procese dhe kur kësaj i shton edhe dozën e një eksperience të re, kjo sigurisht që bëhet më e komplikuar. Por duket se Operatori i Sistemit të Transmetimit nuk ka qenë indiferent në lidhje me krjimin e terrenit të duhur për një Bursë Shqiptare të Energjisë. Dhe interesi ka qenë përtej kufirit tonë duke joshur edhe KOSTT-in e Kosovës.

“OST ka ecur në bisedime dhe një memorandum me KOSTT për t’u bërë pjesë e kësaj nisme është duke u diskutuar. Për çdo rast ne do të jemi të hapur që ata të jenë bashkëaksionerë në bursë duke garantuar që Shqipëria dhe Kosova vetëm përmes operatorëve të transmetimit të kenë mbi 50 për qind të aksioneve në bursë, me shumë mundësi fillimisht 75%. Interes për t’u bërë aksionere ka shfaqur edhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC). Bursa do të jetë e hapur për çdo subjekt që do të shfaqë interes për të blerë aksione, por kjo vlen për të gjithë subjektet që nuk kanë konflikt interesi, pra nuk janë të përfshirë në treg në mënyrë të drejtpërdrejtë”, shprehet administratori i OST. Vlen të theksohet se në rajon janë duke u parë mundësitë e bashkëpunimit për krijimin e bashkimit të tregjeve midis Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, të cilat do të lidhen elektrikisht në fund të vitit 2018, me ndërtimin e linjës HVDC midis Italisë dhe Malit të Zi, me një fuqi 500 MW.

Plani në afatgjatë

Ballkani synon që të krijojë një bashkëpunim rajonal në disa aspekte dhe një prej tyre është tregu i përbashkët. Edhe tregu i energjisë padyshim që mund të jetë një i tërë. Aktualisht në funksion janë disa bursa energjie si ajo e Serbisë, Kroacisë, Bullgarisë dhe më pas do të shtohet edhe ajo e Shqipërisë.

“Ideja është që të gjitha këto bursa të bashkohen në një të vetme duke na dhënë një bursë ballkanike të energjisë.  Por ngritja dhe funksionimi më vete i secilës është i domosdoshëm, sepse ato shërbejnë si themele për të ardhmen. Ngritja e një burse të vetme për gjithë Ballkanin nga fillimi në fund është pothuajse i pamundur, por bashkimi në një i atyre ekzistuese, e bën më të thjeshtë”, konfirmon Zeqo.

Në bursë mund të regjistrohen të gjithë ata që kanë një licencë që nis nga tregtimi, tek prodhimi apo furnizimi me energji elektrike.

 Transparenca si sfidë dhe përfitimet

Flasim gjatë gjithë kohës për bursë, por cilat janë përftimet që sjell ajo. Bursa e energjisë elektrike, përveç formimit të çmimit sipas parimeve të tregut të lirë, bazuar në përputhjen e kërkesës me ofertën, do të mundësojë dhe përfitime të konsumatorëve dhe pjesëmarrësve të tregut të energjisë elektrike, duke mundësuar fleksibilitet për integrimin e mëtejshëm në tregjet pan-europiane dhe bashkimin me këto tregje, gjithashtu do të mundësojë lëvizjen eficente dhe transparente të fondeve, duke pasur Bursën si palë qendrore për të gjitha transaksionet financiare energjetike.

Po në këtë aspekt as blerësi nuk do të dije shitësin dhe as anasjelltas, duke bërë që të gjithë pjesëtaret e tregut, qofshin prodhues apo konsumatorë të ndjehen të sigurt në procesin e shitblerjes. Për të mundësuar transparencën dhe imparcialitetin e Bursës së Energjisë elektrike, supervizimi, si nga ana e Entit Rregullator ashtu dhe nga Komiteti i Survejancës së Tregut, i cili përbëhet nga pjesëtarët e tregut.

Gjithashtu është e rëndësishme që Bursa Shqiptare megjithëse nuk është e detyruar, sipas parashikimeve të modelit të tregut duhet t’i përmbahet obligimeve të rregullores për transparencën e Bashkimit Evropian nr. 543/2013. Ngritja e një strukture të veçantë që do të meret me aspektin e transparencës në Bursë është jetësore.

Kjo sipas kreut të OST do të garantojë një konkurrencë të ndershme mes operatorëve çka është edhe “A”-ja  për jetëgjatësinë dhe garantimin e suksesit. Pothuajse të gjitha bursat e energjisë kanë staf të dedikuar për pjesën e transparencës, që merr informacion në kohë reale për operatorët pjesëmarrës dhe garanton një fitim të drejtë dhe të merituar duke shmangur mekanizma që ndikojnë në devijimin e konkurrencës. Edhe pse për momentin nuk jemi në fazën e ngritjes së kësaj strukture, por në atë të blerjes së softit, kjo pjesë cilësohet nga ana e institucioneve si kyçe.

OST nën MZHETTS

Në muajin mars Operatori i Sistemit të Transmetimit kaloi plotësisht nën varësinë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizimit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Më herët, ky operator ishte në fazë tranzicioni dhe varej nga dy ministri, ajo e Energjisë nën të cilën ka qenë tradicionalisht dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik sipas modelit që imponon ligji i ri “Për sektorin e energjisë elektrike”. Enti Rregullator i Energjisë njoftoi këtë ndarje duke theksuar se certifikimi final i hap rrugë Operatorit për të hyrë në funksionet e tij të plota sipas përcaktimeve që bëhen në modelin e ri të tregut. Për këtë është lënë një afat prej 12 muajsh që OST të ndjekë edhe hapat e nevojshëm që vulosin rolin e tij në treg.

Së pari duhet të emërohet një zyrtar i pajtueshmërisë. Ky i fundit do të ketë detyrën e hartimit të raporteve vjetore ku do të konkludohet mbi pavarësinë e institucionit për të vepruar pa pasur ndikime nga Ministria e Energjisë, nën të cilën janë KESH dhe OSHEE. Po kështu çdo plan për internjektorë të rinj duhet të propozohet tani nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, edhe pse në fakt këta të fundit janë plotësuar tashmë, ku i fundit ishte me Maqedoninë. Po kështu lidhur me planin e zhvillimit të rrjetit të transmetimit, do të jetë sërish Ministria e Zhvillimit Ekonomik ajo që do të japë opinion për legjilacionin primar ose sekondar në ERE. Ndarja përfundimtare nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë përshtat gjithçka edhe sipas paketës së tretë rregullatore të Komisionit Europian mbi “Unbundeling” pra ndarja e operatorëve në mënyrë që gjenerimi shpërndarja dhe transmetimi mos kenë një pronar të vetëm.

 Vonesat dhe raporti i Sekretariatit

E ndërsa për funskionimin do të duhet që të pritet për ndryshimin e ligjit, duket se vonesat nuk kanë kaluar pa u vërejtur nga Sekretariati i Energjisë. Në një raport të fundit për vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të tjerave, për Shqipërinë theksi vihet tek Bursa e Energjisë. Ngritja e një tregu kombëtar  të organizuar sipas parimit “një ditë më parë“ dhe një burse lokale është lidhur me adoptimin e amendamenteve për ligjin në Sektorin e Energjisë.

Sipas planit të veprimit të përcaktuar nga modeli i tregut, ministri duhet të kishte vendosur mbi pjesën juridike dhe strukturën e përpara datës 31 mars 2017, ndërkohë që bursa e energjisë duhet të jetë plotësisht operacionale në 1 janar 2018. Kjo nuk ka ndodhur”, thuhet në raportin e sekretariatit për Shqipërinë. Kjo vë edhe një herë në dyshim faktin që funksionimi mund të nisë në 1 janar të vitit tjetër. Në këto kushte i bie të kemi tre skenare. Skenari më shumë se optimist për 1 janarin e 2018, skenari më pak optimist për muajin e tretë ose të katërt të 2018 dhe skenari realist që me gjasa një bursë do ta kemi, por në shtator të vitit tjetër.

Scan Tv,  05.06.2017

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një vizite në Trepçë, ka thënë të hënën se qeveria e kaluar e ka shpëtuar Trepçën nga falimentimi, ndërsa qeveria e re do t’ia kthejë namin Trepçës, nëpërmes strukturimit, sjelljes së investimeve të jashtme dhe anëtarësimit të saj në bursat ndërkombëtare të metaleve.

“Ne jemi të vendosur për ta zhvilluar Trepçën. Kemi bërë një hap të madh, duke e shpëtuar nga likuidimi. Tani e kemi kompletuar studimin e fizibilitetit dhe jemi duke i marrë komentet nga ekspertët më të mirë vendorë dhe ndërkombëtarë. Me këtë studim ne hapim mundësi të reja për zhvillimin e Trepçës dhe përshtatjen e saj me kushtet e tregut”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, pas 11 qershorit, së bashku me minatorët dhe strukturat drejtuese do të nisim punën për zhvillimin e Trepçës.

Ai ka thënë se me ligjin në fuqi minatorët janë bashkëpronarë të Trepçës dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e mundshme për t\’i përmirësuar kushtet e punës, për t’ua rritur pagat dhe për t’ju njohur stazhin e punës gjatë viteve të 90-ta.

“Ne i kemi njerëzit më të mirë, më profesional dhe më kompetent për ta zhvilluar Trepçën. Do ta vendosim Trepçën në bursën ndërkombëtare, do t\’i sjellim investitorët më të mirë që janë botë në fushën e minierave dhe metalurgjisë”, ka thënë kandidati për kryeministër i LDK-së dhe partnerëve të koalicionit.

Hoti e ka quajtur të pafalshme se si Trepça është lënë në këtë gjendje deri më tani.

“Plani jonë qeverisës parasheh funksionalizim e potencialeve të Trepçës përmes investimeve të jashtme, bazuar në strategji të qartë që reflektojnë interesat ekonomike dhe shtetërore të Kosovës. Ne do ta kompletojmë kuadrin ligjor për të rregulluar mënyrën e funksionimit, si dhe do ta bëjmë strategjinë për tërheqjen e investitorëve”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se vendimmarrja për të ardhmen e pasurive natyrore të Kosovës, shfrytëzimin dhe menaxhimin e tyre duhet të jetë përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Hotit, Qeveria e tij di ta shndërroj Trepçën në korporatë moderne me qeverisje korporative sipas standardeve bashkëkohor.

Shyqri Sadiku nga Sindikate e Punëtorëve të Trepçës, është ankuar në kushtet e vështira të punës dhe mosha e shtyrë e minatorëve.

Ai e ka mirëpritur miratimin e Ligjit për Trepçën, por ka kërkuar që konform ligjit të ndërmerren veprimet përcjellëse, siç është zgjedhje e Bordit dhe menaxhmentit të ri.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  29.05.2017

Është folur gjatë për Bursën e Energjisë si një pjesë e rëndësishme e ligjit për sektorin e energjisë elektrike. Sipas afateve kjo bursë duhet të jetë operacionale në 1 janar 2018.

Por funksionimi i saj kërkon mbi të gjitha transparencë dhe pikërisht këtu ndalet edhe rregullorja më e fundit që Enti Rregullator i Energjisë ka publikuar së fundmi. Në këtë rregullore përcaktohen qartësisht të dhënat që duhet të publikojë Operatori i Sistemit të Transmetimit, që do të jetë edhe menaxhuesi kryesor i bursës, të dhënat që duhet të merren nga aktorët e tjerë të tregut, si dhe rregullimi i disbalancave dhe afatet kohore brenda të cilit duhet të bëhen njoftimet.

Rregullorja përcakton edhe mënyrën sesi do të veprohet me prodhuesit e energjisë diellore dhe asaj nga era. Këto dy kategori po nxiten gjerësisht së fundmi në përmbushje edhe të angazhimeve për burimet e rinovueshme. Të dyja palët do të bëhen pjesë e bursës dhe e raportimit sipas rregullave të transparencës në momentin që prodhimi i tyre do të arrijë sa 5 për qind e prodhimit total të energjisë në vend.

Menjëherë pas arritjes së këtij targeti do të raportohet kapaciteti gjenerues i instaluar si dhe parashikimin e një dite të avancë të gjenerimit si për eolikët dhe për fotovoltaikët. ERE ka publikuar rregulloren e transparencës në bazë të së cilës do të funksionojë Bursa e Energjisë. Në këtë dokument përcaktohet edhe mënyra si do veprohet me burimet e energjisë nga era dhe dielli.

Scan TV,  08.05.2017

Qeveria shqiptare ka në objektivin e saj të bëjë funksionale një bursë të tregtimit të energjisë brenda këtij viti. Planet fillestare për ngritjen e saj kanë qenë për në mars të këtij viti, mungesa e ekspertizës së thellë teknike dhe përvojës e kanë shtyrë funksionimin e saj për më tej. Me funksionimin e saj, energjia do të tregtohet me çmime reale, teksa prodhuesit publikë dhe privatë të energjisë dhe tregtarët, nga ana tjetër, do të jenë më të qetë, nga ky fakt.
Krijimi i Albania Power Exchange (APEX) do të jetë në përputhje me zbatimin e politikave të energjisë dhe me standardet e Bashkimit Europian dhe integrimin në tregun rajonal të energjisë. “Tregu shqiptar do të bëhet platforma kryesore për tregtimin e energjisë, duke i dhënë mundësi të gjithë aktorëve vendas të blejnë dhe të shesin energji elektrike shpejt dhe lehtësisht, duke përfshirë edhe tregtimin me vendet e tjera. Bursa Shqiptare e Energjisë pritet të ndihmojë në nxitjen e integrimit të rrjetit elektrik të Shqipërisë me pjesën tjetër të Europës, duke përfshirë edhe vendet fqinje në rajon. APEX gjithashtu do të rrisë transparencën e çmimeve dhe do të përmirësojë klimën e investimeve për projektet e reja të energjisë”, – është shprehur ministri Gjiknuri.
Ndërkohë, Bordi i Entit Rregullator, në fund të janarit ka miratuar specifikat se si do të funksionojë Bursa e Energjisë.
Do të specifikohen produktet dhe do të miratohen rregullat e Tregut Shqiptar të Ditës në Avancë dhe rregullat e tregtimit brenda ditës. Enti ka nisur shqyrtimin e rregullores së “Administrimit të tregut” dhe Rregullat për Pagesat dhe Faturimin.
Enti ka përfshirë në proces miratimi zonat e import-eksportit. Shqipëria paraqitet mjaft e vonuar në liberalizimin e tregut të energjisë dhe për këtë, mori kritika në raportin e fundit të progresit të BE-së.
Modeli i tregut të Ditës në Avancë (Day-Ahead) është arena kryesore në rajonin nordik dhe baltik për tregtimin e energjisë. Në këtë model tregu, kontratat bëhen ndërmjet shitësit dhe blerësit për dorëzimin e mallit një ditë më parë.
Me këtë model, një blerës duhet të vlerësojë se sa energji do t’i duhet për të përmbushur kërkesat të nesërmen dhe sa është i gatshëm të paguajë për këtë vëllim, orë pas ore. Shitësi, për shembull, pronari i një hidrocentrali, duhet të vendosë se çfarë sasie mund të dorëzojë dhe me çfarë çmimi, orë pas ore. Këto nevoja pasqyrohen përmes urdhrave nga blerësit dhe shitësit në sistemin e tregtimit në Bursën e Energjisë.
Çmimet e çdo ore janë shpallur në mënyrë tipike në treg në 12:42 ose më vonë. Pasi çmimet e tregut janë llogaritur, nga ora 00:00 të nesërmen, kontratat e energjisë janë dorëzuar fizikisht (që do të thotë se malli është siguruar për blerësit) orë për orë sipas kontratave të rëna dakord.

Revista Monitor,  01.04.2017

Qeveria e Arabisë Saudite ka ulur tatimin mbi të ardhurat që paguan gjiganti  kombëtar i naftës Saudi Aramco, në mënyrë që të lehtësojë procesin e ofertës publike fillestare të kompanisë në vitin që vjen.

Kjo pritet të jetë shitja e titujve të kapitalit më e madhe e regjistruar ndonjëherë në botë. Qeveria caktoi një normë tatimore prej 50% për firmën. Më  përpara, Aramco paguante një normë prej 85%. Kjo masë ka gjasa të reduktojë barrën tatimore të Saudi Aramco me dhjetëra miliardë dollarë, gjë që mund të bëjë firmën më tërheqëse nga investitorët privatë.

Ekzekutivët e industrisë atje thonë se ky urdhër mbretëror i hap dritën jeshile ofertës fillestare publike më të madhe në botë. Analistët thonë se kjo tregon seriozitetin e qeverisë mbi listimin e kompanisë Saudi Aramco. Qeveria synon të shesë 5% të pronësisë, duke i listuar aksionet në Riad dhe të paktën në një bursë të huaj, për të injektuar para që do të përdoren në industri të reja, ndërkohë që Mbretëria kërkon të diversifikojë ekonominë nga nafta.

Zyrtarët e Arabisë Saudite projektojnë që vlera e kompanisë të arrijë në 2 trilionë dollarë. Qeveria është gjendur në vështirësi të mbushë hendekun në buxhet, që arriti në 79 miliardë dollarë vitin e kaluar, dhe kjo masë lehtësuese për Saudi Aramco mund të ndikojë financat.

Megjithatë, analistët thonë se kjo masë nuk ka gjasa të përbëjë një problem, pasi këto të ardhura do të zëvendësohen me pagesat e dividentëve nga kompania.

Scan Tv,  28.03.2017

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE) ka realizuar tenderin për importin e energjisë elektrike për muajin mars, në të cilin u blenë 96,590 MWh kundrejt një vlere 4.6 milionë euro pa TVSH.

Sipas njoftimit zyrtar të OSHEE fituese u shpallen 6 kompani të cilat ofruan një çmim mesatar 47.4 euro për megavatorë.  Energjia është blerë me të njëjtin çmim që parashikohet të shitet për muajin mars ne Bursën e Hungarisë, e cila është referenca në tenderët e import -eksportit nga kompanitë publike të energjisë.

Në mes të gjashtë kompanive fituese çmimin më të lartë e ka ofruar  NOA me 48.8 euro për megavat, ndërsa çmimin me të ulet e ka ofruar AXPO me 42.9 MW/h.

Që vitin e kaluar ka nisur të ofertojë për mbulimin e humbjeve të OSHEE edhe kompania vendase e prodhimit të energjisë Devoll Hydropower. Njësia e tregtimit të Devoll ia shiti energjinë  OSHEE me një çmim 47.2 euro për MW/h, vlerë kjo rreth një euro për Mwh më e ulët se, e kompanive të tjera pjesëmarrëse në garë.

HEC-i i ri i Banjës në lumin Devoll që u vu në punë për herë të parë më 2016 prodhoi 69,848 MW/h.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi vendas shënoi vitin e kaluar 7,136,351MW/h, nga të cilat 5,091,616 MW/h u prodhuan nga HEC në pronësi të KESH dhe 2,044,735 MW/h u prodhuan nga HEC private dhe ato me koncesion.

Pavarësisht kontestimeve për ndikimin në ambient Ministria e Energjetikes ka vërshuar me dhënien e lejeve për ndërtimin e HEC-ve të vogla. Qeveria Rama e ka liberalizuar edhe me tej këtë proces. Për çdo HEC me kapacitet deri në 2M vendos ministri i industrisë dhe Energjetikes, më parë vendimi për ndërtimin e tyre jepej nga qeveria. Nisur nga kjo lehtësi Ministria e Energjetikes vijoi dhënien e lejeve me intensitet të lartë gjatë 2016 dhe po vijon me të njëjtin ritëm edhe këtë vit.

Për herë të parë pas shumë vitesh Shqipëria ishte eksportues neto i energjisë, për shkak të reshjeve të bollshme dhe rritjes së prodhimit të energjisë nga shtimi i operatorëve të rinj në treg.

Revista Monitor,  01.03.2017

Çmimet e naftës së papërpunuar shënuan rritje mëngjesin e ditës së sotme.

Treguesit referencë për naftën e përpërpunuar europiane, Brent, u rritën me 0.2 për qind dhe u tregtuan me 56.03 dollarë për fuçi.

Treguesit referencë për naftën e papërpunuar amerikane, WTI, patën ndryshime thuajse të pakonsiderueshme. Ato u tregtuan me 54.06 dollarë për fuçi.

Edhe indeksi i çmimeve të arit shënoi rritje. Ai avancoi me 0.1 për qind dhe u tregtua me 1.254.48 dollarë për onz.

Revista Monitor,  01.03.2017