Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Si do funksionojë bursa e energjisë dhe zgjedhja e aksionerëve

Kalimi në qeveri i vendimit “Për krijimin dhe përcaktimin e formës ligjore dhe të strukturës së pronësisë së kapitalit të operatorit të tregut” është vetëm një nga dy hapat e fundit që kanë mbetur për finalizimin e projektit. Enea Karakaçi, drejtor juridik në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në një intervistë për “Monitor”, sqaron se ky autoritet ka gati edhe vendimin e dytë, që është kusht për të vijuar me themelimin dhe operimin e Bursës.

Sipas tij, nëse në vendimin e parë u përcaktua struktura aksionere, në vendimin e dytë, që së shpejti do të dërgohet në ministritë e linjës për bashkërendim, përcaktohet mënyra sesi do të përzgjidhen bashkaksionerët. Procedura që do të ndiqet është ajo e hapur ndërkombëtare dhe interes mund të shprehin nga operatorët rajonalë të transmetimit tek institucionet financiare ndërkombëtare, gjithmonë duke respektuar kuotat maksimale të aksioneve që mund të ketë çdo operator.

Vetëm pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për operatorin e tregut që është një hap më tej drejt një burse funksionale. Çfarë parashikon ky vendim dhe çfarë do të thotë për projektin në tërësi?

Duhet të kuptojmë që ky vendim i Këshillit të Ministrave vjen si rrjedhojë i një ndryshimi ligjor që u bë në vitin 2018 në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”. Në atë ligj u parashikua koncepti i operimit të tregut dhe koncepti i asaj që në këtë VKM quhet Bursa Shqiptare e Energjisë. Po të shohësh të zbardhur VKM, “Për krijimin e operatorit të tregut” (Bursa Shqiptare e Energjisë) përcaktohet që operatori i tregut është ai që bën operimin e tregut në avancë dhe tregut brenda së njëjtës ditë.

Po ashtu, brenda këtij ligji është parashikuar dhe parimi bazë, që ky operator tregu, do të funksionojë i kontrolluar nga OST dhe do të ketë brenda aksionerë të tjerë, që mund të jenë operatorë rajonalë të transmetimit, operatorë që kanë përvojë në funksionimin e tregjeve dhe shkëmbimit të tregjeve, operatorë me përvojë në tregtimin e energjisë elektrike, si dhe institucione financiare ndërkombëtare. Këtë parim vendoste edhe ligji “Për sektorin e energjisë”, kur u ndryshua në vitin 2018. Në këtë ligj u parashikuan që do të dilnin dy vendime të Këshillit të Ministrave.

I pari është ai që kaloi së fundmi në mbledhjen e qeverisë që përcakton krijimin e një shoqërie që kontrollohet nga OST, që ka një kapital fillestar minimal 250 milionë lekë dhe po ashtu përcakton kush mund të jetë aksioner i kësaj shoqërie, duke vendosur edhe kuotat minimale dhe ato maksimale, që mund të ketë secila palë. Qëllimi në vetvete është që të kemi një operator tregu (Bursë Shqiptare) që të jetë sa më gjithëpërfshirës.

Si do të përzgjidhen aksionerët në Bursë, duke qenë se parashikohen disa kategori?

E para dhe kryesorja si palë është Operatori i Sistemit të Transmetimit që do të mbajë shumicën. Pjesë e bursës më pas mund të jenë operatorët e ngjashëm rajonalë të transmetimit. Këtu dua të sjell në vëmendje marrëveshjen e bashkëpunimit, e nënshkruar mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me ministrinë korrespondente në Kosovë që përcakton hapat e përbashkët dhe qëllimet e përbashkëta për përfshirjen e KOSTT, pra operatorit të sistemit të transmetimit të Kosovës në Operatorin e Tregut dhe po ashtu në të ardhmen, edhe mundësinë për operatorët e tjerë rajonalë, por edhe gjithë kategoritë e tjera, le të themi, kanë kapacitete për ngritjen e skemës së bursës.

Mënyra sesi do të përzgjidhen këta operatorë do të rregullohet me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, që do të propozohet nga MIE dhe për të cilin ne jemi në hapat e fundit të hartimit dhe shumë shpejt do të nisim pjesën bashkërenduese me ministritë për ta kaluar më pas në Këshillin e Ministrave. Ky vendim do të përcaktojë procedurat sesi tani gjithë këta aksionerë që u përfshinë në vendimin e parë, do të përzgjidhen për të krijuar operatorin e tregut.

Çfarë hapash hedh OST pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë?

Vendimi e ka çuar procesin drejt bursës një hap më tej, ndërkohë që është e rëndësishme që të miratohet edhe vendimi i dytë që do të përcaktojë mënyrën sesi do të përzgjidhen aksionerët e tjerë. Sapo ky vendim të kalojë në Këshillin e Ministrave, do të zhvillohet një procedurë e hapur ndërkombëtare për përzgjedhjen e operatorëve potencialë, ku sigurisht do të merren për bazë përqindjet e aksioneve të përcaktuara në kuadrin ligjor. Këta aksionerë, së bashku, do të hartojnë aktin e themelimit, statutin e përbashkët dhe më pas do të bëjnë derdhjen e kapitalit në përputhje me përqindjen e aksioneve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Mund të na jepni disa detaje për modelin që do të ketë bursa. Ju jeni asistuar nga IFC dhe Nord Pool?

Operatori i tregut, sikurse përcaktohet në kuadrin ligjor, është struktura përgjegjëse për menaxhimin e tregut të organizuar, përmes platformës së tregut. Kjo platformë mund të operojë sipas parimit të ditës në avancë, pra gjithë mbyllja e operimeve bëhet një ditë përpara ose brenda së njëjtës ditë apo siç njihet “Intraday”. Operatori i tregut do të jetë përgjegjës për kryerjen e të gjithë aktiviteteve që lidhen me kompensimin financiar, pra clearing mes shkëmbimeve të energjisë, si dhe çdo aktivitet tjetër i lidhur me shkëmbimin e energjisë mes palëve. Ky operator, pra bursa, do të jetë përgjegjës për të gjitha elementet e shkëmbimit energjetik të flukseve por edhe pagesave financiare.

Sigurisht ju e dini që në këtë proces, ne jemi asistuar nga IFC, bashkë me konsulentët e saj lokalë dhe ndërkombëtarë që ka qenë Nord Pool. Ne kemi pasur në të gjithë këtë proces edhe bashkëpunimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Pala shqiptare, në këtë rast OST së bashku me Nord Pool, kanë ndërtuar një model biznesi për atë çfarë konceptohet të jetë Bursa Shqiptare e Energjisë që do të zërë vend në vijim.

Po lidhur me burimet njerëzore, a i ka OST kapacitetet për të nisur operimin e kësaj strukture të re?

Ky proces ka nisur prej kohësh dhe ka ardhur në mënyrë graduale, çka do të thotë se dihej që Operatori i Sistemit të Transmetimit do të kryente këtë lloj funksioni. Për këtë arsye ka pasur vazhdimisht angazhim te burimet njerëzore edhe për këtë aspekt, pra për Bursën. Por përtej kësaj, një ndër arsyet kryesore pse parashikohet përfshirja e operatorëve të tjerë me përvojë ndërkombëtare si bashkaksionarë në bursë është që struktura të konsolidohet edhe më tej, si efekt i prezencës së tyre. Disa palë, që kanë njohuri mbi tregjet e shkëmbimit të energjisë, krijojnë mundësinë e rritjes së kapaciteteve edhe më tej drejt një strukture të besueshme në treg, për të ushtruar funksionet që i janë ngarkuar me ligj.

Kur parashikohet se mund të kemi një bursë operacionale, pra që të kryejë transaksione?

Ne po tentojmë që çdo proces i lidhur me Bursën të mbyllet sa më shpejt. Aktualisht me rëndësi është miratimi i vendimit të dytë në Këshillin e Ministrave. Nëse vendimi i parë përcaktonte strukturën dhe parimin e përgjithshëm të strukturës aksionare, VKM e dytë bën të ditur si këta aksionerë do të përthithen dhe me këtë i hapet rrugë procedurës së ndërkombëtare për përzgjedhjen. Për momentin nuk mund të themi një afat të saktë se kur nis funksionimi, por gjithçka po mundohemi ta bëjmë sa më shpejt për ta finalizuar si projekt.

Monitor,  08.06.2019