Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Eksklusive: Detaje te procesverbalit te Komisionit te Ekonomise per ndryshimet ne ligjin per akcizat

PROCESVERBAL
Datë 18.07.2011, ora 10:00 – 10:50
Drejton mbledhjen:
Edmond Spaho – kryetar komisioni
Rendi i ditës:
1.  Miratimi i procesverbalit.
2.  Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat”, të ndryshuar”.
3.  Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.
4.  Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.
5.  Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9981, datë 08.09.2008 “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar”.
Marrin pjesë:
Edmond Spaho, Selami Xhepa, Flamur Noka, Albana Vokshi, Adriana Gjonaj, Ledina Aliolli, Gjokë Uldedaj, Igli Cara, Sybi Hida, Sherefedin Shehu, Luan Skuqi, Florjon Mima.
Mungojnë:
Albert Çaçi, Arben Ahmetaj, Gjovalin Kadeli, Ilir Bejtja, Ervin Koçi, Mimi Kodheli, Erion Braçe, Andis Harasani, Lefter Koka, Arben Malaj dhe Rudina Seseri.
Të ftuar:
Alfred Rushaj – zëvendësministër i Financave.
Arjana Dyrmishi – drejtoreshë e Politikave Fiskale në Ministrisë e Financave.
HAPET MBLEDHJA
Miratohet procesverbali.
Edmond Spaho – Sot në rendin e ditës kemi për të shqyrtuar katër projektligje, që janë ndryshime në ligje të ndryshme fiskale: “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat”, të ndryshuar”, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar” dhe “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9981, datë 08.09.2008 “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar”.
Kemi të ftuar zëvendësministrin e Financave, zotin Alfred Rushaj.
Ju lutem, na bëni një përmbledhje të këtyre ndryshimeve.
Alfred Rushaj – Falemnderit, zoti kryetar!
Kryesisht, projektligjet paraqiten si ndryshime në formën e vjeljes së taksave të qarkullimit dhe të regjistrimit, si edhe taksës së makinave të përdorura. I referohem këtu ligjit “Për ndryshimin e taksave kombëtare dhe atyre vendore”, kurse projektligjet që kanë të bëjnë me akcizën janë dy.
E para ka të bëjë me uljen e akcizës së produkteve të birrës, rritjen e akcizës për disa nënprodukte nafte dhe barazimin e kësaj akcize me nënproduktet e tjera të naftës.
Ndryshim thelbësor në këtë projekt është koncepti i rimbursimit automatik të akcizës, i cili do të ndihmojë në mënyrën e rimbursimit të atyre industrive që u rimbursohet akciza.
Projektligji tjetër është ai “Për taksat doganore”. Kjo është një mbështetje që Qeveria shqiptare u bën industrive të saj fasoniste dhe prodhuese për t’i bërë më kompetitive në treg.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin “Për taksat vendore”” mban në konsideratë faktin se sot një përdorues makine paguan 4 taksa; taksën e regjistrimit, taksën e qarkullimit, taksën e makinave të përdorura dhe taksën e karbonit.
Në Shqipëri ka një numër më të madh mjetesh të regjistruara si futura në Shqipëri sesa mjete që i paguajnë taksat e regjistrimit dhe të qarkullimit.
Ligji ekzistues ka vendosur një barazi ndërmjet përdoruesve të makinave që i përdorin këto të fundit dhe atyre që i përdorin më pak. Pavarësisht makinës që ka dikush dhe se sa e përdor infrastrukturën, taksat e qarkullimit dhe ato të regjistrimit paguhen njësoj sikur të gjithë ta përdornin njëlloj infrastrukturën. Kjo lloj mënyre taksimi ka nevojë të përmirësohet në dy drejtime.
E para, për të rritur eficiencën, pra për të vjelur në mënyrë automatike të gjithë taksën e përdoruesve të mjeteve.
E dyta, për të vendosur një lloj barazie sipas parimit që ai që konsumon apo e shfrytëzon më shumë infrastrukturën do të paguajë më shumë taksë. Nuk mund të lihet jashtë këtij koncepti me parimin se ai që e ndot më shumë mjedisin paguan më shumë.
Propozimi është që taksa e qarkullimit dhe e regjistrimit të mjeteve të njëjta për çdolloj kategorie përdoruesish, që vilen dhe paguhen një herë në vit, të hiqen. Kjo lloj mënyrë vjeljeje mund të transferohet nëpërmjet karburantit. Pavarësisht se doni apo jo ta paguani taksën, nëse ju do ta përdorni mjetin, duke qenë se taksa tashmë vilet nëpërmjet karburantit, automatikisht taksa do të merret. Kjo mënyrë e parë do të rriste eficiencën e mbledhjes së taksave. Në Shqipëri ndodhen afërsisht 400 mijë mjete, ndërkohë që taksën e qarkullimit të regjistrimit e paguajnë më pak sesa 300 mijë të tilla, duke hequr mjetet që mund të jenë jashtë përdorimit. Nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Transporteve na rezulton se një kategori e konsiderueshme mjetesh qarkullojnë pa e paguar këtë taksë.
Së dyti, nëpërmjet kësaj mënyre mund të stabilizohet koncepti që ai që e përdor më shumë infrastrukturën, do të paguajë më shumë.
Një risi tjetër që sjell ky projektligj ka të bëjë me mënyrën se si llogaritet dhe si vilet taksa e makinave të përdorura. Sot kjo taksë vilet me import dhe është e pagueshme një herë në import, si edhe gjatë momentit të kryerjes së transaksionit të shitjes brenda vendit. Kur është konceptuar një mënyrë e tillë taksimi, parimi ka qenë që të mbrohej mjedisi nga hyrja e makinave të cilat do ta ndotnin atë. Me gjithë qëllimin e mirë, ka rezultuar se numri i transaksioneve të shitjes brenda vendit ka rënë katër herë në krahasim me momentin përpara se të vendosej kjo taksë. Nëpërmjet pagesës së përvitshme të taksës së makinave të përdoruara, e cila gjithashtu llogaritet mbi parimin që ai që ka cilindrat më të mëdha makine, paguan më shumë se ai që ka cilindrat më të vogla makine. Ai që ka makinën më të vjetër paguan më shumë se ai që ka makinën më të re. Ai që përdor makinë benzine paguan më pak se ai që ka makinë nafte. Pra, nëpërmjet kësaj mënyre taksimi arrijmë të hapim sinjale të qarta se ndotësi duhet të paguajë, por nga ana tjetër ndihmojmë që tregu të bëhet likuid dhe të çojmë sinjalin që ai që ka makinë që ndot pak mjedisin paguan më pak.
Në mënyre të përgjithshme ky ishte ligji “Për taksat kombëtare”.
Projektligji “Për taksat vendore” reflekton se çfarë ndryshimesh janë bërë në ligjin e parë. E rëndësishme në këtë projektligj është se buxheti i pushtetit vendor nuk do të preket nga heqja një herë në vit e pagesës së taksës së regjistrimit, pasi e njëjta shumë do të kompensohet nga mënyra e re e vjeljes së taksave.
 Projektligji tjetër është ai “Për ndryshimin dhe miratimin e tarifës doganore”.
Industria fasoniste e vendit ka krijuar një bazament, i cili na bën të mendojmë se mund të konkurrojnë shumë mirë në tregjet ndërkombëtare, si prodhues të vendit dhe si prodhues “Made in Albania”. Kjo është një reklamë shumë e mirë për vendin, kur në veshje të tipit Armani, Cenia, Hugo Boss, marka “Made in Albania” të jetë prezente. Pra, nuk ka të bëjë vetëm me benefitin që tregu i vendit do të ketë si pasojë e zhvillimit të mëtejshëm të kësaj industrie, duke kaluar nga fasoniste në prodhuese, por është një reklamë shumë e mirë që i bëhet vendit tonë.
Fillimisht u mendua se reduktimi i taksave doganore për industrinë e lëndëve të para të bëhej vetëm për konfeksionet, por pas komenteve, vërejtjeve dhe diskutimeve me këshillin e biznesit dhe me industrinë përkatëse, duke rillogaritur efektet neto që do të ketë buxheti i shtetit, në këtë nismë janë futur edhe lëndë të para për veshjen e këpucëve.
Një tjetër lehtësim është se nëpërmjet heqjes së taksës doganore do të përfitojnë edhe konsumatorët shqiptarë, pasi taksa doganore për veshjet që do të vijnë në Shqipëri do të jetë zero. Është propozuar diçka e tillë, sepse veshjet në Shqipëri paguajnë dy herë taksë doganore.
Pjesa më e madhe e distributorëve shqiptarë i marrin veshjet nga Bashkimi Europian, kur vetë vendet e Bashkimit Europian një pjesë të mirë të prodhimit e marrin nga vendet jashtë tij, çka do të thotë se paguajnë një herë taksë kur hyjnë në vendet e Bashkimin Europian dhe, meqenëse nuk kanë certifikatën e origjinës, paguajnë për herë të dytë taksë për Shqipërinë. Diçka e tillë vë në vështirësi kompetitive biznesin dhe industrinë e shitjes me pakicë të këtyre veshjeve, por të gjithë këtë pagesë të dyfishtë të taksës doganore e paguan në kurrizin e tij konsumatori shqiptar.
Projektligji i fundit është ai “Për akcizën e birrës”.
Ligji shqiptar ka dy tarifa të akcizës për birrën. Për ata që prodhojnë mbi 300 mijë hektolitër në vit, akciza është 40 lekë, ndërsa për ata që prodhojnë 200 mijë, akciza është 30 lekë. Koncepti është që sa më e madhe të jetë industria aq më të vogla janë kostot, por, duke pasur parasysh se tregu shqiptar rezulton të jetë i fragmentuar për sa i përket kapacitetit prodhues që kanë industritë e birrës, si edhe eksperiencën sesi vende të ndryshme i taksojnë këto lloj produktesh, është propozuar një përshkallëzim i akcizës, duke pasur parasysh se ata që kanë kapacitetet më të vogla, të kenë akcizë më të vogël. Akciza për të tillë prodhues është ulur me 3 herë, ndërkohë që akciza për industrinë prodhuese është ulur 3 herë për një kategori dhe 2 herë e gjysmë për një tjetër.
Një pjesë e nënprodukteve të naftës janë barazuar në akcizë me pjesën tjetër. Diçka e tillë mund të ndikojë në kostot e industrive prodhuese, prandaj në këtë projektligj është bërë e mundur që, përveç rinjohjes së faktit se akciza për të tillë industri do të rimbursohet, ka hyrë edhe koncepti i rimbursimit automatik, duke bërë të mundur që bizneset që përfitojnë nga rimbursimi i akcizës të mos kenë mungesë likuiditeti.
Këto janë projektet që Qeveria i ka paraqitur sot Kuvendit për diskutim.
Edmond Spaho – Falemnderit, zoti Rushaj!
Vazhdojmë me relatorët.
Po, zoti Hida.
Sybi Hida – Falemnderit, zoti kryetar!
Dua të përmend një faktor shumë të rëndësishëm për ndryshimet që i janë bërë ligjit “Për akcizat”, që është rimbursimi automatik i akcizës. Kjo është një arritje shumë e madhe, për të cilën duhet falënderuar Ministria e Financave dhe Qeveria, pasi dihet se çfarë kosto burokratike duhet të paguajë biznesi për të marrë akcizën e rimbursueshme. Rruga e nisur nga viti i kaluar, kur ne miratuam ligjin “Për rimbursimin automatik të tvsh-së”, ka vazhduar me rimbursimin automatik të akcizës.
Ministri i Financave para disa ditësh tha këtu se rimbursimi që bën Qeveria shqiptare ndaj biznesit është rritur me 10 herë. Kjo është një arritje mjaft pozitive, e cila ndikon në ecurinë e mirë të ekonomisë private dhe të biznesit. Nga ana tjetër dua të shtoj që një aspekt tjetër i rëndësishëm i ndryshimit të ligjit të akcizës është edhe zgjerim i gamës së përfshirjes të të gjitha produkteve alkoolike me pullën fiskale. Kjo mendoj se do të ndikojë pozitivisht në uljen e evazionit fiskal, por edhe në rritjen e cilësisë së produkteve, duke luftuar ato produkte të cilat nuk janë origjinale. Kjo ka bërë të mundur të rishikohet edhe akciza e birrës, që mendoj se është një ndërhyrje pozitive. Edhe për këtë ndryshim që është bërë në akcizën e birrës ka pasur debate. Unë kam parë eksperiencat e vendeve të Bashkimit Europian, ku pothuajse ndiqet e njëjta logjikë, i njëjti përshkallëzim sipas gradëve plato ose sipas mundësisë së kapacitetit të prodhuesve të birrës. Faktori tjetër i këtij ndryshimi është edhe rritja e akcizës së produkteve të naftës, që zëvendësministri e sqaroi. Pra të gjitha këto mendoj se janë një ndryshim shumë pozitiv që i bëhen ligjit të akcizave, duke ulur koston burokratike dhe nga ana tjetër duke luftuar evazionin fiskal. Prandaj ne duhet ta mbështesim këtë ligj dhe urojmë që problemi i rimbursimit të akcizës dhe tvsh-së të zgjidhet në mënyrë automatike për të gjithë gamën e biznesit.
Falemnderit!
Sherefedin Shehu – Për sa i përket ligjit të taksave vendore, ai duhet parë edhe me ligjin e taksave kombëtare, pasi ndryshimet kompensojnë ose plotësojnë njëri-tjetrin. Për sa i përket anës teknike, ndoshta do të ketë diskutime më vonë, unë e mbështes këtë nismë, këtë formë ristrukturimi, pasi i bën një rregullim një takse që, në fakt, nuk pati efekte pozitive në ekonomi, siç ishte taksa e makinave të përdorura. Në këtë këndvështrim, duke u fokusuar te ligji që prek sistemin e taksave vendore, dy aspektet e tij janë:
I pari, se me këtë ligj hiqet një taksë, ajo e regjistrimit të përvitshëm të automjeteve, të cilën e kanë paguar zotëruesit e makinave deri më sot.
I dyti, garantohet autonomia lokale nëpërmjet përqindjes së taksës që i jepet pushtetit lokal nga taksa e makinave të përdorura.
Pra pa cenuar autonominë fiskale të njësive të qeverisjes vendore është bërë një ndryshim, që për mua është shumë i arsyeshëm, sepse hiqet një taksë dhe ristrukturohet taksa tjetër, e cila do të japë një impakt pozitiv, për sa i përket zotërimit dhe përdorimit të makinave. Ndërkohë, unë them se është bërë edhe një kombinim i mirë me elementet e tjera, ndonëse mund të ishte bërë edhe më mirë.
Edmond Spaho – Falemnderit, zoti Shehu!
Zoti Xhepa e ka fjalën.
Selami Xhepa – Nuk besoj se ka shumë për të shtuar, sepse debatet janë shumë komplementare plus prezantimin e zotit Shehu. Në fakt, ky është një ndryshim, në mendimin tim, thelbësor i dy elementeve të rëndësishme që janë taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe taksa e ndikimit në mjedis. Mendoj se filozofia e re me të cilën paraqitet ky ndryshim i sistemit të taksimit në nivelin e taksave vendore, e bën sistemin e taksimit më të ndershëm në raport me taksapaguesin, më të drejtë, ku ai që ndot më shumë dhe ai që dëmton më shumë infrastrukturën do të jenë të detyruar të paguajnë më shumë dhe të kontribuojnë më tepër. Nuk mendoj se ka shumë gjëra për të shtuar, besoj se kjo do të zgjidhë atë situatë ngërçi që është krijuar në këtë treg, kështu që ftoj të gjithë kolegët që ta mbështesin këtë nismë.
Edmond Spaho – Fjalën e ka zoti Mima.
Florjon Mima – Më vjen mirë që zoti Rushaj në prezantimin e tij, iu referua faktit që kjo iniciativë vjen nga industritë respektive. Ky është shembulli më i mirë sesi një qeveri duhet të dialogojë me biznesin, me grupet e interesit, madje të marrë parasysh shqetësimet e tyre dhe t’i transformojë ato në produkte cilësore që afektojnë punën e tyre. Momenti kur po ndodhin këto ndryshime në ligjin “Për tarifën doganore” është i artë për Shqipërinë, sepse ka lidhje të drejtpërdrejtë me pështjellimet sociale dhe politike në Afrikën e Veriut, ku janë me mijëra firmat e fasonistëve europiano-perëndimorë, gjermanë, belgë, holandezë, francezë, italianë që po largohen. Pjesa më e madhe e tyre ka shprehur interes për territorin e Shqipërisë. Janë rreth 200 kompani të themeluara vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti, kështu që të dyja ndryshimet i shoh në vazhdën e ndryshimeve pozitive për të atraktuar më tej investitorët e huaj.
Ftoj kolegët që ta miratojnë pa hezitim ndryshimin e propozuar.
Edmond Spaho – Falemnderit, zoti Mima!
A ka pyetje?
Igli Cara – Duke falënderuar zotin Rushaj, do ta vazhdoj aty ku e la zoti Mima.
Për sa u përket tarifave doganore, e përshëndes këtë projektligj jo vetëm për uljen e tarifës doganore për veshjet e përfunduara, jo vetëm për fasonistët, por edhe për atë kategori të biznesit, që prodhon për tregun shqiptar.
Pra, kjo nuk është se bëhet vetëm për fasonin, por mbi të gjitha për kategorinë e biznesit, e cila nuk është e vogël, është e madhe dhe normalisht duhet stimuluar.
Megjithatë, duke parë tabelën bashkëngjitur, unë do të bëj një pyetje: a janë të gjithë artikujt të vendosur?
Pyetja tjetër lidhet me kodin 6309, që është edhe kodi në nomenklaturë për veshjet e përdoruara. Ky kod do të përfshihet, apo jo?
Për sa u përket taksave të makinave, unë e përshëndes këtë projektligj, sepse është në kohën e duhur, duke parë edhe pështjellimin që ka sjellë në këtë kategori të biznesit.
Para ca kohësh ne nxorëm një ligj, ku thuhej se deri në datën 31 dhjetor paguhej një tarifë e reduktuar, që shkonte afërsisht në gjysmë. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, meqenëse ju e hiqni taksën doganore, do të paguhet vetëm TVSH-ja dhe këto makina që janë në regjim doganor të përkohshëm, pra që kanë hyrë mbas datës 31, nga 1 janari e deri tani unë mendoj se duhet ta përfitojnë, pra e përfitojnë ato makina që nuk kanë marrë qarkullimin e lirë, pra nuk kanë marrë import 4. Ato duhet të kalojnë sipas të njëjtit ligj, edhe pse ligji do të hyjë në fuqi në datën 20 gusht.
Falemnderit!
Edmond Spaho – A mund të na thoni, zoti Rushaj, sa do të paguhet për një makinë të madhësisë normale, e cila gjendet rëndom në qarkullim, me vjetërsi 8-10 vjet?
Zoti Shehu e përmendi që ristrukturimi përsëri ruan pjesën e pushtetit vendor në taksat që merr, pra në taksat e qarkullimit dhe të regjistrimit. Unë doja të dija në nivel shifrash sa do të marrë sot pushteti vendor. Vazhdon të ruhet ajo pjesë?
Po, zoti Uldedaj.
Gjokë Uldedaj – Edhe unë kisha dy pyetje.
Duke vlerësuar ardhjen në komision të kësaj pakete ligjesh, përveç miratimit të nivelit të tarifave doganore, me sa jemi në dijeni, ka qenë edhe një kërkesë e hershme e industrisë së fasoneve. Ligjet e tjera a kanë kaluar për t’u diskutuar te grupet e interesit dhe te këshilli i biznesit?
Referuar ligjit “Për akcizat”, shoh që ka një diferencë të theksuar midis “zërit” kafe jo e pjekur, e dekafenizuar, me kafen e pjekur. Si janë këto referuar vendeve të tjera, pasi është diferencë nga 30 në 140 lekë për kilogram dhe po kështu edhe për “zërin” benzinë me plumb dhe pa plumb, pasi ka një diferencë 37 lekë me 50 lekë. Pra, a janë konsultuar me eksperiencat në këtë drejtim, apo ka diçka që është e lidhur me nxitjen e mospërdorimit ose të prodhimit?
Sherefedin Shehu – Unë e kam në kontekstin edhe të thjeshtimit, pasi lista e taksave vazhdon të mbetet përsëri e gjatë. Nuk e di se cili është opinioni juaj ose, gjatë përgatitjes së paketës, keni diskutuar ose konsideruar ndonjëherë bashkimin e taksës së qarkullimit të karbonit me taksën e makinave të përdorura? Cili është opinioni juaj në kuptimin e thjeshtimit të sistemit të taksës?
Sybi Hida – Unë kisha një pyetje në lidhje me taksën për makinat e përdorura. A është e mundur që të matet lëshimi i dyoksidit të karbonit dhe pastaj të taksohet sipas saj nëpërmjet disa aparaturave që mund t’u vihen makinave ose te zyra e kolaudimit të makinave? Unë jam dakord që ju keni gjetur një instrument i cili ka pothuajse korrelacion pozitiv me lëshimin e dyoksidit të karbonit në natyrë, por a do të ishte e mundur që ne ta matnim realisht atë nëpërmjet mjeteve të tjera?
Edmond Spaho – Ju falemnderit!
Zoti Rushaj, keni fjalën.
Alfred Rushaj – Ju falemnderit, zoti Spaho!
Fillojmë me pyetjen që bëri zoti Cara.
Zoti Cara, është shumë rëndësishme që të jemi të qartë në një koncept, se ka pasur disa ligje të konsiderueshme të cilat kanë shkuar në benefit të përdoruesve të makinave dhe kjo gjë mund të ketë sjellë edhe konfuzion. Pra, sa të drejta kanë dhe çfarë përfitojnë në fund të ditës.
E para, të gjitha ato subjekte që i kanë futur makinat deri në fund të vitit 2010, nuk duhet të konfondohen me këtë projektligj, por duhet të përfitojnë nga ligji i faljes së detyrimeve dhe të paguajnë 50% të detyrimit doganor në doganë, në qoftë se duan, (po e them në zhargonin popullor), të bëhen me letra pra, duhet të marrin letrat e makinave: të bëjnë regjistrimin e të tjera. Pra, për të gjithë ato subjekte që kanë futur makinat deri në fund të vitit 2010, nuk ka diskutim.
Për subjektet që i kanë futur makinat dhe i kanë në kushtet e pezullimit të regjimit, taksa e makinave të përdorura aplikohet në import, në momentin që kryhen procedurat për import 4-ën. Në këtë moment doganieri përkatës bën llogaritjen e taksës. Për ato kategori subjektesh që e kanë futur makinën përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, por që dokumentet e futjes në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, pra, import 4-ën, do ta bënte pasi ligji ka hyrë në fuqi, natyrisht që do të aplikohet formula e re që propozon ky projektligj. Por të gjitha ata që i kanë futur makinat dhe afati 6-mujor ka përfunduar, atëherë llogaritja do të bëhet mbi bazën e ligjit që është në fuqi, sepse nuk mund të bëjmë një amnisti të dytë.
Për sa u përket kodeve doganore, në janë të përfshirë të gjitha apo jo, unë mund t’ju them se listën e kodeve e kanë bërë vetë industritë. Kanë qenë të dyja industritë e lëndës së parë, industria e konfeksioneve dhe e këpucëve që kanë propozuar dhe, natyrisht, pasi ne kemi diskutuar dhe jemi bindur që të gjitha janë lëndë e parë që i shërbejnë direkt prodhimit të atyre produkteve, kemi paraqitur edhe listën me kode. Kështu që ne gjykojmë që lista është gjithëpërfshirëse. Ndërsa kodi 6309 nuk përfiton nga kjo iniciativë.
Zoti Spaho, ne kemi bërë një tabelë, nuk është ligjore, por e përdorim për arsye pune dhe unë mund të jap disa shifra.
Së pari, dua të them sot se taksa e qarkullimit dhe e regjistrimit është në nivelin rreth 9400 lekë të reja në vit dhe kjo, siç e thashë, paguhet pavarësisht nëse makina juaj ka motor 0,9, 1,5 ose 3,2. Në fakt, në tabelën tonë kemi shkuar deri te makinat me motor 2,8. Sidoqoftë, unë po i referohem një makine që mund të ketë 9 vjet jetëgjatësi dhe që përdor naftë. Çka do të thotë se për të paguhet diçka më shumë se makinat me benzinë. Për përdorimin e një makine të tillë sot paguhen 9400 lekë, pra rreth 10 mijë lekë në vit. Ndërkohë që në sistemin e ri do të paguhen 6900 lekë në qoftë se përdor naftë dhe 5500 lekë në qoftë se përdor benzinë. Pra, është e qartë që diferenca është e madhe. Sinjali është i qartë: ai që përdor një karburant që ndot më pak, paguan më pak. Gjithashtu, është për t’u theksuar se makinat që kanë nga zero deri në tri vjet jetë nuk e paguajnë këtë taksë. Pra, kjo taksë është zero.
Efekti që do të ketë kjo taksë te pushteti vendor është zero. Pra, aq sa marrin sot, aq do të marrin edhe nesër. Efekti që ka në tërësi taksa e regjistrimit në vend është rreth 800 milionë. Madje, do të thosha se duke pasur parasysh faktin që skema e re do të jetë shumë më efektive në mbledhjen e të ardhurave, gjykojmë që edhe ndarja e të ardhurave për pushtetin vendor do të rezultojë pozitive. Pra, do të marrin më shumë sesa kanë marrë sot. Pavarësisht kësaj, jemi të siguruar që efekti 800 milionë të jetë zero. Pra, sa ka marrë deri më sot, të marrë edhe në vazhdim.
A janë diskutuar këto taksa në Këshillin Kombëtar të Biznesit? Po, por përveçse në këtë këshill, konsultime ka pasur edhe me grupet e interesit: me prodhuesit e birrës, me fasonistët, me prodhuesit e konfeksioneve, të këpucëve ose me industrinë e shitjes me pakicë. Pra, përveç diskutimit, që Ministria e Financave ka detyrim ligjor për ta bërë me Këshillin e Biznesit, është bërë edhe konsultimi me grupet e interesit, të cilat në fund të ditës kanë propozuar këtë lloj sistemi.
Për sa i përket akcizës së kafes, nuk kemi propozuar ndryshim të kësaj të fundit. Aq sa ka qenë, aq edhe është. Nuk mund të bëjmë krahasime me vendet e rajonit, pasi këto vende nuk e aplikojnë këtë akcizë. Këtë sistem do të vazhdojmë edhe këtë herë ta lemë siç është.
Arsyeja pse ka një dallim të konsiderueshëm ndërmjet përdorimit të benzinës me plumb dhe pa plumb i referohet pikërisht parimit që ai që përdor një karburant që ndot më shumë ambientin, ai paguan edhe më shumë. Për më tepër, kjo është në vazhdën e detyrimit që shitësit e karburantit kanë për ta shitur atë në një nivel të caktuar cilësie për ata që përdorin këto automjete. Zoti Shehu, në fakt, gjatë kohës, kur po diskutohej ky projektligj, kemi diskutuar një mënyrë taksimi që të ishte sa më e thjeshtë dhe eficiente. Për hir të së vërtetës, ideja që t’i mblidhnim të gjitha taksat në një të vetme nuk ka qenë e pakonsideruar. Sidoqoftë, në këtë lloj mënyre kemi pasur parasysh disa parime. Pra, do të ishte shumë më e thjeshtë për organet fiskale që të administronin një mënyrë të tillë të vjeljes së taksës, por gjatë hartimit kemi pasur në konsideratë edhe infrastrukturën ekzistuese, që është e parakohshme. Së dyti, kemi dashur të bëjmë një farë ndarjeje të të ardhurave, edhe pse një pjesë e mirë e tyre shkojnë për ambientin, si dhe të mbajmë të paprekur një farë identifikimi të të ardhurave që vijnë nga taksat, që ajo pjesë e taksave të destinohet, ashtu siç e përcakton edhe ligji, për qëllimin që është vendosur. Megjithatë, duke u kthyer te fillimi, kemi konsideruar se do të ishte një mënyrë eficiente e rritjes së taksave, por, duke u nisur nga infrastruktura ekzistuese e llogaritjes dhe e mbledhjes së këtyre taksave, mendojmë se do të ishte më mirë të kishte këtë mënyrë të mbledhjes në një fazë të dyte, pasi kjo mënyrë të jetë stabilizuar. Në të njëjtin drejtim, në fakt, është edhe përgjigja për ju, zoti Hida: në vendet europiane, të cilat kanë një infrastrukturë të konsoliduar të matjes së këtyre emisioneve që rrjedhin nga makinat, përdoret kjo mënyrë taksimi, madje ata shkojnë më tutje që makinat të cilat nuk kalojnë disa parametra të caktuar, nuk i lejojnë të qarkullojnë. Kjo do të ishte perfekte edhe për vendin tonë, por duhen pasur parasysh dy fakte: e para, është e nevojshme që një infrastrukturë e tillë të ngrihet dhe të konsolidohet, gjë që do të kërkonte shpenzime dhe kohë; së dyti, një pjesë e mirë makinave ka një vjetërsi të caktuar dhe nëpërmjet këtij projektligji dhe kësaj mënyre taksimi mendojmë se i bëjmë gjërat e qarta.
Edmond Spaho – Në fakt, këto janë shqetësime të biznesit dhe të qytetarëve. Ristrukturimi i taksës së makinave të përdorura është shqetësim i disa kohëve më parë, e cila ka bllokuar tregun e shit-blerjes së tyre, por jo vetëm kaq. Ristrukturimi ul ngarkesën financiare për përdoruesit dhe poseduesit e automjeteve, gjithashtu adreson edhe tre çështje të tjera të rëndësishme për biznesin: ul taksën doganore të fasonëve, të prodhuesve të veshjeve dhe të këpucëve, ul akcizën për birrën, shqetësim që e kemi ndeshur edhe kur kemi miratuar projektligjin “Për pullat e reja fiskale”, si dhe rimburson automatikisht akcizën.
Unë jam në favor të biznesit dhe të qytetarëve.
Kalojmë në votimin në parim të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9981, datë 08.09.2009 “Për miratimin e niveleve të tarifave doganore”, të ndryshuar”.
Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Kalojmë në votimin në parim të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave kombëtare”, të ndryshuar”.
Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Kalojmë në votimin në parim të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat”, të ndryshuar”.
Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Kalojmë në votimin në parim të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.
Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Kalojmë në votimin nen për nen të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9981, datë 08.09.2008 “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar”.
Kush është dakord me nenin 1? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Kush është dakord me nenin 2? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
E hedhim në votim në tërësi.
Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Projektligji miratohet edhe në tërësi.
Kalojmë në votimin nen për nen të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat”, të ndryshuar”.
Kush është dakord me nenin 1? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Kush është dakord me nenin 2? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 3. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 4. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
E hedhim në votim në tërësi. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Projektligji miratohet edhe në tërësi.
Kalojmë në votimin nen për nen të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave kombëtare”, të ndryshuar”.
Neni 1. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 2. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 3. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 4. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 5. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 6. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 7.
Urdhëroni, zoti Rushaj!
Alfred Rushaj – Te neni 7 është përdorur koncepti i reciprocitetit, gjë që nënkupton se bëhet fjalë për makinat e huaja. Pasi projektligji ka kaluar në Këshillin e Ministrave, është kërkuar të theksohen fjalët “makinat e huaja”. Pra, kur bëhet fjalë për reciprocitet, bëhet fjalë për makinat e huaja dhe të vendit. Në qoftë se një vend na ka përjashtuar nga një taksë e caktuar, e njëjta gjë ndodh edhe te ne me makinat e tyre.
Edmond Spaho – Atëherë, në nenin 7 do të shtohet fjala “të huaja”.
A jeni dakord me këtë ndryshim? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 8. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
E hedhim në votim në tërësi.
Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Projektligji miratohet edhe në tërësi.
Kalojmë në votimin nen për nen të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.
Neni 1. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 2. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 3. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Neni 4. Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
E hedhim në votim në tërësi.
Kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Projektligji miratohet edhe në tërësi.
Falemnderit!
Nesër në orën 10:00 do të kemi mbledhje dhe do të diskutojmë ndryshimet në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Mbledhja mbyllet.

energjia.al, 21.07.2011