‘Kosova A’ kushton 60 mln euro
Shpërthimi në termocentralin “Kosova A” do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 60 milionë euro. Korporata Energjetike e Kosovës do t’i humbë afro 30 milionë euro nga mosrealizimi i të hyrave për shkak të mungesës së prodhimit të TC “Kosova A”, për periudhën qershor 2014 deri në mars 2015.
Edhe rreth 10 milionë euro të tjera, KEK-ut do t’i duhen për investime kapitale, për riparimin e Njësisë A5. Kostoja shtesë e importimit të energjisë elektrike për periudhën qershor 2014 – mars 2015, është llogaritur të jetë rreth 20 milionë euro, në vartësi të çmimit të tregut dhe disponueshmërisë së energjisë në rajon.
Për të parandaluar reduktimet e ashpra të energjisë elektrike, sistemit i duhen rreth 60 milionë euro, aq sa është kostoja e importimit shtesë të energjisë elektrike.
Kostoja e importimin të energjisë elektrike deri në dhjetor të vitit 2014 pritet të arrijë në rreth 35 milionë euro. Kurse, kostoja shtesë për importimin e energjisë elektrike nga janari deri në fund të muajit mars të vitit të ardhshëm është rreth 16 milionë euro. Përveç kësaj, Korporata Energjetike e Kosovës llogarit se për riparimin e dy njësive A4 dhe A5, do t’i duhen edhe rreth 11 milionë euro, shkruan sot Koha Ditore.
Ky është njëri nga skenarët për të shmangur reduktimet e energjisë elektrike deri në mars të vitit 2015, i cili parasheh që gjatë vitit 2014 të jetë në funksion vetëm njësia A3, ndërsa A4 dhe A5 të kthehen në funksion më 1 prill të vitit 2015. Si rrethanë rënduese përmendet edhe kriza e parashikuar e furnizimit me gaz në Evropë për shkak të situatës së krijuar në Ukrainë.
Portali Telegrafi, 31.07.2014