Italia mbeshtet sektorin energjetik ne Kosove
![](http://energjia.al/wp-content/uploads/2013/11/Ismajli_Ambasadori_Italian_2013.jpg)
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli priti dje në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë z. Andreas Ferrarese, me të cilin ka diskutuar mundësinë e avancimit të bashkëpunimit ekonomik.
Me këtë rast, Ministri Ismajli pasi falënderoi diplomatin italian për ndihmën që ky vend i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, e njoftoi atë me orientimet e MZHE-së për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Në këtë takim u diskutua edhe për krijimin e një mekanizmi të përbashkët të tërheqjes së investimeve të huaja, zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes diaogut të përbashkët Kosovë-Itali.
Ministri Ismajli ka vënë në dukje se ndër prioritetet e MZHE-së janë edhe ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike si parakusht për zhvillim ekonomik dhe ekonomizimin e resurseve energjetike të Kosovës si dhe rritjen e efiçiencës së energjisë dhe zhvillimin e burimeve të ripërtritshme dhe në sektorë të tjerë.
Nga ana e tij, Ambasadori Ferrarese ka ritheksuar vazhdimin e mbështetjes që Italia do t’i japë Kosovës edhe në të ardhmen në arritjen e synimeve të saj në zhvillimin ekonomik, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e mirë të deritashëm.
Në fund të dyja palët shprehen interesim për organizimin e një konference të përbashkët për tërheqje të investimeve në sektorët prioritar për Kosovën nga donatorë dhe biznese të ndryshme që do të ndihmonin ngritjen e performancës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
energjia.al, 12.11.2013