Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tre grupe inspektimi Tiranë -Fier për vjedhjen e karburantit

Inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë kanë nisur kontrollet në të gjitha pikat e tregtimit me pakicë të karburantit në territorin e vendit. Aksioni po kryhet bazuar në ankesat e shumta të qytetarëve për vjedhje në sasi nga operatorët. Inspektorët janë të ndarë në tre grupe dhe fillimisht do të kontrollohen të gjitha pikat përgjatë autostradës Tiranë-Fier.

Kontrollet

Megjithatë, kontrollet e kryera nga ky institucion në të shkuarën kanë rezultuar me efikasitet të ulët. Përveç faktit që nuk bëhen të ditur emrat e abuzuesve me klientët, edhe kontrollet nga ky institucion janë tepër të rralla, në një kohë kur duhet të jenë periodike. “Drejtoria e Përgjithsme e Metrologjisë, nisur nga ankesat e shumta të qytetarëve drejtuar këtij institucioni, si dhe bazuar në problematikën e hasur gjatë inspektimeve të fundit në shumë subjekte në qytetin e Tiranës, lidhur me mungesën e dokumentacionit metrologjik dhe dhënia në sasi jashtë tolerancave të caktuara, ka nisur grupet e inspektimit në autostradën Tiranë – Fier, për të vazhduar kontrollin e zbatueshmërisë ligjore në subjektet e tregtimit të karburantit dhe të gazit”, – thekson njoftimi zyrtar. Nga kontrollet që Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ushtroi gjatë muajit Gusht, rezultoi se, 11% e pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve, apo 133 të tilla, vidhnin konsumatorin.

Abuzuesit

Pjesa më e madhe e subjekteve abuzuese që u vunë re gjatë kontrolleve në muajin Gusht janë të përqendruara në qytetin e Tiranës, ku edhe fluksi i qarkullimit është më i lartë. Edhe pse dokumentacioni i monitorimit të DPM-së është marrë nga Prokuroria e Përgjithshme, ende nuk janë bërë publike emrat e tregtarëve abuzues apo masa e ndëshkimit të tyre. Prokuroria e Tiranës i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë të vinte në dispozicion emrat e kompanive që abuzojnë me karburantin pasi pritet të nisë hetimet. Gjithashtu, hetimi pritet të zgjerohet edhe ndaj këtij institucioni për shkak të moskallëzimit të krimit. Madje, Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar zyrtarisht këtij institucioni që të paraqesë kallëzim për ndjekje penale ndaj këtyre subjekteve. Hetimet nisën kryesisht nga Task-Forcë ndaj subjekteve tregtare për evazion fiskal, mashtrim dhe vjedhje. Ky institucion, pra Drejtoria e Metrologjisë, sipas burimeve të Prokurorisë, e ka detyrim ligjor që, në rastet kur konstaton mashtrime në treg, veç ndëshkimeve administrative, duhet të paraqesë edhe kallëzim për ndjekje penale ndaj subjekteve që mashtrojnë, bëjnë evazion fiskal apo vjedhin konsumatorin. Por Drejtoria e Metrologjisë në atë kohë u shfajësua duke thënë se subjektet nuk janë kallëzuar në Prokurori, pasi janë klasifikuar si kundërvajtje administrative. “Të gjitha rastet ne i kemi cilësuar si kundërvajtje administrative dhe nuk shikojmë elemente të veprës penale”, tha ish-drejtoresha e DPM-së Kozeta Mesiti.

Gazeta Metropol, 22.10.2013