Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hyundai dhe Kia krijojnë start-up prodhues të makinave elektrike

Gjigantët automatikë Koreanë Hyundai dhe Kia kanë investuar mbi 110 milion dollarë në Arrival, duke e bërë kompaninë e automjeteve elektrike një nga start up-et më të vlefshme të Britanisë. Ky do të jetë një hap mjaft i rëndësishëm për Arrival, një kompani pesë-vjeçare me qendër në Londër, që ka rreth 800 të punësuar në pesë vende, përfshirë Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.

Arrival dëshiron të bëjë automjete elektrike që kushtojnë njësoj si modelet tradicionale të mundësuar nga karburantet fosile. Risia e saj qëndron në proceset e  projektimit dhe prodhimit. Pasi të jenë dizajnuar, inxhinierët e kompanisë dërgojnë planet e tyre në “mikrofaktorë” për prodhim. Arrival ka dy pika prodhimi në Mbretërinë e Bashkuar dhe planifikon të nisë automjetin e tij të parë gjatë këtij viti. Ndër të tjera, kompania është shprehur se përfundimisht dëshiron të zgjerohet në Shtetet e Bashkuara, Azi dhe kudo në Europë.

Kompania po përdor gjithashtu një platformë modulare “skateboard” e cila lejon që një sërë modelesh të ndërtohen në një sistem. Volkswagen, prodhuesi më i madh në botë, ka investuar shumë në një platformë të ngjashme prodhimi. Investimi nga Hyundai dhe filiali i saj Kia pritet të arrijë majat në renditjen e start up-eve britanike.

“Ky investim është pjesë e një strategjie të hapur inovacioni të ndjekur nga Hyundai dhe Kia“, tha Youngcho Chi, presidenti i Hyundai.

Prodhuesit më të mirë botërorë në vitet e fundit kanë investuar shuma të mëdha për të zhvilluar automjete elektrike, një transformim i nevojshëm për të përmbushur standardet e reja të ashpra të emetimeve në Kinë dhe Europë. Volkswagen planifikon të nxjerrë më shumë se 60 modele të reja elektrike gjatë dekadës së ardhshme, ndërsa Toyota ka deklaruar se synon që automjetet elektrike të zënë afërsisht gjysmën e shitjeve të saj deri në vitin 2025. Hyundai, ndërkohë, njoftoi se dëshiron të prodhojë 23 lloje të ndryshme të automjeteve elektrike deri në vitin 2025. Kompania gjithashtu është degëzuar në fusha të tjera, inovative. Javën e kaluar, ajo zbuloi një koncept fluturues taksi me Uber në konferencën e teknologjisë CES në Las Vegas.

Investimi është marrëveshja e fundit për të nxitur vrull në sektorin e teknologjisë britanike, e cila ka qenë duke shijuar një bum të fondeve të fundit. Vitin e kaluar, investimet në kompanitë e teknologjisë në Mbretërinë e Bashkuar u rritën në 13.2 miliardë dollarë, duke shënuar kështu nivelin më të lartë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar. Përsa i përket investimeve të kapitalit të ndërmarrjeve në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2019 ato u rritën me 44% në krahasim me një vit më parë, duke forcuar kështu numrin e kompanive të teknologjisë në rritje me shpejtësi.

Scan,  17.01.2020