Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gega Oil u kap me 233 ton karburant pa akcizë, gjobë 350 mijë euro

Report Tv mëson se aksioni anti-informalitet ka ndëshkuar sërish subjektin e hidrokarbureve Gega Oil pasi është kapur me shkelje. Mësohet se ky biznes kryente evazion fiskal duke kaluar regjimin e kasës nga automatike në manuale, duke fshehur kështu të ardhurat reale e duke deklaruar më pak fitim. Subjekti në fjalë është kapur me një sasi prej 233 mijë litra benzinë të pa deklaruar e cila fshihej pikërisht përmes ndryshimit të regjimit të kasës. Benzina e pa deklaruar  është kapur në Porto Romano në magazinat fiskale, gjatë një inspektimi në terren.

Ndaj Gega Oil që kishte bërë shkelje është vendosur një gjobë e majme prej 350 mijë eurove dhe nëse kjo shkelje do të përsëritet gjoba do të jetë deri në 5 fish dhe më pas mbyllja e të gjithë aktivitetit dhe revokim të licencës. Policia ka nisur kontrollet në çdo pikë të Gega Oil për të verifikuar nëse edhe në këto fialiale përdoret e njëjta skemë abuzimi për të fshehur të ardhurat reale përmes regjimit manual.

Ky zbulim evazioni ka ardhur në saj të aksionit që po ndërmerret në të gjithë vendin tonë për të goditur informalitetin, duke filluar nga plazhet dhe lirimi i zonave publike e deri tek hotelet e komplekset me të famshme të vendit.

Strukturat e Administratës Doganore në kontrollet e tyre janë fokusuar tek sektori i  hidrokarbureve dhe produktet e akcizës. Lajmin e ka publikuar kryeministri Rama, ndërkohe në inspektim ka qenë e pranishme Ministrja e Financave Anila Denaj dhe drejtori i përgjithshme i doganave Arlind Gjokuta. Rama ka thënë se operacioni i kthimit në ligjshmëri do të prekë çdo magazinë doganore; jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës, për t’u përballur me Zero Tolerancë ndaj abuzuesve.

Nga ana tjetër gjatë inspektimit Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta tha se kjo është shkelje për herë të parë dhe për këtë arsye penaliteti që aplikohet është 1-fish mbi vlerën e detyrimit. Në rast përsëritje do të jetë 3-fish dhe për herë të tretë shkon deri në 5-fish të detyrimit dhe revokim të autorizimit për ushtrimin e veprimtarisë.

Kjo është një nga pjesët e procesit që ne po kryejmë në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Inspektoriatin Shtetëror Teknik dhe Industrial. Ajo që po mundohemi të bëjmë është inventarizimi fizik i të gjithë gjendjes në magazinat fiskale. Krahasimi i gjendjes me sistemin, me deklarimet që kemi në sistem dhe më pas kryqëzimi i informacionit me të gjitha faturat e shitjes dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për të kuptuar që nga momenti i importit dhe deri në pikën fundore gjithë informacioni është i përcjellë saktë dhe gjithë produkti është i fiskalizuar dhe i pasqyruar drejt kundrejt detyrimeve doganore fiskale ndaj shtetit”, tha Gjokuta.

Në muajin gusht fokusi i kontrolleve do të jetë sektori i produkteve të akcizës, duke filluar nga karburanti, pijet alkoolike, kafeja,etj. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj theksoi se po bëhet një analizë e plotë me qëllim evidentimin e çdo shkeljeje.

“Ne do të monitorojmë çdo veprimtari ekonomike, në mënyrë që të kuptojmë deri në fund masën e evazionit dhe arritjen e objektivave për ta ëuar atë. Në Porto Romano jemi duke analizuar të gjitha pikat e magazinave doganore për të gjitha subjektet që kanë vendndodhje të depozitave. Gjithashtu do të zhvendosemi edhe në Fier, si dhe në çdo pikë ku ka magazinë doganore. Kjo jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës”.

Në fund ministrja Denaj i bëri apel bizneseve të vlerësojnë dhe të deklarojnë në mënyrë të plotë produktet që tregtojnë. Qëllimi i administratës fiskale nuk është ndëshkimi, por ndërgjegjësimi i subjekteve për të zbatuar me korrektësi legjislacionin fiskal në fuqi.

Për shkeljen e mëparshme Administratori i ‘Gega Oil’ , Paulin Gega është shpallur në kërkim pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”,  “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Prokuroria nxorri një urdhër ndalimi për Gegën, por rezulton se ky i fundit është larguar ditën e djeshme nga Shqipëria, pra pikërisht në ditën kur policia e shpalli në kërkim për veprat e mësipërme penale. Po ashtu 4 vite më parë ai ishte proceduar nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave.

Megjithatë, në një reagim për mediat, Gega ka mohuar që të ketë shkelur ligjin, teksa tha se nuk i është shmangur drejtësisë, por ka ikur me pushime të cilat i kishte planifikuar kohë më parë. Ai ka mohuar akuzat se kompania e drejtuar prej tij nuk ka kryer evazion fiskal apo fshehje të të ardhurave, teksa theksoi se “Gega Oil” vijon aktivitetin pa ndërprerje në të gjithë vendin.

Kujtojmë se ‘aksioni anti informalitet’ ka goditur edhe më parë shkelësit në Porto Romano. Në fillim të gushtit në kuadër të aksionit kundër informalitetit dhe kalimit në sitë të gjitha pikave të karburanteve ishte zv/kryeministri Erjon Braçe i shoqëruar nga drejtoresha e Tatimeve inspektuan depozitat në Porto Romano, ku janë magazinat doganore dhe ku çdo pompë duhet të punojë vetëm nën regjim elektronik.  Dy persona kanë përfunduar në pranga në Elbasan nën akuzën e mashtrimit dhe evazionit fiskal me mallrat e akcizës, ndërkohë që hetimet janë shtrirë në mbi dhjetëra persona të tjerë.

Shqiptarja.com  13.08.2019