Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Makinat elektrike dhe trajtimi i tyre në rast aksidenti

Pasi shoferi i një makine Tesla Model S humbi kontrollin dhe doli jashtë autostrade në Fort Lauderdale, duke u përplasur me disa palma, makina mori flakë. Policët që shkuan menjëherë në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, filluan të shuanin flakët me zjarrfikëse të zakonshme, të cilat i përdorin edhe në raste të tjera të ngjashme. Fatkeqësisht, përpjekjet e tyre dështuan. Makina vazhdoi të digjej, duke shkaktuar vdekjen e shoferit.

Policët që shkuan në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë mund të mos e kenë ditur se bateritë me jone litiumi të makinave elektrike, pasi marrin flakë, nuk mund të shuhen me zjarrfikëse të zakonshme. Zjarri që përfshiu makinën Tesla një muaj më parë ka krijuar konfuzion në mesin e punonjësve që punojnë në sektorin e shërbimit të dhënies së ndihmës së parë, veçanërisht në Florida ku ndodhi ngjarja.

Zjarrfikësit u përpoqën që t’i shuanin flakët me ujë. Përpjekja, u duk se po funksiononte, por në momentin që ato dukeshin se ishin shuar, zjarri shpërthente sërish, madje më shumë sesa në fillim. Ky rast bëri që në një raport të fundit të policisë të theksohej nevoja për marrjen e “masave të jashtëzakonshme” në të tilla situata, duke përfshirë këtu edhe një takim me Njësinë e Zjarrfikësve në shtetin Broward, në juglindje të Floridës, për të diskutuar për mënyrën sesi duhet të veprojnë zjarrfikësit.

Aksidenti i mësipërm ilustron sfidat me të cilat përballen ata që japin ndihmën e parë në të tilla raste. Fatkeqësisht, ata nuk kanë njohuri me menaxhimin e këtyre situatave, duke qenë se nuk i njohin karakteristikat e baterive me litium të makinave elektrike dhe mënyrat e duhura që duhen ndjekur në rast aksidentesh. Ekspertët e sigurisë shprehen se, mënyra e vetme për të shuar një bateri me jone litiumi që ka marrë flakë brenda një makine elektrike është vetëm nëpërmjet sasive të mëdha të ujit, shumë më tepër ujë sesa mund të duhet për të shuar zjarrin që ka përfshirë një makinë me motor me benzinë.

Mundësia tjetër është që ta lini makinën të digjet plotësisht. “Zjarri në makinat elektrike me bateri litiumi është shumë i vështirë për t’u shuar, sepse duhen sasi shumë të mëdha uji”, shprehet Robert Taylor, marshall i zjarrfikëseve në qytetin Davie në Florida, aty ku ndodhi aksidenti. Përveç zjarreve, ata që japin ndihmën e parë në rastin e makinave me elektrike përballen edhe me rreziqe të tjera, si për shembull kabllot me tension të lartë. Përvoja i ka mësuar ekipit të Taylor sesi duhet të veprojnë në rast të një aksidenti të një makine elektrike.

Kompania prodhuese e këtyre makinave, Tesla Inc., e cilësoi aksidentin tragjik dhe tha se do të ofronte mbështetjen dhe bashkëpunimin e saj ndaj zjarrfikësve që japin ndihmën e parë në të tilla raste. Tesla vuri në dukje se zjarret e automjeteve nuk ndodhin vetëm te makinat elektrike. “Ne po hetojmë edhe mbi shpejtësinë me të cilën ka qenë duke ecur shoferi i makinës që doli jashtë rruge, sepse ashtu siç mund ta dinë të gjithë, përplasjet e makinave me shpejtësi të lartë përfundojnë në zjarr në çfarëdo lloj makine, jo vetëm në ato elektrike”, shkruan më tej kompania Tesla Inc. Një dëshmitar deklaroi se përpara momentit të përplasjes, makina po ecte aq shpejt sa dukej sikur po fluturonte, ndërsa sipas policisë makina po lëvizte me 80 km/orë.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, me mbi 760,000 makina elektrike në rrugët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zjarrfikësit dhe ata që japin ndihmën e parë duhet të trajnohen në mënyrë që të dinë si të veprojnë në raste emergjente.
Ndërsa Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në SHBA po heton incidentet e shumta që përfshijnë zjarret e baterive të makinave elektrike, problemet dhe vështirësitë më të shpeshta me të cilat përballet personeli i emergjencës. Agjencia ka në plan të nxjerrë një sërë udhëzimesh, bazuar në katër raste të ndryshme aksidentesh që përfshijnë makinat elektrike.

“Ky do të jetë njëkohësisht edhe raporti i parë më i rëndësishëm që do të trajtojë këtë çështje”, tha zëdhënësi i Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit, Chris O’Neil. Por, sipas një raporti të vitit 2017, të kryer nga Administrata Kombëtare e Sigurisë në Autostrada, zjarret e shkaktuara nga makinat me motorë me benzinë janë më të shumta sesa ato nga makinat elektrike me bateri me jone litiumi.

Raporti vë në dukje se teknologjia e baterisë se makinave elektrike është në zhvillim e sipër, pa asnjë konsensus mbi dizajnin e sigurt të sistemit. Sipas të dhënave të Edmunds, makinat me bateri vazhdojnë të mbeten një pakicë në SHBA, ku shitjet e makinave elektrike gjatë vitit të kaluar zunë rreth 1.2% të totalit të automjeteve të reja.

Shitjet e makinave elektrike pritet të rriten

Pritshmëria se shitjet e makinave elektrike do të rriten ndjeshëm në pesë vitet e ardhshme, e bën të domosdoshëm edukimin dhe trajnimin e policëve, zjarrfikësve, operatorëve të kamionëve, pra të gjithë atyre që japin ndihmën e parë, që të identifikojnë dhe t’i japin zgjidhje me lehtësi problemeve në lidhje me makinat elektrike.

Sipas vlerësimeve të Shoqatës Kombëtare të Mbrojtjes nga Zjarri, deri më tani janë trajnuar në drejtim të makinave elektrike rreth 250,000 punonjës nga rreth 1.1 milionë punonjës që punojnë në sektorët e dhënies së ndihmës së parë në raste emergjente.
“Të gjithë personat që punojnë në këta sektorë kanë shumë përvojë kur bëhet fjalë për motorët e makinave me djegie të brendshme, por situata ndryshon kur bëhet fjalë për makinat elektrike”, tha Andrew Klock, menaxheri i programit për teknologjinë në zhvillim në Shoqatën Kombëtare të Mbrojtjes nga Zjarri, një shoqatë jofitimprurëse me seli në Quincy, Masaccusets.

“Sa herë që një makinë elektrike përfshihet nga flakët, telefonatat që ne marrin nga koordinatorët e menaxhimit të emergjencave janë të shumta”, tha ai më tej. Shoqata Kombëtare e Mbrojtjes nga Zjarri ka filluar që të zhvillojë trajnime dhe të publikojë një manual referimi që prej një dekade më parë, që në momentin kur makinat elektrike Chevy Bolt dhe Nissan Leaf dolën në treg.

Prej vitesh, ajo bashkëpunon me General Motors Co dhe prodhues të tjerë të automjeteve, për të trajnuar dhe për të edukuar stafin e të gjithë punonjësit që japin ndihmën e parë në raste emergjente, si për shembull se cilët kabllo duhet të shmangin për të mos e përkeqësuar situatën, apo se si duhet ta kontrollojnë zjarrin e baterisë me litium në një makinë elektrike.

Kompania Tesla gjithashtu zhvillon rregullisht takime me punonjës si zjarrfikësit apo policët që japin ndihmën e parë dhe madje, i jep makinat e saj për qëllime trajnimi. Sipas udhëzimeve online të kompanisë, “nëse bateria e një makine elektrike përfshihet nga zjarri, ajo mund të dojë deri në 24 orë kohë që të shuhet plotësisht.

Një nga gjërat e para që duhet të dinë ata që japin ndihmën e parë sa u takon makinave elektrike është se asnjëherë nuk duhet të presin një nga kabllot me ngjyrë portokalli, sepse ata shërbejnë për instalime elektrike që i tejkalojnë 60 volt. Ata nuk ndodhen vetëm në pjesën e përparme dhe të pasme të makinës, por edhe në panelet anësore të saj.

Ndërsa shumica e makinave me motor me benzinë nuk kanë fare një kabllo në ngjyrë portokalli. Tensionet me voltazh të lartë të makinave elektrike janë pjesë e një tendence të re të kohëve të fundit, për të rritur efikasitetin dhe për të rritur kuaj fuqitë.
Përpjekje të tjera për të lehtësuar punën e punonjësve që japin ndihmën e parë në aksidente të ndryshme të makinave elektrike, përfshijnë standardizimin e materialeve udhëzuese dhe vendosjen e simboleve identifikuese në këto automjete, për t’i dalluar ato më lehtë.

Kjo është duke u udhëhequr nga Shoqata e Inxhinierëve të Projektimit të Automjeteve (SAE), që përfshin përfaqësues nga 11 prej kompanive prodhuese të automjeteve, furnizues dhe zyrtarë qeveritarë. Gjatë këtij viti, Shoqata pritet që t’i përditësojë këto udhëzime, duke shtuar këtu edhe një sërë rekomandimesh të reja, si vendosja e germës “e” (që nënkupton fjalën elektrike) përpara ose prapa targave të automjeteve të reja elektrike.

Zyrtarë të qeverisë janë shprehur se përditësimet e ndryshme që mund t’u bëhen këtyre makinave në të ardhmen mund të përfshijnë edhe vendosjen e një pajisjeje (çelësi) që do të ndërpresë energjinë te makinat elektrike. Vendet jashtë Shteteve të Bashkuara janë gjithashtu duke u marrë me trajnimin dhe edukimin e punonjësve që japin ndihmën e parë në lidhje me makinat elektrike. Në vitin 2016, zjarrfikësit në një qytet të vogël në Norvegji lejuan që një makinë Tesla të digjej tërësisht, pasi kishte marrë flakë në një stacion ku po karikohej, vetëm nga frika se mos përdorimi i ujit mund të shkaktonte një goditje elektrike.

Po gjatë atij viti, zjarrfikësit holandezë vonuan të nxirrnin shoferin e vdekur të një makinë elektrike që ishte përplasur, nga frika se mos nga prerja e një prej kabllove të saj mund të shkaktohej një goditje elektrike. Pas këtij incidenti, autoritetet holandeze iu drejtuan autoriteteve të Departamentit të Zjarrfikësve në Fremont, Kaliforni, ku ndodhet edhe fabrika e prodhimit të këtyre automjeteve.
Departamenti ka përvojë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur ashtu siç duhet incidenteve të ndryshme me makinat elektrike, tha Cory Wilson, i Departamentit të Zjarrfikësve në Fremont.

Z. Wilson u shpreh se kompania Tesla i kishte dhuruar departamentit të tij qindra makina, në mënyrë që ata t’i përdornin si shembuj gjatë orëve trajnuese të personelit. Mungesa e përvojës dhe padituria për të menaxhuar një situatë aksidenti, në të cilën është përfshirë një makinë elektrike mund të jetë fatale jo vetëm për të aksidentuarin, por edhe për ekipet që japin ndihmën e parë. Ne jemi me fat që kemi mbështeten e Tesla-s dhe e kemi atë pjesë të komunitetit tonë”, theksoi në fund z. Wilson.

Monitor,  15.04.2019