Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Moglica, si u ngrit një prej digave më të mëdha në Europë

Moglica, një fshat në zonën e Korçës, rreth 650 metra mbi nivelin e detit, është vendi ku mori jetë një nga Investimet më të mëdha të Huaja Direkte në vendin tonë. Bëhet fjalë për hidrocentralin që u pagëzua me të njëjtin emër, ashtu si edhe fshati. Në vitin 2015, norvegjezët e Statkraft nisën ndërtimin e kësaj vepre dhe sot, katër vjet më pas, hidrocentrali i Moglicës është thuajse i përfunduar. Por çfarë po ndodh realisht sot me këtë vepër, me fshatin dhe cilat janë pritshmëritë për në vijim? Disa përgjigje i morëm gjatë një vizite në terren, në zonën e Moglicës.

Nga Nertila Maho

Diga tashmë ka përfunduar, por ritmi i punës nuk ka rënë. Një pjesë e punëtorëve të kompanisë nënkontraktore po presin që të ndryshojnë turnin dhe kanë rrethuar një zjarr me të cilin po mundohen të zbutin të ftohtin e erës. Pjesa tjetër vijon punën. Mund të shquash që nga lartësia disa dhjetëra kamionë e makineri, që ikin e vijnë në kantier.

Jemi në Moglicë, një njësi administrative e Qarkut të Korçës, 650 metra mbi nivelin e detit, ku norvegjezët e Statkraft po ndërtojnë hidrocentralin e dytë mbi kaskadën e lumit Devoll. Është vepra më e madhe energjetike ndërtuar në vend që pas hidrocentraleve në kaskadën e Drinit në kohën e komunizmit. Diga me asfalt e këtij hidrocentrali është një ndër më të lartat në Europë për nga lloji. “Jemi në ditët e fundit të ngritjes së digës, e cila është 160 metra e lartë. Sigurisht metrat e fundit janë më të lehtë për t’u lartësuar dhe diferenca vihet re shumë shpejt”, na tregojnë Indrit Boriçi dhe Alban Avdiu, dy punonjësit e Statkraft, të cilët na shoqërojnë për të parë nga afër hidrocentralin e Moglicës.

Është e habitshme të shohësh metamorfozën që ka pësuar kjo zonë nën efektin e këtij investimi dhe kjo mund të lidhet si me aspektin fizik të zonës, ku janë zbatuar punime në shpatin e malit, rregullimi i rrugëve të aksesit e deri tek impakti social në zonë, ku në një fshat si Moglica, që në vitin 2015 kur nisi investimi, ishte e vështirë të gjeje një biznes, qoftë edhe atë më tipikun të një kafeneje apo të një dyqani.

Efekti zinxhir i investimit në jetën e fshatit, si u gjallëruan bizneset

Kapanoni i punës i nënkontraktorit dhe Statkraft ndodhet disa minuta larg nga kantieri. Përpara se të shkosh në kantier, do të të duhet të kalosh nëpër fshat. Ajo që mund të shquash janë shtëpitë e vjetra njëkatëshe, të cilat hasen rëndom, tek-tuk ndonjë më e re që vetvetiu të shkon në mendje se ka pasur një efekt emigracioni dhe nuk mungojnë as ato të braktisura e gjysmë të rëna. Është një fshat i varfër, si një pjesë e mirë e fshatrave në vendin tonë dhe është vetëm 2 orë e 30 minuta nga kryeqyteti.

E vetmja që ndryshon disi fytyrën e fshatit është shkolla që ka pak më shumë ngjyra, ashtu siç duhet të jetë bota e fëmijëve. “Kur kemi ardhur në fillim në fshat, mezi gjeje një kafene apo dyqan. Gjithçka duhet ta sillnim me vete. Me kalimin e kohës, kur nisi zbatimi i projektit në terren, gjërat ndryshuan. Banorët e zonës e panë se mund të përfitonin nga fakti që kishte më shumë njerëz, pasi nuk ishin pak 2 mijë punëtorë të kantierit e për rrjedhojë, u përshtatën. Fillimisht u hap një kafene, pastaj një tjetër, restorant, pastaj një dyqan i madh e në fund edhe një furrë buke”, tregon Albani.

Sot është e sigurt që banorët po jetojnë më mirë se dje, kjo ndoshta edhe sepse një pjesë e mirë e tyre përfituan nga punësimi për ndërtimin e hidrocentralit të Moglicës. “Në programin tonë të punësimit, për pjesën e zbatimit të programit Statkraft, ka qenë shumë i qartë për vendin që do të zinte angazhimi i burimeve njerëzore të zonës.

Te ndërtimi i Moglicës u zbatua e njëjta praktikë si për Banjën dhe nënkontraktorit i është kërkuar t’i japë përparësi punësimit nga zona ku zbatohet projekti. Për këtë, kemi ofruar edhe organizimin e kurseve dhe trajnimeve për banorët e interesuar të zonës. Flasim gjithmonë për punëtorët e thjeshtë, siç mund të ishin, për shembull, kuzhinierët apo variante të ngjashme me këto”.

Një njësi komandimi e ngritur brenda në mal, risia e Moglicës

Ata që kanë vizituar kaskadën e Drinit, më e madhja në vend, mund të shohin fare mirë se diga dhe centrali me pajisjet e transmetimit, komandimit dhe mbrojtjes nuk ndodhen larg nga njëra-tjetra. Janë në ambient të hapur. Por nëse viziton hidrocentralin e Moglicës, mund të shohësh vetëm digën. Po centrali? Ky i fundit është vendosur në brendësinë e një shkëmbi.

Është i pari central i kësaj natyre në vendin tonë dhe mund të konsiderohet diçka e re. Diga dhe centrali kanë një distancë rreth 11 kilometra. Uji vjen nga diga përmes një tuneli, brenda malit, i cili transmetohet në turbina të cilat e kthejnë më pas atë në energji. Është mbresëlënëse të shohësh se si e gjithë vepra ndodhet në zemrën e shkëmbinjve.

Përpara se të vizitonim digën dhe centralin nga punonjësit e Statkraft, na u komunikua se është e nevojshme që të bënin një trajnim të shkurtër në lidhje me sigurinë, për të pasur parasysh disa detaje sesi duhet të silleshim në kantier, për të mos rrezikuar.

Ky është një trajnim standard, që kalohet nga të gjithë vizitorët. Pas kësaj, nga zyra na pajisin me një numër, i cili do të na identifikojë përgjatë kalimit në tunelin ku po punohet për centralin. “Çdo punonjës ka një numër të vetin të identifikimit brenda në tunel. Kjo na shërben që ne të dimë sesa njerëz ka brenda tij në çdo rast, sidomos kur ka ndonjë problematikë”, na tregon Albani.

Bashkë me numrin jemi pajisur edhe me veshjen e nevojshme për të hyrë në kantier, duke nisur nga kaska mbrojtëse në kokë te jeleku i verdhë sinjalizues ku shkruhet “vizitor”, e deri te këpucët e përshtatshme. Sapo hyn në tunel dhe kalon te pjesa qendrore e tij, ku do të jetë njësia e komandimit dhe turbinat, mund të vësh re se puna është në kulmin e saj. Është momenti i montimit të turbinave. Lartësia nga bazamenti ku ndodhen turbinat deri në pikën më të lartë të tunelit është rreth 30 metra. Është një hapësirë gjigante, e cila po merr formën e saj finale me të gjithë elementet që përbëjnë një central modern.

Në zbatimin e projektit morën pjesë punonjës nga 23 vende të ndryshme

Projekti për hidrocentralin e Moglicës ka angazhuar saktësisht 2200 punonjës në terren në kulmin e tij. Tashmë numri ka rënë, por sërish grupi që po punon nuk është i vogël, shkon në disa qindra. “E veçanta e Moglicës është që ka bërë bashkë shumë nacionalitete. Pra punëtorët që kanë ardhur dhe janë angazhuar, vijnë nga vende të ndryshme. Të paktën nga 23 vende të ndryshme”, na tregon Rigela, menaxhere e Burimeve Njerëzore në kompani. E ashtu siç ndodh përgjithësisht me të huajt, të gjithë e duan Shqipërinë.

Drejtori i Projektit, William Burstrom, i cili drejton punën në terren, na jep pikërisht atë përshtypje tipike se i ka pëlqyer vendi ynë dhe se projekti ka qenë sfidues, por i bukur. “Është një projekt i madh dhe sfidues. Janë 16 kilometra tunel në brendësinë e shkëmbit. Kemi punuar me ritme shumë të mira dhe shpresojmë që gjithçka të ecë sipas programit të Projektit. Sigurisht, pjesa e mbushjes së digës mbetet për t’u parë, pasi jemi në fund të sezonit të shiut.

Aktualisht jemi në kontakt të vazhdueshëm me Komitetin e Digave për të koordinuar të gjitha veprimet e nevojshme në marrjen e autorizimit të fillimit të mbushjes së rezervuarit. Kemi përfunduar prej kohësh dhe investimin për linjat e transmetimit për lidhjen e hidrocentralit me rrjetin energjetik të vendit, fillimisht me ndërtimin e një linje transmetimi 220 kV, rreth 50 kilometra të gjatë. Gjasat janë që në maj, të kemi nisur testimet e nevojshme për të konkluduar më pas me komisionimin e hidrocentralit.

Aktualisht jemi në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet publike për procese të tjera gjithëpërfshirëse. Kjo është një praktikë normale që e ndjek Statkraft”, na tregon Burstrom. Kur e pyesim për alternativën pse u zgjodh vendosja në mal e centralit, ai na sqaron se kjo është një nga praktikat më të sigurta.

Dy fshatra shpërngulen në Maliq, si lindi pylli social

Fshati më i madh afër me hidrocentralin është vetë Moglica, ish-komuna nga ku buron dhe emri. Por kompania, si pjesë të praktikave të saj që lidhen me sigurinë, ka bërë vlerësimin edhe për fshatra të tjerë që preken nga ndërtimi i kësaj vepre. Përfaqësuesit e kompanisë, gjatë vizitës në terren, na shpjegojnë se duke qenë një zonë malore, lëvizjet nuk kanë qenë masive.

“Një grup prej 21 familjesh i kemi zhvendosur në qytetin e Maliqit pranë Korçës ku është ndërtuar një kompleks shtëpish private moderne nga ana e kompanisë. Secilës familje iu bë një vlerësim i banesës që kishte dhe gjendjes familjare dhe më pas iu mundësua një shtëpi me kushte shumë më të mira në Maliq. Kemi një bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe Bashkinë e Maliqit për këto familje, duke parë mundësinë që të përfitojnë nga nisma e pyllit social, që janë ngastra të mëdha pyjore të mbjella me gështenja pranë Maliqit”, na sqaron Albani. Përveç ndërtimit të shtëpive zëvendësuese në Maliq për këto familje, Statkraft vazhdon të zbatojë një program që mbështet përmirësimin e mjeteve të jetesës për këto familje.

Një ditë nga jeta në kapanon, një miniqytezë e ngritur nga hiçi

Sapo arrin te hyrja e kapanonit, has së pari rojën, i cili bën kontrollin rutinë të mjeteve që hyjnë dhe dalin. Nuk mund të hyjë kushdo. Lëvizja nëpër oborr është dinamike, ashtu sikurse edhe puna e punonjësve brenda zyrave. “Kemi qenë më shumë njerëz në kapanon por tashmë, kur vala më e madhe e punës ka kaluar, ka mbetur vetëm një pjesë e tyre. Disa janë angazhuar në projekte të tjera të kompanisë, të tjerë kanë gjetur mundësi të tjera pune dhe sigurisht një projekt si Moglica, ka luajtur rolin e saj në CV”, na sqaron një nga inxhinierët e rinj që e hasim te kuzhina.

Në fakt, kuzhina duket pika më “strategjike” e gjithë zyrave, të paktën për ne, pasi te makineta e kafesë ke mundësi që të takosh të gjithë. Ashtu siç takuam edhe Zelina Fule. Ajo është inxhiniere dhe një nga dy vajzat që kanë mbetur në kantier së fundi. “Duhet të jetë e mërzitshme koha këtu, nëse je mësuar me jetën dinamike të qytetit – i them.

“Në fakt, në fillim nuk ndihej dhe aq, pasi ka pasur më shumë gjallëri, ishte një përvojë e re. Ka disa alternativa argëtimi, siç është kafeja apo një ‘mini’ bar, disa hapësira për sport, por që sigurisht nuk e zëvendësojnë dot jetesën normale brenda një qyteti”, na përgjigjet. Të paktën ka WiFi. Vjen orari i drekës dhe nisemi për te mensa, një ambient i përshtatur brenda kapanonit ku punonjësit me kuponë mund të përzgjedhin tre alternativa. Është vetëshërbim dhe gjithçka kalon me shpejtësi. Disa hyjnë e të tjerë dalin.

Është konceptuar gjithçka në mënyrë që të mos mungojë asgjë brenda kapanonit, të jetë një miniqytezë e mirorganizuar, me fjetoret e ndara me numra, me hapësira të dedikuara për parkim e shumë elemente të tjera që e bëjnë më të thjeshtë jetesën në të. Por shumë shpejt duket se kjo miniqytezë do të kthehet në origjinën e saj, banorët e fundit janë shumë afër largimit dhe po presin që puna në hidrocentral të përfundojë për t’u hapur rrugë procedurave të tjera si komisionimi dhe më pas vënia e plotë të punë. Me kaq mbyllim vizitën tonë në Moglicë dhe nisim kthimin drejt Tiranës.

Përgjatë rrugës, mund të shohësh gurë që kanë rrëshqitur tek-tuk nga terreni shkëmbor. Na sqarojnë se kjo është diçka që ndodh vazhdimisht, por që aktualisht pastrimin e mbështet edhe nënkontraktori që punon në hidrocentralin e Moglicës. Pasi të përfundojë hidrocentrali, këtë duhet ta bëjë ARRSH ose pushteti vendor, të paktën njëri prej tyre ose ta lënë në mëshirë të fatit.

Monitor,  12.04.2019