Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rusia e gatshme të investojë në gazsjellësin TurkStream

Presidenti rus, Vladimir Putin, u shpreh se Rusia është gati të investojë 1.4 miliardë dollarë amerikanë për të zgjeruar tubacionin e gazit TurkStream përmes Serbisë në pjesën tjetër të Europës.

Në konferencën e shtypit në Beograd së bashku me homologun serb Aleksandër Vuçiç, z. Putin tha se të dyja vendet po bashkëpunojnë për të zhvilluar infrastrukturën e tranzitit në Serbi.

“Ne jemi gati të bëjmë investimin e nevojshëm, rreth 1.4 miliardë dollar amerikanë”, shtoi ai. Putin tha se Rusia është e gatshme të zbatojë projekte në lidhje me zgjerimin e linjës TurkStream në vendet europiane.

Ai foli me interes të madh për këto projekte dhe shtoi se burimet e Rusisë janë të mjaftueshme për t’i përmbushur ato. Projekti i tubacionit të gazit TurkStream përbëhet nga dy linja me gjatësi rreth 930 kilometra, me kapacitet për të transportuar deri në 15.75 miliardë metra kub gaz natyror, i cili planifikohet të jetë plotësisht funksional deri në fund të vitit 2019. Tubacionet do të kalojnë nën Detin e Zi nga Rusia në Turqi dhe më tej do të shtrihen në kufijtë e vendeve fqinje europiane.

Linja e parë e TurkStream synon furnizimin me gaz në tregun turk, ndërsa e dyta do të furnizojë me gaz jugun dhe juglindjen e Europës.

Në kuadër të këtij projekti u zhvillua në nëntor të vitit të kaluar një ceremoni në Stamboll ku ishin të pranishëm Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe ai rus, Vladimir Putin.

“Ne po përgatitemi dhe madje po i zbatojmë këto vepra, por gjithçka do të varet edhe nga vendet e tjera, duke përfshirë vendet europiane”, tha z. Putin. Përpara vizitës së tij në Beograd, z. Putin u tha gazetave serbe, “Politika” dhe “Vecernje Novosti” se gjiganti rus Gazprom po analizonte edhe mundësi të tjera për transportin e mëtejshëm të gazit TurkStream në Europë.

“Një nga opsionet është transportimi i gazit përmes Bullgarisë, Serbisë dhe Hungarisë në qendrën e gazit në Baumgarten të Austrisë. Në këtë rast, Serbia nuk do të përdorë vetëm gazin rus por do të lehtësojë edhe tranzitin e tij. Kjo do të ketë ndikim të mirë në ekonominë serbe, do të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe do të forcojë sigurinë energjetike në vend dhe më gjerë, në Europën Qendrore dhe atë Juglindore”, tha ai më tej.

Presidenti rus shtoi se tubacioni i gazit TurkStream do të jetë plotësisht aktiv deri në fund të vitit 2019.

Monitor,  28.01.2019