Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çfarë është ushqimi “elektrik”

Raportimi i tmerrshëm për shfarosjen biologjike (60% e vertebrorëve të jetës së egër janë zhdukur, që nga viti 1970), është shkaktuar kryesisht nga industria e ushqimit. Peshkimi dhe blegtoria janë shkaqet kryesore të shkatërrimit të ekosistemeve në det dhe në tokë. Mishi, që konsumohet më shumë nga të pasurit se nga të varfrit, është shkaku më kryesor. Mund të tundim kokën të tmerruar për shpyllëzimet, tharjen e moçaleve, vrasjen e kafshëve grabitqare dhe masakrimin e peshkaqenëve e të breshkave nga flotat e peshkimit, por të gjitha këto bëhen të urdhëruara nga ne.

 Raportimi i fundit i The Guardian nga Argjentina thotë se pyjet e mëdhenj të Gran Chacos po shkojnë drejt shfarosjes e po zëvendësohen nga shkretëtira me farë soje, të cilat përdoren pothuajse të gjitha për të prodhuar ushqim për bagëtinë, sidomos në Europë. Tani që në Brazil e mori pushtetin Jair Bolsonaro, shpyllëzimi i Amazonave ka gjasa të përshpejtohet, nëpërmjet lobit që e solli në pushtet.  Pyjet e mëdha të Indonezisë, si në Papua Perëndimore, po priten për vaj palme me shpejtësi marramendëse.

Veprimi më i rëndësishëm që mund të marrim për mjedisin, është të zvogëlojmë territoret në det e në tokë që përdoren për peshkim dhe blegtori. Kjo do të thotë, mbi të gjitha, që të kalojmë te një dietë e bazuar te bimët. Kërkimet e fundit, të botuara në gazetën “Science”, tregojnë se duke pakësuar produktet e marra nga kafshët, mund të ulim edhe tokën që përdoret për ferma me 76%, në të gjithë botën. Kështu na jepet një mundësi më shumë për të garantuar ushqim për të gjithë botën. Mishi nga kafshë të ushqyera me bar, ndryshe nga ç’besohet, nuk është alternativë. Është shpërdorim i hapësirave të mëdha të tokës, të cilat do të kishin mbajtur jetën e egër dhe ekosistemin e tyre.

I njëjti veprim është thelbësor për të parandaluar shkatërrimin e klimës. Qeveritë, duke u përulur para kapitalit, e kanë lënë aq pas dore sa tani është pothuajse e pamundur të ulësh 1.5 gradë Celsius nga ngrohja globale pa zhvendosur dyoksidin e karbonit nga atmosfera. E vetmja mënyrë për ta bërë është të rikthesh pemët te tokat e shpyllëzuara.

Por çfarë mund të shkojë përtej dietës e bazuar te bimët? Mund të shkojmë përtej vetë bujqësisë? Po sikur ta prodhojmë ushqimin nga ajri e jo nga toka? Po sikur të përdorim elektricitetin për të fuqizuar një proces që kthen dritën e diellit në ushqim, në mënyrë 10 herë më të dobishme?

Tingëllon si fantashkencë, por i është afruar shumë fazës komerciale. Një grup kërkuesish irlandezë kanë arritur të prodhojnë ushqim pa pasur as kafshë, as bimë. Përbërësit e vetëm kanë qenë baktere që oksidojnë hidrogjenin, elektricitet nga panelet diellore, një sasi e vogël uji, dyoksid karboni i marrë nga ajri, nitrogjen dhe minerale si kalciumi, sodiumi, potasiumi dhe zinku. Ushqimi ka 50% deri në 60% proteina,të tjerat janë karbohidrate dhe yndyrna. Ata kanë nisur një kompani (Solar Foods), që kërkon të hapë fabrikën e parë në vitin 2021. Këtë javë u zgjodh si projekt “inkubator” nga Agjencia Hapësinore e Europës.

“Përbërja që shkencëtarët finlandezë kanë nxjerrë nga ajri, uji dhe elektriciteti mund të përdoret si lëndë e parë për ushqimin e përpunuar”.

Energjinë e marrë nga panelet diellore e kanë përdorur si elektrolizë për ujin, duke prodhuar kështu hidrogjen, i cili ushqen bakteret që kthehen sërish në ujë. Ndryshe nga format e proteinave mikrobiale, nuk ka nevojë për karbohidrate si lëndë të parë. Me pak fjalë, s’ka nevojë për bimë.

Ndoshta ju duket një ide e tmerrshme. Sigurisht, s’ka asgjë të bukur si proces. Është e vështirë të shkruash poema blegtorie rreth një bakteri që shumohet me hidrogjen. Por kjo është një pjesë e problemit. Kemi lejuar një estetikë mitike të na verbojë përballë realiteteve të shëmtuara të bujqësisë industriale. Përrallat për fermat fillojnë që në fëmijëri, me fermerë faqekuqë, lopë, kuaj, derra e pula që jetojnë në harmoni. Por nuk shohim mizorinë e rritjes së kafshëmve në masë. Gjakun, kasaphanën, papastërtinë dhe ndotjen. Nuk kuptojmë se sa shumë tokë na duhet që të ushqehemi. Nuk e kuptojmë se si po shfarosen insektet nga pesticidet, se si po thahen lumenjtë, po humbim tokën, e se si po zvogëlohet madhështia e larmisë së jetës në tokë, duke u kthyer e gjitha në mbetjet homogjene e ngjyrë gri.

Përbërësi që kanë prodhuar kërkuesit finlalndezë nga ajri, uji dhe elektriciteti mund të përdoren si përbërës në masë për ushqimin e përpunuar. Me modifikimet e duhura, ky produkt mund të nisë të japë proteinat që nevojiten për të bërë mish ose vajra që do t’i bënin plantacionet e palmave të panevojshme. A ka ndonjë arsye pse të mos ndodhë kjo? A ka arsye se pse të mos zëvendësojë një pjesë të asaj që hamë?

Kërkuesit thonë se për fabrikat e tyre nevojitet 20 mijë herë më pak tokë se ç’përdoret sot për sojën, e cila shkon drejt prodhimit të ushqimit. Për të kultivuar gjithë proteinat që konsumon toka sot, atyre do t’u nevojitej një zonë jo më e vogël se Ohajo. Vendet më të mira për ta bërë janë shkretëtirat, ku energjia diellore është më e bollshme. Kur elektriciteti mund të gjenerohet me 15 euro në orë, përpunimi i tyre do të konkurrojë në çmim burimet më të lira të sojës.

A mund të përdoret një teknikë e ngjashme për të prodhuar celulozë dhe linjina, duke zëvendësuar nevojën që kemi për të mbjellë pyje për nevoja komerciale? A ka arsye se pse metoda e hidrogjenit s’mund të krijojë aq produkte sa ç’krijon edhe fotosinteza sot? A shërben po të ndryshojmë marrëdhënien tonë me botën natyrale, duke ulur lëshimin e gazrave?

Ka shumë pyetje që kanë nevojë për përgjigje, shumë pengesa të mundshme dhe kufizime. Por mendoni për mundësitë që hapen. Bujqësia sot përdor pothuajse të gjithë terrenin e punueshëm të tokës. Kjo mund të kthehet në disa parcela të vogla. Potenciali për rimëkëmbjen ekologjike është mahnitëse. Potenciali për të ushqyer botën, një pyetje që më ka mbajtur zgjuar natën, është elektrifikimi.

Kjo nuk do të thotë që duhet të rrimë e të presim të na shpëtojë një teknologji e sapolindur. Ndërkohë, duhet të kalojmë te një dietë e bazuar në bimë, dhe të mobilizohemi kundër shkatërrimit të planetit. Mund ta filloni duke u bashkuar me lëvizjen Rebelimi Ndaj Shfarosjes, që do të nisë sot.

Nëse funksionon, mund të ndihmojë të ndryshojmë gjithça. Vendet që janë kthyer në shkretëtira bujqësore, të shkatërruara nga korporatat e mëdha, mund të kthehen në pyje e të tërheqin dyoksid karboni në masë. Ekosistemi i tokës dhe detit mund të rimëkëmbet në të gjithë planetin. Pak gjasa do të ketë të përballemi me një epokë të re urie globale.

Në këtë situatë na kanë futur tkenologjitë shkatërruese. Teknologjitë e rafinimit mund të na ndimojnë të dalim. Lufta për të hspëtuar çdo specie dhe çdo ekosistem nga kjo valë shkatërrimi, ia vlen. Një ditë, ndoshta edhe gjatë brezit tonë, mund të ripopullojnë tokën.

The Guardian,  02.11.2018