Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndarja e OSHEE-së, regjistrohen në QKR tre kompanitë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka regjistruar në 30 mars 2018 pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit tre kompanitë e reja në varësi të saj. Me këtë hap OSHEE plotëson një nga kërkesat e vazhdueshme të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe modelit të ri të tregut që është ndarja e tij në disa kompani me funksione të veçanta. Kjo do të thotë që sot OSHEE do të funksionojë si kompania kyçe që do të menaxhojë dhe koordinojë tre kompanitë e reja nën varësi të saj. Por cilat janë në fakt shoqëritë e reja aksionere?

I pari është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, shoqëri aksionare me një kapital 3.5 milionë lekë. Administrator i kompanisë është emëruar Marlond Druga. Në objekt të kompanisë është shpërndarja e energjisë elektrike, ndërtimin, funksionimin dhe mirëmbajtja e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike për sigurimin e energjisë elektrike klientëve, lidhjen e klientëve dhe përdoruesve të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, instalimin dhe shërbimet e matjes së energjisë elektrike etj, si dhe çdo aktivitet tjetër fitimprurës me interes për shoqërinë.

Kompania e dytë është Furnizuesi i Tregut të Lirë me një kapital 3.5 milionë lekë dhe me administratore Erina Rexhepi. Shoqëria do të ketë në objekt të saj blerjen dhe menaxhimin e energjisë dhe operimin në tregun e lirë, si dhe çdo aktivitet tjetër fitimprurës me interes për shoqërinë. Për më tepër shoqëria mund të kryejë çdo aktivitetet tjetër i cili nuk është i ndaluar nga ligji në fuqi.

Shoqëria e tretë është Furnizuesi i Shërbimit Universal me kapital 3.5 milionë lekë. Administrator i është emëruar Florenc Rama. Kompania ka në objekt të saj furnizimin me energji elektrike të klientëve fundorë që veprojnë në treg të rregulluar të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi, ofrimin dhe sigurimin e cilësisë tregtare të shërbimit, si dhe çdo aktivitet tjetër fitimprurës me interes për shoqërinë.

Vetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike qëndron si një shoqëri aksionare me vete me një vlerë kapitali prej 30 miliardë lekësh dhe me administrator Adrian Çelën.

Ndarja si kërkesë e modelit të ri të tregut

Sektori energjetik u fut në një fazë ndryshimesh ligjore dhe rregullatore në vitin 2014 e kërkuar me këmbëngulje nga Banka Botërore dhe direktivat e veçanta europiane të lidhura me ambicien për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Në vitin 2015 do të miratohej ligji i ri “Për sektorin e energjisë elektrike” ndërkohe që më herët kaloi edhe një paketë financimi nën emërtimin “Plani i Rimëkëmbjes” mbështetje e BB.

Kuadri ligjor parashikonte mes të tjerash ndarjen e OSHEE, kompania e shpërndarjes në disa kompani të tjera më të vogla duke synuar kështu ndarje të qartë të përgjegjësive dhe menaxhim më efiçent, shërbim më cilësor për konsumatorët por edhe lehtësim të procesit të liberalizimit. Po kështu në tryeza të caktuara ish-Ministria e Energjisë dhe Industrisë sot Infrastrukturës dhe Energjisë ka lakuar mundësinë e kalimit tek privati të njërës prej hallkave të kompanisë së shpërndarjes.

Ligji “Për sektorin e energjisë elektrike”, përcakton të gjitha hallkat e reja të sektorit, detyrat e tyre si dhe marrëdhëniet mes operatorëve si Shpërndarja Transmetimi apo Prodhimi apo detyrat dhe të drejtat e klientëve të çdo kategorie.

Gazeta Tema,  05.04.2018