Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Si të përmirësohet industria e naftës në Shqipëri

Nga Dael Dervishi

Shqipëria është një vend i pasur me naftë dhe burime natyrore, por vendi nuk është duke përfituar siç duhet nga sektori i nxjerrjes së naftës. Investitorët ndërkombëtarë nuk e konsiderojnë Shqipërinë një ambjent rregullator tërheqës ku mund të ushtrohet aktiviteti i tyre. Pa një përmirësim në kuadrin rregullativ, ka pak gjasa që një rritje afatgjatë investimesh në kërkimin dhe prodhimin e naftës, të ndodhë.

Ka një përvojë të menjëhershme për të reformuar sektorin e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve dhe për të ndryshuar kulturën mbi të cilën është ngritur.

Këtu më poshtë është një përmbledhje e shpejtë e hapave që duhet të ndërmerren për të arritur ndryshimin e vërtetë në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Konçesionet hidrokarbure menaxhohen pothuajse në mënyrë të njëanshme nga kompanitë private të naftës në Shqipëri. Aftësitë teknike të agjensive qeveritare janë ekstremisht të dobëta. Kjo mungesë e madhe ekuilibri prodhon konflikte të panevojshme dhe të pafundme midis palëve.

Qeveria duhet shtyrë për të krijuar procedura transparente për dhënien e fushave të reja hidrokarbure. Aktualisht, nuk ka një metodologji dhe përzgjedhja e kompanive për shfrytëzimin e vendburimeve bëhet pothuajse në mënyrë arbitrare. Procesi karakterizohet nga një mungesë transparence, subjektivizëm dhe aplikimet nuk menaxhohen me metoda elektronike.

Qeveria duhet të përmirësojë cilësinë dhe besueshmërinë rregullatore për të tërhequr investime të huaja të rëndësishme. Kjo mund të arrihet duke e kthyer agjensinë kombëtare që menaxhon hidrokarburet, në një ent rregullator të fortë dhe efiçent sipas disa modeleve të suksesshme që kanë zbatuar vende si Norvegjia, Brazili, kolumbia, etj. Rëndësi ka që të jemi një grup stabël ekspertësh, të mirëpaguar dhe të mirëtrajnuar që të mund të këshillojnë qeverinë për politika afatgjata hidrokarburesh. Objektivi është që të krijohet një ambjent rregullativ stabël, konsistent dhe i besueshëm që të garantojë të drejtat e investitorëve. Aktualisht nuk ka procedura të vlefshme konkuruese për përzgjedhjen e punonjësve të kësaj agjensie.

Qeveria duhet të vendosë një praktikë të re për raportimin online të kompanive të naftës, për prodhimin e tyre ditor të hidrokarbureve. Ky informacion i përditësuar do të ishte automatikisht i disponueshëm për publikun më anë të faqes së internetit të ministrisë së infrastrukturës dhe energjisë. Përdorimi i teknologjisë do të lejonte që të dhënat të ishin të hapura për të gjithë. Analizat politike dhe gazetaria do ti bënin më të përgjegjshme dhe më transparente politikat energjitike. Transparenca qeverisëse nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e qytetarëve.

Perceptimi i investitorëve të huaj për Shqipërinë mund të ndryshojë duke promovuar transparencën në qeverisjen e burimeve natyrore, duke vendosuar një autoritet rregullator të pavarur dhe të besueshëm dhe duke hapur tregun dhe duke kufizuar qeverisjen për të luftuar kronizmin, nepotizmin dhe korrupsionin.

BalkanWeb, 13.01.2018