Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Akciza, ja tonelatat e karburantit që do taksohet

Qeveria është treguar e rezervuar në tatimin e mallrave të akcizës për 2017, pasi sasitë në tonë që do të taksohen janë më të vogla se të dhënat e konsumit në treg të këtyre mallrave.

Referuar të dhënave zyrtare, më 2017 pritet të taksohen 3200 tonë cigare, të gjitha në import, por të dhënat nga distributorët e cigareve pohojnë se konsumi vendas është rreth 6 mijë tonë në vit ku një pjesë e tij dominohet nga prodhimi vendas, i cili sot e kësaj dite po has vështirësi në përfshirjen në akcizë.

Qeveria është treguar konservatore edhe për taksimin e karburanteve. Në vitin 2017 është programuar që të akcizohet 540 mijë tonë duke përfshirë importin dhe prodhimin vendas, teksa të dhënat nga Shoqata e Hidrokarbureve pohojnë se konsumi vjetor, me gjithë prodhimin vendas, është mbi 700 mijë tonë.

E njëjti programim është bërë edhe me birrën. Ministria e Financave ka parashikuar të tatojë me akcizë 75 mijë hektolitra birrës, kur konsumi sipas burimeve nga tregu është mbi 100 mijë hektolitra në vit.

Ministria e Financave analizon se faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e parashikuar të të ardhurave nga akciza, krahas rritjes së importeve të mallrave të akcizës, do të jetë disiplinimi i mëtejshëm i procedurave të përfitimit të përjashtimeve dhe rimbursimeve nga kjo taksë.

Por vitin që vjen, akciza do të aplikohet edhe për gazin e lëngshëm për automjete në nivelin 13 lekë/litër, me qëllim përafrimin me standardet e BE-së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt. Duke llogaritur që importi vjetor i gazit të lëngshëm për përdorim nga automjetet, është rreth 25 mijë tonë në vit, efekti në të ardhurat buxhetore pritet të jetë 600 milionë lekë më 2017.

Sasia e mallrave në tonë që janë programuar të tatohen me akcizë në vitin 2017

Cigare                                                                                    3200                 Ton
Karburante import dhe Prodhim Vendas                     540,000             Ton
Birrë import dhe Prodhim Vendas                                 78,500                Mijë Litra
Kafe                                                                                         8,600                Ton
Pije Alkoolike import dhe Prodhim Vendas                    2,600                Mijë Litra
Verë import dhe Prodhim Vendas                                    6,050                 Mijë Litra
Pije Energjike import dhe Prodhim Vendas                    8,325                 Mijë Litra

 

Revista Monitor,  24.11.2016