Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjermania jep 4.5 mln euro grant për efiçencën energjitike të QS

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë z.Hellmut Hoffman firmosën sot marrëveshjen për financimin me grant 4.5 milion euro të rinovimit të konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçencës së energjisë.

Ministri Gjiknuri deklaroi se ky investim pason atë të dhënë më parë në vlerën 5 milion euro po nga qeveria gjermane. “Gjermania është pioniere e asistencës së Shqipërisë përsa i përket eficencës së energjisë elektrike. Efektiviteti është i madh, kursimet e energjisë janë të mëdha. Sjell dobi të mëdha për shoqërinë shqiptare, por mbi të gjitha ne krijojmë një model ekonomik të caktuar, të cilin ne mund ta aplikojmë në shumë projekte të tjera publike”, u shpreh z.Gjiknuri.

Sipas ministrit, ndriçimi publik është një tjetër fushë shumë interesante për të cilën qeveria shqiptare po punon. “Ndriçimi publik është një fushë e re e cila mund të sjellë kursime shumë të mëdha nga pikëpamja financiare për energjinë e harxhuar. Pra, duke përdorur metodat e reja, llampa të reja apo burime të tjera alternative, të cilat e ulin shumë konsumin publik. Po i shikojmë të gjitha mundësitë me partneritet qoftë edhe privat, por qoftë edhe bashkëpunim bilateral me vende të ndryshme që edhe këtu të bëjmë një model të caktuar ekonomik, i cili mund të zbatohet për gjithë ndriçimin publik”, nënvizoi z.Gjiknuri.

Ambasadori Hoffman deklaroi se financimi i këtij projekti vijoi pas një premtimi të Kancelares Federale, znj Merkel gjatë vizitës së saj në Tiranë më 8 korrik 2015.

“Bëhet fjalë për një grant të palës gjermane, pra jo për një kredi. Gjermania ka një përvojë të konsiderueshme në rinovimin e ndërtesave me eficencë energjie, qoftë lidhur me teknologjitë, qoftë përsa i përket financimit përmes KfW-së. Konsumi i energjisë do të reduktohet dukshëm- Buxheti i Shtetit do të jetë më pak i ngarkuar dhe klima do të mbrohet. Rinovimi i të gjithë Qytetit Studenti, sigurisht, do të kërkojë shumë më tepër mjete financiare. Në fund të Majit, Gjermania dhe Shqipëria do të diskutojnë nëse më tej do të mund të merren në konsideratë kredi të buta për këtë qëllim. Eksperti i KfW ka nisur që tani me inspektimin e 5 konvikteve”, theksoi ambasadori.

energjia.al  21.04.2016