Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri prezanton në Kuvend buxhetin për 2016

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin

Z.Kryetar faleminderit,

Realisht do të jem konçiz, pasi buxheti i Ministrisë së Energjisë është një buxhet modest, një buxhet që mbulon funksionet bazë të politikbërjes së strukturave të ministrisë dhe atyre të varësisë. Nuk duhet ngatërruar me kompanitë dhe koorporatat sepse ato ndërmarrje kanë financimet dhe buxhetet e tyre. Gjithësesi, dua të them disa konsiderata paraprake rreth buxhetit. Ai është hartuar në përputhje me parashikimet afatmesme të qeverisë shqiptare lidhur me buxhetin dhe Ministria e Energjisë, brenda këtyre parashikimeve, synon të realizojë objektivat e saja që kryesisht janë të karakterit politik bërës në fushën energjetike. Pjesa tjetër, ka të bëjë me kundër fondet lokale për sa i përket projekteve të huaja. Kemi disa projekte të rëndësishme që i ndjekim si ministri, jo gjithë sektori në tërësi dhe fondi më i madh këtu ka të bëjë me pjesën e fondit për investimet, lidhur me kontributin që ka shteti tek infrastruktura zëvendësuese e kaskadës së Devollit. Pra, bëhet fjalë për rrugën Banjë-Gramsh dhe pjesa tjetër e Moglicës që është një detyrim i autoritetit kontraktor. Është parashikuar fondi përkatës dhe projekti ka një ecuri shumë të mirë. Siç e dini, projekti, gjithë infrastruktura përfundon këtë vit por këto pagesa do të shlyhen gjatë viteve të mëpasme.

Nga ana tjetër, janë parashikuar fonde edhe për një projekt tjetër të rëndësishëm siç është forcimi i kapaciteteve për gazifikimin e vendit. Është një grant i qeverisë zvicerane dhe këtu është parashikuar fondi lokal. Gjithashtu, një tjetër projekt që ka të bëjë me efiçencën e energjisë elektrike. Sëbashku me qeverinë gjermane po zbatojmë për herë të parë nëpërmjet një granti rehabilitimin e disa godinave publike. Buxheti i Shtetit ka programuar këtu pjesën e vet të fondeve që do të bëjë të mundur implementimin edhe të projekteve të efiçencës energjetike. Pjesa tjetër e fondit ka të bëjë me vazhdimin e procesit të mbylljes së galerive të braktisura në miniera. Janë mbyllur qindra galeri në të cilat në vitet e shkuara ka pasur raste fatkeqësisht, ku njerëz kanë humbur jetën duke hyrë në mënyra të pa autorizuara. Ne, gradualisht po realizojmë mbylljen e galerive të braktisura dhe kemi parashikuar një fond edhe për këtë çështje. Në një periudhë disa vjeçare ne nuk do kemi më nga këto zgavra që janë shndërruar në ngrënëse të jetës së njerëzve.

Me këtë Buxhet, kuptohet edhe me ndonjë mangësi të vogël, realizohen objektivat që i kemi vënë vetes dhe objektivat që ka ministria për zhvillimin e këtyre sektorëve. Sektori energjetik vazhdon të performojë mirë, është një sektor që po bëhet kontribues i rëndësishëm i Buxhetit të Shtetit në mënyrë direkte dhe indirekte. Është kontribues nga pikëpamja fiskale, por është edhe në mënyrë indirekte pasi po ekspozon nga viti në vit shumë më pak Buxhetin e Shtetit ndaj rrisqeve që kishte marrë përsipër. Mjafton tu them faktin se në vitin 2013 ekspozimi i Buxhetit të Shtetit ndaj sektorit energjetik ishte në një vlerë mbi 21 miliard lekësh, pra mbi 200 milion USD me kursin e asaj kohe. Sot që flasim, e parashikuar për vitin 2016, ekspozimi do të jetë 5 miliard lekë dhe këto kryesisht për të garantuar investime. Pra, garanci sovrane që shkojnë në funksion të investimeve dhe jo për humbje, garantim humbjesh dhe vjedhjes të energjisë. Mund të them një shifër krejtësisht të matshme, për shkak të reformës energjetike Buxheti është çliruar me një vlerë mbi 16 miliard lekësh, pra 160 milion USD të cilat mund të përdoren nga qeveria shqiptare në funksion të projekteve të tjera. Qoftë këto projekte edhe në energjetikë, por ku të bëhen investime dhe jo të mbulohen humbje në sektorin elektroenergjetik.

Ndërhyrje e ministrit në përgjigje të pyetjeve të deputetëve:

Po përgjigjem së pari për një grup pyetjesh tuaja për çështjen e investimeve, kryesisht investime në sektorin shpërndarjes. Investimet do të vazhdojnë, le të themi që efektet pozitive të reformës në energji kanë bërë që paratë e grumbulluara po përkthehen në investime.  Nëse do të marrim totalin e investimeve në energji në vitin 2013 ka qenë 3.1 miliard lekë ndërsa vitin e fundit plani ka qenë 17 miliard. Ndonëse realizimi mund të ketë qenë pak më i ulët se plani në 2015, mjafton të shikojmë ecurinë krahasimore. Parashikohet që vitin e ardhshëm investimi në sektorin elektro-energjetik të shkojë në 20 miliard lekë dhe kjo kryesisht në pjesën më të madhe tek shpërndarja. Cilat do jenë llojet e investimeve?  Fillon të futet në zbatim dhe projekti i Bankës Botërore i cili deri më tani ka kryer pjesën e asistencës teknike, përgatitjen e projekteve ndërsa vitin e ardhshëm nis konkretizimi. Do ketë investime në përmirësimin e rrjetit; në nënstacione, përshembull në Tiranë do jenë dy nënstacione, një në qendër dhe një në Kombinat. Këto dy nënstacione i shërbejnë të gjithë kryeqytetit. Patjetër investimet do të vazhdojnë në shumë qarqe të tjera. Programi është së pari për adresimin e atyre zonave që kanë konsumin më të madh të energjisë elektrike, ku janë humbjet më të mëdha. Këto investime përmirësojnë rrjetin dhe e bëjnë atë më efiçent. Një pjesë e investimeve do të shkojnë edhe pranë burimeve të reja të gjenerimit të energjisë elektrike. Çfarë ka ndodhur?! Ka ndodhur një fenomen që vihet re dhe ndonëse janë teknike duhet thënë. Dhënia në mënyrë të pakontrolluar e shumë hidrocentraleve ka bërë që të rritet humbja e energjisë elektrike, për shkak të mos efiçencës së rrjetit energjetik. Nga shirat dhe vrulli i ujit, hidrocentralet fillojnë punën menjëherë dhe rrjeti pëson humbje pasi nuk e përballon dhe nuk është dizenjuar për të qenë i tillë. Është fatkeqësi sepse politika e shfrenuar nuk ka marrë parasysh pasojat që mund të kishte në rrjetin e papërgatitur energjetik. Sa për ilustrim, ne po bëjmë një investim në Çorovodë ku janë bërë shumë investime private në gjenerimin e energjisë elektrike por kërkohej një forcim i rrjetit transmetues. Këtë gjë po e bëjmë edhe në shumë zona të tjera ku janë ndërtuar shumë hidrocentrale, kanë hyrë në prodhim dhe shkaktojnë probleme në rrjet. Pra, planifikimi i investimeve të plota në sektorin energjetik për vitin e ardhshëm do të jetë rreth 20 miliard lekë. A do ti zgjidhë kjo të gjitha problemet? Sistemi elektro energjetik, për tu kthyer në modern dhe në parametrat bashkëkohorë kërkon shumë para. Nga studimet që janë bërë sëfundi me asistencën e kfW rezulton se vetëm në shpërndarje do të duheshin 1.6 miliard dollar për ta kthyer në parametra perëndimore. Çdo qeveri do ta ketë sfidë se sa tarifat tona do jenë në gjendje të përballojnë fuqizimin e rrjetit. Për të mos rënduar më shumë konsumatorin, për të çuar përpara procesin e liberalizimit, mënyra më e mirë është efiçenca, ulja e humbjeve dhe mirëadministrimi i sistemit. Shikoni rezultatet e këtyre dy viteve, ne nuk rritëm tarifën e konsumatorit. Konsumatori familjar paguan një tarifë më të ulët se sa tarifa mesatare që ka patur, nëse ishte 9.7 lekë sot është 9.5 lekë. Për shkak të pagesave të shtuara, arkëtimit edhe të borxheve të prapambetura mbi 200 milion euro u mundësuan investimet dhe pagesat e zinxhirit të borxheve. Qeveria shqiptare do të dalë garante për investimet që shkojnë për infrastrukturën energjetike. Pra, nëse do të ketë kredi të buta shteti do të dalë garant me garanci sovrane dhe jo duke nxjerrë para nga Buxheti i Shtetit që këto investime të jenë të mundura.

Ndaj qe e rëndësishme edhe zgjidhja e konfliktit të pronësisë. E them me përgjegjësi të plotë se pa zgjidhur konfliktin e pronësisë nuk do kishim mundësi të bënim asnjë investim për rrjetin energjetik, praktikisht nuk do kishim drita dhe sistemi do kolapsonte. Që të kesh financime duhet të kesh strukturën e qartë të pronësisë. Qeverisë ju bë e qartë nga Banka Botërore dhe FMN se duhet të zgjidhte çështjen e pronësisë. Deri më tani kemi marrë 273 milion euro kredi të butë dhe mbi 20 milion euro grante për sektorin elektro energjetik deri në 2018. Përse është e lidhur kjo me Buxhetin e Shtetit? Sepse energjia është një mall për të cilin kur nuk ekziston, shteti nuk mund të mbyllë sytë. Ndërkaq, kompanitë nuk ishin në gjendje të përballonin furnizimin për shkak të humbjes, vjedhjeve dhe keqmenaxhimit. Sa për ta kuptuar koston e sistemit po jap një shembull. Në vitin 2013, në çdo 100 dollarë energji të hedhur në rrjet, vetëm 35 ktheheshin mbrapsht. Pra, sektori humbte 65 % që nuk përktheheshin në vlerë monetare. Kjo situatë sillte faliment dhe ndaj Buxheti i Shtetit detyrohej që për të mbajtur dritat ndezur, duhet të jepte para. FMN ja tha qeverisë se duhet mbyllur gropa në energji, rriskun duhet ta mbani ju dhe duhet të rrisni taksat. Ndaj ishte e lidhur me taksat dhe qe domethënëse. Po të mos ishte bërë ky reduktim i humbjeve dhe përmirësimi i të ardhurave, Shqipëria do ishte para dy alternativave: të rriste taksat ose të ndërpriste çdo investim tjetër të nevojshëm në sektorët më të domosdoshëm për vendin si shëndetësi, arsim, rrugë etj. Kaq e rëndësishme dhe jetike ishte kjo reformë. Rezultatet janë dhe po i thotë FMN dhe Banka Botërore. Është një sfidë e vazhdueshme se si do sigurohen të ardhurat e nevojshme për përmirësimin e rrjetit energjetik. Reforma strukturore, reforma tarifore dhe ajo e çmimit të hidrocentraleve private synononte pikërisht që të mos krijoheshin borxhe të reja në sektor.

Po ndalem tek pyetja e efiçencës së energjisë. Ligjin sapo e kemi kaluar por për ta bërë sa më efektiv edhe në të ardhmen duhet të vazhdojmë me kodet e ndërtimit dhe parametrat që duhen plotësuar nga pikëpamja e efiçencës. Është një proces më kompleks, po bashkëpunojmë me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe me ndihmën e huaj për të hartuar një legjislacion që e bën të mundur dhe këtë. Kjo ka implikime dhe kosto tek ndërtimi por më rëndësi është efekti në terma afatgjatë. Është me rëndësi mënyra se si komunikojmë edhe me publikun, pasi vërtet mund të duket pak më shtrenjtë por kursimi është në terma afatgjatë. Efiçenca është një burim alternativ i pashfrytëzuar i energjisë. Sa më tepër i izoluar të jetë një objekt, sa më shumë materiale efiçente, aq më shumë do kursejmë energjinë. Ne kemi ndërmarrë disa projekte pilot me godinat publike. Përmenda këtu një projekt me kfW ku po bëjmë disa godina në Qytetin Studenti. Kemi patur një rezultat mjaft të mirë me mbi 10 shkolla në zonën e Lezhës dhe Lushnjes ku përfitimi ka qenë i madh. Ky do jetë një model i pranueshëm financimi edhe për sektorin privat. Është siguruar edhe një kredi e butë nga kfË në lidhje me projektin e efiçencës për sektorin privat. Po punojmë në lidhje me implementimin e këtij projekti pasi shteti do të ketë një lloj partneriteti por kryesisht do jenë sektori bankar dhe bizneset e vogla.

Referuar pyetjes në lidhje me disa artikuj të fundit në media për çmimin e blerjes së energjisë nga OSHEE-ja dua të them se këto janë spekulime të pastra politike. Bursa është diçka që çdokush mund ta kontrollojë duke hyrë në faqen e internetit të bursës hungareze e të shohë çmimet. Nëse flasim për çmimet e bursës unë po jua jap nga data 25 Nëntor deri në 1 Dhjetor 2015. Data 25 ka qenë 45 euro, data 26 me 47 euro, data 27 me 39 euro, data 28 shkon në 38 euro dhe e diela që është data 29 shkon në 30 euro, pastaj të hënën vjen 36 euro dhe e marta sërish 41.9 euro. Nëse ka një element që është përmirësuar efiçenca nga pikëpamja e administrimit është tek blerja e energjisë. Blerjet e energjisë nga viti në vit ne po i ulim, jo vetëm nga pikëpamja e sasisë së importimit më pak por edhe nga ana e çmimit. Mjafton tu them se krahasuar me një vit më parë janë 61 milion euro të kursyera nga OSHEE për shkak të reduktimit të humbjes dhe uljes së çmimeve. Po ju marr vetëm Dhjetorin si tregues; në 2013 ka qenë 52.6 euro blerja e energjisë; në 2015 shkon në 42.8 euro ndërsa bursa ka qenë vetëm diçka më shumë se një euro poshtë. Tek blerja e energjisë është çmimi i bursës por jo detyrimisht është vlera e mallit që vjen në Shqipëri pasi është edhe kosto e transmetimit. Për shkak edhe të koordinimit të shitjes së kapaciteteve nga një zyrë në Malin e Zi që koordinon gjithë Ballkanin Perëndimor është bërë e mundur reduktimi i kostove. Po ka gjë të verifikueshme janë bursat dhe po ta shikoni çmimin bazë të energjisë në vit shkon 42-43 euro. Të shtunën dhe të dielën energjia është më e lirë dhe nuk mund ti marrësh ato për bazë krahasimi mujor. Importet po ulen dhe do vazhdojnë të ulen. Duam të rrisim prodhimin vendas por me një model të qëndrueshëm ekonomik dhe jo si më parë. Ristrukturimi i çmimeve të energjisë për hidrocentralet private ka dhënë efektin e vet dhe ato paguhen rregullisht sot. Asnjë prodhues nuk mund të thotë se nuk ka marrë pagesën për energjinë e levruar. Po punojmë për projektet e mëdha dhe dy-tre vitet e ardhshme mund të kemi fillimin e Skavicës apo ndonjë hidrocentrali tjetër. Do jenë projekte pa garanci blerjeje dhe do ti përgjigjen një tregu të liberalizuar duke mos rënduar tek konsumatori shqiptar.

 

Nuk ka lidhje me Buxhetin për të cilin po flasim por po e sqaroj meqenëse më pyetët. Problemi me Bankers Petroleum është një problem që ka kohë që ka filluar. Ka të bëjë kryesisht me auditët që kanë bërë autoritetet shqiptare lidhur me kostot që ka deklaruar kompania dhe sa të vërteta janë ato. Është një mosmarrëveshje mes Bankersit dhe qeverisë në lidhje me këto kosto. Pse bëhen këto? Për të nxjerrë vlerat reale në mënyrë që taksapaguesi apo buxheti të mos mbulojë atë pjesë që mund të jetë e fryrë në shpenzimet hirokabrure. Kontratat tona hidrokarbure kanë këtë karakteristikë, që kompania të mbulojë të gjitha kostot e shpenzimeve dhe pasi ti ketë larë ato, të mund të ndajë fitimin me shtetin 50%. Ne, nga auditët e kryera nga agjencitë e specializuara kemi konstataur se ka kosto të fryra. Konflikti ka vajtur në arbitrazh dhe arbitrazhi nuk është diçka e paparashikuar pasi është gjë e parashikuar në marrëveshje që palët  zgjidhin mosmarrëveshjen përmes ekspertëve dhe arbitrazhit. Kontrata mund të ketë dhe çështje të tjera, pala shqiptare po i merr të gjitha masat që të mbrohet dhe ka rekrutuar një nga kompanitë ndërkombëtare më në zë për mbrojtjen e intersave të shtetit. Nuk kemi asnjë gjë me asnjë investitor të huaj. Përkundrazi duam të bashkëpunojmë me të gjithë industrinë e naftës, pavarësisht gjendjes së vështirë të uljes së çmimeve. Por nga ana tjetër, duam të mbrojmë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të gjejmë një zgjidhje të drejtë. Zgjidhja e drejtë është ti shkojmë deri në fund vërtetësisë se sa janë këto kosto, sa i takon pjesës së shtetit shqiptar dhe sa i takon kompanisë të rekuperojë nga nafta e vlefshme për tu ndarë. Dua të them dhe diçka tjetër; në kontratat e reja që po negociohen me dy fituesit SHELL dhe Delek Group të israelit për dy blloqet e reja, po vendosim parametra të reja në kontratë që sjellin më shumë avantazhe qeverisë shqiptare, për të shmangur disa probleme që kemi hasur në kontratat e trashëguara, sidomos rasti i Bankers. Duam që me këto terma të reja të kemi mundësi të përmirësojmë të ardhurat e shtetit në një kohë më të hershme nëse aty do të dalë naftë.

Edhe me kostot e shtuara të Bankersit, pra nëse e marrim sikur nuk do kishim ne të drejtë në auditet tona, dhe nëse nafta do të kishte qëndruar në çmimet mbi 100 dollarë, shteti shqiptar vitin e ardhshëm do fillonte të merrte të ardhura nga fitimi dhe faktori R do ishte rekuperuar. Situata është përkeqësuar edhe nga rënia e çmimeve të naftës. Qeveria shqiptare, gjithësesi është e përgatitur ti shkojë deri në fund asaj që e konsideron të drejtë, pa i rënë në qafë asnjë investitori, pa cënuar sigurinë e investimit, por njëkohësisht duke mbrojtur interesat e publikut. Do të thotë marrja e të ardhurave për shtetin por edhe mbarëvajtja e prodhimit. Mbarëvajtja e prodhimit është shumë e rëndësishme pasi ne nuk duam që asnjë kompani të lëshojë mesazhe të tilla që do të ndalojë apo do krijojë probleme me prodhimin e naftës, pasi kjo do të ndikonte në ekonominë shqiptare. Ne nuk mund të pranojmë këtë lloj gjuhe që për mendimin tone nuk është e përshtatshme. Megjithatë, nuk dua të komentoj më shumë për një çështje e cila është në arbitrazh. Jemi duke biseduar me konsulentët juridik, Avokatura e Shtetit është shumë e angazhuar. Ministria e Energjisë së bashku me strukturat ka ngritur grupet përkatëse të punës për të ju përgjigjur çdo lloj skenari financiar apo operacional për mbarëvajtjen e fushës së Patos Marinzës. Ky shqetësim duhet të jetë i të gjithëve, investitorët i mirëpresim dhe hajde të gjejmë optimalen, të mirën e publikut por edhe industria të mos dëmtohet. Ky ka qenë mesazhi ynë si qeveri, nuk kemi patur qëllimin të biem në frymën shpesh herë populiste. Nafta është edhe ndryshe nga çdo lloj industrie tjetër, ka dhe kostot e saja të larta por nga ana tjetër nuk kemi zgjedhur të bëjmë si administratat e mëparshme, që kanë mbyllur sytë dhe u kanë dhënë kompanive një biletë tamam si ajo free-pass, biletë të bënin çtë donin dhe pak mbetej për publikun shqiptar.

Në lidhje me çështjet e Albpetrolit, patjetër ajo kompani është e rëndësishme dhe qeveria shqiptare i kushton vëmendje. Jam dakord me ju, ai është një problem sa social dhe ekonomik. Pavarësisht se nafta ka rënë, me të ardhurat që ka Albpetroli e siguron funksionimin e tij. Patjetër që Albpetroli ka edhe funksione të cilat më shumë janë të trashëguara dhe që sot nuk janë operacionale. Ju e dini shumë mirë se Albpetroli ka nevojë për një riorganizim, për tu bërë më eficcient por njëkohësisht është një strukturë e cila në të gjitha rrethanat duhet të jetë në gatishmëri për çdo të papritur. Historia shqiptare e naftës, ka treguar se kur ka patur rënie të çmimit ndërkombëtar të naftës ka rënë interesi për fushat e naftës nga kompanitë e huaja. Një fushë mund të abandonohet por ne pasuritë nuk mund ti lëmë pa zot. Pra, aty patjetër do të ketë një strukturë teknike që në çdo moment është e gatshme ti marrë këto pasuri dhe ti shfrytëzojë në interes të publikut. Kjo ka bërë që ne të heqim dorë për momentin edhe nga planet e privatizimit. Për shkak të rënies së çmimit të naftës dhe ekzistencës së rriskut të abandonimit të fushave nga rënia e interesit. Por përtej këtij lajmi gri, ka edhe një lajm pozitiv. Interesi për fushat e reja në fakt ka qenë i lartë. SHELL dhe Delek Group nga Israeli kanë hyrë dhe po negociojnë për burimet e reja. Kjo do të thotë se interesi për naftën në Shqipëri vazhdon të jetë i lartë dhe çmimet kanë atë kurbën e tyre. Në një të ardhme relativisht të afërme besoj se do mund të rekuperojë nafta, jo në ato kufijt ku ka qenë por aq sa ta bëjë efektive industrinë.

energjia.al  01.12.2015