Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Indeksi i shitjeve, bie konsumi i naftës

Përballë taksave të larta dhe situatës oligopol në tregtinë e naftës, qytetarët reagojnë duke ulur konsumin e karburanteve. Ky fakt doli në pah nga të dhënat e INSTAT-it, i cili publikoi dje indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë. Në tremujorin e katërt 2014, në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 0,8% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2013, dhe 11% krahasuar me tremujorin paraardhës. Kjo ulje nuk është surprizë, po të kihet parasysh, se shitjet me pakicë të karburanteve në tremujorin e parë 2014 ishin në zbritje 11.1%, krahasuar me tremujorin e fundit 2013. Në vijim pati një përmirësim në dy tremujorët e tjerë, përkatësisht 10.6% dhe 13.3%, ndërsa në fund të vitit 2014, përsëritet rënia e konsumit. Për të kuptuar ecurinë e tregut me pakicë të karburanteve në tremujorin e fundit, na vijnë në ndihmë të dhënat mujore të indeksit vjetor të volumit të shitjeve. Në tetor, shitjet u ulën -3,6% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2013, në nëntor kjo tregti zbriti me -5,0%, ndërsa në dhjetor, për shkak të festave të fundvitit dhe ardhjes së emigrantëve, ka një gjallërim të këtij indeksi me 5,6%.

Tregtia

Në tremujorin e katërt 2014, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 4,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013. Në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtimin e hidrokarbureve”, ky indeks ka pësuar rritje prej 7,1% kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm. Në këtë tremujor, në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 11,3% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2013, duke dhënë kontributin më të madh. Megjithatë, vërehet se konsumatori është larguar nga qendrat tregtare. Nëse ushqimet, pijet dhe duhani në njësitë tregtare jo të specializuara kanë rritje të shitjeve 17,4%, grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare të specializuara” ka ulje të volumit të shitjeve me -17,6%. Në total, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë për grupin e “Produkteve joushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar tregtimin me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur në nivelin 9,2% kundrejt së njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

Indeksi

Përfshirja në tregtinë me pakicë të grupit “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, përbën risi, duke u bërë pjesë kësisoj e llogaritjeve në këtë indeks. Një tjetër risi e klasifikimit të INSTAT, me ndikim në publikimin e indeksit të tregtisë me pakicë është edhe largimi i “Tregtimit dhe riparimit të automjeteve”, i cili ka kaluar në indeksin e tregtisë me shumicë. Gjithashtu, është futur detajimi i grupit “Tregti me pakicë e produkteve industriale në njësi tregtare të specializuara të paklasifikuara në asnjë grup tjetër”. Ndërkaq, janë shtuar grupet “Pajisje kompjuterike, informatike dhe të komunikacionit”, “Libra, gazeta, artikuj shkollorë, produkte të argëtimit, pajisje sportive, lodrat, lojërat dhe të tjera produkte industriale në njësi tregtare të specializuara”, si dhe “Tregti me pakicë e produkteve industriale në njësi tregtare të specializuara të paklasifikuara në asnjë grup tjetër”. Në mbledhjen e të dhënave, INSTAT ka marrë kampionë të ndërmarrjeve me 1 deri në 4 punëtorë nga regjistri statistikor, ndërsa ndërmarrjet me 5 e më shumë të punësuar janë anketuar tërësisht.

Gazeta Shqip, 27.03.2015