Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEK trajnon pjesëtarët e FSK

Grupi i parë, prej 17 pjesëtarëve të Batalionit të Xhenios, në kuadër të Brigadës për Mbështetje Operacionale të FSK-së kanë përfunduar me sukses të gjitha testimet për operatorë të makinerive të rënda pas tri javëve të trajnimit të bërë ne Qendrën e Trajnimit ne KEK. Në këtë rast, ceremonia e shpërndarjes së certifikatave u mbajt sot, më 16 korrik 2014, në Qendrën e Trajnimit në KEK.

Pjesëmarrësit e këtij trajnimi pas testimeve të bëra në pjesën teorike dhe demonstrimeve praktike përmes simulatorëve dhe përmes manipulimit praktik të makinave të rënda në terren kanë kaluar me sukses të gjitha provimet. Në këtë rast, 7 prej tyre kanë kaluar edhe pjesën e paraparë me standarde ndërkombëtare dhe do të pajisen edhe me certifikata të njohura ndërkombëtarisht nga kompania amerikane Hevi-Cert.

Certifikimi i Operatorëve për makineri të rënda është një program unik. Përmes këtij trajnimi dhe certifikimi, pjesëtarëve te FSK-se, u mundësohet të marrin pjesë në projekte dhe aktivitete të ndryshme duke përfshirë edhe ato me karakter ndërkombëtar jashtë vendit. Të gjithë pjesëmarrësit janë ndarë shumë të kënaqur me aftësimin që kanë marrë.

“Jo vetëm KEK-u por edhe tërë vendi, duhet të jetë krenar që ka një institucion, siç është kjo Qendër e Trajnimit që ofron aftësim profesional të këtij niveli. Edhe pse pjesëtarët e njësive tona kishin shkathtësi solide rreth operimit me këto pajisje, njohuritë që morën gjate këtij trajnimi, posaçërisht rreth standardeve të veprimit kanë një vlerë të çmueshme për punën e tyre në të ardhmen.”, tha Kolonel Muharrem Rrahmani, zv. Komandant i Brigadës për Mbështetje Operacionale të Forcave të Sigurisë së Kosovës me rastin e ceremonisë së shpërndarjes së certifikatave.

“Duke pasur si objektiv ngritjen e kapaciteteve që mungojnë në tregun tonë, ne si KEK jemi të lumtur që kemi pasur mundësi të ofrojmë shërbime të tilla dhe vazhdojmë bashkëpunimin ndër-institucional me FSK-në edhe në këtë formë “, tha, me këtë rast, Edmond Nulleshi, Drejtor i Shërbimeve të Korporatës në KEK.

Qendra e Trajnimit e KEK-ut, është hapur në vitin 2005. Gjatë këtyre viteve, në këtë Qendër janë aftësuar dhe trajnuar mbi 21 mijë punëtorë të KEK-ut dhe jashtë tij. Kjo Qendër pos certifikimit të operatorëve për makineri të rënda, merret edhe me aftësimin në teknologjinë e saldimit, teknologjinë elektrike, teknologjinë mekanike, siguri në punë etj. Në trajnimin e operatorëve dhe salduesve, Qendra e Trajnimit në KEK, ofron certifikata me njohje ndërkombëtare, gjë që mund të lehtësojë pjesëmarrjen e kompanive dhe institucioneve vendore në projekte të ndryshme me karakter ndërkombëtar. Për më tepër kjo Qendër tashmë është Akredituar edhe si Institucion ofrues dhe vlerësues i kualifikimeve profesionale në nivelin e tretë sipas ISCED (International Standard of Qualification in Education) i vetmi i këtij lloji në Kosovë.

energjia.al 16.07.2014