Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Naftarët në politikë, shumë pluhur pas

Aderimi i disa biznesmenëve në parti të ndryshme politike, apo kalimi i tyre nga shoqatat, të cilat kishin për synim mbrojtjen e bizneseve, ka lënë mbrapa shumë dyshime. Aderimin e tyre në politikë, këta afarist e kanë arsyetuar, duke thënë se janë programet e partive të caktuara, që i kanë shtyre ata t’i futen politikës, në mënyrë që të kontribuojnë në proceset ekonomike në vend.

Fadil Berjani, është njëri nga këta biznesmen, i cili pa qëndruar gjatë në krye të Shoqatës së Naftëtarëve i është futur politikës. Ai mjaft mirë e shfrytëzoi këtë pozitë në krye të Shoqatës për më shumë se 6 muaj, për të fituar popullaritet, që të arrijë të jetë në listë për deputet te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ai madje gjatë kësaj periudhe është treguar shumë kontrovers me veprimet dhe deklaratat e tij në opinion.

Këto lëvizje nga ekspertët për çështje ekonomike, konsiderohen se po bëhen për përfitimet e tyre personale, fuqizimi i bizneseve, konkretisht arritja me lehtë te tenderët, janë arsyet e akomodimeve të tyre në subjekte politike. Ligjëruesi i lëndës se menaxhimit, Labinot Hashani, ka thënë se qëllimi kryesor i tyre është se përmes posteve, që eventualisht mund të marrin për mes partive politike, të mbështesin kompanitë e tyre. Sipas Hashanit, praktikat e deritashme, kanë treguar se kompanitë me afarizëm pozitiv, kanë qenë gjithnjë të mbështetura me partinë në pushtet, por edhe më institucionet qendrore.

“Derisa arriti qëllimin e tij, Berjani, thoshte se ministrat Beqaj e Nikaj, po i plaçkitnin naftëtarët, kurse pasi ministrat u tërhoqën nga vendimet e tyre, ai filloj të flasë fjalë miradije për ta, kurse në prezantimin e tij për deputetë, ai prapë kritikoi ashpër këta ministra”, ka shtuar Hashani. Në listë për deputetë në LDK është futur edhe ish-kryetari i shoqatës së naftëtarëve, Nazmi Bytyqi, kurse nga ky biznes në listë ka futur edhe partia e Ramush Haradinajt, AAK, Shkëlzen Jusaj, i cili është pronar i rrjetit të pikave të karburantit “Petrol Company”.

Partitë janë të lidhura me kompanitë e mëdha të naftës

Veprimtaria e Berjanit në krye të Shoqatës së Naftëtarëve nga njerëzit, që janë pjesë e këtij biznesi vlerësojnë se ka qenë e pa shmangshme futja në politikë. Avdi Avdiu pronar i pikës së karburanteve “Univerzal Petrol”, ka thënë se të gjitha partitë në radhët e tyre kanë nga një apo më shumë afarist, të cilët merren me shit-blerjen e derivateve.

“ Duke e parë që Shoqatën e Naftëtarëve kjo qeveri në pushtet e anashkaloi, në bizneset e naftës, se mos të harrojmë këto biznese nuk janë të vetëm të një partie, por janë të gjitha partive, por interesi i qeverisë ishte për disa kompani dhe kjo shkatërronte bizneset tona, të cilat nuk ishim drejtpërdrejt të involvuar”, ka thënë Avdiu, duke shtuar se do ta përkrahë Berjanin, ngase sipas tij ai ka punuar në interes të naftëtarëve.

Para këtyre njerëzve të fuqishëm milionerë, të cilët po udhëheqin biznesin e naftës, ishin dorëzuar gjatë muajve të kaluar dy ministra të kësaj qeverie, Beqaj dhe Nikaj. Berjani së bashku me milionerë, të cilët janë në Shoqatën e Naftëtarëve kishin fituar betejën me ministrin e Financave, Besim Beqaj, i cili pasi që kishte dhënë ultimatum për fiskalizim të të gjitha pikave të karburantit, ai kishte hequr dorë nga vendimi i tij, duke iu dhënë kohë naftëtarëve që të veprojnë të pafiskalizuar, për më tepër u ka dhënë hapësirë që të futën si aksionarë në operatorin, i cili do të futet së shpejti në treg për arkat fiskale.

Shumë pluhur pas

Madje, ky vendim kishte ngjallur një betejë për interesa të grupeve të ngushta, që ishte zhvilluar edhe mes kompanisë “Gekos” dhe Shoqatës së Naftëtarëve, duke bërë akuza e kundërakuza në adresë të njëri-tjetrit. Përfaqësuesi i operatorit “Gekos”, Driton Shuki, kishte bërë publike presionin, që kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Bejrani, po ushtronte mbi ta me qëllim që t’i detyrojë të bashkëpunojnë me një kompani serbe.

Pas akuzave e kundërakuzave ndërmjet këtyre dy palëve, situata ishte tensionuar dhe kjo kishte shtyrë operatorin “Gekos” që të bëjë publike korrespodencat me email-a të operatorit të licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale dhe Sisteme me një kompani nga Serbia, me të cilët operatori “Gekos” me insistimin e Fadilit ishin takuar jo zyrtarisht.

Kurse, me aderimin e tij në LDK, kryetari i Shoqatës të Naftëtarëve, Fadil Beriani kishte deklaruar se do të jetë një zë i fuqishëm i bizneseve, për të ndaluar haraçin institucional, që po i bëhet kësaj kategorie të bizneseve nëpërmes fiskalizimit.

Gazeta Zëri, 24.05.2014