Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEK-u inauguron projektin që ndal ndotjet

Nga marsi i këtij viti, jeta e banorëve që jetojnë afër termocentralit dhe atyre që janë atakuar nga ndotja e këtij Termocentralit Kosova A do ta kenë më të lehtë jetesën pasi në këtë termocentral kanë përfunduar tri projektet: Transporti hidraulik i hirit nga Kosova A në hapësirat e boshatisura të minierës, Instalimi i elektrofiltrit të ri në njësinë A4 dhe Komisionimi i stacionit të kompresorëve në këtë termocentral.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj ka thënë se korporata të cilën e menaxhon ka trashëguar detyrime të mëdha mjedisore për shkak të degradimeve të bëra nga e kaluara, por duke rritur çdo vit qëndrueshmërinë financiare të saj, korporata me seriozitetin më të madh ka jetësuar projekte madhore mjedisore, të cilat dukshëm kanë përmirësuar mjedisin në të cilin operon.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Gjukaj ka thënë se përkundër faktit se KEK-u po prodhon energji me stabilimente të vjetra, ai ka arritur që vitin e kaluar të shënojë rekord në prodhimin e energjisë duke arritur ne 6 milionë megavatë nga të gjitha njësitë prodhuese. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka thënë se përfundimi i këtyre projekteve bënë Kosovën një vend më të pastër në fushën e ambientit.

Ellen Goldstein, Drejtoresh rajonale për Evropën Juglindore ne Bankën Botërore ka thënë se Kosova ka trashëguar një situatë të vështirë sa i përket ambientit, por me investimet e deritashme është treguar një përkushtim i madh për t’u mundësuar banorëve që energjinë ta kenë të prodhuar me sa më pak dëme për ambientin.

“Kosova ka hyrë në një epokë të re. Praktika e hedhjes së hapur, të pakontrolluar të hirit të thatë te deponia ekzistuese e hirit te Kosova A , në një shkallë të vlerësuar prej më shumë se gjysmë milion ton në vit, ka ndaluar dhe atë përgjithmonë. Tash që hedhja e hapur e hirit ka ndaluar edhe te deponia e hirit te Kosova A, KEK ka rifilluar trajtimin e pjesës së fundit të deponisë së hirit, duke e stabilizuar, riformësuar dhe mbyllur ashtu që të pengohet ngritja e çfarëdo pluhuri nga deponia”, ka thënë Goldstein.

Ambasadori gjerman, Peter Blumeyer ka deklaruar se Kosova duhet të vazhdoj të prodhoj energji nga thëngjilli, pasi që vendi ka këtë një pasuri të madhe dhe atë duhet ta shfrytëzojnë për prodhimin e energjisë, por që kjo energji të prodhohet me teknologjinë më të re në mënyrë që me këtë të ruhet edhe ambienti dhe të minimizohet ndotja.

Inaugurimi i këtyre projekteve u bë në Ditën Ndërkombëtare të Energjisë së pastër.

Barrën kryesore të investimeve në këto projekte e ka pasur KEK-u me ndihmën e donatorëve: Banka Botërore dhe qeveria e Holandës.

Portali Telegrafi, 05.03.2014