Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Prokuroria kundër mashtrimit me karburantet

Mashtrimi me sasinë e shitjes së karburanteve, tashmë është bërë objekt i një hetimi të kompletuar nga ana e Prokurorisë, përtej kontrolleve të posaçme të ndërmarra nga Drejtoria e Metrologjisë gjatë vitit të kaluar. Duke e ngritur këtë problematikë, tashmë edhe në një rrafsh hetimi të profesionalizuar penal, përveçse administrativ siç u realizua nga institucioni i lartpërmendur pak muaj më parë. Nismë kjo e cila pohohet posaçërisht për “Koha Jonë” nga burimet zyrtare të organit të akuzës dhe që flet në njëfarë mënyre për angazhim të këtij të fundit mbi zbardhjen e skemës reale të mashtrimit dhe abuzimit me shitjen e sasisë së vërtetë të naftës apo benzinës, nëpër pikat e karburantit në rang vendi. “Ndërsa metrologjia bën hetim administrativ, ne kryejmë hetim penal. Kemi nën hetim edhe persona të tjerë, përveçse atyre që u arrestuan. Është një rrjet i tërë”, citojnë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme për “KJ”, duke vërtetuar në këtë mënyrë ekzistencën e nismës për të hetuar nga afër gjithë skemën e mashtrimit që vihet në përdorim në pika të ndryshme karburantesh, kundrejt qytetarëve, duke u servirur më pak naftë apo benzinë, nga sa ata paguajnë. Dhe siç bëhet me dije, për organin e akuzës, ky i fundit, nuk përbën as më shumë e as më pak, po një vepër të pastër penale, që meriton të ndëshkohet. Njësoj në fakt, siç ndodhi edhe tre personat e denoncuar para tre ditësh prej saj, të vendosur saktësisht nën akuzën e “mashtrimit” me sasinë e karburantit, si edhe të shpërdorimit të detyrës. Në një rast të tillë, organi i akuzës, tashmë nuk e ka vënë në më dyshim nëse kemi të bëjmë realisht me një vepër penale, siç u angazhua pak kohë më parë të vërtetonte në kuadrin e një procesi të hetimit mbi provat e paraqitura pranë saj prej raportit përkatës të Drejtorisë së Metrologjisë mbi abuzimet, që inspektorët e kësaj të fundit, kishin mundur të verifikonin gjatë kontrolleve të ushtruara në terren, në pika të ndryshme karburanti. Dhe për një arsye të tillë, ai nuk ka denjuar të kërkojë masën e arrestit me burg për personat e lartpërmendur. Megjithëse, ajo që nuk kuptohet mirë ende është fakti se përse organi i akuzës, “e mban dorën” teksa nuk bën publikë edhe emrat e kompanive, për të cilat punonin personat e arrestuar dhe që në fund të fundit, përmes karburantit të tyre, është kryer edhe mashtrimi me shitjen e karburantit, nga të arrestuarit. “Nuk janë në pozicionin e menaxherëve apo të administratorëve të përgjithshëm. Dhe një punonjës nuk mund të penalizojë një kompani të tërë, vetëm nëse do të ishte në poste drejtuese”, cilësojnë lidhur me një fakt të tillë, burimet zyrtare të organit të akuzës. Duke lënë të kuptohet në këtë mënyrë, se megjithë nismën pozitive të ndërmarrë prej këtij të fundit për hetimin e të gjitha skemave të mashtrimit me shitjen e sasive të karburantit, sërish do të kemi fshehje të emrave të kompanive. E kjo, edhe pse emra të arrestuarish që e kanë kryer një vepër të tillë penale, mund të bëhen publikë gjatë ditëve në vijim. Pasi siç pohojnë vetë burimet e lartpërmendura, sërish për “KJ”, hetimi i tyre ka nisur pikërisht mbi provat dhe denoncimet se ekziston një rrjet i tillë personash, që ushtrojnë këtë vepër penale. Por ajo që ende nuk kuptohet në fund të gjithë kësaj historie, është se kur do të kemi realisht një ditë, në dorë, emrat e të gjitha kompanive të karburanteve, nëpër pikat e të cilave, qytetarët janë vjedhur haptazi dhe vazhdimisht, teksa u janë servirur sasi më të pakta nafte apo benzine, kundrejt pagesës që ata kanë kryer. Deri kur këto kompani, do të jenë ende nën mbrojtjen e legjislacionit ekzistues?

0.5
Litra në 10 litra naftë apo benzinë, rezultoi si mashtrim gjatë procesit të shitjes nëpër pikat e karburantit, gjatë verifikimeve në terren të inspektorëve të Drejtorisë së Metrologjisë

100
Lekë në 2.000 lekë rezultoi si mashtrim gjatë procesit të shitjes së naftës apo benzinës nëpër pikat e karburantit, gjatë verifikimeve në terren të inspektorëve të Drejtorisë së Metrologjisë

3
Persona deri tani, janë vënë në pranga organet e policisë pas një kërkese të prokurorisë për masën e tyre të sigurisë me arrest, mbi veprën penale të mashtrimit me shitjen e karburanteve

Ku e bazon Prokuroria kërkesën për arrestime?

Pas hetimit të nisur nga Prokuroria, gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për tre persona. Dhe kjo, pasi “ata akuzohen se nëpërmjet veprimeve të paligjshme kanë dëmtuar në mënyrë të vullnetshme matësit e sasisë së karburantit, në pikat ku ushtronin detyrën e tyre. Hetimi vijon dhe është shtrirë në tre drejtim, për të sqaruar ndër të tjera, edhe dëmin e shkaktuar”, cilësohet në kërkesën e posaçme të organit të akuzës për arrestimin e tre personave të ndaluar. “Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, në datën 4 shtator 2013, ka regjistruar dhe filluar kryesisht hetimet në procedimin penal për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mashtrimi”, parashikuar nga nenet 248 dhe 143/2 i Kodit Penal. Në bazë të informacioneve të siguruara përmes medias, rezultonte se në periudhën qershor-gusht 2013, pika të tregtimit të karburantit në rrethe të Tiranës dhe në rrethe të tjera, abuzonin me sasinë e karburantit që u shitej klientëve, ku rezultonte se sasia e furnizuar ishte më e vogël sesa ajo për të cilën paguanin konsumatorët”, citon më tej organi i akuzës. Duke pranuar nga ana tjetër se ky fakt është konstatuar edhe nga kontrollet e ushtruara nga Drejtoria e Metrologjisë, në bazë të të cilave, subjekte të ndryshme janë gjetur me shkelje dhe ndaj tyre janë marrë edhe masa administrative. “Subjektet kanë kryer veprime me dashje duke dëmtuar instrumentin matës dhe duke furnizuar konsumatorët me anë të instrumentave të paverifikuar, duke përdorur pompa furnizimi me afate të skaduara apo duke përdorur pompa furnizimi jashtë parametrave të lejuar dhe që japin sasi mangut karburanti, pra dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka vjedhur pasurinë e tyre me anë të gënjeshtrës, e cila konsiston në një sasi më të vogël furnizimi karburanti, nga ajo për të cilën është paguar nga konsumatori. Këto veprime vijnë në kundërshtim me ligjin nr. 9902 “Për mbrojtjen e konsumatorit” i cili ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve në treg, duke përfshirë të gjitha llojet e marrëdhënieve ndërmjet tregtarëve dhe konsumatorëve”, përfundon kërkesa e prokurorisë.

Koha Jonë, 04.03.2014