Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Karburant me çmim 100 lekë litri për fermerët

Fermerët mund të përfitojnë naftë me 80 deri në 100 lekë për litër, nëse qeveria miraton skemën e re të propozuar nga shoqatat e agrobiznesit në vend. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, po finalizon projektin që parashikon shpërndarjen e karburantit me çmim më të ulët se tregu, për sektorin e bujqësisë, serave dhe peshkimit.

Zv/ministri i Bujqësisë, Alban Zusi, në një prononcim për ATSH-në, u shpreh se, aktualisht ekspertët e fushës po punojnë intensivisht, për hartimin e bazës ligjore, mbi të cilën do të mbështetet zbatimi i kësaj skeme. Pas shqyrtimit që po i bëjnë të gjitha propozimeve që kanë ardhur nga shoqëria civile si përfituese e drejtpërdrejtë e këtij projekti. Skema e propozuar parashikon shfrytëzimin e naftës që prodhohet në vend për qëllime bujqësore. Shpërndarja do të bëhet sipas një skemë që nuk lë hapësira abuzimi.

Ndërtimi dhe zbatimi me sukses i kësaj skeme që synon të shpërndajë karburant me çmim të lirë vetëm për prodhimin bujqësor dhe peshkimin, është i mirëpritur nga fermerët dhe grupet e interesit, të cilët edhe pse skeptikë për mënyrën se si do të zbatohen ato në terren, shprehen se, zbatimi efikas i tij do të shtojë prodhimin dhe investimet rurale.

Çmimet e karburanteve janë një zë i veçantë që kanë kosto të madhe në prodhim, veçanërisht në serat me ngrohje ku shkon në 50% të së gjithë kostos prodhuese, ndërsa në sektorin e peshkimit shkon në 70% të kostos së produktit. Burime nga ministria e Bujqësisë theksojnë se, sfidë në zbatimin e kësaj skeme është gjetja e metodës alternative për furnizimin me naftë me kosto të ulët në bujqësi. Një ide ështe negociata me kompaninë ‘Albpetrol’, e cila prodhon naftë D2, që është më e përshtatshme për përdorim në bujqësi. Ky projekt i ri vjen si një premtim i mbajtur i qeverisë në fushatën zgjedhore për mbështetjen e sektorit të bujqësisë dhe fermerëve. Ndërsa përkon dhe në periudhën kur ka hyrë në fuqi paketa fiskale 2014 që parashikon rritjen e akcizës për naftën e benzinën.

ATSH, 03.03.2014