Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pikat e karburante përzienin benzinën me naftë bruto

Thellohet skandali me pikat e karburanteve abuzive, ku rezulton se benzina përzihej me naftën bruto të papërpunuar, duke përbën rrezikshmëri për ndotjen e ambientit dhe për vetë automjetin. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur prokuroria pas verifikimit të raporteve të kontrollit nga ana e Drejtorisë së Metrologjisë. Sipas të dhënave të organit të akuzës shkeljet janë gjetur brenda gjashtë muajve të këtij viti. Ndërkohë që nga ana e Metrologjisë nuk ka pasur asnjë lloj mase ndëshkimore për karburantet. Burime nga prokuroria pohojnë se krahas tregtarëve po analizohet edhe përgjegjësia e Drejtorisë së Metrologjisë. Nga verifikimi i raporteve rezulton se përqindja e oktanit në benzinë nuk është në nivelin e duhur. Sipas ekspertëve që ka pyetur prokuroria, norma e oktanit jo në nivelin e duhur do të thotë përzierje e benzinës me naftën bruto D2. Kjo është e dëmshme për ambientin dhe për motorët e makinave. Pra krahas mashtrimit me sasinë e benzinës, rezulton e vërtetuar nga raportet e kontrollit edhe abuzimi me cilësinë e benzinës. Kjo do të thotë se mund të jemi para veprës penale të mashtrimit. Hetimet nisën pas deklaratës së Drejtorisë së Metrologjisë për probleme me peshën në subjekte. Në total rezultuan 4 pika karburantesh në kryeqytet dhe 7 pika nëpër rrethe. Në përfundim të verifikimit të dosjes me materialet e sekuestruara organi i akuzës vendosi për regjistrimin e veprave penale të vjedhjes, evazionit fiskal.

Hetimet

Sipas prokurorisë rezulton se për çdo blerje të klientit nga ana e pikës së karburantit vidhet 0.5 litër, e cila është e barabartë me shifrën e 100 lekëshit. Pikat e karburanteve për çdo blerje prej 2000 lekësh, fusnin në xhep 100 lekë. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se në total janë 14 pika karburantesh në mbarë vendin, të përfshirë në rrjetin e mashtrimit dhe vjedhjes, nga të cilat 4 pika në kryeqytete dhe 10 pika në rrethe. Nga të dhënat e prokurorisë këto pika karburantesh rezultojnë se kanë qenë më parë të gjobitura me rreth 7 mln lekë për abuzime, por mesa duket gjoba nuk i ka penguar për të vijuar grabitjen dhe mashtrimin e qytetarëve. Qytetet ku janë hasur probleme janë Tirana, Durrësi, Korça dhe Elbasani. Por organi i akuzës nuk bën me dije emrat e firmave të karburantit ku janë hasur shkeljet, për arsye hetimore.

Karburantet

Sipas burimeve nga drejtoria e Metrologjisë mësohet se janë vënë në dispozicion të prokurorisë gjithë dokumentacioni që disponohej lidhur me pikat e karburanteve që abuzonin me sasinë që u shisnin klientëve. Mësohet se katër pika të evidentuara si të tilla ndodhen në qytetin e Tiranës, ndërsa disa të tjera në Kavajë dhe në rrugën nacionale Durrës-Lushnjë. Mësohet se procedimi penal për këtë çështje është regjistruar për akuzën e vjedhjes, mashtrimit dhe evazionit fiskal. Gjithashtu në përgjegjësi penale do të merren edhe zyrtarët e Metrologjisë në rast se konstatohen elemente të veprës penale nga hetimi i nisur për mashtrimin me sasinë e karburanteve. Aktualisht kjo çështje duket se ka marrë zgjidhje, pasi të gjithë subjektet e kapur me shkelje janë ndëshkuar me gjobë nga Metrologjia dhe mekanizmi mbushës i pompave të karburanteve është vulosur nga inspektorët. Megjithatë prokuroria do të kryejë verifikimet e nevojshme, pasi dyshohet se vjedhja e konsumatorëve është bërë për një kohë të gjatë dhe dëmi i shkaktuar mund të jetë shumë i madh. Hetimi fillimisht nisi nga kryeqyteti aty ku janë evidentuar katër kompani problematike në sasinë e karburantit, ndërsa më pas do të shtrihet në të gjitha pikat dhe subjektet e tjera që dyshohet se kanë vjedhur konsumatorët nëpërmjet sasisë së tregtuar të karburantit.

 

Gazeta Standard, 11.11.2013